Wess Mitchell, diplomati kryesor për çështjet europiane në Departamentin amerikan të Shtetit tha, se do të japë dorëheqjen muajin e ardhshëm.
Në letrën e dorëheqjes, që i ka paraqitur Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, 41 vjeçari Mitchell, përmend arsye personale dhe profesionale për vendimin e tij. Dita e tij e fundit si ndihmës sekretar i shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit (DASH ) do të jetë 15 shkurti.
Dorëheqja e Mitchell vjen në një klimë marrëdhëniesh problematike midis Uashingtonit dhe kryeqyteteve evropiane, që janë tensionuar për shkak të mosmarrëveshjeve rreth tregtisë, shpenzimeve të mbrojtjes dhe tërheqjes amerikane nga marrëveshja bërthamore për Iranin.
Rreth një muaj më parë, sekretari Pompeo mbajti një fjalim në Bruksel, ku hodhi dyshime mbi vlerën e institucioneve shumëpalëshe si BE-ja apo organizatat ndërkombëtare të favorizuara nga Evropa, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
Mitchell shkruan në letrën e dorëheqjes se “ndërsa administrata bëri vitin e saj të dytë, e ndiej se kam përmbushur atë që kisha si objektiv kur mora këtë post,” duke përmendur zhvillimin e një strategjie për Evropën si dhe ndihmën për zotin Pompeo, i cili pasoi në detyrë ish-sekretarin Rex Tillerson që u shkarkua në mars të këtij viti.
“Ka ardhur koha, – shkruan Mitchell, – që të jem më pranë familjes time të re, e cila gjatë disa muajve të fundit ka kaluar shumë ditë pa mua”.
Në shtator 2017, zoti Mitchell u bë i pari ndihmës sekretar i shtetit në administratën Trump i konfirmuar nga Senati dhe do të jetë i emëruari i parë i zotit Trump në këtë post që largohet.
I cituar nga gazeta “Washington Post”, zoti Mitchell tha, se dorëheqja e tij nuk është një protestë ndaj politikave të administratës apo ndaj drejtimit të politikës së jashtme amerikane.