GËZUAR 2016/
Ku fluturojnë orët veshur me minuta dhe sekonda?!/
Ku shkon ky vit veshur me muaj e ditë?!/
Ku shkon pëlhura që mbështjell qiellin?!/
Mos i gëlltit koha që vite të tjerë të lindin?!/
Mes cohës së bardhë prerë me gërshërë resh,/
bashkoj dy duart për një lutje të gjatë,/
ëndrrat e shkundura nga pendët e engjëjve,/
të marrin udhë të bëhen realitet i gjallë./
Sa vetmi endet në shpirtrat njerëzorë,
si lakuriq nate në ftohtë dhe errësirë,
urimi im nga kraharori fortë ushton
të dëliret drita në zemra dhe ngrohtësirë.
Varfëria shton lotët si gjethet kur bien në lumë,
dertet e hallet nuk fshihen me shaminë e syve,
uroj burimi i shpresës gurgulloftë në pellgje plagësh,
2016 të rritë farën e re të begatisë zbritur prej yjeve.
Urimi im dua të qëndroj jo vetëm në besim dhe shpresë,
me bojën e stilolapsit shkruar thjeshtë Gëzuar,
dua o njerëz të gjithë në jetë së bashku,
të ndryshojmë këtë botë, ta bëjmë më të mirë!
Vjollca Tiku Pasku