• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

70-VJET MË PARË NDËRROI JETË NËN TORTURA; BARIU I KATOLIKËVE DHE ENGJËLLI I MYSLIMANËVE

March 21, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli

 “Simboli i të së kaluemës së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”!  Kështu e kishte cilësuar Profesor Arshi Pipa Imzot Vinçenc Prenushin, në një ese të gjatë me titull, “Kujtime mbi Vinçenc Prenushin”, prelatin e Kishës Katolike Shqiptare, të cilin e kujtojmë këtë muaj me rastin e 70-vjetorit të vdekjes nën tortura, si “armik i popullit” në burgun e Durrësit, në Mars të vitit 1949.  Arshi Pipa kujtonte ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, duke rrëfyer se si me duart e tija ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterrur”, kur dha shpirt, klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohsisht edhe të shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe një studiuesi të rëndësishëm.  Albanologu Robert Elsie e rendit Vinçenc Prenushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare.  I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prenushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi.    

Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizimit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik, bashkvuajtës me ‘ta, në birucat  e tmershme të burgjeve komuniste – aty ku të gjithë ata që kundërshtonin regjimin komunist vuajtën ”mundimet e territ” — përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, për të cilin Arshiu shkruan se përveç se pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “Ishte i butë në shpirt, e i paqë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekëput misjonit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë.”  Pipa përshkruan Vinçenc Prenushin si një njeri të cilin nuk e interesonte aspak politika, por që ishte gjithmonë i buzqeshur në të folur, zemërgjërë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tija të patundura.

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, Arshi Pipa vë në dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke thekësuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.”   Pipa shkruan se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqsuesit e letërsisë kombëtare, “Imzot Prenushi nuk do t’a kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë.”

Ndryshe nga persekutorët e tij komunistë, Pipa shkruan se jeta e Imzot Prenushit ishte “një jetë e panjollë”, në shërbim të disa prej idealeve më të shënjta njerëzore, siç janë Atdheu, arti dhe feja.   Si i tillë, ai nuk mund të ndiqte diktatorin dhe idelogjinë e tij komuniste antifetare dhe anti-kombëtare.   Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prenushin gjatë të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar nga diktatori me qëllim për t’i imponuar pikëpamjet komuniste të tija ndaj fesë.  Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindëte, shkruan Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prenushi përfundon në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik.   

I bugosur, i rrahur e i torturuar, “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa, për mikun dhe bashkvuajtsin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”.

Është ky përfytyrim të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij.  Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija.  Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prenushi vuante nga zemra dhe azma.

Si njëri prej shkrimtarëve dhe përkthyesve të dalluar të kohës së tij, Arshi Pipa, rrëfen se si e pyeti me një rast në burg Imzot Prenushin nëse kishte lënë në shtëpi ndonjë dorëshkrim.  Ai i ishte përgjigjur se kishte përkthyer veprën “Dreizehnlinden”, të shkrimtarit Weber pas përfundimit të studimeve në Austri, sepse i kishte thënë Prenushi, kjo vepër përshkruan zakonet e malësorve austriakë, por që sipas tij, kanë shumë gjëra të përbashkëta me malësorët tanë dhe se kjo ishte arsyeja që e kishte përkëthyer në shqip.

Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prenushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar, 70-vjetë më parë:   

 “Atë natë kishte zjarr në vatër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterrur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fëtyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqët, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm.  Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një reflex i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve.   Por ndofta ishte diçka tjetër.  Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pat trazuar.   Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit.   Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerzit vdesin për ideale”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën që u nda nga kjo jetë Vinçenc Prenushi. 

Fatkeqsisht, njerëz me ideale si Imzot Vinçenc Prenushi i mungojnë sot Kombit shqiptar.  Por, më mirë vonë se kurrë dhe me kohë, e vërteta po del në dritë dhe personalitetet kombëtare si Vinçenc Prenushi dhe idealet e tyre të Atdhedashurisë  dhe të dashurisë për të afërmin, pa dallime — do të zenë vendin që meritojnë në historinë dhe në kulturën e këtij kombi shumë të vuajtur.   Nëqoftse tregojmë respekt për simbolet e së kaluarës së Shqipërisë, siç është Vincent Prenushi, me të cilët duhet të mburremi të gjithë pa dallim, atëherë kemi arsye të besojmë se megjithë problemet aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore, e ardhmja e Kombit shqiptar do të jetë më e mirë.

                                            Imzot Vinçenc Prenushi

                    Profesor Arshi Pipa, një figurë e njohur anti-komuniste

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Vicenc Prendushi

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT