• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSTURICA VETËM SA PO PROVON QE TA PERSERISE VETEVETEN

April 5, 2013 by dgreca

Skitë e Kusturicës, krimi, mashtrimi dhe zhgënjimi/

Nga Adriatik Kelmendi/

KUSTURICA VETËM SA po provon që ta përsërisë vetveten. Është një Deja Vu e papranueshme për një artist, pasi që arti – siç dihet – mbi të gjitha synon origjinalitetin, por është shumë OK për një politikan sharlatan. E, pra, Kusturica e ka konfirmuar shumë herë deri më tash, pavarësisht numrit të madh të shpërblimeve filmike, se ai në fakt është një politikan që shtiret si një artist.

Me filmin që thotë se është duke e xhiruar lidhur me, siç pohon, “tregtinë me organe… (si) rasti më brutal i këtij shekulli”, Kusturica është duke bërë edhe atë që ka provuar ta bënte për luftën e Bosnjës me filmin e financuar nga RTS-ja në kohën e Milosheviqit “Underground”. Pra, ta keqpërdorë famën e tij për të kthyer në sytë e botës viktimat në dhunues, dhe dhunuesit në viktima.

Çka mund të sillet në një mendje të çoroditur si ajo e Kusturicës, më duket se më së miri e ka kapur kolegu im nga Mali i Zi, Andrej Nikolaidis.

“Duke e ditur se ai e ka shpallur serb babanë e tij të vdekur (Muratin, vër. A.K.), bashkë me veten e tij si i krishterë ortodoks, ai me lehtësi ka zgjedhur anën e tij në luftën e Bosnjës. Ai e ka zgjedhur atë nëpërmjet Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mladiqit. Ai nuk ka qenë me ta për të bombarduar, por kurdo që e ka parë shansin, me qasjen e tij në arenën artistike dhe mediale u ka gjetur atyre alibi për vrasjen e secilit mysliman, i cili nuk kishte dashur ta pranonte se ai ka origjinë ‘ortodokse’”, ka shkruar Nikolaidis.

KUSTURICA, VËRTET, në qoftë se do të ishte artist, do të duhej ta kishte lirinë që të bënte filma për gjithçka dhe për çdokënd. Dhe këta filma natyrisht se do të ishin pjesë e fantazisë së një artisti e si të tillë, fiksion pra, mbase edhe do të pranoheshin nga audienca, varësisht prej shijes.

Problemi është se këtu kemi të bëjmë jo me Kusturicën artist, por me Kusturicën politikan, i cili pretendon se filmi i tij “Underground” dhe ky i riu për Kosovën janë të bazuar mbi fakte reale.

Sakaq, përveç pandehjeve që ka sjellë në librin e saj ish-kryeprokurorja e Hagës, Carla del Ponte, por të cilat nuk kishte pasur mundësi asnjëherë t’i argumentonte mjaftueshëm sa për të ngritur një aktakuzë, si dhe raportit të Dick Martyt, që ende nuk është materializuar në brumë për gjyq, nuk ka ende asnjë provë gjyqësore që të provojë se diçka e këtillë ka ndodhur. E derisa të mos vërtetohet, një gjë e tillë mund të quhet vetëm hamendësim dhe jo fakt.

Në anën tjetër, janë shifrat konkrete që flasin për krime tashmë të provuara me emra të përveçëm të luftërave në ish-Jugosllavi.

P.sh. koalicioni i organizatave joqeveritare i mbledhur rreth idesë së KOMRA-s, nën udhëheqjen e një humanisteje serbe, Natasha Kandiq, ka konkretizuar saktë atë me të cilën pajtohen edhe “Amnesty International”, ”Human Rights Watch” e UNHCR – ja në luftërat e ish-Jugosllavisë se janë vrarë 130 mijë persona, prej të cilëve pakica janë serbë dhe shumica viktima të makinerive vrastare të udhëhequra nga serbët.

Në Bosnjë-Hercegovinë janë vrarë rreth 97 mijë njerëz, prej të cilëve 66 për qind boshnjakë, 25 për qind serbë, 8 për qind kroatë, kurse të tjerët janë kryesisht shqiptarë dhe pjesëtarë të pakicave. Por, prej boshnjakëve plot 83 për qind ishin civilë, prej të cilëve 30 për qind gra e fëmijë, krahasuar me vetëm 10 për qind serbë.

Në Kroaci janë vrarë rreth 11 mijë kroatë dhe afro 7 mijë serbë.

Në Kosovë jepet shifra prej rreth 13 mijë të vrarësh, gjatë luftës dhe menjëherë pas saj. Prej tyre rreth 10.500 shqiptarë, 2 mijë serbë dhe mbi 500 joshqiptarë e joserbë dhe të papërcaktuar.

Të mos harrojmë se të gjithë këta janë vrarë jashtë territorit të Serbisë dhe në shtete që sot janë të pavarura.

A t’i shikojmë shpejt edhe disa fakte të tjera?

Tribunali i Hagës ka ngritur plot 161 aktakuza. Prej tyre 94 janë kundër serbëve, 29 kundër kroatëve, nga 9 janë për boshnjakët e shqiptarët, dhe nga 2 për maqedonasit dhe malazeztë.

Për ka e ka fjalën atëherë Kusturica? Apo, duke qenë kineast, sheh teori botërore të komplotit kundër serbëve, pavarësisht se shifrat e dhëna më lart e ka fare lehtë t’i vërtetojë edhe vetë!

TMERRI KA TË BËJË me mungesën e etikës. Kusturica dhe shumë të tjerë e dinë se cilat janë faktet dhe cilat janë trillimet e luftës. Mirëpo, kë po dëshiron ai dhe të tjerët si ai ta mashtrojnë? Ndoshta Kusturica me një film mund të lërë përshtypje te disa individë nëpër botë, të cilët as s’e kanë idenë e se ka qenë dhe ku është ndodhur Jugosllavia, por a mund t’i mashtrojë banorët e ish-Jugosllavisë? Jo!

E keqja është se ai po e vazhdon rrugën e nisur nga idhulli i tij, Slobodan Milosheviq, i cili në mendjen e vet kishte ngritur popullin serb në një popull hyjnor dhe të viktimizuar. Kjo ide edhe shkaktoi luftërat, vdekjet e shkatërrimet në këto shtete.

Po ashtu, ai mund të mashtrojë fëmijët, si qeniet më të pafajshme, ata fëmijë që kanë lindur në mijëvjeçarin e ri. Ai po përpiqet t’ua tregojë atyre vetëm një pjesë të rrëfimit – siç u tha – të pakonfirmuar, në mënyrë që ata fëmijë ta ndiejnë veten si viktima të luftërave.

E nëse dikush do të rritet me idenë se ka qenë e vetmja viktimë e padrejtësive dhe e luftërave që kanë ndodhur para se të lindnin, natyrshëm se do të mbruhet me idenë e hakmarrjes. E në këtë mënyrë nuk do të mund të arrihet asnjëherë as drejtësi, as prehje, as pajtim ndërmjet popujve që luftuan.

Më tepër, me këtë logjikë të viktimizimit, vetëm sa do të trasohet rruga për krijimin e skuadroneve të reja vrastare për luftëra të reja në Ballkan.

Sidoqoftë, ndoshta edhe ka një kuptim furia nacionaliste vrastare e Kusturicës. Më në fund, duke e përzier artin e politikën, duket se ka gjetur pozitën e përshtatshme. Është bërë kryetar i Shoqatës së Skitarëve të Serbisë.

Kjo gjithsesi se e vërteton përse ky njeri ka kohë që u ka hipur skive.

P.S. 1: Nikolaidis, i paditur nga Kusturica, pas një procesi të gjatë gjyqësor ishte gjobitur me 12 mijë euro, për shkak të fyerjeve ndaj tij.

P.S. 2: Gazetari kritik ndër më të njohurit në Ballkan, Petar Llukoviq, është paditur disa herë nga Kusturica. Disa herë Llukoviq është detyruar të paguajë dëmshpërblim, kurse aktualisht kërcënohet edhe me burgim.

P.S. 3: Në këtë kolumne qëllimisht kam shmangur përmendjen e emrit të personazhit në fjalë. Deri në vitin 2005 është quajtur me emrin mysliman, Emir, dhe pastaj e ka ndërruar me atë serb, Nemanja. Nga frika se derisa e kam shkruar shkrimin ai do të ketë pasur mundësi ta ndryshojë sërish identitetin, i jam referuar vetëm me mbiemër.

P.S. 4: Fat imi që jetoj në shtetin të cilin Kusturica nuk e njeh e rrjedhimisht edhe nuk do të mund të ngre padi kundër meje, siç ka bërë me kolegët e tjerë gazetarë. Phëëëë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Adriatik Kelmendi, Kusturica, po provon te perserise, veteveten

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT