• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EVROPË, KËTO NUK JANË VLERAT E PËRBASHKËTA!

October 11, 2017 by dgreca

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin lavdëroi ish-gjenralin serb Vladimir Lazareviq, një kriminel i dënuar për krime lufte në Kosovë, për rolin e tij kundër ndërhyrjes së Aleancës ushtarake perëndimore, NATO në Kosovë, duke u shprehur se Serbia nuk duhet të jetë më e turpëruar për mizoritë e kryera, për vrasjet e mijëra civilëve të pafajshëm, burra gra e fëmijë shqiptarë të Kosovës.

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Fund javën që kaloi, një numër gazetash amerikane botuan lajmin e përhapur nga agjencia amerikane e lajmeve, Asosiejted Pres, se Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin lavdëroi ish-gjenralin serb Vladimir Lazareviq, një kriminel i dënuar për krime lufte në Kosovë, për rolin e tij kundër ndërhyrjes së Aleancës ushtarake perëndimore, NATO në Kosovë, duke u shprehur se Serbia nuk duhet të jetë më e turpëruar për mizoritë e kryera, për vrasjet e mijëra civilëve të pafajshëm, burra gra e fëmijë shqiptarë të Kosovës.

Sikur Serbia të kishte shprehur më parë turpin e saj dhe të kishte kërkuar falje për krimet e shtetit serb në Kosovë kundër popullësisë civile gjatë luftës më 1999, por edhe më parë, gjë që nuk e ka bërë kurrrë,  Ministri serb i Mbrojtjes deklaroi se, “Ka kaluar koha e turpit dhe se tani është koha për një krenari të qetë”, duke shtuar se ish-gjenerali Lazareviq i dënuar me 14 vjet burgim nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara për krime lufte në ish-Jugosllavi, si dhe ushtarakët e tjerë serb që morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të paarmatosur në Kosovë, “Duhet të dallohen si ndër më të mirët dhe më të guximshmit”, e ushtrisë serbe, për rolin e tyre në luftën kundër popullësisë civile shqiptare të paarmatosur në Kosovë.

I lexon njeriu këto rreshta dhe është e pamundur të mos kujtohen imazhet nga masakrat e civilëve shqiptarë të pafajshëm, si ajo në Reçak, por edhe të tjera mizori, anë e mbanë Kosovës që kanë kryer forcat ushtarake dhe policore të Millosheviqit.   Masakra kundër një popullësie të pa-armatosur nga kriminelët, “më të mirë e më të guximshmit” e ushtrisë dhe të policisë serbe në luftën e Kosovës, me të cilët tani Serbia, sipas Ministrit serb të Mbrojtjes, jo vetëm që nuk duhet të jetë e turpëruar, por përkundrazi, duhet të krenohet.

Nuk jam në dijeni nëse Bashkimi Evropian ka reaguar ende ndaj kësaj deklarate absurde dhe të pa moralshme – e që është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane – deklaratë kjo e një zyrtari të lartë serb, e për më tepër e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë.   Deklarata e Ministrit serb u bë dy tre ditë para se të mbahej në Prishtinë një konferencë mbi perceptimet publike të Gjykatës së Posaçme për krime lufte, në të cilën mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.   Gjatë debatit, udhëheqsi i Kosovës shprehu dyshimet e tija nëse kjo gjykatë do të mund të venë drejtësi dhe nëse me të vërtetë do të ndihmojë pajtimin etnik në Kosovë.   Dyshimet e Z.Thaçi janë me vend.   Si mund të ketë pajtim etnik në Kosovë – me ose pa Gjykatë Speciale — kur udhëheqsit më të lartë serbë, publikisht dhe pa pikë turpi, lavdërojnë si, “më të mirët dhe më të guximshmit” e ushtrisë serbe, pikërisht ata që kryen krime lufte kundër popullësisë civile të pafajshme dhe të paarmatosur shqiptare?   Si është e mundur që, përballë deklaratave të tilla të zyrtarëve serbë – tani dhe në të kaluarën —  në kundërshtim me vlerat e sajë, Evropa i hapë rugën Serbisë për antarësim në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Kosovës i mohohet lëvizja e lirë e pa viza në zonën Shëngen, ndërkohë që, sipas Presidentit Thaçi, ndonëse Kosovës iu premtua se do ta ketë ushtrinë e vet, as ky si një nga premtimet e bëra nga ndërkombëtarët nuk është realizuar?  Sipas tij, këto ishin premtime të dhëna pasi Prishtina zyrtare pranoi krijimin e Gjykatës Speciale, por “ndërkombtarët nuk e mbajtën fjalën”, theksoi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë sesionit të mbajtur në Prishtinë.   Për më tepër, ai e cilësoi atë si një gjykatë etnike e cila do të kundërshtohet nga 50 për qind e qytetarëve të Kosovës, pasi, sipas tij, do të merret me krimet e supozuara të shqiptarëve dhe jo me krimet serbe në Kosovë.

Për gjëndjen e krijuar me Gjykatën Speciale, një pjesë të fajit të ndërkombtarëve duhet t’a marrin përsipër edhe autoritetet e Republikës së Kosovës, sepse nuk janë kujdesur siç duhet për punët e shtëpisë së vet, përfshirë drejtësinë në vend, ose,për  vendosjen e një drejtësi të mirëfilltë”, siç u shpreh Presidenti Thaçi gjatë konferencës mbi “Perceptimin publik të Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”, që u mbajtë ditët e fundit në Kosovë.   Megjitë këtë, Z. Thaçi u shpreh optimist se “Gjykata Speciale do të jetë një pikë drejtësi në oqeanin e padrejtësive që kanë ndodhur në Kosovë”.Drejtësia, është një ndër “vlerat e përbashkëta” për të cilat supozohet se Evropa mban qëndrim të fortë, për veten e saj dhe për vendet që aspirojnë të antarësohen në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe Serbinë.  Në këtë këndveshtrim, nuk mund të barazohet viktima e krimit me ata që kanë kryer krimin.   Ndëshkimi i krimit është gjithashtu një vlerë e përbashkët.   Zbatimi i ligjit, bazuar në institucionet demokratike kombëtare dhe ndërkombëtare (evropiane) është, pjesë e vlerave të përbashkëta, rrënjosur në besimin se pa drejtësi nuk ka paqë, as në Evropë dhe as në Ballkanin Perëndimor.

Kosova, Serbia dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për një Evropë të forte, të drejtë dhe të vendosur, që i trajton të gjithë njësoj dhe pa dallime, por edhe për një Evropë që dallon viktimën nga ai që kryen krimin.   Vetëm në këtë mënyrë – me ndihmën e një Evrope që mbron vlerat e përbashkëta për të gjithë dhe pa dallim, përfshirë drejtësinë — do të çohet përpara siguria, liria, demokracia dhe begatia, për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor.   E vetmja mënyrë kjo për tu përballur me sfidat e pasojave të luftërave, përfshirë vendosjen e drejtësisë në ish-Jugosllavi, përshirë luftën në Kosovë.   Ishin padrejtësitë shekullore në atë territor që çuan në shpërthimin e konflikteve atje dekadën e fundit të shekullit të kaluar.   Më në fund, do të jetë vendosja e drejtësisë së vërtetë dhe e mohuar për aq shumë kohë, sidomos për shqiptarët në trojet e veta, ajo që do të sjellë paqë dhe stabilitet midis popujve të atij rajoni.   Deklarata e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë nuk është pjesë e vlerave të përbashkëta evropiane dhe nuk ndihmon kauzën e një Evrope të lirë, demokratike, në paqë dhe të bashkuar!

Filed Under: Politike Tagged With: E PËRBASHKËTA!, Evrope, Frank shkreli, KËTO NUK JANË, vlerat

NATO MBETET GURTHEMELI I MBROJTJES SË VLERAVE PERËNDIMORE

February 17, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në kryeqëndrën e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO në Bruksel u mbajtë këtë javë mbledhja e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare për të biseduar mbi angazhimin e aleancës perëndimore në luftën kundër të ashtuquajturit “shtet islamik”, në Irak dhe në Siri.  Për herë të parë në një takim të tillë, mori pjesë edhe Sekretari i ri Amerikan i Mbrojtjes në administratën e Presidentit Donald Trump, Xhim Mattis.  Zyra e shtypit e Pentagonit njoftoi se gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, para se të fillonte takimi i NATO-s me dyerë të mbyllura, Sekretari i ri nato-secretary-general-stoltenberg-and-u-s-defense-secretaryAmerikan i Mbrojtjes nënvijoi rëndësinë e aleancës perëndimore.

Ai theksoi se, “Aleanca e NATO-s mbetet një gurthemel i rëndësishëm si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për komunitetin transatlantik, pasi jemi të lidhur me njëri tjetrin.”  Ai gjithashtu siguroi aleatët se Administrata e Presidentit Trump mbështetë fuqishëm Aleancën Perëndimore.  Siç dihet, kandidati për president Trump, gjatë fushatës elektorale kishte krikituar NATO-n, duke venë në dyshim, sipas disa eskpertëve, angazhimin e plotë të tij si president dhe rrjedhimisht edhe atë të Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës perëndimore.  Prandaj, ky takim në Bruksel, këtë javë, ishte me rëndësi për të siguruar aleatët mbi mbështetjen e vazhdueshme të Washingtonit për NATO-n.   Por, përveç se siguroi aleatët për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s nga ana e Washingtonit, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes përsëriti gjithashtu edhe qëndrimin e administratës Trump se vendet anëtare të NATO-s, të cilat përfitojnë nga mbrojtja më e mirë që ekziston në botë, duhet të japin kontributin proporcional për shpenzimet, në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë në vendet anëtare.  Ai u citua të ketë thënë se, “Nuk duhet të harrojmë kurrë se më në fund është liria, ajo që ne mbrojmë, si anëtarë të NATO-s”.    Ai shtoi kishte në plan të zhvillonte një bisedë të hapët dhe të sinqert me miqët dhe me aleatët mbi të ardhmen e aleancës dhe në lidhje me nivelin e angazhimeve të vendeve anëtare të NATO-s ndaj sigurisë së përbashkët.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, sipas zyrës së shtypit të Pentagonit, citohet të ketë thënë se, Aleanca Perëndimore sot përballet me “Sfidat më komplekse dhe më të vështira në një gjeneratë”, dhe se këto sfida, sipas tij, nuk mund të zgjidhen pa angazhimin dhe bashkpunimin midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se drejtë këtij qëllimi, “Mirëpret angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj lidhjeve transatlantike”.

Ndonëse, nga një anë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Xhim Mattis i siguroi aleatët për mbështetjen e Washingtonit ndaj aleancës, ai u bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare që, nëqoftse dëshirojnë vazhdimin e angazhimit amerikan në mbështetje të NATO-s, ato duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare dhe ushtarake për mbrojtjen e përbashkët.  Ai shtoi se me angazhimin e të gjithë vendeve anëtare, NATO do të vazhdojë të jetë “një forcë e vlefshme, e nevojshme dhe konstruktive”, ashtu siç e kishte cilësuar dikur Presidenti Eisenhower.

Ai përmendi sfidat e sigurisë ndaj vendeve anëtare të NATO-s duke theksuar se “Vendet tona përballen me kërcënime në shumë fronte, në periferi të NATO-s dhe mëtej.  Ne duhet të veprojmë në interes të stabilitetit tonë demokratik”, duke shtuar se lidhjet e ngushta transatlantike, “janë jetike për të luftuar ekstremizmin islamik, për të bllokuar përpjekjet e Rusisë që kanë për qëllim dobësimin e demokracive tona dhe për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe Kinës”, ka thënë Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në takimin e NATO-s në Bruksel.

Gjatë takimit të NATO-s, Sekretari Mattis foli në veçanti edhe për marrëdhëniet me Moskën duke thënë se, “Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleanca e NATO-s po përpiqen të angazhohen për marrëdhënie më të mira me Moskën, njëkohësisht, ne duhet të mbrohemi nëqoftse Rusia vendosë të veprojë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”.   Ndonëse jemi të gatshëm të mbajmë hapur mundësitë për dialog, për bashkpunim dhe për uljen e tensioneve, ne, shtoi ai, “Nuk do të heqim dorë nga vlerat e aleancës tonë”, por do i mbrojmë.

Një pjesë të fjalimit ia kushtoi financave dhe detyrimeve të vendeve anëtare për përmbushjen e përgjegjësive ndaj sigurisë së përbashkët.  Taksa-paguesit amerikanë, shtoi ai, “Nuk duhet të paguajnë shumën disproporcionale në mbrojtje të vlerave perëndimore”, duke theksuar se, “Amerikanët nuk mund të kujdesen më shumë se ju për sigurinë e fëmijve tuaj në të ardhmen.   Mospërfillja e gatishmërisë ushtarake provon një mungesë respekti për veten tonë, për aleancën dhe për liritë që kemi trashëguar, por të cilat tani është e qartë se po kërcënohen”, u shpreh Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në ministerialin e NATO-s në Bruksel.

Është e vërtetë se gjatë fushatës për president, ishte Donald Trump ai që u kërkoi vendeve aleate të jepnin konributin e tyre, ose dy për qindshin, në barrën për ndarjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes të NATO-s, por kjo nuk është një kërkesë e re nga Shtetet e Bashkuara, pasi është bërë edhe nga presidentët e mëparshëm dhe antarët e Kongresit.   Adminstrata e re amerikane e konsideron këtë si një kërkesë të drejtë, nga e cila siç duket nuk do të heqë dorë, pasi me antarësimin e tyre në NATO, të gjitha vendet anëtare të saj janë zotuar se do të paguajnë 2 për qindshin e prodhimit të brendshëm, si pjesë e përgjegjësive që rrjedhin nga antarsimi.  Shtetet e Bashkuara tani paguajnë rreth 75 për qind të shpenzimeve të përgjithshme ushtarake të NATO-s.  Sekretari amerikan Mattis u tha kolegëve të tij aleatë se duke përmbushur detyrimet ndaj aleancës, “Kombet tona provojnë se lidhjet transatlantike, mbrojtja e vlerave  dhe lirive tona, janë diçka që ia vlenë të mbrohen”, nga të gjithë.

Në takimin e Brukselit, të ministrave të mbrojtjes të aleancës NATO mori pjesë edhe Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli e cila sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, u tha kolegëve se vendi i saj, “Mbetet e angazhuar të materializojë angazhimet e marra, për një përqasje gjithëpërfshirëse në NATO mbi mbrojtjen e aleatëve.  Ministrja e Mbrojtjes theksoi se Shqipëria i jep një rëndësi të veçantë dhe mirëpret diskutimin mbi rreziqet dhe sfidat që burojnë nga jugu i Aleancës”, thuhet në njoftimin dhe nënvijohet se ajo bëri thirrje që aleanca të mos e harrojë Ballkanin Perëndimor, duke shprehur se “Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë një tregues i brishtësisë së rajonit. Gjithashtu, sipas saj, kjo gjendje po krijohet dhe nga lëvizjet dhe retorika provokuese e Serbisë, si dhe roli destruktiv i aktorëve të tjerë të jashtëm në rajon”.

Takimi i Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Xhim Mattis me kolegët e tij të vendeve anëtare të NATO-s përveç se rithkesoi vendosmërinë absolute të mbështetjes amerikane për NATO-n, shpresohet të ketë shërbyer gjithashtu si një rast për të shpjeguar deklaratat — shpesh konfuze — të Donald Trump mbi aleancën perëndimore dhe mbi lidhjet amerikano-evropiane, gjatë fushatës presidenciale.  Duket se në të njëjtën frymë, është nisur drejtë Brukselit një delegacion i Kongresit amerikan, i kryesuar nga Senatori republikan John McCain, për tu takuar të premtën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Kryeqendrën e aleancës perëndimore.   Kongresi amerikan ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikës së jashtme.  Për më tepër, sipas një njoftimi të NATO-s për median, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Stoltenberg do të presë të hënën më 20 shkurt — në Kryeqendrën e saj në Bruksel — Zëvëndës Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence.   Dihet se qendrimet e Donald Trump mbi politikën e jashtme gjatë fushatës, dukeshin si një largim nga politika tradicionale republikane mbi lidhjet e forta dhe të ngushta, të kultivuara gjatë dekadave, midis Amerikës dhe Evropës.

Përveç takimeve në Bruksel, Zëvëndës Presidenti amerikan do të marrë pjesë gjithashtu edhe në Konferencën e Sigurisë në Munich të shtunën, ku sipas një zëdhënsi të Shtëpisë së Bardhë — që citohet nga agjencia e lajmeve Reuters — Zëvendës Presidenti amerikan do të sigurojë udhëheqsit evropianë se nga pikëpamja e Washingtonit,  Evropa është një “partner i pa zëvëndsueshëm” për Shtetet e Bashkuara dhe se “Së bashku jemi më të sigurtë dhe më të begatë, kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë të forta dhe të bashkuara”, citohet të ketë thënë zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, NATO-gurethemeli, vlerat

Filmi “Shok” afirmoi në mbarë botën vlerat kulturore dhe njerëzore të Kosovës

March 4, 2016 by dgreca

-Kryeministri Mustafa e ka uruar ekipin e filmit “Shok”, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre në garën për çmimin Oscar, Kosovës i ka dhënë një kuptim krejtësisht tjetër në arenën ndërkombëtare/

 Prishtinë, 4 mars 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ekipin e filmit kandidat për Oscar “Shok”.Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.Kryeministri Mustafa e ka uruar ekipin e filmit “Shok”, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre në garën për çmimin Oscar, Kosovës i ka dhënë një kuptim krejtësisht tjetër në arenën ndërkombëtare.“Sot pata një kënaqësi të veçantë të takoj ekipin tonë, yjet tanë, yjet e Kosovës që i kanë dhënë një kuptim krejtësisht tjetër gjatë javëve të kaluara Kosovës jashtë. Kanë afirmuar vlerat kulturore, por edhe vlerat njerëzore, sepse është fjala për njerëz të rinj, tepër të talentuar të cilët e kanë përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë, e kanë përfaqësuar një të kaluar tragjike, të errët të Kosovës me fjalë dhe me pamje artistike, por edhe kanë hapur dyer shumë të rëndësishme të lidhjeve, të komunikimit dhe të prezantimit të Kosovës jashtë”, tha kryeministri Mustafa, në një prononcim para mediave.Duke iu uruar sukses dhe duke i falënderuar shumë për punën e mrekullueshme të ekipit të filmit “Shok”, kryeministri Isa Mustafa tha se artistët dhe kinematografia kosovare do të përkrahen edhe më tutje me buxhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.“Sot ju premtuam se do t’i përkrahim më shumë me buxhet nga Ministria e Kulturës, dhe se do të marrim edhe masa tjera lehtësuese sa i përket politikave fiskale, në mënyrë që gjatë tërheqjes së fondeve të jashtme ta kenë më lehtë, sepse kanë bërë një punë të rëndësishme edhe në tërheqjen e fondeve, edhe në bashkëpunimin me organizatat kinematografike dhe fondacionet tjera jashtë vendit”, tha kryeministri Mustafa.Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, falënderoi kryeministrin Mustafa dhe ministrin Shala për pritjen, ndërsa theksoi faktin se me filmin “Shok”, Kosova ka fituar vëmendjen jo vetëm të mediave ndërkombëtare, por edhe të artistëve nga e mbarë bota.“Ne jemi shumë të gëzuar dhe krenar që kohën e fundit kemi mundur t’i sjellim lajme të mira Kosovës përmes filmit. Filmi “Shok” e ka vënë Kosovën në një pozitë krejt ndryshe, ka krijuar vëmendje shumë të madhe nga mediat ndërkombëtare, nga artistë ndërkombëtarë. Kënaqësia më e madhe ka qenë shkëlqimi i dy aktorëve të rinj, Andit dhe Lumit, të cilët na e kanë zbardhur fytyrën gjatë prezencës në Oscar. Ne jemi shumë falënderues për këta dy djem të rinj që janë tepër të talentuar dhe inteligjent”, tha drejtori Zharku.Dy aktorët e rinj, Lum Veseli dhe Andi Bajgora po ashtu falënderuan kryeministrin Isa Mustafa për pritjen që u bëri./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: FILMI "SHOK", Isa Mustafa, Kosove, vlerat

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT