-Qeveria e Republikës së Kosovës, Vendim për ndarjen e mjeteve financiare për aktivitetet e Qendrës për Studime Shqiptare në Londër në vlerë prej 21,379.00 euro/
PRISHTINË, 11 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e qeverisë sot pasdite foli edhe rreth vendosjes për masën prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Kjo masë është vendosur ndaj shtetit të Serbisë dhe në asnjë mënyrë ndaj qytetarëve serbë” tha ai dhe shtoi se, “kjo masë nuk do të hiqet deri një njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia”.
Në 21 nëntor 2018, Kosova vendosi 100% tarifë doganore për të gjitha mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
“Ky vendim është marrë në pajtim me nenin 18 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Vendimi është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës”, theksohej në një letër të kryeministrit Haradinaj drejtuar ambasadorëve dhe shefave të zyrave ndërlidhëse të akredituar në Kosovë.
Sot, Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga kryeministri Haradinaj, ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, të 79-tën me radhë.
Mes tjerash, kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për aktivitetet e Qendrës për Studime Shqiptare në Londër në vlerë prej 21,379.00 euro./b.j/