Nga Harilla Koçi/.-Tragjedia “Hekuba” e Euripidit, një nga më të njohurat e antikitetit vënë e skenë nga regjisori me origjinë shqiptare, Enke Fezollari dhe protagoniste, aktoren nga Vlora, Vefi Rredhi, do të përfaqësohet në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës(The InternationalFestival Sarajevo,“Sarajevska zima”), që nis të dielën në mbrëmje në kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës.
Në një prononcim për ATSH-në, aktorja Rredhi, thotë se, “ndihem mirë që marr pjesë në këtë festival”. “Hekuba” është në gjuhën greke, por këngët e vajit në Sarajevë do të jenë në shqip”, thekson ajo. Për aktoren që jeton e interpreton prej vitesh në Greqi, pjesmarrja në aktivitete të tilla është kënaqësi të dyfishtë, sepse është mundësi për të prezantuar vlerat e vendit të saj. “Kudo që paraqitem sjell diçka nga vendi im, sjell mënyrën se si qajnë në Vlorë…dhe kur dhimbja të mbyt..ne këndojmë gërshetuar me vaj…Në një moment vaji unë them…u mbush deti me të rinj, o bir i nënës o bir…të nisi nëneja larg…për një jetë më të mirë o bir..”; Kështu shprehet Rredhi, një ditë përpara këtij festivali, që është një nga aktivitetet më të rëndësishme teatrore që zhvillohen sot në Evropë.
Premiera e tragjedisë “Hekuba”, me regji të Enke Fezollarit dhe protagoniste Vefi Rredhit, u shfaq për artësashësit grekë pranverën e vitit të kaluar. Për disa muaj artëdashësit grekë, ndoqën me interes në Teatrin “Thision”, të Athinës, këtë premierë, që sjell një nga tragjeditë më të njohura të antikitetit.
Kjo shfaqje u realizua me regji të artist të talentuar me origjinë shqiptare, Enke Fezollari dhe në të interpretuan emigrantë nga vende të ndryshme, që jetojnë e punojnë ne vendin fqinj.
Por, në imazhin e artëdashësve, figura e Hekubës, mbretëreshës trojane, mbeti dhe do të mbetet i pashlyer nësajë të intepretimit plot ndjenjë e realizëm, në një nivel profesional, nga aktorja vlonjate, Gjenovefa Rredhi, e cila jeton prej vitesh në Greqi.
Roli i Rredhit, gjen mishërim jo vetëm në staturën e Hekubës, por edhe në mesazhet e fuqishme që përcjell, në aktualitetin ku dhimbja, largimi dhe harresa, përzihen bashkë. Këtu qëndron veçantia e veprës, e mirëpritur jo vetëm nga artdashësit grekë, por edhe nga kritika, e cila ka vlerësuar aktoren vlonjate, që përcolli në skenë një Hekubë që flet për të shkuarën dhe për të tashmen, një Hekubë që qëndron mes dy kohëve, ndonëse të largëta nga njera tjetra.
Sot, njerëzimi po përjeton një nga krizat më të vështira. Emigracioni është më i ndjeshëm se asnjëherë tjetër. Në këto kushte, kuptimi “I tjetrit”, “I të huajit”, ç’rrënjëzimi, që cilësohen në tragjedi, janë në këto momente reale, sa asnjëherë tjetër në botë dhe në Greqinë e sotme. Njerëz të ndryshëm, në kushte dhe për arsye të ndryshme, detyrohen të lenë vendin e tyre, shtëpitë, jetën e tyre dhe të emigrojnë në vende të tjera, për një jetë më të mirë. Në atdheun e tyre, mund të ishin mjekë, arsimtarë, artistë, por nevoja për të jetuar i çoi në vend tjetër ku shpesh, detyrohen të punojnë në profesione dhe në punë që as nuk i kishin menduar kurrë më parë. Këta janë personazhe realë sot. Ata vërtiten në skenë,në sfondin e saj, diku dhe gjithkund. Këtë pasqyron Hekuba. Rënia e një mbretëreshe, që bëhet skllave dhe detyrohet të lusë kundërshtarët dhe…përfundon të jetë “e huaja”.
“Në realitetin e sotëm, Hekuba është një nënë që e shohim përreth,është nëna e djalit nga Pakistani, nëna nga Siria që vrapon mes plumbave me foshnjë në krahë, është nëna e djemve të rinj që aq shpesh tani, deti i nxjerr të mbytur. Është nëna, motra, (unë jam nga Vlora) e gjithësecilit prej tragjedisë së Otrantos”, thotë për ATSH-në, aktorja Gjenovefa(Vefi) Rredhi. Sipas saj, figura “e tjetrit” është gjithësecili prej nesh sot, që kemi ikur,jemi larguar nga vendi. Por, shton ajo, në këto kohë të vështira, në këtë pozita janë sot edhe grekët. Në këto kushte, Hekuba nuk është vetëm një nën, është një vend i tërë, një atdhe i humbur, ose i shkatërruar, një atdhe që shpesh humbet bijtë e tij, sepse i detyron të ikin larg.
Duke sjellë në kujtesë vargjet e poetit grek, Jani Rico, Rredhi thotë se, “ne nuk këndojmë për t’u veçuar, vëllai im, nga bota (nga të tjetrët). Ne këndojmë të bashkojmë botën”. “ Po . Arti ekziston që të ndihmojë bashkimin dhe të jetuarit në paqe”, shprehet aktorja vlonjate për ATSH-në.
Rrethi thotë se, “Është hera e parë që interpretoj në gjuhën greke dhe theksoj në rolin e Hekubës, një rol me kërkesa, një rol që flet në vite”. Ajo veçon drejtimin regjisorial të regjisorit Enke Fezollari, që sot jeton në Athinë. Ajo nuk harron ndihmën e grupit mbështetës dhe të theatrologes së njohur greke, Natali Minioti, që u konkretizuan me arritjen e kuptimit të plotë të tragjedisë së Euripidit dhe realizimin e saj me një këndvështrim bashkëkohor. Përdorimi i të dy gjuhëve, ndërhyrjet me këngë dhe të qarët në shqip, plotësuan më bukur Hekubën dhe vështrimin e saj bashkëkohor. “Ndjehem shumë bukur dhe e pasur të jem rritur mes dy kulturave dhe dy gjuhëve qe së bashku më ndihmuan tek Hekuba…të mendoja si qajnë në Vlorë, si këndojnë kur ikën vajza..Por dhimbjet e shpirtit, dhimbjet njerëzore, nuk kanë kombësi. Ato janë një..”, vijon në prononcimin e saj, aktorja nga Vlora.
Gjatë vitit të kaluar, shfaqja e tragjedisë “Hekuba” u dha në Teatrin ”Thision” nga 4 shkurti deri në fund të muajit maj. Po shfaqjet vijuan edhe në qytetin e Selanikut, në 8 dhe 9 qershor, në përfundim të Festivalit të Kulturës të organizuar nga Ministria e Kulturës e Greqisë membështetjen e BE-së.
Duke vlerësuar këtë shfaqje dhe rolin e Hekubës, shkrimtari, regjisori dhe përkthyesi grek Ahilea Kiriaqidis, shprehet: “U emocionova me të vërtetë nga tragjedia e antikitetit,ashtu siç e dëgjova dje në mesa vajeve dhe këngës së dasmës nga Shqipëria, si dhe me vargje nga Kavafi e Seferi. Interpretime të nivelit të lartë nga ana e aktorëve.Kush përjetoi eksperiencën tronditëse teatrale, nuk do të harrojë kurrë Hekubën e Rredhit, teksa ndërronte njëmijë fytyra dhe njëmijë shprehje të fjalës, kur vajtonte, ose mallkonte, ose kur shtronte planin e hakmarrjes”.
Ndërkohë, me nota të larta vlerësimi u shpreh edhe gazetari i njohur grek, Niko Dilavera. Sipas tij, “Në rolin e Hekubes, aktorja Vefi Rredhi, jep me interpretim cilësor, pathos dhe ndjeshmëri, emocionet e rënies nga vajtimi në shpresë, nga shpërthimet emocionale në “diplomacinë”e logjikës,nga dëshpërimi në hakmarrje të mbretëreshës së dërrmuar, me një mënyrë interpretimi,që të rrëmben”.