Nga Eugjen Merlika /
Gjatë pothuaj një viti të fushatës zgjedhore P.S. dhe kryetari i saj shpalosën, në të gjitha shfaqjet e saj, idenë e ndryshimit që do të sendërtohej në jetën e Shqipërisë, mbas vendimit të “sovranit”, të shprehur më 23 qershor 2013.
U deshën më shumë se dyzet ditë që ky vendim të bëhej zyrtar. Kjo qe anomalia e parë e këtij proçesi zgjedhor, për të cilin entuziazmi i politikës, i mediave, madje dhe i të huajve shkoi në qiell, një tregues i hapur i një bindjeje, tashmë të rrënjosur thellë në të gjithë opinionet, se akti i votimeve, veprimi më i thjeshtë, më i natyrshëm e, njëkohësisht, më i rëndësishëm në jetën e një demokracie, në Shqipëri nuk mund të jetë kurrë në kufijtë e së zakonshmes. 23 qershori 2013 duket se, deri diku, e hodhi poshtë këtë postulat, të krijuar në më shumë se dy dhjetëvjeçarë të kalesës, mbasi, fatmirësisht, pala humbëse pranoi përfundimin, mjaft i prekshëm, për të mos lënë shumë shtigje për kundërshtime, ankimime apo shfaqje të tjera të vërtetuara në vitet e shkuara. Megjithatë afati i pritjes së shpalljes së përfundimeve tregon mbrapambetjen e theksuar të administratës dhe legjislacionit shqiptar në mbarështimin e proçesit kyç të jetës demokratike. Si ka mundësi që Vende të tjera, me dhjetra miliona votues, janë në gjëndje që, brënda 12 orëve të shpallin rezultatet, ndërsa ne na duhet një muaj e gjysëm për të numuruar më pak se dy milionë skeda zgjedhore ?
Një tjetër motiv i diskutueshëm është prirja mohuese e politikës shqiptare, për të hapur, realisht, proçesin zgjedhor ndaj shqiptarëve të mërguar. Prej vitesh politika, në të dy krahët e saj, ka spekulluar mbi këtë argument pa e kanalizuar asnjëherë atë në hullinë e një vendimi zyrtar të Kuvendit, që do t’i jepte mundësinë qindra mijra shqiptarëve të mërguar të thonë fjalën e tyre, në përcaktimin e barazpeshave të jetës politike të Atdheut të largët. Është një praktikë e zbatuar në shumë Vende të botës dhe krejtësisht e mundëshme të sendërtohet, pa organizuar karvanë autobuzësh apo makinash nga Greqia, apo premtime të pambajtura për pagesa biletash aeroplanësh nga Italia ose Vëndet e tjera. Nuk dekretohet votimi në qendrat konsullore apo nëpërmjet internetit, nuk dihet se pse…. Është një lloj frike apo mospranimi që i bëhet opinionit të atyre që kanë lënë Shqipërinë duke ruajtur lidhjet me të, sepse ajo i la ata pa asnjë mundësi dinjitoze jetese apo t’ardhmeje, por që, në këta dy dhjetëvjeçarë të kalesës, kanë dhënë një ndihmesë të çmuar, jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për qëndrueshmërinë financiare të vetë Shtetit shqiptar. Ky i fundit, si shpërblim, shfaq mospërfilljen….
Nga përfundimi i zgjedhjeve, deri në formimin e hyrjen në fuqi të Qeverisë së re, kaluan gati tre muaj. Ky është një tjetër paradoks i legjislacionit tonë, nuk di a ka ndonjë rast tjetër të tillë në botë. Në absurditetin e saj kjo gjëndje prodhon ato dukuri si kontrata, dhënie sipërmarrjesh, emërime etj., të cilat sot kundërshtohen fuqishëm e kërcënohen me pezullime dhe asgjësime, duke vënë në lojë humbje financiare e, akoma më shumë besueshmërinë dhe seriozitetin e vetë Shtetit dhe përfaqësuesve të tij.
Kryeministri i ri, Edi Rama, në daljet e tij në publik e në skenën ndërkombëtare, ka shpalosur ide e synime që meritojnë vëmëndje. Shumë e dobishme ideja për të vënë në sitën e ndonjë institucioni të njohur ndërkombëtar gjëndjen financiare të Vendit, që ka nevojë për një diagnozë të saktë n’atë drejtim. Vëmëndja ndaj Kosovës e bashkërendimi i veprimtarive të dy qeverive është me shumë interes, nëse do të ketë si synim strategjik jo interesa kastash por ata kombëtarë.
Takimet me përfaqësues të lartë të institucioneve të B.E. e të NATO-s, veç ritualit të zakonshëm të paraqitjes së një qeverie të re , lënë të shpresohet në një tjetër mendësi, që i hap rrugën një shpejtimi të proçesit të integrimit evropian të Shqipërisë, për të cilin duket se ka një prirje të përgjithëshme miratuese. Kryeministri shqiptar vlerësoi zyrtarisht punën e paraardhësve të tij para autoriteteve të Brukselit, duke theksuar edhe shumë detyra të tjera që mbeten për t’u kryer. Nuk i përcolli në tryezën e dëshëruar për të qenë i ftuar, akuzat e ndërsjellta e të pafund që kanë shoqëruar, në gjithë këta vite, përfytyresën e politikës shqiptare. Edhe se është në kuadrin e një etike, do të thosha të domosdoshme në një jetë politike normale, meriton vlerësim nëse mbajmë parasysh realitetin tonë.
Kryeministri zotohet brënda e jashtë Vendit se do të luftojë me rrënjë korrupsionin, jo thjesht si një kalë beteje të zakonshme, por si një strategji që do t’i sigurojë jetëgjatësi, duke paraqitur ajo dukuri pengesën më të madhe në rrugën e Evropës. Nuk mund të mos jesh i një mëndjeje me të kur ai shpall solemnisht se asnjë zyrë shteti nuk do të bëhet fole prodhuese postesh pune në funksion të interesave vetiake, familiare, të klanit, të partisë etj. “Shumë e bukur për të qenë e vërtetë” thotë një proverb italian. Sikur të realizohej dhe gjysma e këtij synimi do të ishim të lumtur të konstatonim faktin se kemi bërë një nga kthesat më të rëndësishme në jetën e shoqërisë shqiptare. Por…. ka shumë arsye që bëjnë skeptik edhe optimistin më të zjarrtë të “rilindjes” shqiptare.
Ai mosbesim rrjedh, kryesisht, nga aktorët që do të sendërtojnë këtë “hop” të madh cilësor në Shqipërinë e njëmijë problemeve. Duke mbajtur parasysh faktin e risisë së një pjese të mirë të Qeverisë, që shprehet në moshë e funksione, kursi i ri do të ketë “bekimin” e rojes së vjetër të trashëgimisë ramiziane, të ngritur në fushën e politikës në vitet e fundit të regjimit e në fillimet e dhjetorit 1991. Çfarë sigurie mund t’i japin këtij kursi të ri drejtues si Gramoz Ruçi, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo e të tjerë si këta ? Vitet e kalesës së pambaruar e të dështuar të sistemit Shqipëri mbajnë vulën e pashlyer të këtij brezi politikanësh që, së bashku me “kundërshtarët” e tyre në PD e kanë monopolizuar në trajta berluskoniane jetën politike. Jemi i vetmi Vend ish komunist që kemi në drejtimin e Shtetit dhe të politikës të njëjtët njerëz që e përcaktuan atë në 1991. Ky fakt, më shumë se të na bëjë të mendohemi, duhet të na bëjë të skuqemi, sepse provon katërcipërisht paaftësinë tonë për të shkuar përpara, për t’u ripërtërirë politikisht, për të lënë mbas krahëve mallin për socializmin, bëmat dhe idetë e tij, për të pëvehtësuar mendësinë e respektimit të vlerave qytetëruese, që shprehet në forcimin e shtetit ligjor që bëhet pengesë e pakapërcyeshme për ato dukuri që çojnë në paralizat e shoqërisë.
Koha do të tregojë se sa do të jetë në gjëndje ekipi i ri i kryeministrit të vejë në zbatim nevojat e domosdoshme të ripërtëritjes mendësore të politikës shtetërore, se sa do të përfaqësojë ndërrimin brezor, duke e shoqëruar atë me evolucionin e nevojshëm botkuptimor. Sigurisht kthimi në glorifikimin e konferencës së Pezës nuk shkon n’atë drejtim, ashtu siç nuk është një tregues pozitiv fakti që Qeveria merr një vendim të heqë nga zyrat e shtetit portretin e Kryetarit të tij. Edhe duke mbajtur parasysh vlerën e personit, përkatësinë dhe mënyrën e zgjedhjes së tij që, ndoshta për mjaft qytetarë mund të jenë të diskutueshme, nuk do të nguroja t’a quaja atë vendim një shkelje të etikës politike, një veprim të panevojshëm, madje të dëmshëm.
Në shumicën dërmuese të vendeve demokratike portreti i Kryetarit të Shtetit është i pranishëm në të gjitha zyrat qeveritare. Kjo është një praktikë e konsoliduar që mban parasysh çastin real e nuk ka lidhje me të shkuarën dhe historinë. Ideja për të vënë portretin e firmëtarit të parë të Pavarësisë së Shtetit shqiptar nëpër zyra, në dukje kërkon të ngrejë në piedistal një vlerë madhore historike, në fakt është një mënyrë jo shumë e zgjuar për të asgjësuar de facto autoritetin e Kryetarit aktual të Shtetit, duke e arkivuar si të parëndësishme figurën. Sigurisht Bujar Nishani nuk ka e nuk mund të ketë peshën dhe personalitetin e themeluesit por, që nga çasti i zgjedhjes në funksionin e Presidentit, ai bëhet qytetari i parë i Republikës, simboli i bashkimit të saj e si i tillë respekti për të bëhet i domosdoshëm. Puna dhe veprimtaria e tij mund të jenë objekt kritikash edhe t’ashpra por, përderisa ai mos të ketë kryer ndonjë veprim që, simbas kushtetutës, i jep të drejtë Kuvendit të kërkojë shkarkimin, ai mbetet një figurë ndaj së cilës asnjë lloj qeverie nuk ka të drejtë t’a verë në diskutim.
Zoti Ilir Meta u shpreh se heqja e fotografive të Presidentit është kryer më parë nga paraardhësja e tij në funksion, zonja Topalli. Se sa pak bazë logjike mund të ketë një argument i tillë justifikues është në sytë e të gjithëve. Fatkeqësisht ajo tregon nivelin e ulët të politikës shqiptare në përgjithësi, që është në gjëndje të asgjësojë edhe vlerat më parake të bashkëjetesës institucionale për teka vetiake, për mospërputhje interesash, idesh e konceptesh. Nëse znj. Topalli ishte bërë nismëtare e heqjes nga zyrat e saj të fotografisë së ish Kryetarit Topi, zoti Meta, si autoriteti i dytë i qeverisë Berisha, duhej të kishte ndërhyrë për t’a kritikuar ashpër atë veprim e jo t’a quante një preçedent për t’u imituar simbas kohës e njerëzve. Veprimi është i dënueshëm në të gjitha rastet e habit fakti që ai, në të shkuarën ka kaluar pa u “vënë re” nga organet e medias e nuk ka patur kundërveprime.
Mendoj se duhet të jëmi të vetëdijshëm se, duke shkelur edhe rregullat më të thjeshta të bashkëjetesës institucionale, do t’i hapim rrugën vetëm mohimit të vlerave shtetformuese, për pasojë anarkisë së koncepteve, dukuri këto që na bëjnë të shkojmë jo drejt Evropës por drejt Haxhi Qamilit. Nëse duam të nderojmë gjithmonë kujtimin e Plakut të Vlorës, mund të miratohet në Kuvend një ligj që e bën të detyrueshëm vendosjen e fotografisë së tij në të gjitha zyrat, krahas asaj të Kryetarit aktual të Shtetit. Të dy mund të qëndrojnë njëkohësisht, njëri simbol i vlerave të përjetëshme të Kombit e tjetri përfaqësues i Shtetit aktual, dëshmi e aftësisë për të fuqizuar institucionet e për t’i respektuar ata. Në të kundërt, nëse pranojmë si të ligjshëm çdo lloj improvizimi politik të çfarëdo partie apo qeverie, rrezikojmë që të kemi, simbas bindjeve e paragjykimeve historike, në zyrat e Shtetit tonë portrete të ndryshme, duke mos përjashtuar edhe ndonjë që e kemi mbajtur për dhjetëvjeçarë pa fund.
U mundova të skicoj përciptas disa aspekte të periudhës pas zgjedhore e fillimit të punës së Qeverisë Rama. Është ende shumë shpejt për të vlerësuar veprimtarinë e saj. I rëndësishëm është që ky vlerësim, sido që të jetë, të shkëputet nga paragjykimet e të përcaktohet vetëm nga faktet, sa e nxisin apo e frenojnë ata përparimin e Vendit e të shoqërisë shqiptare. Do t’ishte edhe ky një hap i madh përpara drejt qytetërimit.
Shtator 2013