Nga Prof. Nelson ÇABEJ/
Duke përshkruar bregdetin jonian të Epirit nga veriu në jug Straboni shkruan: “…malet Keraune dhe pas tyre njeriu arrin në Onkesm… Pas Onkesmit vjen Poseidiumi e gjithashtu edhe Butrinti…kurse Phoenice (Finiqi i sotëm –N.R.Ç.) gjëndet mbi gjirin që është në Butrint”1.
Ky Poseidium në shënimet e botimit anglisht të Gjeografisë së Strabonit është identifikuar me kepin e Shkallës, që ndodhet në jug të Sarandës, përballë Korfuzit. Por gjeografi aleksandrin Ptolemeu, duke ruajtur renditjen e Strabonit, e vendos kepin e Poseidonit, Poseidon akron (Ποσείδιον ἄκρον) në koordinatat 450 35’ dhe 380 10’, d.m.th. në jug të gjirit të Butrintit, të cilin ai e vendos në koordinatat 450 45’ dhe 380 20’ 2. Po të mbështetemi në këto të dhëna të Ptolemeut, kepi i Poseidonit duhet të ndodhet jo në veri por në jug të Butrintit dhe kandidati më i mundshëm nga ana gjeografike për tu identifikuar me kepin e Poseidonit do të ishte pika bregdetare ku kalon kufiri i sotëm midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Për të përcaktuar se cili nga këta dy lokalizime i përgjigjet së vërtetës, duhen mbajtur parasysh:
Së pari, se Straboni, si historian, mund të mos ketë pasur njohuritë që kishte gjeografi Ptoleme ose t’i ketë kushtuar pozicionit gjeografik të vendeve që përshkruante po atë rëndësi që duhej ti kushtonte Ptolemeu, qëllimi themelor i të cilit ishte lokalizimi në hartë i vendeve që përshkruante.
Së dyti, se në të dhënat e Strabonit, nuk thuhet shkoqur se Poseidiumi ndodhej në veri të Butrintit.
Së treti, se kordinatat që jep Ptolemeu, e vendonis kepin e Poseidonit në jug të Butrintit.
Le të kujtojmë edhe një herë se emrat e vëndeve shpesh ruhen për kohë të gjata dhe emri Poseidon i kepit po kështu mund të jetë ruajtur në ndonjë vëndemër lokal. Por para se të bëjmë këtë duhet të shpjegojmë arsyen përse duhet të jetë përdorur emri një perëndije të lashtë greke për emërtimin e një kepi në një rajon iliro-epirot. Në këtë rast përgjigja nuk është as e vështirë as e komplikuar: kepi ndodhet pranë Butrintit,
një vëndbanim iliro-epirot qysh nga shekulli XII p.e.s., i cili duke filluar nga shekulli VII p.e.s. u popullua edhe me kolonë grekë.
Për të gjetur se cili nga dy kepet e sotme të jugut të bregdetit jonian të Shqipërisë i përgjigjet kepit të Poseidonit (Poseidiumit), përsëri mund të na vijë në ndihme hetimi i vëndemrave të sotëm të atij rajoni të ngushtë. Në këtë hetim vëmëndjen ta tërheq vëndemri Qafa e Botës, që gjëndet rreth dy kilometra në perëndim të Konisploit, afër kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë me Greqinë gjëndet, nëpër të cilën deri në vitin 1912 kalonte rruga që lidhte pellgun e Delvinës me pjesët më jugore të Çamërisë. Në vështrimin e parë duket si e pamundur që duke kaluar nëpër gojën e shqiptarëve, vëmdemri Poseidon të jepte emrin “bota”. Por nga pikëpamja e fontetikës së shqipes ky evolucion bëhet plotësisht i mundshëm në qoftë se do të mbajmë parasysh një fakt të dialektologjisë së lashtë greke.
Autorët të dhënat e të cilëve u përdorën në këtë shkrim, Straboni dhe Ptolemeu, janë autorë grekë të periudhës romake të cilët shkruanin në greqishten klasike ose të koinesë, por kolonistët grekë të Butrintit, që kishin ardhur nga Kerkira flisnin në dialektin dorik (ata ishin me prejardhje nga Korinthi) dhe në dialektin dorik perëndia quhej Poteidon dhe jo Poseidon. Për të gjitha arsyet e mësipërme, si dhe duke u mbështetur në faktin që në dialektin dorik, i cili ishte në përdorim në kolonitë greke të lashta të Jonit dhe të Adriatikut, emri perëndisë së detit shqiptohej Poteidan (Ποτειδάν) unë parashtroj këtu dy hipoteza:
- Kepi Poteidan ndodhej në jug të Butrintit të lashtë, aty ku ndodhet me të vërtetë një kep, në kufirin e skajit jugor të Republikës së Shqipërisë me Greqinë.
- Toponimi i sotëm Qafa e Botës është forma e sotme, e evoluar, e një toponimi të lashtë ilir, Qafa e Poteidonit.
Për vërtetimin e hipotezes së parë unë sjell të dhënat e paraqitura më parë në këtë shkrim rreth pozitës gjeografike të këtij kepi, bazuar në të dhënat e burimeve të lashta.
Vërtetimi i hipotezës së dytë rreth lokalizimit të kepit të Poteidonit bazohet në argumente gjuhësore. A lejojnë regullat e fonetikës historike të shqipes evolucionin e formës së lashtë Poteidon në Botë? Rregullat e fonetikës shqipe duket se thonë ‘po’.
Ne dimë me siguri se mbaresa –on e Poteidon-it do të humbiste që në lashtësinë e vonë. Në një fazë më të vonshme do të ndodhte shndërrimi eiài, që do të nxirrte formën Potida dhe, me asimilim, Potita. Humbja e regullt e t-së ndërzanore në fund të emrit (e me shumë të gjarë, edhe veprimi i etimologjiisë popullore) shpuri në formën e sotme Bota (Qafa e Botës).
Të gjithat këto dukuri shndërrimesh fonetike në skajin më jugor të Shqipërisë kanë nisur qysh në lashtësi kur po ndodhte procesi i zhvillimit të gjuhës shqipe, si bijë e ilirishtes, dhe kjo përfaqëson një provë tjetër gjuhësore të pranisë së shqiptarëve në atë territor qysh në lashtësinë klasike.
Referimet