Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit,Philip Reeker ka adresuar kritika ta ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar atë për pengimin e proceseve, pengim të punës së institucioneve dhe punës së diplomatëve, duke përmendur incidentin me ambasadoren Tracy Ann Jackobson.
Këto komente, Reeker i ka bërë gjatë një konference për gazetarë, i shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi, gjatë vizitës që po i bën Kosovës, ku ka zhvilluar takime me udhëheqësit vendas, përpos atyre të Vetëvendosjes.
Reeker ka porositur Vetëvendosjen dhe të gjithë ata që si ka thënë ai “kanë sjellje të palaçove” të kenë parasysh se ai, ambasadorja Jackobson apo cilido diplomat tjetër amerikan nuk përfaqësojnë vetëvetën, por shtetin dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Palaçot që duan të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendohen dy herë për veprimet e tyre dhe për të ardhmen e vendit të tyre”, ka thënë Reeker, duke i porositur tutje që sjellje të tilla nihiliste nuk i takojnë shekullit XXI.
Kritikat e diplomatit amerikan pasuan protestat e fundit të Lëvizjes Vetëvendosjes për pengimin e ratifikimit të Marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjatë të cilave u pengua edhe ambasadorja amerikane të hynte në ndërtesën e parlamentit, ndërkaq në një rast ajo edhe pësoi një lëndim të lehtë.
Reeker ka thënë tutje se Shtete e Bashkuara luajnë një rol të rëndësishëm për zhvillimet në Kosovë dhe për atë arsye edhe ai ndodhej në Prishtinë që të tregonte këtë përkushtim të madh të cilin ai kërkoi që duhet respektuar.
Veprimet e fundit të Vetëvendosjes ai i ka cilësuar si jonormale. “Ata që kundërshtojnë këtë proces, kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Reeker.
Po ashtu, ai ka adresuar një porosi edhe për deputetët e Kuvendit të cilët i ka ftuar ta lexojnë mirë ligjin për amnisti, si pjesë të rëndësishme të zbatimit të Marrëveshjes me Serbinë dhe ka kërkuar që ai të miratohet.
Njëherësh, Reeker e ka konsideruar si shumë të rëndësishëm procesin e zgjedhjeve të lira në komunat veriore duke e inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin që të luaj rolin e vet në informimin e qytetarëve të atjeshëm për Marrëveshjen dhe rëndësinë e saj.