Disa nga autorët që qëlluan mbi policinë kanë qenë të maskuar./
Personat që qëlluan mbi efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha më 24 qershor në Lazarat, mund të zbulohen nga pamjet filmike të sekuestruara nga policia pasditen e së shtunës në fshat.Bëhet fjalë për xhirimin në momentin e vrasjes së efektivit, ku shihen 6 persona që qëllojnë drejt tij, mes të cilëve edhe dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, të arrestuar mbrëmjen e djeshme.
Pamjet filmike, të siguruara nga kamerat e sigurisë së një lokali, kanë regjistruar lëvizjn e blindave të RENEA-s, që afrohen për të ndihmuar policinë dhe momentin kur efektivi Basha dhe dy kolegët e tij qëllohen me plumba.Disa nga autorët që qëlluan mbi policinë kanë qenë të maskuar.
Grupi hetimor bën me dije se, 6 personat që janë identifikuar nga videoja janë arrestuar dhe janë duke marrë në pyetje, si dhe do të përballen me akuzën e vrasjes së efektivit Basha, nddërsa të kërkuarit do të akuzohen vetëm si bashkëpunëtorë.
Një pjesë e efektivëve të RENEA-s do të vazhdojë të jetë në Lazarat deri në kapjen e tyre.
Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, tashmë armët e krimit mbeten të vetmet objektiva për realizimin deri në fund të këtij operacioni.
Ka të dhëna, që dy vëllezërit i kanë treguar vendet se ku janë armët e krimit, ndaj RENEA po përpiqet t’i gjejë ato, për të plotësuar dosjen hetimore.