*- ENDE I INTERVISTONI SUNDUESIT KOMUNISTË PA KUNDËRSHTARË PËRBALLË?…/
*Bisedë me z.Viktor Martini i cili me familje dhe të afërm kanë mbi 104 vite burg politik/
Z.Martini ka qenë i arrestuar dhe i burgosur qysh në moshen 16 vjeç për arsye politike një rast i papreçedent për vendet e lira dhe demokratike. Është themelues i shoqatës së të burgosurve politikë dhe kryetar i saj i parë për rrethin e Shkodrës. Ka botuar disa libra dhe është mjaft aktiv në dhënien e opinioneve për zhvillimet politike dhe kulturore në Shqipëri. Jeton me bashkëshorten në Boston.
Ju keni qenë i denuar politik qysh në moshën 16 vjeç, cilat ishin disa nga arsyet që ju burgosi diktatura në moshë ende të parritur?
Viktor Martini: -Ju keni dëshirë që të dini se cila ishte arsyeja që në moshën 16 vjeçare më arrestuan dhe çfarë i kisha ba sistemit? Kanë kalue 60 vite nga data e arrestimit, datë kjo e cila nuk harrohet deri në vdekje e që më trondit shpirtin edhe sot. Llogjikisht një fëmi në këtë moshë arrestohet vetëm kur ai i banë dame të mdhaja shoqënisë. Kurse në rastin tim arrestimi ishte një krim që ushqente bishën diktaturë me pafajësinë time, raste të tilla ka pasun dhe te të rinjtë e tjerë. Mbase kjo e imja sikur ndoshta më duket mu ashtë dicka ma e rrallë. Babai im në moshë të re, me që jetonte në tokat shqiptare të robnueme nga Mali i Zi (Hot) së bashku me malsoret e tjerë tentuen të delshin nga robëria, sepse Liria për to ishte gjaja ma e çmueshme. Emri i tij ishte ba tepër i njoftun e tepër i rrezikshëm nga qeveria e Krajl Nikollës. Për këtë arsye qeveria nuk gjeti rrugë tjetër për ta kapun, veçse duke i arrestu të gjithë pjesëtarët e familjes nën kërcnimin: O dorzoju, o do ti vrasim të gjithë”! Baba u dorzue, biles u dënue me vdekje. Një natë para se të pushkatohej një probatin i tij i krijoi mundësinë që të ikte nga burgu e me të gjithë familjen të ndalonin në tokën Nanë Shqipëri, duke lanun mbrapa shtëpi e gja e madhe si don Zoti.
Por të gjitha u plaçkitën e shtëpinë ja u dogjën. Në Shqipëri Baba ju vu karjerës ushtarake duke studjue në shkollat austriake. Nga ideali ishte Zogist si i tillë edhe vdiq në burgun e Burrelit i akuzuem për kryngritje të armatosun kundër të ashtuquajtunës pushtet popullor që do ishte ma e drejtë të quhej, pushteti ma antipopullor e ma gjakatar që njef historia shqiptare. Dy vllaznit e motra u arratisën jashtë shtetit. Në çerdhen familjare mbetëm ëunë e vllau i vogël Rudolfi. Na nxorrën nga shtëpia e na strehun në një dhomë përdhese me një dritare pa xhama. Mbrena kësaj dhome, një pllake betoni mbulonte një gropë të madhe qenefit ku në të gjthë hapsinën e dhomës kundërmonte era e qelbun. Nana punonte në fermë për të na ushqye. Mobiljet i shitmë të gjitha për hiç para se nuk kishim ku ti vinim.
Kujtoj një rast kur oficeri që rrinte nalt nesh, kërciti në portë ku jetonim dhe i propozoi nanës për një poltron shumë të bukur që rrinte ndën balkonin e shtëpisë që ta shkëmbente me dy rracione qymyr. Nana e zemërueme e mori poltronin e vuni në mesin e oborrit duke e coptu me sopat. Çfarë bane ju drejtue oficeri moj e çmendun? Po mendova ja ktheu nana se ka dërrasë të vjetër e do bajnë më pak tym pasi nuk kemi as stufë, pastaj më erdhi keq që në këtë poltron kan ndenjun njerëz të zgjedhun të kombit shqiptar e tashmë të ulen njerëz që nuk vlejnë e as kush nuk i njef. Oficeri iku si i tërbum duke uluritun: armiq të qelbun! Njenin vlla Paskualin e arrestuen në kufinin çekosllavak e vëllain tjetër Angjelinin e kthyn nëpërmjet një anmistije, mbasi kishte marrun vesht se Paskuali ishte në Shqipëri e prania e tij mund ta lehtësonte. Paskualin e dënuen me vdekje fillimisht e pastaj ma vonë gjykata e naltë e dënoi me 25 vjet burg. Angjelinin e çuan të punonte në fabrikën e tullave, të transportone tjegull me një dorë, gja që për të ishte e pa mujtun. Nga ky trajtim çnjerëzor u detyru të bante një tentativë për tu arratisun me një grup shokësh, ku u kapën dhe e dënuan me 15 vjt burg. Pikërisht në këtë kohë unë isha pa mushun mirë 16 vjetët. Disa djem të rinj mora vesht se donin të arratiseshin, por gjithashtu mora vesht se njenin prej tyne, vllau i im i vogël e kishte pa me oficerin e degës duke biseduar. Këtë ma tha disa minuta mbrapa që une isha nda me shokun tim Gjovalinin që ishte i shoqnuem me to. Nuk prita, u turra që ta takoj e ti thom se njeni nga grupi asht informator, por ai nuk pranonte në asnjë mënyrë. Unë veçse i thashë, më trego se po vi dhe unë. Vetëm atëhere ai më tregoi. Ju luta që të kthehej, por ai nguli kambë se jo. Unë u kethva duke hypun në një karrocë qënë atë kohë transportonin pasagjerë nga Parruca te ura e Bunës. Vuna re se një biçikletë po më ndiqte karrocën nga një oficer i sigurimit. Me i ra shkurt të nesërmen mëarrestuan nën akuzën tentativë arratisjeje, megjithse nuk e pranova akuzën, më dënuan me 10 vjet burg. Bile më “nderuan” se më qujtën organizator dhe kryetar i grupit. Tri ditë ma vonë kur unë isha në qeli nga dritarja e saj ndëgjova zanin e oficerëve që bajshin fizkulturën e njeri prej tyre ishte duke thërritur: Hai Hitler e duke qeshun. Kjo më dogji, sepse vllau Rudolfi që njihej me emrin Ler e thërritshin:”Hitler”. Në të nesërmen kur të arrestuemit delshin me radhë për në WC, ju luta shokut të qelisë të më ndihmonte që të mbrrija tek hekurat e dritarese për të pa se a ishte ai a po më ishte fiksue mue. Në momentin që oficerët thirrën: Hai Hitler unë ja mbrrita të shikojë vllan e vogël 13 vjeç. O Zot ku kje deshprimi im e lotët që derdha përsa ditë në atë qeli të mjerimit!… As gja nuk mendoja, veçse nanën e 4 djelmve të cilët ishin shti në burgje dhe vetminë e saj. Ma vonë mora vesht se e kishin arrestue për “grabitje me dhunë”. Arsyja ishte se duke lujtun me një fëmi të moshës të tij i kishte marrun xhakoventon e mbajtun për një orë. Po fëmija ishte i një punojsit që punonte në komitet të partisë. E dënuen 3 vjet për këtë lojë fëmijësh e 3 të tjera se kishte fyer përfaqsuesin e pushtetit, prokurorin. Ai ishte përfaqsuesi i pushtetit ma i turpshëm në sistemet e njerëzimit. Pra tashti e besoni atë çka vetë arsyja e ban të zorshme me e besu. Pra as unë e as vllau i vogël nuk ishim fajtor. Sistemi në vazhdimësi ka ba disa familje viktima të pafajshme për ti shti tmerrin popullit të mjerë e për t’u mbyllun gojën.
Barba Ferey, Drejtoresha e të drejtave ndërkombëtare për njerëzimin ka thanun: Viktor Martini asht një viktimë e pafajshme që as gja si ka ba sistemit, po me që ishte i biri i oficerit të Zogut, ka lindur me vulën për të kenun i shtypun gjithë jetën.
Sa vite ka bërë familja juaj burgjeve, internimeve dhe në cilat vende keni qenë konkretisht?
Sa për pyetjen që ju bani për të dijtun sa vite burg kemi në rethin familjar? Ne me kusherinjtë e afërm kemi mbi 104 vite dënime politike.
Cila ishte jeta juaj në burg?
Ah jeta e burgut! Çfarë të them, një jetë si në burgjet e diktaturës. Dhunë, gjak e uri. Fillimisht jam kenun në burgun e Shkodrës, në kampin e Rinasit, që sa herë vë kamën në aeroportin e Rinasit sytë më mbushen me lot sepse kam frigë se mos shklas mbi vorrin e ndoj shokut ku u varrosën në një gropë pa emër. Pastaj jam transferue në Tiranë si i pa aftë për punë, pasi isha me një kamb të preme. Më çuan persëri në Shkodër e nga Shkodra në burgun famëkeq Burrel nga ku jam liru. Kjo ishte xhiroja shkurtimisht e vujtjeve të pafund.
Në përgjithsi ambienti i burgut ishte me njerëz mjaft dinjitoz me përjashtim të ndonjenit që kishte rrëshqitun nga torturat e ndruheshim nga ai tip që e izoloshin nga ambienti i shëndoshë. Regullat mbrena ishin strikt e çnjerëzore. Nga burgu i Shkodrës së bashku me vllaun tim Angjelinin na transferuan në burgun e Burrelit, ku e morëm vesh vetëm atëhere kur ndodheshim te porta, ku polici që po na kontrollonte teshat na tha: e dini se ku keni ardhun? Këtu thuhet Burrel ku hyn e nuk del! Patëm një shqetësim si unë ashtu dhe vllau, sepse e mjera nanë sa do të tmerrohej kur të merrte vesh se ne na prunë në këtë burg ku disa vite ma parë kishte vdekun dhe baba. Në kohën që ne shkuem nuk ishte ma ai trajtimi i tmerrshëm sepse diktatorët i zbusnin dhe i egërsonin sipas ngjarjeve ndërkombëtare. Fillimisht na çuan në dhomën numër tre ku banorët e asaj dhome ishin Ejell Coba, Azis Verjoni,Tomorr Ypi, Asllan Ypi,Tomorr Dosti, Azis Xhika, Ruzhdi Rroi, Ali Ndroqi, Ali Shala, Palok Pjalmi e disa të tjerë që në këtë moment nuk po më kujtohen. Dhoma ishte katër me katër ku mbrena këtij kuadrati jetonin mbi 25 persona. Unë isha ma i riu ndër to. Të gjithë ishin intelektualë të klasit të parë e burra 400 derhemsh si themi ne Shkodranët. Në dhomat e tjera ishin vllaznit Tasi e Xhevat Korça. Xhevat Korçës kur jeta iu ba e padurushme, shpalli grevën e urisë dhe vdiq pa i ba tërr qerpiku. Grevat e urisë në burgje ishin krejt ndryshe me këto të sotmet qe bahen duke hangër e duke pi mish,ven e raki. Prej këtyne njerëzve përfitova kulturë, se mos të harroj Padër Mëshkallen ky kolos të botes morale, gjithashtu Gjergj Kokoshin ish Ministrin e kultures të Enver hoxhës, ku vetë Enveri herë pas here i bante thirrje që të bante autokritikë dhe do ta lironte, por ai me krenari i kthente përgjigjen shkurt, KUUUURRË. Po të vazhdoj të vë emrat e të gjithë atyne burrave të nderuem jam ma se i bindun se gazeta e juej nuk do kishte vend as dhe për një fjalë të vetme. Pra këtu duke kenun tepër i ri mësova se si duhet të jetë njeriu i vërtetë, i falënderoj me këtë rast që më pregatiten të jem ky që jam sot. Jeta kur dola nga burgu që po thuej dhe ma e zezë se jeta mbrena burgut. Izolimi nga njerëzit që kishin frigë të afroheshin të bante me besu se je i izoluem pa të drejtë nga rrethet shoqnore e nga rrethet e far e fisit, kjo të krijonte ndjenjën e trishtimit. Për disa vite kam punue në kantjere ndërtimi duke ba beton me lopatë, duke thye gur në frantoj, duke shkri zift ku shpesh herë flluskat që kërcenin përjashta të ngjiteshin për lëkurën e trupit ku duhej t’i hiqnje me gjith lëkurë. Me i ra shkurt nuk ka gja ma të trishtushme se me jetu si i lirë pa kurrëfar të drejtash si qytetar.
Ah! Këto kujtime kaq të idhta na ndjekin edhe sot që kemi mundësinë të jetojmë si njerëz.
Ju u përfshitë energjikisht në proceset demokratike, si ka funksionuar shoqata e të burogusurve politik?
Era e ngjarjeve të Europës lindore lajmëruan se era e pastër e lirisë po jep shanset dhe për popullin shqiptar. Pra duhej ba diçka. Me ca djelmosha u mundum të përgatisnim rrëzimin e bustit të Stalinit dhe demonstratën e 14 janarit. Demonstrata që quhet demomstrata e heshtun u ba më 14 Janar të vitit 90-të. Rrëzimi i bustit dështoi sepse disa prej organizatorëve pa qëllimin e keq dhanë alarmin para kohësh bile edhe tu kërcnu sambistat se po u vjen fundi. Këto ishin Gavroshat, ndërsa intelektualët e burgjeve e të kampeve e quanin të parakohshme, sigurisht nga frika e cila në shume raste duhet arsy. Ndërsa unë ngulnja kambë se e nesërmja ka me kenun vonë. Më 13 janar më kanë arrestu së bashku me vllaun tim Rudolfin e të tjerë. Në mënyrë të veçantë na kan torturu, si mua,vllaun dhe Rin Manajken të cilit nga torturat iu shkaktu depresoni i thellë psiqik dhe ma vonë pasi u largue nga Shqipnia për në Austri u gjetë i vramë në dhomën e tij.
Ishte një tragjedi e shkaktume nga sistemi çnjerëzor.
Mua më dërguen me disa djelm që kishim marrun pjesë në demonstrat në spitalin e Ministrisë të Brendshme, por pa na trazu. Pas 10 ditësh të shoqnuem nga sambistat të specializuem me makinën e spitalit na dërguan në spitalin psikiatrik të Elbasanit.
Me të mbrritun në Infermjerinë e Spitalit sambistat që gjatë rrugrs ishin tregue të qetë, u vërsulën si bisha dhe duke na vu permbys urdhëruan infermierët që të na banin gjylpanat. Mua më shkoi mendja se do ishin gjylpana vdekjeprurëse. Iu luta Zotit që të mos më koris e të shfaqi frigën para këtyne katilave. Pa ndjenja na kishin përplasun nëpr shtretën sikur ne të ishim bagëti. Mbas katër pesë ditësh drejtori i spitalit na thirri një nga një duke na pyetun si jeni? – Z.doktor të të thom si jam, më parë du të di nga ju, me ç’të drejtë na mbani këtu? Keni urrdhën arresti? -Jo u përgjegj doktori. -Keni urdhën gjykate? -Jo u pergjegj, por kemi vetëm urdhën nga ministria e brendshme. Atëhere zoti drejtor a asht e drejtë të njollosni bluzën e bardhë që përfaqson humanizmin e të mbani në institucionin tuej njerëz që nuk asht e drejtë të izolohen për arsyna politike? Disi me kryeultësi tha: Ju jap fjalën time se do të kërkoj te organet e ministrisë që mos të mbaheni këtu. Por më kuptoni se dhe ne jemi të pafuqishëm që të kundërshtojmë, këtë unë e dija mirë, por më erdhi mirë që e tha me sinqeritet, sepse as dhe një se kishte guximin të kundërshtonte diktatorët. Pas nja dy muejsh pa pritun, kur unë kisha krijue bindje se do plakesha në çmendi ose do më mbysnin me gjylpana, drejtori na thirri në dhomën e tij dhe shkurt na tha: Jeni të lirë. Shpejtuem për në postë dhe lajmëruem familjet që të na prisnin te stacioni i trenit në Shkodër. Durimi i popullit shqiptar kishte mbrritun kulmin. Alarmi se po hapen ambasadat organizoi popullin dhe nëpërmjet ambasadave që u hapën jo pa qëllim u dha mundësinë largimin nga vendi. Kjo lehtësoi diktatorët për të kenun ma të sigurt e ma të lirshëm për ngjarjet që do vinin mbrapa si pas skemës të Gorbacovit (katovicën që kemi edhe sot).
Unë nuk u ndala po me një grup shokësh shpallëm Shoqatën që do vehej në sherbim të çuarjes në vend të të drejtave të shkeluna prej shumë kohësh. U zgodha krytar për rrethin e Shkodrës e n/krytar në shkallë kombëtare. Organizuem mitingun e madh në stadiumin “Qemal Stafa”. U ba marshimi nga stadiumi deri te stacioni i trenit me thirrje: “Diktator shporruni nga pushteti e tjera”!… Në shtatorin e vitit 91 organizuem grevën e urisë, ku mbas 11 ditësh na plotësuan 5 pikat e ma të randësishmen, pafajsinë. Ndërtuem me një fjalë kështjella në ranë qe pa u gdhi mire u shembën. Kemi gabu thërrisnin dje, por do rrim në front përsëri. U rrejtëm e keqas, se mos natyra mundet të bajn qe ujku të haj bar e qengji mish, as diktator të shendrruen në emra te ri nuk mund të pastrojnë ndërgjegjet e tyne. Shoqata fillimisht eci e bashkueme, por ky bashkim ishte dhe kërcënimi për diktatorët. U punu shumë që ta përcanin shoqatën në fraksione të ndryshme, nëpërmjet shpërblimeve dhe intrigave të ndryshme. Dhe ja kan mbrritun qëllimit. Sot kemi disa shoqata që kafshojnë njena tjetrën, dhe ç’fat asht ma e çuditshmja në kry të këtyne shoqatave në disa raste kemi si kryetar njerëz që nuk kan origjinë politike. Në unionin e kësaj shoqate isha në fundin e Majit te 4 Katëshi dhe ishte gja e bukur të shikoje sallën plot. Por mjersht kryesohej nga kryetari i bashkimeve prefesionaleve të Fierzës e që bërtasin me ta mbushun mendjen se janë antikomunista të devotshëm! E si mund ta quajmë se kjo shoqatë po banë dicka për zhdukjen e komunizmit? Apo vetëm ulurin paret, paret pa kërku gjana të tjera që për një idealist ka gjana të tjera ma të randësishme.
Si erdhët në Amerikë?
Për ardhjen time në Amerikë qe si shkak Diaspora e Nju Jorkut. I kishte çue një ftesë shoqatës së Shkodrës. U pritmë shumë mirë. Po nuk vonova të zhgënjehesha se me këtë diasporë shumë pak do ecim para në shërbim të demokracisë së vërtetë. Një diasporë e coptume në partina të ndryshme që përfaqsonin Nacionalistet, që nuk shikoheshin sy në sy me njeni tjetrin, që nuk lenin gja pa intrigu kundër njeni tjetrit. Atëhere mund ta quajmë kontribut këtë?
Une mbajta një fjalim para disporës së Nju Jorkut. Ndër të tjera unë i bana të ditun diasporës se Ramiz Alia po përgatit satelitët e tij që diktatorët me duarë të pëgjakuna te kalojnë pa dhanun llogari në një gjyq Nurermberg, e sa thirrje që nuk i shërbenin Satelitit Sali. U ktheva për të votue, por nuk votova fare se në çdo kuti votimesh qëndronin kameleont e kuq në këto rrethana. Marrëdhanjet e mia u ndërprenë plotësisht. Kërkova punë, sepse punë do të thotë jetë. Dhe me i ra shkurt kur takova bashkvuejtësin tim Tomorr Dostin që ishte shefi i kuadrit të P D -s, më pyeti a ke ba kërkesë për punësim? -Po i thashë. Po më ka ardhun një shkresë për punësim direkt nga Sali Berisha. U gëzova dhe menjëherë e pyeta po ku? I Shkreti Tomorr duke ju dridhun buza dhe dora nxorri nga sirtari një shkresë the filloi ta lexonte: Të dërgohet në mënyre urgjente Viktor Martini në punë në Qipro. Po çfarë pune e pyeta me nxitim, m’u përgjegj: -në bujqesi ose në ndërtim. -Tomorr mos ja leni këtë turp presidentit se unë po iki se u pa kjo punë. -Viktor mu drejtue, je nje çikë gjaknxhehtë.
-Tomorr, i thashe së shpejtit do t’ju mungoj gjaknxehtësia ime që e ka bazën në moral, por do ju vij turp për gjakftoftësine tuej e shpejt do e kuptoni se ai do ju eleminoj një nga një të gjithëve. Atëhere iu drejtova Amerikës përfunimisht, ku baj një jetë të qetë larg kompromiseve e pazarllëqeve të flliquna. Jetoj si nënshtetas Amerikan i barabartë në mesin e të barabartëve.
Si i shikoni proceset demokratike në Shqipëri, dhe sa ndikon Diaspora në politikën dhe ngjarjet shqiptare?
Proceset demokratike në Shqipëri shikohen kjartë në zhvillimet e tyne. Jo zbatim ligjesh, jo përgjegjësi para ligjit, jo dhanje pronash e jo shpërblime të të persekutumve që zvarriten tash e 23 vite. Besoj se këto fakte më japin të drejtën t’i quaj zhvillime mjerane që të japin shumë pak shpresë drejt demokracies së vërtetë.
Kemi një Diasporë me shumë ambicje e përçamje në mesin e njeni tjetrit. Disa të diasporës jan të prirun që të durtrokasin qorras, sepse në pushtet gjat 23 viteve kanë durtrokitun pushtetarët që vijnë nga origjina komuniste. E ku asht kontributi i tyre si antikomunista?
Që ti sherbesh zhvillimeve demokratike, duhet të zhvishemi plotësisht nga interesat personale e mos të braktisin shokët e vërtetë të idealeve të pastërta. Duhet të heqim dorë nga ambicjet e këqia e ma e randësishmja duhet të hiqet dorë nga shpifjet e paturpshme që baltosin ndërtesën e tyne duke mendu se baltosin kundërshtarin e tyne. Në një shoqëri të civilizueme njerëzit me bindje të kunderta jetojnë pa pasun frigë njeni tjetrin.
Si ish i persekutuar si i vlerësoni gazetarët shqiptarë që herë pas here u japin mundësinë diktatorëve nëpër ekranet televizive të flasin me krenari për dhunën që ushtruan në sistemin komunist?
Unë nuk mund të quhem ish i persekutuem, përderisa unë jam i persekutuem deri në këtë moment, sepse mua akoma nuk më ashtë kthyem një copë oborr i vogël mbrena mureve të shtëpisë e kjo quhet prone e pakthyme e grabitun, që tregon kjartë se të sotshmit ecin në rrugën e të djeshmvet. Por sot dua t’i pergjigjem pyetjes suaj si një qytetar në mesin e qytetarëve. Dje gazetarët shkruanin të diktuar nga diktatorët, ata flitshin të gjithë pa përjashtim duke joshun me shumë hipokrizi interesin e atyne që kurrë nuk lejuan që zani i njerëzve me idena përparimtare të dëgjohej. Të pershkruajmë se cilët ishin diktatorët, besoj se ashtë e tepërt. Por çuditërisht edhe gazetarët e sotshëm duke përfshi Qafokun, Ballen, Fevziun e Xhungën u pelqen tu lajnë rrugën e e lirshme që përsëri të mburren para ekraneve televizive, per tu mburrun me të kaluemen e tyne mjerane, bile pa kundërshtar përball. Tepër pa dinjitet tregohen gazetarët kur më mohojnë të jem i pranishëm para ekraneve të kryeqytetit, duke pasun të gjitha argumentet për të zhvleftësue poshtërsitë e të djeshmëve dhe të sotshmve 23 vjeçar. A e kuptojnë këto mjerana gazetarësh se duke i leju të mburren me të kalumen e tyne të turpshme e të përgjakun, i bajnë të mendojnë brezat e ri shqyptar që të mendojnë si këto?
Fundërrinat e kombit kenkan herojtë e vërtetë. Hej ju gazetaruca të djeshëm e të sotshëm, ndaluni! ku shkoni? E njifni turpin? A po ndoshta vini nga ato shtresa që doni të mbroni krenarinë e atyne që se kan pasun kurrë. Sa herë që atyne diktatorëve t’ju jepet mundësia të flasin në ekrane ju do jeni gabim. Sigurisht që ju do mbroheni duke thanun: po tani jemi në demokraci të gjthe kanë të drejtë! Po, po, por jo pa kundërshtarë përballë tyre të cilët janë të përgatitun ideoligjikisht si opozitar të diktatutres, sepse forma që ndiqni do ju turpërojë, deri në përjetsi. Kurrsesi nuk mund të justifikoheni, ndryshe do ju quajmë gazetaruca dje e gazetaruca sot.
Cili është mesazhi juaj për bashkatdhetarët?
I uroj shqiptarëve mbrena dhe jashtë shtetit të zhvishen nga sa fola ma sipër, që të jemi të denjë e krenar për t’u qujtun Shqiptar.
Në të kundertën, do mbetemi të turpruem në brezat që do na pasojnë.
Ndërsa mëkatarët duhet të kërkojnë falje për të cilët një miku im më tregoi sot se rastësisht kishte shkue në kafe me vllaun tim pa kurrfarë qëllimi të keq. Dihet që kafeja asht vendi ku krijohet sherri, po ma shumë te ne shqiptarët.
Se si u krijun rrethant pa dashtë që të zgjatem në vetëmbrojtje vazhdoi miku im kundër armës që mu drejtue dhe reagova me armën time ku mbeti i vramë ai që nuk kisha menduar kurrë se mund ta vrisja. Po ashtu mbeti i vramë një tjetër në rrëmujë e sipër. Kur isha në qeli, po mendojshe se si me përshkrue ngjarjen. Sigurisht mendoja se a thu do ta shikoja jetën e lirë ndonjëherë? Në këto mendime, pa pritun ndën derë u fut një rreshter me bubreca dhe duke ecun në mënyrë të rregullt krijun nje U. U-ja na qenka shenja e pendimit. Bubrrecat dolën nga qelia e nuk u pan kurrë ma.
Fillova të lutem si i penduem që Zoti të më falë. Këtë lutje vazhdoj edhe sot qe mbas 12 vite burg jam i lirë.
O ju mëkatare me duar të pergjakuna të diktaturës, mos e harroni “U”-n! Dilni para popullit shqiptar dhe në shenjë pendese kërkoni të falun, gja të cilën nuk e keni ba gjatë 23 viteve, veçse jeni mundue për të mbajtun pushtetin në çdo formë, duke mbajtun pislleqet e 47 viteve në shpirtin tuej. Perqafojeni U-n se do të ndiheni ma të lehtësuem e ma komod se sa me vazhdue pushtetin e përgjakun.
Ju çiftin Zylaj ju falënderoj që më dhatë mundësin pa limit për intervistën që të kontriboj për çështejen shqiptare. Ky mision s’asht as fillimi e as fundi i përpjekjeve të mia si trashëgimtar i denjë i të parëve të mi.( Bisedoi Kozeta Zylo)
Ne Foto: Viktor Martini ne qender me bashkevuajtesit
7 shtator, 2014
Staten Island, New York
denokrimet e komunizmit says
“S’ka me te keq se komunisti “anti-komunist”.(Vaclav Havel)eshte nje thenje qe Keze Zylos dhe Qemalit i shkon pershtat.
Burre e grua kan qene anetare partie por jo vetem kaq kan pasur anetar partie edhe prinderit e tyre me nene dhe babe, dajo e teze jan nga familjet me komuniste, ne Shqiperi eddhe sot e kesaj dite, familje me komuniste nuk gjen dot ne Shqiperi dhe sot e kesaj dite me Enverin flene.
Tani Kezja eshte bere anti komuniste e flaket rreket me ndonje te presekutuar per te lare mekatat qe kan burre grua
Mark Gjonaj says
Replike me “denokrimet e komunizmit”!
Ju nuk keni kurajo te shkruani me emer dhe si pergjigje une duhet te te them se duhet te jeme i rezervuar me ju, por po ta them me sinqeritet, se nuk rezervohem fare, por dua te me kthesh pergjigje:
1. Me te drejte citatin e Vaclav Havelit e perdorni per reference, por une dua te dije(ju dikushi), se cfare qendrimi duhet te mbaje nje komunist qe ka punuar ne ate regjim dhe ne regjimin e sotem, nje komunist “antikomunist”, apo, nje “kokforte” komunist dhe me kete rast te mbroje idete e tij, duke bere krahasime me te mirat dhe te keqiat e atij sistemi me te mirat dhe te keqiat e ketij sistemi, qe i ka te balancuara pothuajse, kurse i pari i kishte ne proorcion te zhdrejte, prandaj dhe nuk i mbijetoi epokes.
2. Kur ju (dikushi), do te komentoni, mos u merr me intervistuesen, gazetaren, por me bazamentin e shkrimit qe deponon nje i denuar i ndergjegjes! Nese ju do te vereni se ka mosperputhje me pyetjet dhe kembenguljen e gazetarit gjate intervistes, mund te thoni dicka ne fund, por jo qe ne fillim! Se, pastaj gazetarin do ta krahasoni me ujte qe i dha gomarit kur e pyeten, te nxehte, e paske djegur, te ftohte e paske ftohur! Ai, ose (ajo), jane bere mode ca pyetje standarte ndaj te persekutuarve dhe vete personi tani ne kete moshe e ka kuptuar perse u percane te denuarit e ndergjegjes dhe kush i percau ato, por eshte vone…, mbaroi loja, atehere u thoshnin komunistat se jane “komunistat” dhe sigurimi! Por, nje gje qe e fillon dhe nuk i vene koke muhabetit ndenoncuesi eshte se, kur vete Berisha e mbrojti politbyrone dhe i “denoi” qesharakisht, pse sot kur ndonjeri mbijeton, gazetari eshte i lire dhe cdo njerit i bene interviste, eshte profesioni i tij dhe ky ishte nje test dhe para 70 vjetorit te clirimit te Shqiperise nga okupuesit e vendit! Kjo gazetare eshte bindur, por do te beje lojen se qe te merret i besueshem denoncimi tij, duhej qe gazetarja te studjonte plotsisht praktiken e dosjeve te tij qe nga fillimi dhe derisa ka dale nga burgu dhe nese e gjente te argumentuar, jo etem nje interviste, por dhe nje monografije te tille liber dhe nje propozim Presidentit per nje dekorate! Kjo eshte puna e gazetarit! Une e kam degjuar ne nje interviste qe e benin Nolin ky grup si pervetsues te bibliotekes se Konices dhe keto u pane nje nga nje, erdhen dhe gazetare nga Shqiperia, por vetem llafe dhe me sa kuptova vetem se Noli kishte simpati per Rusine Leninit!
3. Nuke shte vetem kjo gazetare, se po te ishte vetem kjo, s’kishte probleme, por ne rolin e saje, kane kaluar shume te tille, shume intelektuale, shume shkruesa fallco te biografive te persekutuarve, shume media, shume gazeta, e keto shumica, nuk bejne asgje tjeter, por risjellin ne kujtese qendrimet e kahershme te shqiptarve qe per pak i shesin interesat e tyre, prandaj dhe jemi katandisur si mos me keq; jemi ne thellim te antagonizmit, ne ceshtjet e identitetit, ceshtjet e fese, ceshtjet e pakicave, pra me nje fjale, jemi bere si dhi e zgjebosur dhe bishtin e kemi mbajte gjithmone perpjete! Vetem te marrish lojen me te re dhe nuk do tjeter(Banka), ja si tallen klasa politike e majte me te djathten, parate o nuk kane hyre fare ne banke, jane marre perpara, ose ata jane vjedhe dhe ne vend qe te gjejne provat faktike se ku kane shkuar, merren me Fullanin, si me UFO-t! Prandaj dhe keto komunista “anti komuniste” te “pergjeruar” dhe te “perveluar” me te burgosurit politik, shikojne si vepron qendra dhe keta poshte keshtu e ndertojne jeten; forma per te mbijetuar, per t’u zvarrit si urithi. Edhe sekretari i Enverit H. Kroi, rrine 24 vjet pa fole dhe tani e hap thesin, finok atehere, finok sot, mbasi te flasin te tere, edhe une komunisti i vjeter po behem “antikomunist” dhe qofte dhe nje fakt se si Enveri nuk shkonte ne pune me dite dhe muaj dhe rrogen e merrte te plote. Sheh nje te “rrezikshem” ne trotuare( Skender Konicen) dhe thote atehere po ky cfare kerkon ne xhiro bulevardit. Pra jane mediat dhe gazetaret qe e bejne tere kete trazire e trubollire, per te fituar, po kush ka te drejte, pak rtendesi ka! Dhe keshtu, ua kane nxjerre bojen te persekutuarve te vertete, sa qe eshte e tepert te deklarojne, sepse trajtimi ka qene si me shurdhememecet!