• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Viktor Martini: Regjimi komunist dënonte edhe kufomat e të vdekurve

March 18, 2015 by dgreca

Intervistoi: Dritan Kolgjini/*
Z. Martini, ju keni qenë i burgosur politik, në disa kampe, gjatë kohës së komunizmit, dhe jeni njohur me shumë personalitete të historisë apo pinjoj të familjeve të shquara të Shqipërisë, siç keni treguar në disa nga intervistat që keni dhënë. Pikërisht, për një bashkëvuajtësin tuaj, Ali Hakik Mena, kërkojmë të thoni diçka që ju kujtoni nga periudha që keni qenë në të njëjtin burg, në Tiranë?
Viktor Martini: Si fillim e ndiej të nevojshme me shpjegu, se si më burgosën apo si më banë të burgosun politik. Sapo kisha mbushë 16 vjeç… E si mund të quhet një 16-vjeçar, i pjekun politikisht! Nëpërmjet nji akuze false, më arrestuen për tentativë arratisjeje, dhe më dënuen me 7 vjet burg. Por kjo fatkeqësi më krijoi mundësinë të bashkohem me atë pjesë krenare të kombit, prej të cilëve mora mësimet e para intelektuale e morale. Njeni nga këta mësues asht Fisniku i pashoq, intelektuali e i papërkuluni Ali Mena. Kanë kalu 60 vite, por falenderoj Zotin që më ka ruejtun memorien të freskët. Jo vetëm për mos me i harru këta heronj, por dhe për t’ia ba të njohun pjesës ma të randësishme, rinisë shqiptare, të cilët nuk kanë pasë rastin të ndigjojnë historitë e antikomunistëve. Dhe sigurisht, edhe për t’ia përplasë në fytyrë sot politikanëve të këtyne 24 katër viteve, të cilët jo pa qëllim kërkojnë që t’i mbulojnë me pluhunin e harresës. Por jo! Era ngado që të fryjë, fletët e historisë nuk mund t’i tresë apo shlyejë.
Historianët e Enverit kanë paraqitë nji histori simbas shijeve të diktatorit, në mënyrën ma hipokrite. E kështu vazhdojnë edhe sot. Por kam bindjen dhe shpresën e madhe te Zoti se nji brez tjetër po vjen, të cilët nuk janë të pandjeshëm apo të painteresuem ndaj historisë së vërtetë. Prandej besoj se nuk kanë me pranu që historia e këtyne heronjve të qendrojë e varrosun atje me ato njerëz që punuen me vetëmohim, për komb, fe e atdhe e, mbi të gjitha, sakrifikuen tue i vu krahnorin furtunës së kuqe, që dinjiteti i shqiptarëve të qëndrojë pa ra poshtë, e me u shkelë me kambë, ashtu sikur ndodhi për gjatë 46 viteve e besa deri diku edhe sot.
Ju lutemi, a mund të na bëni një përshkrim të përgjithshëm të profilit njerëzor, politik e intelektual të Ali Menës?
Viktor Martini: Ah!… Ali Mena! Sa e vështirë asht të plotësosh figurën e nji njeriu me të gjitha virtytet e trashëgueme nga fisi i tij e që Zoti ia kishte falë me bujari. Virtyte të cilat nëpër vuejtjet e torturat që kishte kalu me fisin e tij, ia doli t’i mbante të pashterruna e të pacenueme përballë katilave, që mbollën veç dhunë, gjak e uri.
Mbasi u dënova, kalova në burgun e Shkodrës, nga aty më dërguen në kampin e Rinasit. Dhe, për shkak se isha me njanën kambë të këputun, më transferuen si të paaftë për punë, në burgun e Tiranës. Në këtë kohë isha vetë i katërti vlla në burg, kurse baba na kishte vdekë në burgun e Burrelit. M’u dukte vetja në mesin e turmës si nji trumcak i trembun e i trishtuem nga stuhija e tmerrshme.
Kujtoj kohën kur mbasi zuna vend në rreshtin e gjatë të dyshekëve, të burgosunit filluen të vijnë me radhë, ma shumë të shtymë nga kurioziteti, se kush jam, nga vij etj. Të nesërmen, nji burrë i gjatë e i hollë, më pyeti – a mund të ulem? Si jo! – i thashë.
-Nga të kemi? Unë quhem Ali Mena, – u prezantue vetë i pari.
Kurse unë quhem Viktor Martini, – iu gjegja. – Jam prej Shkodre e vij nga kampi i Rinasit.
-Mos ke të bash gja me Pac Martinin? – më pyeti.
Asht vëllai im!
-Sa vjeç je? -16 vjeç! – iu përgjigja.
Sytë e tij u mbushën me lot, por me lot të përmbajtun. Thue se bebet e syve të tij ishin si dy gaca zjermit.
Me kalimin e ditëve mësova se Aliu u jepte mësim të burgosunve në gjuhën anglisht, të cilën e zotnonte gati si vetë anglezët. Mbrenda dhomës, nga debatet që hapeshin për tema intelektuale nga ma të ndryshmet, Aliu me nji gjakftohtësi të dallueshme, dominonte nga mënyra se si e shtronte dhe mbronte argumentin. Pra ishte i gjithanshëm si intelektual.
Nji ditë Aliu më tha, “nëse ke dëshirë, mund të vish me marrë mësim në anglisht!” Si jo, – i thashë, – do t’ju isha mirënjohës.
Kështu, pra, fillova me marrë mësimet fillestare. Mbas mësimit, dalngadalë fillova ta pyesja se nga ishte, dhe pse kishte ra në burg. Kur unë e pyeta për herë të parë, ai vuni buzën në gaz e, tue dashtë me më sqarue, tha shkurt: – “Asht histori e gjatë! Asht ma mirë mos ta ndigjosh!” Kjo më bani ma kurioz dhe si me marifet, unë nuk hiqja dorë nga dëshira ime, meqë më dukej njeri i veçantë nga sjellja, niveli i dijes, kultura etj..
Ju rrëfyet se Aliu ju ka dhënë mësime për gjuhën angleze në kushtet e burgut… çfarë kujtoni nga ajo kohë kur, me pranga në duar, kërkonit të hapnit edhe një dritare të dijes, duke shpërfillur kushtet infernale ku gjendeshit?
Viktor Martini: Asht e vërtetë se megjithëse ishim mbrenda skëterrës, mundoheshim të merrnim dritën e ditunisë nga të shkolluemit, sepse dija të lehtëson edhe vuejtjen!
E kam thanë disa herë se në burg njerëzit, midis halleve që kishin, mundoheshin të përfitonin kulturën, që na mungonte. Dhe këta intelektualë i kryenin me devocion këto sakrifica, që ma vonë na vlejtën shumë. Ndër këto burra shquhesh dhe i ndiemi Ali. Prandaj nuk ishte çudi që me çfarë kishte kalu, mos me i ra ndërmend me ba atë punë aq humane.
Kujtimi i fundit fizik që kam për të ndiemin asht kur u transferova nga Tirana për në burgun e Shkodrës. Aliu erdhi, më përshëndeti tue më thanë: “Udhë të mbarë! Ti je nji i ri shumë kurajoz e inteligjent. Nji ditë ne presim shume nga ti.” Ishte hera e fundit që e pashë.
Çfarë dini apo çfarë të dhënash keni nga historia e dënimit të shumëfishtë (fillimisht dënim me vdekje, që pastaj ia kthyen në 101 vjet, e në fund e caktuan 25 vjet) të bashkëvuajtësit tuaj Ali Mena, si dhe nga historia e tij e rezistencës me armë ndaj regjimit komunist?
Viktor Martini: Sikur ju thashë dhe ma sipër, isha kurioz të mësoja diçka nga jeta e tij. Dhe ai dalngadalë, në raste të ndryshme, më tregoi se familjarisht ishin zogistë, e që, si besnikë të tij deri në vdekje, kishin marrë malet për me luftu komunizmin me armë në dorë. Ai më tregonte jetën e rezistencës në male në kushte tepër të vështira nëpër shpella, në borë e shi, me bukën thatë, që ua jepnin farefisi e miqtë e vjetër, tue rreziku edhe jetët e tyne. Tregonte rrethimet, çamjet e rrethimeve e disa herë në këto rrethime na thoshte se si i kishte humbë njerëzit ma të afërt, shokë, miq e dashamirë. Nuk më kujtohet me saktësi, po në mos gabohem, 5 a 6 vetë, vetëm nga familja e tij, ranë në luftë me armë në dorë, veçse për atdhe e për liri. Për këta heronj respekti duhet të jetë në maksimum!
Ka të dhëna se vdekja e Aliut është një krim shtetëror, ose ndryshe një ekzekutim pa gjyq. A mund të na thoni diçka më tepër rreth këtij momenti? Dihet se mbas operacionit në stomak, ai ka qenë në gjendje të mirë fizike. Përveç kësaj, familja e Aliut ka bërë takim një ditë para se të vdesë apo ta vrasin, dhe dëshmojnë se ai ka qenë shëndoshë e mirë… Ndërkohë mbas 5 ditëve nga ndërhyrja kirurgjikale, trupi i tij ka nisur të japë shenja helmimi. Më saktë dyshohet se vrasja e tij është kurdisur nga Sigurimi i Shtetit, duke e paraqitur si vdekje natyrale… Çfarë dini ju për këtë rast?
Viktor Martini: Nuk mund të them se i ndiemi Ali gëzonte nji shëndet të plotë mbas gjithë atyne vuejtjesh e torturash, që ai na tregonte. Por jam i sigurt se njerëzit me karakter të fortë si Aliu, i përballojnë edhe sëmundjet. Unë kam ikë herët nga burgu i Tiranës dhe kam përfundu në burgun e Burrelit në moshën 18 vjeçare. Nuk kam dijeni a e vranë apo vdiq natyrshëm! Por kam disa raste të tjera, si atë të Tuk Jakovës, që ishte në burgun e Tiranës ku e kapi apendiciti dhe e çuen për operacion ku edhe vdiq. Kësi rastesh ka pasë shumë nëpër burgjet e kampet e Shqipnisë komuniste. Ky mundet me qenë nji nga rastet, dhe shumë e pranueshme si mundësi. Por e vërteta mbetet mister ende, për sa kohë nuk kemi nji dëshmitar apo dokument. Për fat, as dëshmitarët nuk duen me folë, dhe as dokumentet s’i kemi, sepse këta i kanë zhdukë qëllimisht.
Në lidhje me vdekjen e Aliut, kemi dëgjuar nga bashkëkohës të ndryshëm se janë bërë vizita te njëri-tjetri nga të burgosurit në disa burgje të Shqipërisë, ose siç i thonë ndryshe, “kanë çelur mort” brenda në burg. Një fakt tjetër që të bën përshtypje është numri prej rreth 2000 telegramesh ngushëllimi, drejtuar familjes nga shokët, miqtë dhe dashamirët e tij. A kujtoni diçka rreth jehonës apo efektit në gjirin e të burgosurve, të lajmit për vdekjen apo vrasjen e Ali Menës?
Viktor Martini: Në përgjithësi kur dikush vdiste në burg, kufomën menjiherë e merrnin dhe e varrosnin në vende ku vetëm ato katila e dinin, me qëllim që të mos gjendej kurrë. Në mungesë të njeriut të afërt mbrenda burgut, në kësi rastesh, ne i respektonim në heshtje të vdekunit, pa lëvizë nga dysheku, që përfaqësonte “shtëpinë” tonë. Por vdekja e tij dhe e tjerëve gjithnji kanë pasë jehonë, e janë trajtu me respekt të sinqertë njerëzor, tue e ndie thellë si humbje të njerëzve të shpisë, vdekjen e këtyre burrave.
A keni ndonjë informacion rreth varrosjes së Aliut apo a keni dëgjuar rreth përpjekjeve e peripecive të të vëllait Isa Mena, i cili bëri të gjitha tentativat e mundshme për ta gjetur, duke shkuar edhe në Ministri të Brendshme, në Prokurori të Përgjithshme, por megjithatë, në mënyrë absurde, nuk u lejua të shihte kufomën apo varrin, çka lë vend për dyshim, siç e thamë se mund të zbulohej krimi i kryer?…
Viktor Martini: Me thanë të vërtetën nuk kam shumë të dhana, sepse e thashë edhe ma sipër, mbrenda burgjeve, ne nuk dinim se çfarë ndodh me kufomën, e cila përfundonte nëpër vorreza pa emën. E kjo ishte nji praktikë që zbatohej me fanatizëm nga shërbëtorët e regjimit, i cili dënonte praktikisht edhe kufomat e të vdekunve, përveç të gjallëve.
Çfarë emri mund t’i vini faktit që edhe mbas vdekjes apo ekzekutimit të Aliut, familja e tij u ndalua rreptësisht prej Ministrisë së Brendshme të marrë pjesë në varrim?!
Viktor Martini: Përveçse dëshirës me marrë pjesë në varrim, të gjithë kanë trokitun në derën e gabueme, sepse as edhe nji i burgosun nuk e ka gëzu atë “privilegj”.
Përveç ekzekutimeve, burgut, grabitjes së pasurisë etj., një nga format e ushtruara gjerësisht nga regjimit komunist, ka qenë internimi. Pra, në lidhje me internimet ndëshkimore të familjeve, ku syrgjynoseshin pleq, gra e fëmijë, dhe në këtë kuadër, për familjen e Menajve, çfarë mund të thoni, çfarë kujtoni apo keni dijeni?
Viktor Martini: Diktatura, as dhe për nji sekondë, nuk asht ngopë me vuejtjet e gjakun e kësaj shtrese. E dimë të gjithë se fiset e Menajve, Mirakajve, familja e Gjonmarkajve e shumë e shumë familje të tjera fisnike, kanë përjetu mohimin e lirisë nëpër internime, ku nji pjesë e madhe e tyne, aty u martuen, lindën e vdiqën. Por dhe ato që mbijetuen deri në ditët e sotme, nuk po marrin ate çka meritojnë, sepse fati e të drejtat e tyne ndodhen në duert e atyne që e urrejnë këtë klasë e që mundohen në formën ma çnjerëzore ta shfrytëzojnë politikisht. Kjo më duket shumë e padenjë prej politikës pseudo-demokratike të këtyne dy dekadave të fundit.
Në intervistat që keni dhënë më parë, keni rrëfyer se praktikisht të gjithë burrat e shtëpisë suaj, madje edhe gratë, kanë qenë të burgosur. Pak a shumë të njëjtën histori familjare ka pasur edhe Aliu, ku burrat ishin në burgje ndërsa plakat, e fëmijët nëpër internime. A pajtoheni me mendimin se kjo ka qenë një strategji e mirëfilltë gjenocidi, dmth., zhdukja e meshkujve nga shtëpitë antikomuniste?
Viktor Martini: Edhe shkelja ma e vogël, kur ajo cenon lirinë, mund ta quejmë gjenocid, e jo ma të mos quhen gjenocid përpjekjet e diktatorëve për të na varrosun si klasë deri në zhdukje fizike totalisht.
Historia e rezistencës antikomuniste, pas ‘44-ës, është në pjesën e saj më të madhe e fshehur dhe e panjohur për opinionin e gjerë. Në këtë kontekst, çfarë mund të na thoni rreth rezistencës së njohur të burrave të fisit të Bajraktarit të Lurës, Menajve, prej të cilëve 9 u vranë me armë në dorë kundër komunizmit?
Viktor Martini: Jo, jo… nuk është e panjohur… historia e familjes së Menajve, ashtu sikur edhe e familjeve të tjera të kësaj kategorie, qarkullon si ato legjendat, që kurrë nuk harrohen. Por e keqja asht se disa historianë mundohen t’i fshehin ngjarjet, tue u mundu t’i mbulojnë me gënjeshtrat e tyne të paturpshme. Por turpi ka me i mbulu, sepse e vërteta nji ditë do të shndrisë, sepse, siç thotë ajo shprehja popullore “nuk zihet dielli me shoshë”.
Në gjykimin tuaj, këto sakrifica sublime me jetë në altarin kombëtar, – kemi parasysh zhdukjen e Ali Menes, vëllait të tij Isa Menës që do të vritej dy vjet më vonë në kufi, dhe 7 vëllezërve e kushrinjve të tij, që u vranë gjatë rezistencës antikomuniste deri në 1948, – sa vlejtën në atë kohë apo më vonë që njerëzit të ndërgjegjësoheshin për të keqen me emrin komunizëm?!
E së dyti, në lidhje me këta martirë të lirisë, a jemi koshientë ne si shoqëri shqiptare, në lidhje me sakrificat e tyre që shkuan deri në vetësakrifikim?
Viktor Martini: Sakrificat e fisit të Menajve nuk ka forcë që t’i shlyejë tue i qitun në harresë. Por me shoqninë shqiptare ndryshon paksa puna. Nji pjesë e madhe e saj u shndërru në “njeriun tonë të ri”. Të ndërgjegjësosh nji shoqni, e cila u drejtu pa përgjegjësi kombëtare, asht gjaja ma e vështirë sod. Kjo detyrë na përket neve ta marrim përsipër. Me durim, të bindun se do ia mbërrijmë. Nuk asht as e lehtë, as e shpejtë, por jo e parealizueshme. Nëse nuk do rrimë duerkryq, këta heroj do të mundim me i vendosë nëpër piedestalet ma të nalta ku meritojnë të jenë. E vetëm atëherë ne mund të ndihemi krenarë. Dhe vetëm kështu këta heroj do të pushojnë në paqe, të çliruem nga përbindshat diktatorialë. Këto vonesa kurrsesi nuk janë për shkakun tonë, por për turpin e politikës shqiptare, prej 24 vjetësh… dhe të mos harrojmë se këtë padrejtësi ndaj të vërtetës dhe historisë, kalemxhinjtë e diktaturës e mbajnë për nder e krenari.
Megjithëse keni qenë i ri, ju e keni përshkruar Aliun si një “zogist”, dhe ky është një fakt i njohur, pasi shtëpia e Bajraktarit të Lurës ka qenë historikisht e lidhur me Zogollin. A mund të na thoni, si kanë qenë të organizuar “zogistët” në kushtet e burgut?

Viktor Martini: Burrat e fisit Mena janë të njoftun si zogistë, besnikë të Mbretit, të palëkundun si nacionalistë. Aliu në burg mbante përreth të gjithë zogistët, duke iu mbajtë gjallë shpresën se nji ditë do të vinte liria dhe rrëzimi i tiranisë. Ma tepër nuk mund të bante kurrkush.
Ka një ide të përgjithshme se komunizmi ka përqendruar pa pushim gjithë egërsinë e vet mbi ato familje apo persona, që njiheshin si nacionalistë, dhe në këtë shtresë, “zogistët” mbajnë peshën kryesore. Duke e lidhur edhe me gjenocidin ndaj Menajve, një familje e vjetër historike e nacionaliste, – sa ju duket se qëndron ky pohim? Dmth., a bënte realisht “diferencime” edhe në persekutim regjimi, ose a i “përzgjidhte” viktimat e veta?!
Viktor Martini: Sigurisht që barrën ma të randë në diktaturë e kanë mbajtë nacionalistët shqiptarë, sepse këta ishin rreziku i diktatorëve. Nacionalizmi shqiptar ishte i përbamë nga Zogistët, Blloku indipendent e nga Balli Kombëtar. Të tria këto grupe kanë pasë platforma të ndryshme, por që kishin të përbashkët, idenë e nji Shqipnie të madhe, etnike. Pa përjashtim tek të gjithë anëtarët e këtyne partive ra kamzhiku i diktaturës, por në mënyrën ma çnjerëzore ra tek drejtuesit, organizatorët, të cilët vinin nga familje me za e me emën. Si psh te fisi i Gjonmarkjve, apo Mirakajve dhe kështu edhe fisit të Menajve, pa përmendë këtu ato të jugut, që pësuen ditët ma të zeza, aspak ma të vogla se këto të atyne që përmenda ma nalt.
Për 46 vjet komunizëm, në Shqipëri është ushtruar dhunë shtetërore, kundër asaj shtrese që etiketoheshin si “të prekur politikë”. Pikërisht këta njerëz kanë qenë karta morale në fillim të ndryshimeve në vitin 1990. Sa mund të rezistonte njeriu ndaj trysnisë politike të regjimit, dhe sa është e ndërgjegjshme shoqëria shqiptare sot për këto sakrifica?
Viktor Martini: …Bile si shtesë “armiqtë e popullit shqiptar…”. Por janë pikërisht këto shtresa që në janarin e vitit 1990 lëshuen kushtrimin se diktatura duhet të marrë fund. Njeni nga ata që u ngritën fuqishëm isha dhe unë, me 13 janar 1990, në Shkodër. Dhe bash në këtë datë më arrestuen, më torturuen e më izoluen në spitalin psikiatrik të Elbasanit, tue më mbajtë dy muej rresht me gjylpana në gjendje kome.
A jeni në dijeni që për Ali Menën nuk është shkruar praktikisht asgjë deri më sot, dhe ndoshta kjo intervistë e juaja mund të zgjojë vëmendjen e autoriteteve vendore në Shqipëri, të përkujtojnë me një gjest vlerësues, duke i dhënë emrin e tij një rruge, apo një shkolle etj., si shenjë ndërgjegjësimi ndaj atij kontributi e sakrificash sublime për lirinë e dinjitetin njerëzor të vendit të vet?
Viktor Martini: Pretendimi juej asht tepër i arsyeshëm për Ali Menën e për gjithë këtë kategori që meriton të përjetësohet. Por nga ana tjetër më habit arsyetimi juej dhe i shumë të tjerëve në fakt… Ju po kërkoni të respektohen këta heronj, pikërisht nga pasardhësit e komunistëve!… Ju mendoni se ata e kanë problem zhvlerësimin tonë?! A nuk e shikoni se këto 24 vite kanë ba lojën ma çnjerëzore me dekorata, tue na tallun keqas?!
Mendoni se ne duhet të krenohemi, pse u vu përmendorja e Mbretit Zog në Tiranë!? Kur po në atë kohë u vu busti i “njeriut të mençur” të politikës shqiptare Sabri Godos, pra i atij që pushkatoi e përndoqi naconalistë pa farë mëshire!!!
Aliu do t’u ndiente tepër i fyem sikur t’u nderonte nga ish-kameleonët e trashëgimtarët e politikës të sotme. Aliut me shokë do i vijë koha që një ditë të vlerësohet ashtu sikur e meritojnë, nga trashëgimtarët dhe brezi i ri antikomunist. Prandaj durim e mos u nxitoni.
Me këtë rast ju falenderoj si media për mundësinë që më dhatë për me dëshmu e me respektu ato heroj, të denjë me i quejtë bij të lavdishëm të kombit shqiptar.
Unë ndihem tepër i kënaqun që po kryej nji amanet që me la Visarjon Xhuvani, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, kur në oborrin e burgut të Burrelit me tha: “Në emën të Zotit, të ngarkoj të jesh dëshmitar i vuejtjeve të tona, kur nji ditë ne s’kemi për të qenë.” Isha 18 vjeçar e unë do vazhdoj të jem dëshmitari i vuejtjeve të njerëzve të ndershëm që sakrifikuen për lirinë e dinjitetin e popullit shqiptar.
Ju faleminderit z.Martini.
Përgatiti: Dritan Kolgjini
Ali Hakik Mena
1923-1960
Lind në Fushë-Lurë në familjen e madhe të Bajraktarit të krahinës së Lurës;
Kryen shkollën bazë, ose internatin në Tiranë;
Ndjek liceun e Shkodrës deri në fund të vitit të katërt;
Përjashtohet nga shkolla para provimeve të maturës për aktivitet anti-italian;
Ishte organizator i disa demonstratave e protestave në shkollë kundër italianëve.
Kryen provimet e maturës në Normalen e Elbasanit.
Kthehet në vendlindje në moshën 20 vjeç dhe i bashkëngjitet familjes;
Lufton me armë kundër pushtetit komunist, bashkë me vëllezërit dhe djemtë e axhës, Selmanit deri më 1947-48.
Burgoset në 08 gusht 1947;
Ridënohet brenda në burg, në 10.05.1957 me burgim të përjetshëm që më pas i kthehet në 25 vite burg;
Vdes në kushte të dyshimta dhe ende të pasqaruara në 24.05.1960;
Njihte shumë mirë e zotëronte gjuhët e huaja anglisht, frëngjisht, italisht dhe deri diku edhe rusisht, të cilën e mësoi në burg;
Dinte përmendësh krejtësisht “Lahutën e Malësisë” të Fishtës;
Ishte i martuar me vajzën e Selim Kaloshit nga Sina e Dibrës, i cili është pushkatuar me të vllain Elezin.
E shoqja e Aliut, Hazbija, ka qenë e internuar në Berat, ku i vdiq vajza e vetme Feridja në moshë minore, ndërsa ajo vetë ka vdekur në vitin 1957, në moshë të re.
*Falenderojme z.Kolgjini qe e solli intervisten per lexuesit e Diellit

Filed Under: Interviste Tagged With: denonte edhe viktimat, Dritan Kolgjini, regjimi komunist, Viktor Martini

APEL NGA NJE I PERNDJEKUR POLITIK-VIKTOR MARTINI: Ç’BËNI KËSHTU, O GAZETARË!

September 9, 2014 by dgreca

*- ENDE I INTERVISTONI SUNDUESIT KOMUNISTË PA KUNDËRSHTARË PËRBALLË?…/
*Bisedë me z.Viktor Martini i cili me familje dhe të afërm kanë mbi 104 vite burg politik/
Z.Martini ka qenë i arrestuar dhe i burgosur qysh në moshen 16 vjeç për arsye politike një rast i papreçedent për vendet e lira dhe demokratike. Është themelues i shoqatës së të burgosurve politikë dhe kryetar i saj i parë për rrethin e Shkodrës. Ka botuar disa libra dhe është mjaft aktiv në dhënien e opinioneve për zhvillimet politike dhe kulturore në Shqipëri. Jeton me bashkëshorten në Boston.
Ju keni qenë i denuar politik qysh në moshën 16 vjeç, cilat ishin disa nga arsyet që ju burgosi diktatura në moshë ende të parritur?
Viktor Martini: -Ju keni dëshirë që të dini se cila ishte arsyeja që në moshën 16 vjeçare më arrestuan dhe çfarë i kisha ba sistemit? Kanë kalue 60 vite nga data e arrestimit, datë kjo e cila nuk harrohet deri në vdekje e që më trondit shpirtin edhe sot. Llogjikisht një fëmi në këtë moshë arrestohet vetëm kur ai i banë dame të mdhaja shoqënisë. Kurse në rastin tim arrestimi ishte një krim që ushqente bishën diktaturë me pafajësinë time, raste të tilla ka pasun dhe te të rinjtë e tjerë. Mbase kjo e imja sikur ndoshta më duket mu ashtë dicka ma e rrallë. Babai im në moshë të re, me që jetonte në tokat shqiptare të robnueme nga Mali i Zi (Hot) së bashku me malsoret e tjerë tentuen të delshin nga robëria, sepse Liria për to ishte gjaja ma e çmueshme. Emri i tij ishte ba tepër i njoftun e tepër i rrezikshëm nga qeveria e Krajl Nikollës. Për këtë arsye qeveria nuk gjeti rrugë tjetër për ta kapun, veçse duke i arrestu të gjithë pjesëtarët e familjes nën kërcnimin: O dorzoju, o do ti vrasim të gjithë”! Baba u dorzue, biles u dënue me vdekje. Një natë para se të pushkatohej një probatin i tij i krijoi mundësinë që të ikte nga burgu e me të gjithë familjen të ndalonin në tokën Nanë Shqipëri, duke lanun mbrapa shtëpi e gja e madhe si don Zoti.
Por të gjitha u plaçkitën e shtëpinë ja u dogjën. Në Shqipëri Baba ju vu karjerës ushtarake duke studjue në shkollat austriake. Nga ideali ishte Zogist si i tillë edhe vdiq në burgun e Burrelit i akuzuem për kryngritje të armatosun kundër të ashtuquajtunës pushtet popullor që do ishte ma e drejtë të quhej, pushteti ma antipopullor e ma gjakatar që njef historia shqiptare. Dy vllaznit e motra u arratisën jashtë shtetit. Në çerdhen familjare mbetëm ëunë e vllau i vogël Rudolfi. Na nxorrën nga shtëpia e na strehun në një dhomë përdhese me një dritare pa xhama. Mbrena kësaj dhome, një pllake betoni mbulonte një gropë të madhe qenefit ku në të gjthë hapsinën e dhomës kundërmonte era e qelbun. Nana punonte në fermë për të na ushqye. Mobiljet i shitmë të gjitha për hiç para se nuk kishim ku ti vinim.
Kujtoj një rast kur oficeri që rrinte nalt nesh, kërciti në portë ku jetonim dhe i propozoi nanës për një poltron shumë të bukur që rrinte ndën balkonin e shtëpisë që ta shkëmbente me dy rracione qymyr. Nana e zemërueme e mori poltronin e vuni në mesin e oborrit duke e coptu me sopat. Çfarë bane ju drejtue oficeri moj e çmendun? Po mendova ja ktheu nana se ka dërrasë të vjetër e do bajnë më pak tym pasi nuk kemi as stufë, pastaj më erdhi keq që në këtë poltron kan ndenjun njerëz të zgjedhun të kombit shqiptar e tashmë të ulen njerëz që nuk vlejnë e as kush nuk i njef. Oficeri iku si i tërbum duke uluritun: armiq të qelbun! Njenin vlla Paskualin e arrestuen në kufinin çekosllavak e vëllain tjetër Angjelinin e kthyn nëpërmjet një anmistije, mbasi kishte marrun vesht se Paskuali ishte në Shqipëri e prania e tij mund ta lehtësonte. Paskualin e dënuen me vdekje fillimisht e pastaj ma vonë gjykata e naltë e dënoi me 25 vjet burg. Angjelinin e çuan të punonte në fabrikën e tullave, të transportone tjegull me një dorë, gja që për të ishte e pa mujtun. Nga ky trajtim çnjerëzor u detyru të bante një tentativë për tu arratisun me një grup shokësh, ku u kapën dhe e dënuan me 15 vjt burg. Pikërisht në këtë kohë unë isha pa mushun mirë 16 vjetët. Disa djem të rinj mora vesht se donin të arratiseshin, por gjithashtu mora vesht se njenin prej tyne, vllau i im i vogël e kishte pa me oficerin e degës duke biseduar. Këtë ma tha disa minuta mbrapa që une isha nda me shokun tim Gjovalinin që ishte i shoqnuem me to. Nuk prita, u turra që ta takoj e ti thom se njeni nga grupi asht informator, por ai nuk pranonte në asnjë mënyrë. Unë veçse i thashë, më trego se po vi dhe unë. Vetëm atëhere ai më tregoi. Ju luta që të kthehej, por ai nguli kambë se jo. Unë u kethva duke hypun në një karrocë qënë atë kohë transportonin pasagjerë nga Parruca te ura e Bunës. Vuna re se një biçikletë po më ndiqte karrocën nga një oficer i sigurimit. Me i ra shkurt të nesërmen mëarrestuan nën akuzën tentativë arratisjeje, megjithse nuk e pranova akuzën, më dënuan me 10 vjet burg. Bile më “nderuan” se më qujtën organizator dhe kryetar i grupit. Tri ditë ma vonë kur unë isha në qeli nga dritarja e saj ndëgjova zanin e oficerëve që bajshin fizkulturën e njeri prej tyre ishte duke thërritur: Hai Hitler e duke qeshun. Kjo më dogji, sepse vllau Rudolfi që njihej me emrin Ler e thërritshin:”Hitler”. Në të nesërmen kur të arrestuemit delshin me radhë për në WC, ju luta shokut të qelisë të më ndihmonte që të mbrrija tek hekurat e dritarese për të pa se a ishte ai a po më ishte fiksue mue. Në momentin që oficerët thirrën: Hai Hitler unë ja mbrrita të shikojë vllan e vogël 13 vjeç. O Zot ku kje deshprimi im e lotët që derdha përsa ditë në atë qeli të mjerimit!… As gja nuk mendoja, veçse nanën e 4 djelmve të cilët ishin shti në burgje dhe vetminë e saj. Ma vonë mora vesht se e kishin arrestue për “grabitje me dhunë”. Arsyja ishte se duke lujtun me një fëmi të moshës të tij i kishte marrun xhakoventon e mbajtun për një orë. Po fëmija ishte i një punojsit që punonte në komitet të partisë. E dënuen 3 vjet për këtë lojë fëmijësh e 3 të tjera se kishte fyer përfaqsuesin e pushtetit, prokurorin. Ai ishte përfaqsuesi i pushtetit ma i turpshëm në sistemet e njerëzimit. Pra tashti e besoni atë çka vetë arsyja e ban të zorshme me e besu. Pra as unë e as vllau i vogël nuk ishim fajtor. Sistemi në vazhdimësi ka ba disa familje viktima të pafajshme për ti shti tmerrin popullit të mjerë e për t’u mbyllun gojën.
Barba Ferey, Drejtoresha e të drejtave ndërkombëtare për njerëzimin ka thanun: Viktor Martini asht një viktimë e pafajshme që as gja si ka ba sistemit, po me që ishte i biri i oficerit të Zogut, ka lindur me vulën për të kenun i shtypun gjithë jetën.

Sa vite ka bërë familja juaj burgjeve, internimeve dhe në cilat vende keni qenë konkretisht?

Sa për pyetjen që ju bani për të dijtun sa vite burg kemi në rethin familjar? Ne me kusherinjtë e afërm kemi mbi 104 vite dënime politike.

Cila ishte jeta juaj në burg?

Ah jeta e burgut! Çfarë të them, një jetë si në burgjet e diktaturës. Dhunë, gjak e uri. Fillimisht jam kenun në burgun e Shkodrës, në kampin e Rinasit, që sa herë vë kamën në aeroportin e Rinasit sytë më mbushen me lot sepse kam frigë se mos shklas mbi vorrin e ndoj shokut ku u varrosën në një gropë pa emër. Pastaj jam transferue në Tiranë si i pa aftë për punë, pasi isha me një kamb të preme. Më çuan persëri në Shkodër e nga Shkodra në burgun famëkeq Burrel nga ku jam liru. Kjo ishte xhiroja shkurtimisht e vujtjeve të pafund.
Në përgjithsi ambienti i burgut ishte me njerëz mjaft dinjitoz me përjashtim të ndonjenit që kishte rrëshqitun nga torturat e ndruheshim nga ai tip që e izoloshin nga ambienti i shëndoshë. Regullat mbrena ishin strikt e çnjerëzore. Nga burgu i Shkodrës së bashku me vllaun tim Angjelinin na transferuan në burgun e Burrelit, ku e morëm vesh vetëm atëhere kur ndodheshim te porta, ku polici që po na kontrollonte teshat na tha: e dini se ku keni ardhun? Këtu thuhet Burrel ku hyn e nuk del! Patëm një shqetësim si unë ashtu dhe vllau, sepse e mjera nanë sa do të tmerrohej kur të merrte vesh se ne na prunë në këtë burg ku disa vite ma parë kishte vdekun dhe baba. Në kohën që ne shkuem nuk ishte ma ai trajtimi i tmerrshëm sepse diktatorët i zbusnin dhe i egërsonin sipas ngjarjeve ndërkombëtare. Fillimisht na çuan në dhomën numër tre ku banorët e asaj dhome ishin Ejell Coba, Azis Verjoni,Tomorr Ypi, Asllan Ypi,Tomorr Dosti, Azis Xhika, Ruzhdi Rroi, Ali Ndroqi, Ali Shala, Palok Pjalmi e disa të tjerë që në këtë moment nuk po më kujtohen. Dhoma ishte katër me katër ku mbrena këtij kuadrati jetonin mbi 25 persona. Unë isha ma i riu ndër to. Të gjithë ishin intelektualë të klasit të parë e burra 400 derhemsh si themi ne Shkodranët. Në dhomat e tjera ishin vllaznit Tasi e Xhevat Korça. Xhevat Korçës kur jeta iu ba e padurushme, shpalli grevën e urisë dhe vdiq pa i ba tërr qerpiku. Grevat e urisë në burgje ishin krejt ndryshe me këto të sotmet qe bahen duke hangër e duke pi mish,ven e raki. Prej këtyne njerëzve përfitova kulturë, se mos të harroj Padër Mëshkallen ky kolos të botes morale, gjithashtu Gjergj Kokoshin ish Ministrin e kultures të Enver hoxhës, ku vetë Enveri herë pas here i bante thirrje që të bante autokritikë dhe do ta lironte, por ai me krenari i kthente përgjigjen shkurt, KUUUURRË. Po të vazhdoj të vë emrat e të gjithë atyne burrave të nderuem jam ma se i bindun se gazeta e juej nuk do kishte vend as dhe për një fjalë të vetme. Pra këtu duke kenun tepër i ri mësova se si duhet të jetë njeriu i vërtetë, i falënderoj me këtë rast që më pregatiten të jem ky që jam sot. Jeta kur dola nga burgu që po thuej dhe ma e zezë se jeta mbrena burgut. Izolimi nga njerëzit që kishin frigë të afroheshin të bante me besu se je i izoluem pa të drejtë nga rrethet shoqnore e nga rrethet e far e fisit, kjo të krijonte ndjenjën e trishtimit. Për disa vite kam punue në kantjere ndërtimi duke ba beton me lopatë, duke thye gur në frantoj, duke shkri zift ku shpesh herë flluskat që kërcenin përjashta të ngjiteshin për lëkurën e trupit ku duhej t’i hiqnje me gjith lëkurë. Me i ra shkurt nuk ka gja ma të trishtushme se me jetu si i lirë pa kurrëfar të drejtash si qytetar.
Ah! Këto kujtime kaq të idhta na ndjekin edhe sot që kemi mundësinë të jetojmë si njerëz.

Ju u përfshitë energjikisht në proceset demokratike, si ka funksionuar shoqata e të burogusurve politik?

Era e ngjarjeve të Europës lindore lajmëruan se era e pastër e lirisë po jep shanset dhe për popullin shqiptar. Pra duhej ba diçka. Me ca djelmosha u mundum të përgatisnim rrëzimin e bustit të Stalinit dhe demonstratën e 14 janarit. Demonstrata që quhet demomstrata e heshtun u ba më 14 Janar të vitit 90-të. Rrëzimi i bustit dështoi sepse disa prej organizatorëve pa qëllimin e keq dhanë alarmin para kohësh bile edhe tu kërcnu sambistat se po u vjen fundi. Këto ishin Gavroshat, ndërsa intelektualët e burgjeve e të kampeve e quanin të parakohshme, sigurisht nga frika e cila në shume raste duhet arsy. Ndërsa unë ngulnja kambë se e nesërmja ka me kenun vonë. Më 13 janar më kanë arrestu së bashku me vllaun tim Rudolfin e të tjerë. Në mënyrë të veçantë na kan torturu, si mua,vllaun dhe Rin Manajken të cilit nga torturat iu shkaktu depresoni i thellë psiqik dhe ma vonë pasi u largue nga Shqipnia për në Austri u gjetë i vramë në dhomën e tij.
Ishte një tragjedi e shkaktume nga sistemi çnjerëzor.
Mua më dërguen me disa djelm që kishim marrun pjesë në demonstrat në spitalin e Ministrisë të Brendshme, por pa na trazu. Pas 10 ditësh të shoqnuem nga sambistat të specializuem me makinën e spitalit na dërguan në spitalin psikiatrik të Elbasanit.
Me të mbrritun në Infermjerinë e Spitalit sambistat që gjatë rrugrs ishin tregue të qetë, u vërsulën si bisha dhe duke na vu permbys urdhëruan infermierët që të na banin gjylpanat. Mua më shkoi mendja se do ishin gjylpana vdekjeprurëse. Iu luta Zotit që të mos më koris e të shfaqi frigën para këtyne katilave. Pa ndjenja na kishin përplasun nëpr shtretën sikur ne të ishim bagëti. Mbas katër pesë ditësh drejtori i spitalit na thirri një nga një duke na pyetun si jeni? – Z.doktor të të thom si jam, më parë du të di nga ju, me ç’të drejtë na mbani këtu? Keni urrdhën arresti? -Jo u përgjegj doktori. -Keni urdhën gjykate? -Jo u pergjegj, por kemi vetëm urdhën nga ministria e brendshme. Atëhere zoti drejtor a asht e drejtë të njollosni bluzën e bardhë që përfaqson humanizmin e të mbani në institucionin tuej njerëz që nuk asht e drejtë të izolohen për arsyna politike? Disi me kryeultësi tha: Ju jap fjalën time se do të kërkoj te organet e ministrisë që mos të mbaheni këtu. Por më kuptoni se dhe ne jemi të pafuqishëm që të kundërshtojmë, këtë unë e dija mirë, por më erdhi mirë që e tha me sinqeritet, sepse as dhe një se kishte guximin të kundërshtonte diktatorët. Pas nja dy muejsh pa pritun, kur unë kisha krijue bindje se do plakesha në çmendi ose do më mbysnin me gjylpana, drejtori na thirri në dhomën e tij dhe shkurt na tha: Jeni të lirë. Shpejtuem për në postë dhe lajmëruem familjet që të na prisnin te stacioni i trenit në Shkodër. Durimi i popullit shqiptar kishte mbrritun kulmin. Alarmi se po hapen ambasadat organizoi popullin dhe nëpërmjet ambasadave që u hapën jo pa qëllim u dha mundësinë largimin nga vendi. Kjo lehtësoi diktatorët për të kenun ma të sigurt e ma të lirshëm për ngjarjet që do vinin mbrapa si pas skemës të Gorbacovit (katovicën që kemi edhe sot).
Unë nuk u ndala po me një grup shokësh shpallëm Shoqatën që do vehej në sherbim të çuarjes në vend të të drejtave të shkeluna prej shumë kohësh. U zgodha krytar për rrethin e Shkodrës e n/krytar në shkallë kombëtare. Organizuem mitingun e madh në stadiumin “Qemal Stafa”. U ba marshimi nga stadiumi deri te stacioni i trenit me thirrje: “Diktator shporruni nga pushteti e tjera”!… Në shtatorin e vitit 91 organizuem grevën e urisë, ku mbas 11 ditësh na plotësuan 5 pikat e ma të randësishmen, pafajsinë. Ndërtuem me një fjalë kështjella në ranë qe pa u gdhi mire u shembën. Kemi gabu thërrisnin dje, por do rrim në front përsëri. U rrejtëm e keqas, se mos natyra mundet të bajn qe ujku të haj bar e qengji mish, as diktator të shendrruen në emra te ri nuk mund të pastrojnë ndërgjegjet e tyne. Shoqata fillimisht eci e bashkueme, por ky bashkim ishte dhe kërcënimi për diktatorët. U punu shumë që ta përcanin shoqatën në fraksione të ndryshme, nëpërmjet shpërblimeve dhe intrigave të ndryshme. Dhe ja kan mbrritun qëllimit. Sot kemi disa shoqata që kafshojnë njena tjetrën, dhe ç’fat asht ma e çuditshmja në kry të këtyne shoqatave në disa raste kemi si kryetar njerëz që nuk kan origjinë politike. Në unionin e kësaj shoqate isha në fundin e Majit te 4 Katëshi dhe ishte gja e bukur të shikoje sallën plot. Por mjersht kryesohej nga kryetari i bashkimeve prefesionaleve të Fierzës e që bërtasin me ta mbushun mendjen se janë antikomunista të devotshëm! E si mund ta quajmë se kjo shoqatë po banë dicka për zhdukjen e komunizmit? Apo vetëm ulurin paret, paret pa kërku gjana të tjera që për një idealist ka gjana të tjera ma të randësishme.

Si erdhët në Amerikë?

Për ardhjen time në Amerikë qe si shkak Diaspora e Nju Jorkut. I kishte çue një ftesë shoqatës së Shkodrës. U pritmë shumë mirë. Po nuk vonova të zhgënjehesha se me këtë diasporë shumë pak do ecim para në shërbim të demokracisë së vërtetë. Një diasporë e coptume në partina të ndryshme që përfaqsonin Nacionalistet, që nuk shikoheshin sy në sy me njeni tjetrin, që nuk lenin gja pa intrigu kundër njeni tjetrit. Atëhere mund ta quajmë kontribut këtë?
Une mbajta një fjalim para disporës së Nju Jorkut. Ndër të tjera unë i bana të ditun diasporës se Ramiz Alia po përgatit satelitët e tij që diktatorët me duarë të pëgjakuna te kalojnë pa dhanun llogari në një gjyq Nurermberg, e sa thirrje që nuk i shërbenin Satelitit Sali. U ktheva për të votue, por nuk votova fare se në çdo kuti votimesh qëndronin kameleont e kuq në këto rrethana. Marrëdhanjet e mia u ndërprenë plotësisht. Kërkova punë, sepse punë do të thotë jetë. Dhe me i ra shkurt kur takova bashkvuejtësin tim Tomorr Dostin që ishte shefi i kuadrit të P D -s, më pyeti a ke ba kërkesë për punësim? -Po i thashë. Po më ka ardhun një shkresë për punësim direkt nga Sali Berisha. U gëzova dhe menjëherë e pyeta po ku? I Shkreti Tomorr duke ju dridhun buza dhe dora nxorri nga sirtari një shkresë the filloi ta lexonte: Të dërgohet në mënyre urgjente Viktor Martini në punë në Qipro. Po çfarë pune e pyeta me nxitim, m’u përgjegj: -në bujqesi ose në ndërtim. -Tomorr mos ja leni këtë turp presidentit se unë po iki se u pa kjo punë. -Viktor mu drejtue, je nje çikë gjaknxhehtë.
-Tomorr, i thashe së shpejtit do t’ju mungoj gjaknxehtësia ime që e ka bazën në moral, por do ju vij turp për gjakftoftësine tuej e shpejt do e kuptoni se ai do ju eleminoj një nga një të gjithëve. Atëhere iu drejtova Amerikës përfunimisht, ku baj një jetë të qetë larg kompromiseve e pazarllëqeve të flliquna. Jetoj si nënshtetas Amerikan i barabartë në mesin e të barabartëve.

Si i shikoni proceset demokratike në Shqipëri, dhe sa ndikon Diaspora në politikën dhe ngjarjet shqiptare?

Proceset demokratike në Shqipëri shikohen kjartë në zhvillimet e tyne. Jo zbatim ligjesh, jo përgjegjësi para ligjit, jo dhanje pronash e jo shpërblime të të persekutumve që zvarriten tash e 23 vite. Besoj se këto fakte më japin të drejtën t’i quaj zhvillime mjerane që të japin shumë pak shpresë drejt demokracies së vërtetë.
Kemi një Diasporë me shumë ambicje e përçamje në mesin e njeni tjetrit. Disa të diasporës jan të prirun që të durtrokasin qorras, sepse në pushtet gjat 23 viteve kanë durtrokitun pushtetarët që vijnë nga origjina komuniste. E ku asht kontributi i tyre si antikomunista?
Që ti sherbesh zhvillimeve demokratike, duhet të zhvishemi plotësisht nga interesat personale e mos të braktisin shokët e vërtetë të idealeve të pastërta. Duhet të heqim dorë nga ambicjet e këqia e ma e randësishmja duhet të hiqet dorë nga shpifjet e paturpshme që baltosin ndërtesën e tyne duke mendu se baltosin kundërshtarin e tyne. Në një shoqëri të civilizueme njerëzit me bindje të kunderta jetojnë pa pasun frigë njeni tjetrin.

Si ish i persekutuar si i vlerësoni gazetarët shqiptarë që herë pas here u japin mundësinë diktatorëve nëpër ekranet televizive të flasin me krenari për dhunën që ushtruan në sistemin komunist?

Unë nuk mund të quhem ish i persekutuem, përderisa unë jam i persekutuem deri në këtë moment, sepse mua akoma nuk më ashtë kthyem një copë oborr i vogël mbrena mureve të shtëpisë e kjo quhet prone e pakthyme e grabitun, që tregon kjartë se të sotshmit ecin në rrugën e të djeshmvet. Por sot dua t’i pergjigjem pyetjes suaj si një qytetar në mesin e qytetarëve. Dje gazetarët shkruanin të diktuar nga diktatorët, ata flitshin të gjithë pa përjashtim duke joshun me shumë hipokrizi interesin e atyne që kurrë nuk lejuan që zani i njerëzve me idena përparimtare të dëgjohej. Të pershkruajmë se cilët ishin diktatorët, besoj se ashtë e tepërt. Por çuditërisht edhe gazetarët e sotshëm duke përfshi Qafokun, Ballen, Fevziun e Xhungën u pelqen tu lajnë rrugën e e lirshme që përsëri të mburren para ekraneve televizive, per tu mburrun me të kaluemen e tyne mjerane, bile pa kundërshtar përball. Tepër pa dinjitet tregohen gazetarët kur më mohojnë të jem i pranishëm para ekraneve të kryeqytetit, duke pasun të gjitha argumentet për të zhvleftësue poshtërsitë e të djeshmëve dhe të sotshmve 23 vjeçar. A e kuptojnë këto mjerana gazetarësh se duke i leju të mburren me të kalumen e tyne të turpshme e të përgjakun, i bajnë të mendojnë brezat e ri shqyptar që të mendojnë si këto?
Fundërrinat e kombit kenkan herojtë e vërtetë. Hej ju gazetaruca të djeshëm e të sotshëm, ndaluni! ku shkoni? E njifni turpin? A po ndoshta vini nga ato shtresa që doni të mbroni krenarinë e atyne që se kan pasun kurrë. Sa herë që atyne diktatorëve t’ju jepet mundësia të flasin në ekrane ju do jeni gabim. Sigurisht që ju do mbroheni duke thanun: po tani jemi në demokraci të gjthe kanë të drejtë! Po, po, por jo pa kundërshtarë përballë tyre të cilët janë të përgatitun ideoligjikisht si opozitar të diktatutres, sepse forma që ndiqni do ju turpërojë, deri në përjetsi. Kurrsesi nuk mund të justifikoheni, ndryshe do ju quajmë gazetaruca dje e gazetaruca sot.

Cili është mesazhi juaj për bashkatdhetarët?

I uroj shqiptarëve mbrena dhe jashtë shtetit të zhvishen nga sa fola ma sipër, që të jemi të denjë e krenar për t’u qujtun Shqiptar.
Në të kundertën, do mbetemi të turpruem në brezat që do na pasojnë.
Ndërsa mëkatarët duhet të kërkojnë falje për të cilët një miku im më tregoi sot se rastësisht kishte shkue në kafe me vllaun tim pa kurrfarë qëllimi të keq. Dihet që kafeja asht vendi ku krijohet sherri, po ma shumë te ne shqiptarët.
Se si u krijun rrethant pa dashtë që të zgjatem në vetëmbrojtje vazhdoi miku im kundër armës që mu drejtue dhe reagova me armën time ku mbeti i vramë ai që nuk kisha menduar kurrë se mund ta vrisja. Po ashtu mbeti i vramë një tjetër në rrëmujë e sipër. Kur isha në qeli, po mendojshe se si me përshkrue ngjarjen. Sigurisht mendoja se a thu do ta shikoja jetën e lirë ndonjëherë? Në këto mendime, pa pritun ndën derë u fut një rreshter me bubreca dhe duke ecun në mënyrë të rregullt krijun nje U. U-ja na qenka shenja e pendimit. Bubrrecat dolën nga qelia e nuk u pan kurrë ma.
Fillova të lutem si i penduem që Zoti të më falë. Këtë lutje vazhdoj edhe sot qe mbas 12 vite burg jam i lirë.
O ju mëkatare me duar të pergjakuna të diktaturës, mos e harroni “U”-n! Dilni para popullit shqiptar dhe në shenjë pendese kërkoni të falun, gja të cilën nuk e keni ba gjatë 23 viteve, veçse jeni mundue për të mbajtun pushtetin në çdo formë, duke mbajtun pislleqet e 47 viteve në shpirtin tuej. Perqafojeni U-n se do të ndiheni ma të lehtësuem e ma komod se sa me vazhdue pushtetin e përgjakun.
Ju çiftin Zylaj ju falënderoj që më dhatë mundësin pa limit për intervistën që të kontriboj për çështejen shqiptare. Ky mision s’asht as fillimi e as fundi i përpjekjeve të mia si trashëgimtar i denjë i të parëve të mi.( Bisedoi Kozeta Zylo)
Ne Foto: Viktor Martini ne qender me bashkevuajtesit

7 shtator, 2014
Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: apel gazetareve, diktatoret, mos intervistoni, pa kundershtare, Viktor Martini

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT