Komisioni i Displinës kërkon kohë, Dosjet janë voluminoze/
Ankthi i pritjes nuk mori fund sot. Vendimi i shumë pritur i komisionit të disiplinës pranë UEFA për të i cilin ish lajmëruar nga vetë organizmi më i lartë i futbollit europian se do të merrej sot është shtyrë për ditën e nesërme, duke lënë në ankth të gjithë shqiptarët që prej një javë presin të kuptojnë se kush do të jenë fatet e takimit të ndërprerë mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Lajmi është konfirmuar për “Ora News “ nga burime pranë federatës shqiptare te futbollit te cilët pohojnë se gjithçka është shtyrë për të premten për shkak të dosjeve voluminoze që dy federatat kanë dorëzuar pranë këtij komisioni.
Në këtë mënyrë anëtarët e komisionit të disiplinës kanë kërkuar me shumë kohë për të ekzaminuar në detaje çdo gjë të shkruar në dosjet respektive.
Të dyja federatat ja hedhin përgjegjësinë njëra tjetrës për atë çka ndodhi në Beograd, ajo serbe mbështetet tek droni me flamurin e Shqipërisë ë Madhe i cili sipas tyre provokoi rëndë popullin serb dhe jo vetëm, ndërsa federata shqiptare ka fakte të pakontestueshme duke filluar nga dhuna fizike e ushtruar ndaj lojtarëve kuqezi, tek koret raciste të cilat nuk reshtën për asnjë moment.
Gjithsesi do të jetë dita e nesërme e cila do të përcaktoj më në fund nëse Shqipëria do të marrë 3 pikët e merituara apo gjykimi do të jetë pa baza ashtu si edhe vetë fjalët e presidentit të UEFA-s Michel Platini