Foto: AT KONRRAD GJOLAJ O.F.M.(1918 – 2000)/
Vizita e Shejtnisë së Tij Gjon Pali II, dashtë e padashtë, do të hyjë n’ analet e historisë si ajo ma e shkurta ndër komunitete, gati si provë e s’ dij se çkahit, si nji udhëtim nga A në B, rekord i vërtetë shpejtësie.
Shtypi katolik e ai laik, agjensitë botnore të lajmeve, ndoshta edhe vetë qarqet e Vatikanit e patën shumë të vështirë t’a percaktojnë e t’i japin nji emen këtij evenimenti tepër të madh per vendin tonë të vogël. Sepse asht përnjimend e vështirë me përcaktue karakterin e kësaj lëvizjeje fort të shkurtë, me nji program ma se konçiz për t’u quejtë “pelegrinazh” për nderim të gjakut të derdhun gjatë 500 apo 50 vjetëve.
Nuk mund të quhet as ost-politikë e Vatikanit, pse nuk pat asnji element të kësaj natyre, posë nji puthjeje toke, puthje duersh, fjalime e përshëndetje për popullin shqiptar e për lidhjet e tij të vjetra me Selinë e Shejtë.
Qe pozitiv tipari i vetëm se nuk pati asnji incident, as prej të huejve, as prej vllazënve të vjetër, as prej anmiqve të sotëm.
Nuk mund të ndodhte ndryshe.
Zyrtarisht u tha se kjo vizitë kishte për qellim të vetëm, shugurimin e katër ipeshkëve shqiptarë. Ashtu duhet të ketë qenë. Por ndoshta faqja tjetër e medaljes mund të jetë edhe ma interesante. Shumë shprehje tepër bombastike për miqsinë e vjetër ndriçuese…por gati kurrgja për pozitën historike të kristianizmit në Shqipni, as për rezistencën primare kundër metodave dhe eksperiencës së komunizmit shkencor, koncentrat i të zezave të nji periudhe jo vetëm 500 vjeçare, por 2000 – vjeçare.
Vlera e nji populli matet me forcën e kulturës së ndërgjegjës, aftësinë aktive në mjedisin ku jeton dhe aftësinë e transmetimit si rrezatim ndriçues të kozmopolitizmit, përçues ndër vende e nëpër arteriet e etapave historike të kulturave etnike, të pasunisë së traditave, gojëdhanve e sagave, shprehje të dinamikës. Matet edhe nëpër forcën e rezistencës së tregueme gjatë atapave historike të pafavorshme. Nji popull asht aq i madh sa të jetë e madhe rezistenca e tij. Nji popull nuk zhduket si komb nga historia, shtypjet, okupacionet e kulturat anësore, po qe se ai ka me çka të rezistojë, madje, po pati vitalitet e thesar kulturor e sidomos shpirtnor që t’asimilojë t’ ardhunit, qoftë edhe me armë.
Banorët e gadishullit të Ballkanit Përendimor, të papërcaktuem si fuqi etnike qysh më zhdukjen e forcës ushtarake romake dhe të stancimit filozofok grek, qendrojnë në histori vetëm në saje të ruajtjes së zakoneve e traditave të mbështetuna përherë në boshtin fis–gjak, të ruejtuna që prej fillimit të Erës së Re. Ndonse qe fjala për nji shoqni shumkombëshe, për arsye të ligjëve t’ egzistencës ajo kuagulohet tue marrë tiparet e nji shoqnie tribale plot me vlera historike.
Asht kjo periudhë që, si rrjedhim i ballafaqimeve të ndryshme në trekandshin ballkanik, qet në sipërfaqe nji përmbledhje gjithë kontradikta, si rrjedhim i fillimit të përplasjeve të dyndjeve të hueja dhe popujve vendas, që përfundon me zhdukjen e dalëngadalshme por sistematike të sistemit ekonomik e politiko – etnologjik të të dyja palëve, tue nxjerrë në dritë nji shoqni shumënyjshe, tepër heterogjene, pa kurrfarë tiparesh as të trashëgimnisë së kalueme historike, as të atyne pushtuese të ndryshëm që dominuen mbi këta rajone.
Vetëm mbas invadimesh të njimbasnjishme të sllavëve dhe formimit të shtetit sllav në shekuj të mavonshëm, të coptuem në krahina të vogla, ata do të luenin rol me randësi, herë pozitiv, herë negativ, sidomos në periudhën historike të invadimit osman, bashkë me etnitetet e vogla fisnore, mbetje etnike të popujve të ndryshëm të vjetër.
Asht interesante të konstatohet se edhe etnia e vjetër greke pëson ndryshime të mëdha psikologjike e kulturore, tue mbetë materialisht vetëm si kujtim i gjuhës e i kulturës së vjetër greke, plus shtresave të dinastisë së vjetër: bizantinizmit dhe levantinizmit.
Era kristjane luen nji rol me randësi në formimin shpirtnor, por edhe në galvanizimin etniko – kulturor, tue ruejt mbrenda strukturës së re etnitetin kulturor e tradicional fetar, pak a shumë të pastra, por gjithmonë të forta. Forcat e doktrinës kristjane vëprojnë ma intensivisht në fshat se në qytet, ku jetojnë klasat që mbajnë fuqinë në dorë. Megjithëkëte bërthamat ilegale të komunitetëve kristjane janë tepër aktive dhe përpiqen t’a transmetojnë shoqninë skllavopronare n’anë të depërtimit t’ ideve jetëdhanse të barazisë e dashunisë njerzore edhe ndër klasat sunduese.
Kur kristjanizmi legalizohet dhe bahet forcë zotnuese e drejtuese e asaj periudhe, – dhe i tillë mbetet për shumë shekuj me radhë, – nisë me veprue mbi invadimet e popullsive sllave tue i ba pjesë integruese në mbarë aparatin administrativ, për me anue ma vonë në drejtim të Perandorisë Lindore, tue marrë gjithshkahën në dorë, që prej fuqisë ushtarake dhe deri n’ ate gjyqtare e periferike me njerëz vendas e tue e transformue krejt strukturën e vjetër. Kristjanizmi, shpeshherë i përçamë e i përndjekun, përpiqet të plazmojë jetën e mbrendëshme shpirtnore, strukturat familjare dhe ato shoqnore.
Gjatë pushtimit të gjatë osman mbështetet n’ antitezën e popujve ballkanikë edhe si ruejtës i kombësive për gati 500 vjetë. Zhvillon luftat legjendare për vetëmbrojtje kombtare, kulturore e shoqnore, me Gjergj Kastriotin në krye, për hesap të vet e të Botës. Asht nji mrekulli historike se si nji grusht i vogël populli, nën gjithë atë shtypje psikologjike, ekonomike, kulturore e strukturore, shoqënore e fetare, i primë gjithmonë prej udhëheqsash të ndritun, të dijtun e plot ideal, të përcjellun përherë prej salvimesh, t’ ia mërrijnë të shpëtojnë kombsinë e nji populli të vogël, me të gjitha tiparet e nji populli të madh, si të gjitha kombet tjera, me nji kulturë, histori, tradita e virtyte të veta specifike. Kjo meritë i takon klerit katolik, që me vullnetin e çeliktë, me gjakun e derdhun pa kursim, me pishtarin e gjuhës e të dijes, i hapën rrugën popullit shqiptar drejt pamvarsisë e qytetnimit: lista e tyne, që prej Buzukut deri te Fishta, asht aq e gjatë sa nuk numrohet. Periudha e komunizmit, kulmi i barbarizmit të këtyne shekujve, synonte me la hesapet njiherë e përgjithmonë me klerin dhe katoliçizmin në Shqipni; këte e kanë të qartë të gjithë shqiptarët dhe kurrkush nuk mund të mohojë, as t’a shtremnojë.
Ishte për këtë që pritej aq shumë ardhja e Shejtnisë së tij Gjon Palit II në Shqipni: shpërblim këtu në tokë i asaj rezistence burrnore. Pritej që të bekonte të gjitha vorret e martirëve të ramë gjatë këtyne shekujve ndër malet tona, luginat e fushat, të shpërndamë në të katër anët e Atdheut. Pritej me entuziazëm prej 500mijë katolikëve shqiptarë mbrenda kufijve, e po ashtu, prej vllazënve të tjerë kureshtarë, por të sigurtë për rranjët e prejardhjes. Kjo Kishë gati 2000 vjeçare, në vendin ma të afërt me Vatikanin për kah largësia gjeografike, nuk mjaftohej me nji bekim prej së largu. Ishte nji vizitë e pritun pothuej prej shekujsh.
Por ç’ u kuptue nga fjalimet e mbajtuna zyrtare?
Nuk u çek aspak se prej këtyne tribunave publike tirani dhe suita e tij çirreshin para Europës e mbarë Botës, se ia kishin mbyllë gojën Papës së Romës, dhe prej këndej baheshin fyemjet ma provokuese që ka njoftë historia.
Nuk u fol asnji fjalë për dhunimin barbar të Elterit të Shejtë të Katedrales Katolike, në rastin e delirit euforik të kongresit të grave të Shqipnisë me 1973. Nuk u dha kurrnji deklaratë publike se sot e mbrapa elementi katolik i Shqipnisë dhe kleri i tij, nuk do të vuejshin prej asnji forme të Gjenocidit të praktikuem deri tash…
Ndoshta diplomacia shqiptare mbeti pak e zhgënjyeme nga që nuk ia doli t’ implikonte Atin e Shejtë ndër ngatrresat ballkanike, as me realizimin e vizitave të dyshimta, as me miratimin për atë ost – politikë shqiptare të projektueme dikur në librin “Shënime për Lindjen e Mesme”, të shpallun ma vonë prej Alisë e Çarçanit, e që korri “sukseset e para” nëpërmjet diplomacisë demokratike, me dorëzimin e krejt fushave katolike të Shkodrës e Maleve të Mirditës katolike, si konçesione afatgjata oazeve arabike, tue marrë shpërblim nji kothere bukë misri e nji kanaçe vajguri, për me ndezë përsëri këtu bishtukun famëmadh si “fener ndriçues i Europës”.
Vizita e Papës u mbyll pothuej sikur nji eveniment i madh i zhvilluem në terr.
Asht punë për mbas-median: bahet zhurmë e madhe për nji , dy, tri ditë e hidhet në histori, pa dijtë se kur nisi e kur mbaroi.
Vetëm ajo thirrja e lëshueme Popullit Shqiptar prej Sheshit Skenderbeg, duhet të mbetët e ngulun gjithmonë: “Shqipni, qindro në naltësinë e kësaj beteje të madhe…” !
***
Shenim nga F. Radovani: Ky material u botue në vitin 1993 në Revisten “Hylli i Dritës” dhe në vitin 1996, në librin e At Konrrad Gjolaj, “Çinarët”, në faqe 226, botue në Shkodër.
At Konrrad Gjolaj O.F.M. (ose Tomë Marku) (1918–2000) ka le në Velipojë të Shkodres. Ishte nxanës i Don Alfons Trackit. Vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian në Shkoder dhe ata të naltat teologjike në Romë. Në vitin 1943 ka krye stydimet mbasuniversitare po në Romë, ku asht laurue për Dirito Canonicum. Në 1943 vjen në Shkoder dhe ishte profesor i Gjimnazit Fretenve. Në vitin 1948 arrestohet dhe mbas një viti hetuesi lirohet “pa faj”. Nuk pranon me nenshkrue Statutin e Kishës Katolike Shqiptare, perpilue nga shteti komunist, kështu me 10 Janar 1959, arrestohet bashkë me Don Dedë Malaj, që u pushkatue. At Konrradi lirohet në vitin 1972.
Punon në punë të randa dhe jeton tek mesa e vet Angjelina. Në vitin 1994 fillon me shkrue librin “Çinarët”, ku pershkruen me saktësi pikrisht atë pjesë të pashkrueme të Historisë së vertetë të Popullit Shqiptar nën diktaturen komuniste.
At Konrrad Gjolaj, mbasi i la Shqiptarëve këte thesar, mbylli sytë në vitin 2000.
***
Ky artikull botohet nga Fritz Radovani, në pragun e vizitës një ditore në Tiranë, me 21 Shtator 2014, të Shejtnisë së Tij Papës Françesku.
Melbourne, Shtator 2014.
Vizita e Papës në Tiranë-Kumbaro: Ja çfarë po bejmë që të jetë gjithçka gati
Nga Arbi Fortuzi/-. Ministria e Kulturës është duke punuar me kapacitet të plotë për të përfunduar sa më shpejt përgatitjet për organizimin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë më datë 21 Shtator 2014.
Lajmi u bë sot i ditur nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me ecurinë e përgatitjeve për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë. Sipas Kumbaros, dikasteri që ajo drejton, pavarësisht se është kohë pushimesh, po punon me intensitet të plotë që organizimi të jetë sa më shpejt gati. “Edhe pse jemi në periudhë pushimesh, për të cilat i dëshirojmë të gjithë shqiptarëve gëzuar dhe pushime sa më të mbara, ne si ministri kemi më shumë se një muaj që kemi nisur të përgatitemi për të organizuar të gjitha detajet e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë”, theksoi Kumbaro.
Sipas saj, kjo vizitë është një ngjarje mjaft e gëzuar për vendin tonë dhe gjithë shqiptarët, që për një ditë do të jenë në qendër të globit. “Kjo ngjarje e kthen vendin tonë nga një fshat i vogël, në një vend të madh, duke dëshmuar se Shqipëria tashmë është një vend si vendet e tjera, ku Papa mund të realizojë vizitat e tij”, theksoi Kumbaro.
Duke folur për përgatitjet, Ministrja e Kulturës bëri të ditur se po punohet në tre drejtime. “Kanë nisur punimet në Sheshin “Nënë Tereza” për ristrukturimin e tij, pasi më datë 21 shtator do të mbahet mesha e shenjtë dhe predikimi i Atit të Shenjtë, në kuadër të vizitës zyrtare që do të zhvillojë në vendin tonë. Po ashtu, shtoi Kumbaro, Pallati Kongreseve po ristrukturohet për t’u kthyer në një qendër të madhe mediatike, pasi gjatë vizitës priten mijëra gazetarë nga e gjithë bota me transmetime live. Së fundmi, po punohet edhe për ristrukturimin e Muzeut Kombëtar, të cilin Papa Françesku e ka në axhendë për ta vizituar”, nënvizoi Kumbaro.
Vizita e Papa Françeskut në Tiranë: Shenjtëria e tij, Papa Françesku më 21 shtator do të vizitojë Tiranën dhe kjo do të jetë një festë për të gjithë. Lajmi u bë ditur nga vetë Papa gjatë lutjes “Angelus” në Vatikan në orën 12:00 të datës 15 Qershor’. Kjo sipas Nunciaturës Apostolike Shqiptare do të jetë një udhëtim apostolik gjatë të cilit, Ati i Shenjtë, do të ketë mundësi, jo vetëm të takojë dhe të forcojë në fe bashkësinë katolike të Shqipërisë, por edhe të inkurajojë dhe të thellojë raportet e mira tashmë ekzistuese ndërfetare, si dhe të nxisë shoqërinë dhe popullin shqiptar të përballet me guxim, shpresë, zemërgjerësi e shpirt solidariteti në sfidat e të tashmës dhe të ardhmes që ndërthuren me ndërtimin e Shqipërisë së re të rilindur”.
Ky udhëtim i Papë Françeskut ndodh 21 vite pas vizitës historike dhe të paharrueshme të bërë nga Papa Shën Gjon Pali i Dytë më 25 prill 1993, në agimin e asaj “dite të re” që për Shqipërinë, pas rënies së komunizmit, shënoi hapjen e demokracisë, të lirisë fetare dhe të të gjitha të drejtave themelore të burrit dhe të gruas. Është i një domethënjeje shumë të lartë ky udhëtim i parë i Papë Franceskut në një Vend europian. Do të jetë udhëtimi i katërt i Tij ndërkombëtar që kur u zgjodh Ipeshkëv i Romës më 13 mars 2013: i pari ka qenë në Brazil (Amerikë), me rastin e Ditës Botërore të të Rinjëve (22-29 luglio 2013); i dyti, udhëtimi muajin e kaluar në Tokën Shenjte: Jordani, Palestinë, Izrael (Lindja e Mesme), që ka patur jehonë të madhe në mas-mediat ndërkombëtare edhe për fjalët, takimet personale dhe gjestet kurajuese të Papë Françeskut; i treti do të jetë ai, tashmë i shpallur, që do të çojë Atin e Shenjtë në Republikën e Koresë (Azi) më 14 – 18 gushtin e ardhshëm, me rastin e Takimit të VI të të rinjëve të kontinentit aziatik. Pas këtij lajmi, më 30 Korrik 2014, Keshilli i Ministrave vendosi për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2014, prej 141.115.797 milione lekesh, miratuar për Ministrinë e Kulturës dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes së Papa Françeskut në Shqipëri. Ndërsa më 31 Korrik 2014, në katedralen e Shën Palit në Tiranë u zhvillua takimi mbi programin e udhëtimit apostolik të Papa Françesku në Tiranë më 21 Shtator te ketij viti. Mësohet se Ati i Shenjtë do të niset nga Roma në orën 07:30 të datës 21.09.2014 dhe pritet të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza”, në orën 09:00, ku do të pritet nga kryeministri Edi Rama.
Menjëherë pas mbërritjes në Tiranë, Ati i Shenjtë do të pritete në një ceremoni në zyrtare në Presidencë rreth orës 9 e 30 minuta. Në orën 10:00 Ati i Shenjtë do të mbajë Meshën e Shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”.
Në orën 13:30 Papa Françesku do të ketë një drekë me Ipeshkvijtë shqiptarë dhe më pas do të takojë edhe krerët e besimeve të tjera në Shqipëri.
Në orën 17:00 do të kremtohet lutja mbrëmësore në Katedrale. Në 18:30 Papa do të takojë fëmijët e qendrës “Betania” në Fushë-Krujë dhe në orën 19:45 do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes së Papës në aeroport. Ati i Shenjtë niset drejt Romës nga aeroportin “Nënë Tereza”në orën 20:00.
Gjatë këtij takimi, në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, në 21 shtator 2014, sheshi “Nënë Tereza” do të ndryshojë tërësisht pamje. Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi akordimin e fondit prej 332 milionë lekësh për ndërhyrjen dhe rivitalizimin e sheshit “Nënë Tereza”, si dhe dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Tiranës, Atit të Shenjtë.
Më 9 gusht 2014 në Sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet kanë nisur punimet për rindërtimin e tij, pasi më 21 shtator do të mbahet mesha e shenjtë dhe predikimi i Atit të Shenjtë, në kuadër të vizitës zyrtare që do të zhvillojë në vendin tonë.
Projekti pë rehabilitimin e këtij sheshi është hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe u miratua në datën 15 Korrik 2014 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.
Komisioni shtetëror për vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri, që drejtohet nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro , i ngritur për organizimin e punës dhe aktiviteteve që do bashkërendohen me rastin e vizitës së Papa Françeskut më 21 shtator, ia ngarkoi Bashkisë së Tiranës ekzekutimin e projektit për ndërhyrje rehabilituese në sheshin “Nënë Tereza”
Ndërhyrjet rehabilituese parashikojnë nivelimin e sheshit qendror pas heqjes së strukturës së shatërvanit në qendër të tij, i cili tashmë është vlerësuar si i amortizuar, krejtësisht jashtë funksionit dhe jokoherent me kontekstin arkitektoniko-urbanistik të sheshit.
Shkallaret që rrethojnë sheshin do të restaurohen tërësisht, pjesët e munguara të travertinave do të zëvendësohen me të njëjtin material dhe trotuaret do të plotësohen me mozaikun e veshjes sipërfaqësore.
Fasadat e objekteve që ballafaqohen me sheshin do të pastrohen plotësisht. Objekteve të Universitetit Politeknik të Tiranës, Akademisë së Arteve, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Rektoratit do t’u kthehet hijeshia e pamjes së tyre fillestare.
Koncepti i ndriçimit të sheshit do të ndryshojë tërësisht: në qendër të sheshit do të pozicionohen ndriçues të lartë dhe në perimetrin e tij ndriçimi do të jetë i ulët. Gjithashtu do të unifikohet ndriçimi sipërfaqësor i bardhë i fasadave të objekteve dhe do të vihet në pah volumetria e tyre me anë të ndriçimit ngjyrë blu.
Në pjesën e kolonadës do të hiqet struktura e përkohshme e Fast Food ‘Kolonat’, duke rikthyer identitetin e kompleksit në tërësinë e tij.
Hapësira përgjatë dy krahëve të Universitetit Politeknik do të çlirohet nga ndërtimet dhe do të kthehet në hapësirë të gjelbër.
Qeveria shqiptare me VKM e posaçme të mbledhjes së fundit të Këshillit të Ministrave ndihmoi në krijimin e kuadrit ligjor dhe financiar që bën të mundur fillimin e kryerjes së punimeve në një kohë sa më të shpejtë.
Afati i përfundimit të ndërhyrjeve në sheshin “Nënë Tereza” , maksimalisht do të jetë data 10 shtator 2014. Komisioni Shtetëror, i kryesuar nga Ministria e Kulturës është duke ndjekur hap pas hapi të gjitha fazat për organizimin e punës.