-Ne Foto:Diplomati i parë i SHBA në Kosovë Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në konferencë për shtyp, ku është korrespondenti tash i Gazetës DIELLI Behlul Jashari – në plan të parë në mes dhe gazetarë tjerë
Nënpresidenti amerikan Joe Biden në vizitën e dytë në Kosovë/
-Nënpresidenti amerikan Joe Biden dhe dr. Jill Biden vizitojnë Kosovën javën e ardhëshme/
-Thaçi: Zëvendës-Presidenti Biden është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Populli i Kosovës është krenar me mikun i cili që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë ishte shpresa dhe zëri i fuqishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në Washington/
-“Kosova pret në festë zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden”, “Biden: Njohja e Pavarësisisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm”, “Ambasada e SHBA: Biden, i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit”, janë titujt e raportimeve që kam bërë gjatë vizitës së parë historike në maj 2009./ -Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, më 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë/
-Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës në Kosovë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 14 Gusht 2016/Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të udhëtojnë për në Prishtinë, Kosovë, javën e ardhëshme.
Të martën, 16 gusht, në mbrëmje, mbërrinë në Aeroportin e Prishtinës.
Të mërkurën, 17 gusht, Nënpresidenti Amerikan Biden do të zhvillojë takime dypalëshe me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa.
Gjithashtu, nën patronatin e Qeverisë së Kosovës, Nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të shkojnë për vizitë afër Kampit Bondsteel për të marrë pjesë në cermoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë Joseph R. “Beau” Biden, III.
Para vizitës, Ambasada e SHBA në Kosovë ka dërguar axhendën.
Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka paralajmëruar se, javën e ardhshme vjen Zëvendës-Presidenti Biden në Republikën e Kosovës.
“Kjo vizitë e mikut të Kosovës shënon një moment të ri dhe historik për Kosovën. Tash e 26 vite, Zëvendës-Presidenti Biden është i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Populli i Kosovës është krenar me mikun i cili që nga fillimi i viteve nëntëdhjetë ishte shpresa dhe zëri i fuqishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në Washington. Miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përjetshme. Kosova dhe populli i saj i janë mirënjohës për jetë Zëvendës-Presidentit Biden dhe familjes së tij për kontributin e tyre. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë SHBA-në”, shprehet presidenti Thaçi.
Kjo do jetë vizita e dytë e nënpresidentit të SHBA, Joe Biden, në Kosovë. E para ishte në maj 1999, për të cilën atëherë kam raportuar me titujt: “Kosova pret në festë zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden”, “Biden: Njohja e Pavarësisisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm”, “Ambasada e SHBA: Biden, i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit.
20 Maj 2009: KOSOVA PRET NË FESTË ZËVENDËSPRESIDENTIN AMERIKAN JOSEPH BIDEN
PRISHTINË, 20 maj 2009/ Kosova pret në festë zëvendëspresidentin amerikan, Joseph Biden në vizitën e nesërme të vlerësuar historike nga institucionet e vendit dhe populli, ndërkohë që përgatitjet për mikpritjen e mirëpritjen e madhe shihen kudo në Prishtinë , kryeqytetin e shtetit më të ri në botë, raportoja në 20 maj 2009.
Më tej, mes tjerash, theksoja se, në orët e pasditës së sotme, derisa punëtorët komunal të kryeqytetit kishin përfunduar punët në stolisjen e shesheve dhe rrugëve me flamuj të SHBA-ve dhe të Kosovës dhe në vendosjen në bilborda të fotografive të mëdha të zëvendësprsidentit amerikan Biden bashkë me përshendetjet e mirëseardhjes.
Ndërsa , në ditën e vizitës, në 21 maj 2009 raportoja:
21 Maj 2009: BIDEN: NJOHJA E PAVARËSISISË SË KOSOVËS PËRBËN PROCES TË PAKTHYESHËM
Zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden sot në Prishtinë në takim me drejtuesit më të lartë të vendit ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së se pavarësia e Kosovës përbën proces të pakthyeshëm.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm. Kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu e kryeministrin Hashim Thaçi.
“Së dyti, një Kosovë e tërë dhe e bashkuar është kusht minimal, për aq sa i përket qëndrimit të SHBA-ve. Një Kosovë e Bashkuar dhe e pandarë është absolutisht kusht esencial dhe themelor”, theksoi Biden.
“Gjëja e tretë që dua ta potencoj është se mendoj se qeveria ka arritur një progres të konsiderueshëm gjatë vitit të parë. Progresi që qeveria e ka arritur brenda një viti është i jashtëzakonshëm dhe unë mendoj se një element qenësor i suksesit të vazhdueshëm të qeverisë dhe i faktit që kjo qeveri është përqafuar nga bota është natyra vërtetë shumetnike e kësaj shoqërie, e këtij vendi dhe e kësaj qeverie”, tha Biden.
“Dhe unë jam i bindur se përkushtimi për këtë është i vërtetë dhe njëmend i përhershëm. Për aq sa të ekzistoj ky përkushtim, do të ekzistojë edhe mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, vijoi ai.
“Gjatë udhëtimit tim në Bosnjë, Serbi dhe tani në Kosovë, unë kam thënë se ky është një rast historik. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve evropiane kanë ëndërruar një Evropë të tërë, të bashkuar, të lirë dhe në paqe. E vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze – ndonëse më herët thashë paqe – e vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze apo tërësie është që, për herë të parë në historinë e tij, Ballkani të ketë rast të jetë tërësisht i integruar në BE. Kjo është mundësia që ne e kemi tani, ky është qëllimi i SHBA-ve, ky është qëllimi i këtyre liderëve dhe ky është qëllimi i – kujtoj unë – pothuaj të gjithë liderëve të rajonit. Kur kjo të ndodhë, ëndrra që ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore do të bëhet realitet”, theksoi zëvendëspresidenti Bajden.
Në vizitën e parë në Kosovë pas shpallljes së pavarësisë Biden tha se për të kjo ishte një ditë vërtetë e mrekullueshme.
“Bazuar në përvojën tonë, kur një vend është demokratik dhe kur është i bashkuar me vendet e tjera demokratike, të gjitha gjërat që e kanë pllakosur atë vend në të kaluarën tejkalohen dhe ofrohet një mundësi më e mirë për një të ardhme më të ndritshme, kështu që unë jam optimist. Jam optimist dhe edhe njëherë dua ta falënderoj qeverinë për mikpritjen dhe dua t’ju tregoj se sa kisha kënaqësinë të kthehesha në një Kosovë që po ndërtohet dhe zhvillohet. Pash njerëz nëpër rrugë që po buzëqeshin. Gjersa po fluturoja për në aeroport, pashë çati të shtëpive të tjera, të reja; pashë përparim, pashë se njerëzit po ecnin para. Për mua kjo është një ditë vërtetë e mrekullueshme, që pata rastin të kthehem. Dhe unë u jam shumë mirënjohës, jo vetëm qeverisë, por edhe tërë popullit të Kosovës”, përfundoi zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Biden.
Ndërsa, që në fillim të fjalës së tij, zëvendëspresidenti Biden falënderoi për nderimin e tij nga presidenti Sejdiu me Medaljen e Artë të Lirisë, duke e quajtur këtë si një nga nderet më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë, raportoja, mes tjerash.
***
Në Ditën e Lirisë, 12 qershor 2004 – në 5 vjetorin e hyrjes shpëtimtare të NATO-s në Kosovë në 12 qershorin e vitit 1999, Presidenti në atë kohë Ibrahim Rugova në akademinë solemne njoftonte se me rastin e atij përvjetori kishte vendosur të dekorojë me “Medaljen e Artë të Lirisë” burra shtetesh dhe personalitete të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e lirë të Kosovës.
Në tekstin e Dekretit Presidencial thuhej:
“Në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë, 12 qershorit, Ditës së Lirisë së Kosovës, në bazë të fuqive kushtetuese të Presidentit të Kosovës me Dekret të veçantë kam vendosur të dekoroj me ‘Medaljen e Artë të Lirisë’ shefa të shteteve, të qeverive, senatorë, kongresmenë, deputetë, ushtarakë, ministra, personalitete të Amerikës e të Evropës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës, dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës”.
22 Maj 2009: KOSOVË – AMBASADA E SHBA: BIDEN, I PREKUR NGA TË SHPREHURIT MASIV TË DASHURISË DHE RESPEKTIT
PRISHTINË, 22 maj 2009/ Ambasada Amerikane në Prishtinë falënderon popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrojhtë dhe zemërgjerë për nënkryetarin SHBA-ve, Joseph Biden, gjatë vizitës në Kosovë, duke theksuar ai ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit.
“ Ambasada e SHBA-ve dëshiron të falënderojë popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrohtë dhe zemërgjerë që ia ofruan nënkryetarit Biden me 21 maj. Gjersa nënkryetari nuk pati mundësi të takohet personalisht me gjithë ata mijëra njerëz që shfaqën entuziazmin e tyre duke u rreshtuar pranë rrugëve të Kosovës, ai ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit”, thekson deklarata e kumtuar nga Ambasada Amerikane.
“Kërkojmë falje për çdo vështirësi të shkaktuar nga mbyllja e rrugëve dhe masave tjera të nevojshme që ishin të lidhura me vizitën”, shtohet në kumtesë.
SHBA, 20 VJET PRANIE NË KOSOVË
Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, më 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996. Presidenti Rugova bashkë me familjen ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja para 20 viteve.
Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Zyra e SHBA-ve në Prishtinë u bë Ambasadë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të Kosovës. “Si rezultat i statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA-ve për t’u hapur formalisht si ambasadë e Shteteve të Bash kuara”, ka thënë Kaidanow në ceremoninë solemne.
Ajo ka shtuar se, “derisa Zyra e SHBA-ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj”.
Diplomatja e SHBA-ve në Prishtinë, Kaidanoë, siguroi për vazhdimin dhe intensifikimin e përpjekjeve në vitet në vijmim dhe se asistenca amerikane Kosovës do të ketë për qëllim sigurimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë.
“Ju sjell urimet nga niveli më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për këtë rast shpresdhënës, përfshirë nga Sekretarja e Shtetit Rice, e cila dërgoi përshëndetjet e saj personale”, tha më tej Kaidanow.
“Është kanqësi dhe nder të jemi këtu në Kosovë në një kohë aq të rëndësishme, dhe i shprehim mirënjohjen tonë të posaçme popullit të Kosovës, i cili na ka ofruar besimin dhe bashkëpunimin e vet gjatë gjithë këtyre viteve”, ka theksuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.
Duke e marrë fjalën në ceremoni atëherë Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu tha se “Kosova ka tashmë një histori të marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë farkuar nëpër kohë të stuhishme të ekzistencës sonë”.
Më tej presidenti Sejdiu përkujtoi:
“Po mbushen 12 vjet që kur kemi përfaqësim diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit John Kornblum, ka shënuar vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Ky shënonte moment të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të thoshte më 1996 Presidenti Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë e quante këtë lidhje ‘miqësi të përhershme’ në mes të dy vendeve tona”.
Më tej Sejdiu tha se Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ia kishte dërguar atij të nesërmen e shpalljes, përkujtonte “lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë”.
“Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, ‘e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë’”, tha Sejdiu.
“Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënive të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Sejdiu, President në atë kohë.
“Dita e sotme është e veçantë për ne, sepse miku ynë më i madh, SHBA-të po avancojnë statusin e prezencës së tyre në shtetin tonë të ri”, ka thënë në ceremoni atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, Presidenti i tashëm i Kosovës.
Ai vlerësoi se, “duke e avancuar statusin e zyrës së deritanishme në Ambasadë të plotëfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë”.
“Prandaj, unë si Kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe jemi mirënjohës për këtë gjë. Si përfaqësues i popullit tim, me lejoni që të them se edhe ne kemi besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë miqësinë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.
“Besimi në liri, barazi, dhe drejtësi janë vlerat sublime, të cilat e bëjnë kombin amerikan të jetë madhështor sot. Prandaj, ne me vendosmëri shikojmë drejt Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe kultivojmë këto vlera të përbashkëta”, nënvizoi kryeministri në atë kohë.
“Ndërkohë, që Kosova do të vazhdojë udhëtimin e saj në mesin e vendeve të lira dhe demokratike të botës, ne përgjithmonë do të ruajmë në zemrën tonë respektin e veçantë për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të përfaqësuar nga kjo Ambasadë këtu”, përfundoi Thaçi duke uruar “në këtë rast madhështor”.
Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.
Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa (tash kryeministër) dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanow, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.
Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.
Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe të ambasadave në Kosovë.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar, Ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e cila përfundonte misionin në Prishtinë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delaëie-n që të shërbejë si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.
Ambasadori i ri amerikan në Kosovë me “mirëmengjes” niste prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë. “Unë jam Greg Delawie dhe është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona. Zyrën tonë informative në Kosovë e kemi hapur në vitin 1996. Tani pothuaj 20 vjet më vonë, objekti i ambasadës sonë të re në Prishtinë është në ndërim e sipër”, shprehej ambasadori duke shtuar se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.
“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, theksonte ambasadori amerikan.
Njoftimi dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.
Në 21 gusht 2015, Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.
Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.