Rreth librit historik të z. Enver Memishaj “Fejzo Lepenica…”, me recencë të prof. Dr. Kaliopi Naska/
Nga Nertesi ASLLANI – BOLENA/
Sapo ka dalë në qarkullim vepra e 15 historike e z. Enver Memishaj “Fejzo Lepenica, jetoi dhe vdiq për Shqipërinë”. Me këtë vepër autori i kthen historisë një patriot si Fejzo Lepenica që zemra e tij gjatë periudhës 1919 – 1924, kur vendosej fati I Shqipërisë, punoi deri në fund për interesat e atdheut të tij, dhe gjatë periudhës 1925 – 1936, luftoi e punoi në krahinën shqiptare të Çamërisë në krah të Musa Demit në mbrojtje të të drejtave të popullsisë së Çamërisë. Pra e tërë jeta e tij ishte vënë në shërbim të interesave të atdheut pa menduar asnjëherë për interesat e tij. Jeta e tij në Çamëri kaloi nëpër burgjet e zeza greke dhe në internime në ishujt e humbur të detit Jon, si dënim për artikujt e shkruar në shtypin shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë çame. Nga vuajtja nëpër burgje dhe internime ai vdiq shpejt në një moshë te re 36 vjeçare duke lënë pas shembullin e mirë se si duhet ti përkushtohemi dhe të luftojmë për interesat e atdheut, pa kërkur shpërblim prej tij.
Ai ishte mbuluar me harresë, dje për arsye të njohura politike dhe sot në liri nga padija.
Prof. Dr. Kaliopi Naska që ka bërë recencen e këtij libri historic arrin në përfundimin se:
“Botimi i studiuesit dhe i publicistit të apasionuar dhe të përkushtuar Enver Memishaj kushtuar veprimtarisë patriotike të Fejzo Lepenicës, me prurjet që sjell, i shërben historisë dhe i hap horizont studiuesve e historianëve për thellimin dhe studimin e mëtejshëm të figurave të tilla, që
kanë dhënë për Shqipërinë duke sjellë përmes tyre fakte të reja historike për ngjarje të nxehta siç ishte ajo në mbrojtje të popullsisë çame.
Botimi i këtij libri studimor biografik, është një kontribut i çmuar në fushën e publicistikës dhe studimit të historisë dhe kulturës së Vlorës dhe Labërisë. Publikut të gjerë i jepet shansi që përmes këtyre shkrimeve të marr informacion të ri për një atdhetar që veproi në vitet 1920-1932”.
Libri është mbështetur në burime të shumta arkivore dhe një pjes të këtyre dokumentave janë botur si facsimile nga autori në fund të librit.
Fejzo Lepenica, ky pinjoll i dinastisë “ Lepenica”, fisit të autorit të librit Enver Memishaj, qënkej një histori më vete në vazhdën e historive, traditës dhe bëmave të këtyre djemve që nxori kjo faqe mali nëpër rrjedhat e kohës. Nipi i tij, Enver Memishaj, që ka vite që gërmon atje te rrënjet, te gurët, te shpellat, te lotët, te bëmat dhe heroizmat e vendlindjes dhe të parëve të tij ka marrë përsipër me sukses të plotë, të trajtojë në këtë libër ngjarjet dhe episodet që i përkasin kesaj figure patriotike. “Po s`qe i zoti për vete, thotë populli nuk bën dot hije për të tjerët “
Me Enverin jam njohur tani së fundi. Ai më kishte pikasur mua atje në Bolenën time, nëpërmjet vlerësimeve të poezive dhe këngëve të mia që morën rrugë shumë vite më parë. Këtë vlerësim ma bënte një sudjues e historian serioz si Enver Memishaj. Talenti Enver Memishajt, vlonte
brenda shpirtit të tij dhe ndërgjegjes së tij, heshtja aq e trazuar dhe aq e gjatë ku netët lidheshin bisht më bisht me njera tjetrën duke mbjellë vuajtje, mos përfillje, terr dhe errësirë për afro 50 vjet rresht, tashmë kishte marrë fund.
* * *
Me zotësi dhe punë z. Memishaj e kapi kohën e humbur në regjimin komunist. Perdja ra dhe muri u rrezua. Talenti dhe pasioni, frenimi, meraku dhe dhimbjet e mëdha atje në Lepenicë për të afërmit dhe bashkfshataret e tij, padejtësitë e kohës nisën të pasqyrohen në rrugën e gjatë e të veshtirë të krijimtarisë. Me një laps në dorë dhe me një çantë të hedhur mbi supe ai udhëton drejt misionit të madh të krijimtarise, për të larguar sadopak mjergullën e rënde nga supet e “maleve”, burrave me peshë e të pafajshëm. Brenda shpirtit z. Memishaj kishte grumbulluar dhe akumuluar aq shumë ngjarje dhe fakte drithëruese e të vërteta të paimagjinueshme sa që pas vitit 1990, në liri, muza e tij që i ngjante një turbine i hapi portat. Idetë e tij të shprehura në librat e tij, pushtuan libraritë e vendit.
Që nga viti 2000, ai do të shfaqej para botës shqiptare me veprat e tij voluminoze. Sot në vitin 2015, ai na ka dhënë plot 15 vepra, nga një në çdo vit. Veprat e z. Memishaj janë të një natyre të veçantë, vepra të një burri e studjuesi të palodhur, me buzë në gas e dorë në qafë me këdo e për këdo. Nuk marr dot përsipër të analizoj gjithë veprën e vyer dhe voluminoze të Enver Memishaj, por nga aq sa kam lexuar arrij në përfundimin se nga pena e tij nuk del bojë, por lot, gjak, dhimbje, derte, brenga, britma dhe ulërima të kohës së shekullit që kaloi.
“Pse ma vrave babane xha Qemal? Pse?, fëmija 12 vjeçar i drejtohet xhelatit komunist.
Kjo pyetje dhe thirrje e një fëmije, kjo pyetje tronditse që fëmija i drejtohet xhelatit komunist, përshkon gjithë veprën e z. Memishaj, i cili tregon mbi fakte, prova dhe dokumenta të pa kundërshtueshme. Ai ka shumë respekt për faktin.
Tek lexoja këto tragjedi në veprën e z. Memishaj, m`u kujtua drama e Çelomemajve në vendlindjen time në Bolenë, në vitin 1943:
Me urdhër të Këshillit Nacionalçlirimtar u pushkatua pa gjyq njeri nga vëllezërit e kësaj familje pasi nuk kishte mundur të shpinte një letër në Kuç. Vëllai tij vrapoi pas krismave dhe kur pa vëllan të shtrirë iu hodh në grykë katilave komunist. E pushkatuan edhe atë! Vajti vëllai i tretë
kur degjoi këtë gjëmë. E vrane dhe të tretin, pastaj vajti nëna e mjerë, Pashakua dhe ra mbi tre djemte e vrare. Më vrisni edhe mua se s`kam pse jetoj më u tha xhelatëve komunistë, bashkfshatarëve të saj! E vranë dhe nënë Pashakon. E paimagjinueshem por e vërtetë. Se mos kjo ka ndodhur vetëm në Bolenë, në të gjitha fshatrat, në të gjith Shqipërinë.
Ja këto të vërteta drithëruese ka nxjerr nga pluhuri i kohes Enver Memishaj në veprat e tij. Ai nuk ngjan me disa “historian” që bëjnë histori nëpër kafene. Ai punon natë e ditë, shfleton e gërmon nëpër arkiva, mbi dokumenta origjinale, dëshmitarë okularë të ngjarjeve dramatike të
ndodhura në këtë vend.
Vlerësimet dhe nderimet e veprës së tij, që i janë bërë nga autoritete të shquara të historisë dhe akademikët tanë, në shtypin e shkruar, si dhe vlerësimet zyrtare për studimet dhe kontributin në lëmin e historisë dhe aktivitetin shoqëror janë plotësisht te merituara.
Duke i uruar historianit Enver Memishaj, këtij “personaliteti të shquar të Qarkut të Vlorës”, i shpallur me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, punë të mbarë, penë të hollë dhe jetë të gjatë po i mbyll këto radhë me disa vargje të frymëzuar, të krijuara dhe të recituara në një nga promovimet e njerës prej veprave të tij.