*“E lajnë dot ujërat e mbitokës gjakun e të deklasuarëve që skuqi tokën amë për 50 vite?!/
*Ç’medikament duhet të shpikë shkenca që të shërojë plagët që shkaktoi diktatura komuniste të cilat ende rrjedhin?!/
*E kanë pyetur ndërgjegjen “rrëfimtarët apasioannt” të vuajtjeve se kundër kujt u bë lufta e klasave?!/
*Luani me jetën e cilitdo, shndrrohuni në klloun mesjetar, për t’i thurur elozhe që ta vini në piedestal historik çdo lloj krimineli apo xhelati, shkaktar të luftës së klasave, por mos i rivrisni viktimat!/
*Nuk gjendet baltë mbi globin tokësor që t’i pranojë si të drejta krimet e komunizmit…!” /
*Nuk ka vend mbi tokë që t’i pranojë si të drejta krimet e komunizmit/
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/
Si pikënisje e këtij shkrimi më shërbeu nxitja që bëjnë disa media vizive apo të shkruara, të cilat në dukje dënojnë krimet e komunizmit, por në fakt u thurin lavde, i bëjnë të pavdekshëm ata që u bënë vegla të Diktatorit, të atyre të pafeve e burracakëve që përçuan në këtë komb vital idetë komuniste të huajtura nga sllavët e Moskës dhe Beogradit, ide, që s’ kishin asgjë të përbashkët me shqiptarizmin. Në shumë raste disa fenomene tragjike të ndodhura në diktaturë i sfumojnë, kurse disa të tjera i zmadhojnë duke i marrë si etalon, apo si shembull i vuajtjes e dhembjes së shkaktuar atë kohë.
Jo vetëm mua, por gjithë atyre që gjykojnë me objektivitet, duke qenë realist, u ka rënë në sy dhe kanë konstatuar se disa media, apo analistë të cilët japin opinione të njëanshme lidhur me luftën e klasave, gabojnë rëndë.
Nuk di se ku e kanë qëllimin, ku synojnë të dalin këta “rrëfimtarë të apasionuar” të kolerës komuniste. Gati sa s’u bije zali, duke u shkumëzuar si epileptik, kur flasin për atë sistem kriminal që shkaktoi te gjysma e shqiptarëve vuajtjet e pashembullta antinjerëzore dhe solli armiqësinë mes tyre. Të jesh i njëanshëm me një pushtet që kishte mohuar atë shtresë ndaj së cilës u bë lufta e vërtetë e klasave, duke e zhytur në skamje, varfëri e mjerim të tejskajshëm, është krim. Për shtresën, së ciës diktatura komuniste i dhuroi me të tepërt vuajtje çnjerëzore dhe në të njëjtën kohë e mohoi, e vrau, e burgosi, e internoi, e zhveshi nga çdo lloj mjet jetese, duke i zhvatur mizorisht e kafshërisht pasurinë e tundshme dhe të patundshme, pa asnjë lloj norme humane, duhet thënë e vërteta. Si në asnjë vend tjetër të botës, madje as në Rumaninë e Çausheskut, që u dënua për krimet ndaj rumunëve, nuk ndodhi ajo padrejtësi sociale si në Shqipëri. Tek ne u zhduk prona private dhe u shpërdorua dinjiteti human, u bë një luftë e egër, që e gjeti shprehjen telufta antinjeri.Vetëm në vendin tonë të begatë, fisnikërisë i mohuan jetën, profesionin, të drejtën e arsimimit. E denigruan, e degdisën si një plaçkë pa vlerë dhe jo si njerëz, nëpër këneta, kanale e mes malesh, larg qytetërimit e megjithatë kjo shtresë i mbijetoi dhunës së diktaturës më të egër që ka njohur mbarë njerëzimi. Vetëm në Shqipëri u bë genocid brenda llojit të një race, të një gjaku e të një gjuhe. Natyrisht pa viktimat shteti policor e humbte fuqinë e tij, do të zbehte madhështinë e fanarit ndriçues. Pastaj do të dilnin të paaftë, të papunë kriminelët e dhomave të hetuesisë, ku torturat brenda tyre do të zilepsinin inkuizitorët e mesjetës.
Duke u paraqitur në ekran si Klloun Cirku, Bufonapo Lolo të Oborreve Mbretërore të Mesjetës,sharlatanët që i përshtaten çdo kohe, që ndërrojnë flamur sipas drejtimit të flugerit, e ngrehin në piedestal luftën që është zhvilluar brenda gjirit të Partisë së Punës, brenda administratës së lartë shtetërore, e cila nisi vonë në Shqipëri. Askush nuk e mohon, por…
E kanë pyetur ndërgjegjen”rrëfimtarët apasionant” të vujatjeve pafund e çnjerëzore se kundër kujt u bë lufta e klasave?!
Shpikja më e madhe e P. K. Shqiptare qysh në fillimet e saj, krahas luftës ndaj të huajit programoi dhe propagandoi Luftën e Klasave. Menjëherë pas çlirimit të vendit, synimi i saj ishte luftë pa kompromis kundër klasës fisnike, bejlerëve dhe agallarëve, kundër familjeve të pasura e të mesme, ku hynin çifligarët, tregtarët, borgjezia e vogël e qytetit dhe intelektualët e diplomuar në Universitet më në zë të Evropës. Për ata dhe fëmijët e tyre askund nuk dukej se kishte më dritë jeshile, por vetëm drita e kuqe si sinjali i semaforit(ndalim qarkullimi). Nga do që të hidhnin shikimin, me sy të shqyer lexonin “SOS“, pra koha e tyre kishte mbaruar. Tashmë e kishin mëse të qartë se risku i tyre ishte burgu, internimi apo kthetrat e vdekjes që i prisnin në qelitë e ftohta për t’i kallur më pas hendeqeve kufomat e tyre, si pa atdhe e pa familje, që shërbyen ushqim për korbat dhe insektet, apo kërma për hienat.
Edhe ajo copë tokë, nëse do të kishin mirësinë t’i varrosnin për humanizëm, ku ndoshta do të denjonin t’u shkruanin emrin e tyre, vetëm mendimin se ata treteshin aty, u kallte tmerrin idhtarëve të komunizmit. Idealistët e verbër ndërgjegjësisht e kishin mëse të qartë se, nëse nuk do të kishte viktima, atëherë kriminelët dhe xhelatët e kohës do të ngeleshin të papunë.
Si mund të jesh atdhetar i mirë e i besës, kur ti bën genocid shfarosës, brenda llojit të së njëjtës racë, që ka një gjak dhe një gjuhë me ty?!
Lufta e klasave u bë me etapa. Edhe pse e pashpallur, e padokumentuar si përparësi apo si program, u muarën masa për forcimin e Partisë mëmë. Lufta për përmbysjen e klasave, nisi qysh gjatë luftës, ku vriteshin pa gjyq apo pas krahëve bijtë dhe bijat e të pasurve apo intelektualët, si rrezik për pushtetin e ri popullor për të cilin po përgatitej terreni. Kurse vëllavrasja në masë filloi pas konferencës së Mukjes. Ende pa u çliruar vendi, nisën të pushkatojnë e të burgosin në emër të popullit me akuzë si kriminelë lufte,krime që kryheshin me urdhër të emisarëve të Beogradit.
Qysh gjatë luftës ,P.K Sh. futi përçarjen brenda familjeve të piketuara për shfarosje. Njërin vëlla e bëri Prokuror, Drejtor banke, Ministër, kurse vëllanë tjetër, arsimuar në Kembrixh, e pushkatoi. Çfarë shqiptari është ai që e gëlltit krimin, e pranon si të drejtë vrasjen e vëllait dhe më pas i qëndron besnik Partisë, dora vrastare e së cilës e la pa krahë?
Ishte ai sistem që ndau babanë nga djali,vëllanë nga vëllai, gruan nga burri…Atëherë ku qëndronte humanizmi i partisë- shtet, për të cilin njeriu ishte thesar i paçmuar? Nëse shkatërron familjen, shtetin e ka marrë lumi, sepse familja si qelizë e shoqërisë është pasqyra e shëndetit të një kombi. Duke qenë vegla të verbëra të të tjerëve, apo duar të tyre për të kapur kokën e gjarpërit, ata kishin harruar se shtresa e mesme dhe intelektualët ishin Palca dhe Truri Kombit. Kur zhduken këto, kombi ngelet në hapësirë boshe, pa themele, pa frymëmarrje dhe pa të ardhme.
Lind pyetja: “E lajnë dot vallë ujërat e mbitokës gjakun e të deklasuarëve të pafajshëm që skuqi tokën amë për 50 vite?!”
Është e drejta juaj të luani me jetën e cilitdo. Po të doni shndrrohuni në klloun mesjetar apo aktor skene, për t’i thurur elozhe që ta vini në piedestal historik çdo lloj krimineli apo xhelati, ose shkaktar të luftës së klasave, por mos i rivrisni viktimat! Kjo për arsyet që thamë më sipër e që po vijojnë…
Kur burgjet mbusheshin me bijtë e të deklasuarëve dhe me intelektualë, kurse kampet e internimit tejngopeshin me familjet e fisin e tyre, ndërkohë fëmijët e atyre që zbatonin luftën e egër të klasave shkuan me studime në B.S, në Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari, Kinë, pse jo dhe në Francë, Beograd etje… Fëmijëve që studjonin jashtë vendit, Partia dhe Sigurimi i Shtetit u dhanë udhëzime familjarizimi, përzjerje gjaku dhe race. Kështu lidhën krushqi Tirana me Moskën, Beogradin, Varshavën, Bukureshtin, Pragën, Sofjen e Budapestin. Natyrisht familjet dykombëshe më pas u vendosën në Shqipëri dhe u emëruan nëpër fole pëllumbash.
Në të njëjtën kohë që këta të rinj të saporikthyer nga studimet, punonin në administratën e lartë shtetërore, fshatari i mesëm u damkos me titullin e Kulakut, që në kundërshtim me sqarimin e konceptit në fjalor( kulak=fshatar i pasur me shumë tokë), ai quhej kulak, kur kishte ngelur me gisht në gojë. Pa të ardhurat e mjaftueshme, e rënduan me taksat e jashtëzakonshme. Për gjendjen në të cilën ndodhej, ai nuk i përballonte dot. Përsëri e burgosën në emër të popullit si armik klase dhe familja internohej. Pa llogaritur gjithë vendin, vetëm Vlora ka pasur 40 000 të persekutuar.
Po flas si dëshmitare okulare.
Nuk ka ndodhur në kohë paqeje në asnjë vend të botës, që shteti të dënonte në një ditë të vetme 70 apo 80 burra njëherësh duke e quajtur “Gjyqi i kulakëve”.
Nuk ka diskriminim racial më të madh se ai që u është bërë këtyre burrave në mars 1952. Para se t’i çonin në kinema” Ali Demi “Vlorë , ku do të bëhej gjyqi, i shëtitën nëpër qytet me këmbë dhe duar të prangosura si skllevër dhe në qafë u kishin varur dy tabela. Njëra në kraharor, ku shkruhej: “Këtë meriton armiku i klasës “dhe tjetra në shpinë, ku shkruhej: “Kriminelët në litar!”
Në viteve 1952-1955, ishte faza e dytë e luftës së klasave, e cila përfundoi me Konferencën e Tiranës, ku u burgësën e u internuan njerëzit e rrezikshëm për PPSH, natyrisht me prejardhje nga shtresat e pasura.
Ndërkohë nisën të acarohen marrëdhëniet me Rusinë dhe me kampin socialist. Prishja e miqësisë me BS dhe kthimi i studentëve në Shqipëri ende pa u diplomuar, solli rritjen e luftës së klasave, nga frika e rënies së pushtetit komunist . Një rrezik për pushtetin e pathemeltë ishte feja. Në vitet 1965-1967 lufta e klasave arriti kulmin. Vetëm në Vlorë më 16 gusht 1966 u pushuan 165 intelektualë të fushave të ndryshme që i përkisnin familjeve të deklasuara, pa asnjë motivacion.
U mbyllën të gjitha kultet fetare, muslimane, ortodokse dhe katolike. Lufta më e madhe u bë ndaj besimtarëve dhe priftërinjëve katolikë, meqë ishin direkt në vartësi të Vatikanit. U burgosën me dhjetëra priftërinjë të besimit katolik, që vdiqën burgjeve por kurrë nuk e humbën besimin te Zoti.
Më 1967 i përndoqën nga qyteti, barbarisht si pa atdhe, i interniuan të gjitha familjet e deklasuara. Nuk iu thanë se pse ishin të padëshirueshëm, por shkonte kamioni te dera dhe policët i hidhnin plaçkat sikur ishin plehra. I syrgjynosnin atje ku ata s’ kishin as shtëpi dhe as pronë. Një internim i ri, ku e rinisën jetën nga zero.
U strehuan në hangaret e duhanit, në kotecet e pulave të kooperativës apo në rrënojat e varreve të pashallarëve. Iu mohuan jetën, të drejtën e punës, iu mohuan profesionin, duke iu ofruar një të ardhme të zezë, pa të nesërme…
Jeton akoma një ish i dënuar politik i tetorit të vitit 1944, i cili u fejua në burg. Një vajzë e re , vetëm 16 vjeçe e priti të dashurin sa doli nga burgu. A nuk shërben si shembull besnikërie dhe qëndrese për mediat? Apo vetëm të huajat ishin të virtytshme?
Është gjallë një vajzë që e priti babanë në burgun e Bulqizës 28 orë që të dilte bashkë me shokët të ngelur brenda në minierën e shembur. Prisnin në ankth e nuk dinin nëse do të dilnin gjallë apo jo. Është ende dëshmitarja e një krimi makabër kur priste të takohej me të atin, në burgun e Bulqizës. Në të aguar skuadra e pushkatimit gajasej teksa kthehej nga ekzekutimi i 14 burrave, 14 bijë nënash.
Sa nëna, motra, gra jetojnë për të treguar se si i kanë kthyer për vendi, duke udhëtuar në shi e baltë, në diell e të ftohtë për t’u çuar ushqime burrave apo djemve të tyre dhe kanë ikur pa u takuar me ta, pa ua dhënë ushqimet. Sa ish të burgosur jetojnë për të treguar tmerret gjatë hetimit, biseda të llahtarshme me vdekjen në qelitë e izolimit, varja në një trung si Krishti i gozhduar, futja nën tendën e izoluar nën djellin e korrikut e gushtit, pa lenë t’i afrohet askush, pa ujë pa ushqim 24 orë. Ose varrosja për së gjalli në tokë nga mëngjesi në mbrëmje, duke u lënë vetëm kokën jashtë pa ujë, pa bukë në vapë apo dëborë… Kjo ka qenë taktika e burgut të Bedenit(Kavajë). Njoh edhe të burgosur të Bedenit që mund të tregojë se jo të gjithë u rezistonin torturave. Kishte edhe nga ata që prenë me briskë a me lugë, venat dhe barkun, duke u dhënë fund torturave. Ka dëshmitarë që në Kënetën e Maliqit Profesorin shkodran e varrosi polici të gjallë se nga pafuqia, jo vetëm s’bënte normën, por nuk rrinte dot në këmbë. I gjori profesor, u rrëzua dhe gjeti vdekjen nga shkelmimet e policit.
Nuk jam në kundërshtim që të tregohen të gjitha vuajtjet qofshin vendas apo burgosja e të huajave. Duhet pasur parasysh se lufta kundër tyre apo në gjirin e Partisë nisi kur të përndjekurve ua kishin prerë llampën e zërit dhe frymëmarrjen, i kishin katandisur në atë gjendje, sa që mendonin vetëm për bukën e gojës dhe për asgjë tjetër 30 vite para tyre.
Dhuna ngelet dhunë. Padrejtësia është e papranueshme për cilindo. Do të më pëlqente të kishte më tepër realitet nga media, historianët. Në media thirren gjithmonë ish pushtetarë të diktaturës apo fëmijët dhe nipat e tyre. Mos vallë vetëm ata i rezistuan vuajtjes? Në fund të fundit lufta ndaj tyre kishte karakter tjetër, jo klasor.
Lufta e klasave nisi me shtresat e pasura dhe të mesme, të cilat i kaluan 70 vjet që janë denigruar dhe vazhdojnë të mohohen. Kur filloi pastrimi në administratën e diktaturës komuniste, të deklasuarit ishin njerëz të vdekur . Lufta e klasave ndaj tyre vazhdoi edhe pas viteve 1970 dhe vazhdon edhe sot, kur ende fëmijët e tyre nuk e kanë gjetur veten.
Në vendin tonë historia nis e shkruhet nga “A”-ja pas çdo ndryshimi politik apo social, duke mbrojtur interesat e klasës apo Partisë politike në fuqi. Me këtë mënyrë kurrë nuk do të kemi një histori të vërtetë. Të deklasuarit do të ngelen ish pronar, ish të përndjekur, ish të burgosur… Është kjo arsyeja që nuk ka medikament të mjekojë plagët e të deklasuarve që ende vazhdojnë të rrjedhin edhe sot. Nuk ka ujë mjaftueshëm të lajë gjakun e tyre të pafajshëm që skuqi trojet arbërore.
Janë tre nga kushtet që duhen plotësuar për pranimin e Shqipërisë në BE: *Dëmshpërblimi i të përndjekurve, *Kthimi i pronës te pronari legjitim, e cila plotëson kushtin e tretë; *Integrimin e të përndjekurve politikë.
Media të nderuara, ka plot të përndjekur që ndihen të integruar, por për fat të keq nuk janë pjesë as e Sigurimit të Shtetit as e spiunazhiut të huaj dhe as nga ata të përkëdhelurit e diktaturës. Vetëm kur peshorja e realitetit nuk do të anojë nga asnjë anë, atëherë do të vendoset se ndaj kujt shtrese u bë lufta e klasave, një luftë e vërtetë antinjerëzore.
Ndaj me të drejtë pohoj se, nuk ka tokë në rruzullin tokësor që t’i pranojë si të drejta krimet e komunizmit, ndaj plagët që kanë shkaktuar kanë ngelur të freskëta dhe dhembin si atëherë. Sepse janë aq të rënda ,sa nuk ka medikament që t’i shërojë.