• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MIRËNJOHJE PUBLIKE PËR GAZETAREN LUMIRA KELMENDI

December 28, 2012 by dgreca

(Ese – Në Kujtim të Poetit Ali Podrimja)/

Nga Xhemail Peci/

Kumti për ikjen e Krye-Poetit të Kosovës, sa i hidhur qe edhe po aq i rëndë. Megjithatë, Ai po kthehej nga toka e huaj (sepse çuditërisht në tokat e huaja janë shkruar shumë prej kryeveprave të letërsisë shqipe dhe se në tokat e huaja kanë jetuar e kanë ndërruar jetë shumica e intelektualëve dhe Krye-Poetëve të Shqipërisë): për në Tokën e Shqiponjave, ku Poezia shpesh është matur me Mbretërinë e Diellit.

Krye – Poeti i Vargut të Gjakut: Kosova – Gjaku im që nuk falet, si një reminishencë e drejtpërdrejtë me Zemër-Thirjen e Heroinës Marie Shllaku: Kosovë – Gjaku im t’u bëftë Dritë…

Edhe Ajo e edhe Poeti e kishin parandier dhe e kishin parathënë të ardhmen e kombit të tyre.

Heroina të cilës atdhetari dhe veprimtari Shefqet Kelmendi ia ka falur njërin prej epiteteve më të bukura: Vajzë Orleane.

Krye – Poeti í Kosovës, të cilit si në një rastësi mitesh e legjendash, ndoshta për herë të fundit i qe ofruar mikrofoni i emisionit KULT – si një parandjenjë e çuditshme se pikërisht përmes tij donte të ngriste për të satën herë edhe një Himn për Librin – madje jo vetëm për te (në Panairin e Librit të këtij viti në Prishtinë), ku Krye – Poeti foli shumë shkurt:

E kam thënë se Kosova ka qenë Tetari Tragjik i Ilirisë!

Pastaj në KULT pasoi emisioni për Çamërinë, ku e kuqja Flamurshpalosur binte mbi Hartën e Atdheut. Çamëria të cilës i ka kënduar me aq pasion dhe me dhunti të lindur poetike, poeti çam Bilal Xhaferi, themeluesi i gazetës ‘Krahu i Shqiponjës’ që dilte në Amerikë, e ku edhe ai ndërroi jetë në rrethana misterioze.

Eni vjen pre Çamërie…si një shqiponjë flatraqëndisur e që në gdhendjen e Vargut të Gjakut bëhet një: Engjëll i Zotit…

Shumëçka vjen në Letrat Shqipe me emrin: Lumi. Sepse tek Lumi Drin ndërroi jetë poeti dhe intelektuali Pjetër Budi, sepse tek Lumi Drin ra nga dora e zezë atdhetari dhe intelektuali Shtjefën Konstantin Gjeçovi. Githmonë tek Lumi, aty ku Lasgushi kërkonte mesin e Shqipërisë – tek Drini i përmallshëm, tek Lumi – pikërisht aty ku Narcisi mbytet në pasqyrën e vet, aty ku rrijnë zana e shtojzovalle e ku poetët kërkojnë frymëzimin e pafajshëm dhe etjen shuajnë në gjakimin e tyre të përjetshëm: LUM LUMI…

Në një koincidencë kaq të çuditshme, në një ditë me diell kish ikur edhe Princi i Poezisë Shqipe, Lasgush Poradeci. Ikja e Shtërgut, të cilit Ismail Kadare i falte Kryevargun e Pjetër Bogdanit:

Veshur me Diell…

Poeti i Vargut të Gjakut: Kosova – Gjaku im që nuk falet, po ikte nga kjo botë, nga rrëmuja dhe rrëmtei. E Lamtumira gjithmonë është më e vështira. Është tepër drithëruese.

Lamtumirë vendet e mia, që po zhduken dalëngadalë, gjëmon deti ushton stuhia, tundet barka valë mbi valë.. Kështu fillon një prej poezive më të bukura lirike të Gjergj Fishtës, shkruar tek po e linte Shqipërinë për të vajtur në Nju Jork të Amerikës…

Lamtumirë!

Lamtumirë Poet! E Paç Dheun e Lehtë dhe Paqen e Amshuar!

Sepse vetëm Amshimi është shpëtimi nga dhembja dhe nga vuajtja e kësaj jete, nga ëndrra e plagosur, nga kënga e vrarë, nga ura e psherrëtimave, nga frymëzimi i pafajshëm…

Si një koincidencë e çuditshme ku Fjala Shqipe vie ‘si Zjarri Drithërues i Ilirishtes’, e ndarë në Tri pjesë – si vetë Harta e Lirisë së Ilirisë, të cilën Ai e deshti aq shumë, të cilën Ai e gjakoi aq shumë dhe të cilën Ai e ëndërroi aq shumë; e thënë kaq prekshëm, në mënyrë kaq mallëngjyese por edhe aq të madhërishme, Lamtumira e thënë nga Lumira padyshim ishte më e dhembshmja, përderisa një strukturim i tillë jo vetëm i fjalëve por edhe një përjetësim i ndjenjave, nuk ishte asgjë tjetër veç se Kryevargu që po i thërriste sërish memories sonë, jo më për Olimpin e as për Partenonin – po për Hartën e Lirisë, për Trungun Ilir, për Orakullin e Dodonës, për Poetin që Kurrë nuk e braktisi Thirrjen e Zanave, e që Poezinë e pat Zanushë Fisnike me Fjalët e së cilës njomi shpirtrat tanë e u dha zë – si në një Bekim Hyjnor me Fjalët Gjithë Rreshk Bukurie: Lisave të Dodonës… për Republikën e Letrave Shqipe, për Republikën e Letërsisë – e cila shpesh, shumë shpesh i ka parapri: Mendësisë së Republikës së Shqipërisë:

Veshur me Diell!

Bosfori ishte i kaltërt, ndryshe si do të ish, po vinte Naim Frashëri drejt Shqipërisë! Kështu fillon njëra prej poezive më të bukura të Fatos Arapit.

Krye-Poeti po kthehej në Tokën e Shqiponjave, në një cep të Ilirisë së Moçme, siç do thoshte Mitrush Kuteli. Po kthehej tek Harta e Lirisë të cilën e kishte thurur duke e gdhendur vargun me durim prej shenjtori.

Si në një koincidencë të çudtishme, nga mikrofoni i emisionit KULT, Ai ndoshta foli për herë të fundit për Teatrin Tragjik të Ilirisë.

Dhe se Lamtumira që iu dha – po nga mikrofoni í emisionit KULT, padyshim qe më e denja dhe më e dhimbshmja njëkohësisht.

Hirësi!

Kështu i drejtohej Ezra Pound – Tomas Stern Eliotit, sa herë që e kujtonte veprën e tij kulmore ‘Katër kuartetet’.

Hirësi!

 

Duke shtuar se: ‘gjeniu mbetet një shpërthim, një shpërthim madhështor’.

Vëllimi Poetik ‘Lum Lumi’ dhe Zemër-Klithja:

Hirësi!

Hirësia e Tij dhe Perandoria e Diellit – Poezia. Orakulli i Dodonës Ai:

ALI PODRIMJA.

Lamtumirë Zog i Qiellit!

Na iku edhe Ai, dhe iku siç ikin shpesh Poetët, pa bujë, pa zhurmë, në heshtje – sepse është heshtja ajo që i frymëzon më së shumti, si ajo heshtja në të cilin ikte Lasgushi, në një:

‘VETMI KOZMIKE NË TË CILËN VETËM ZOTI IA DI SHQIPEN’.

ATJE, KU PËRCËLLON DREJT SHQIPES ‘ZJARRI DRITHËRUES I ILIRISHTES’:

 

LAMTUMIRË POET! E PAÇ DHEUN E LEHTË. DHE PAQEN E AMSHUAR…

 

Vallë, cili poet nuk do ta dëshironte një Lamtumirë të tillë, mbase më e bukura dhe më e prekshmja, më e dhembshmja dhe më e madhërishmja, sa asnjë titull nuk do i rrinte më bukur një Antologjie me Fjalime për Poetët që Etjen e Shuajnë tek Lumi (të cilën vështirë se do kujtohet kush ta bëjë, veçmas kur s’merren dot me të gjallët pa lëre më me ata që ikën nga kjo botë); asnjë Epitaf nuk do të ishte më i denjë, asnjë fjalim mortor nuk do të thoshte më shumë dhe as që do të mëtonte të shprehej më bukur dhe me aq kulturë, asnjë ligjërim nuk do të përkulej më shumë në shenjë respekti dhe nderimi, asnjë mermer nuk do të ishte më monumental sesa një buqetë lulesh, sesa një kurorë lulesh e një buqetë fjalësh:

 

LAMTUMIRË POET!

E PAÇ DHEUN E LEHTË.

DHE PAQEN E AMSHUAR!…

ASNJË MERMER NUK DO TË ISHTE MË MONUMENTAL.

 

Diçka që meriton shumë më shumë sesa Shpërblimin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare. Diçka tepër Fisnike dhe po aq Mirënjohëse. Diçka tepër Prekëse dhe po aq Madhështore. Diçka: ‘më e shenjtë se erërat e Olimpit’.

Veshur me Diell:

Diçka që të paktën meriton: Një Mirënjohje Publike.

Sikur të kishte një çmim kombëtar për gazetarinë (përkatësisht për fletorërsinë shqiptare – shprehje e krijuar me aq shije dhe elegancë nga Dekani i Gaztearisë Shqiptare të Kosovës, e i cili nuk i përmante dot lotët për Mikun dhe Poetin), pra sikur të kishim një çmim gjithëkombëtar të pagëzuar ‘Sevasti e Parashqevi Qiriazi’, sigurisht që ai do t’i takonte njërës prej gazetareve më të talentuara…

KOMPLIMENTE PËR GAZETAREN:

LUMIRA KELMENDI.

Gjithsesi, edhe për emisionin ‘KULT’ të Radio Televizionit të Kosovës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ali Podrimja, Lumira Kelemndi, mirenjohje publike, Xhemail Peci

NJË HIMN NDERIMI PËR RAMIZ KELMENDIN

December 19, 2012 by dgreca

Nga Xhemail Ali Peci/Londer/

Për më shumë se gjashtë dekada jemi mësuar të hapim dritaret e mëngjesit – gazetat, e të kërkojmë dhe t’i lexojmë e t’i shijojmë shkrimet e tij, t’i hapim gazetat dhe revistat, e duke i shfletuar edhe duke shpresuar, por edhe duke besuar se do të gjejmë firmën e shkrimeve të tij, në të cilat ai ka rrahur tema, ka shtjelluar motive, ka hapur debate, ka nxitur prirje, ka zgjuar ndërgjegje, ka bërë thirrje kundër plagës dhe plagëve të shumta. Ai është bërë kështu bashkëmendimtari dhe bashkudhëtari ynë i pandashëm dhe i pandalshëm. Ai, (siç do të thoshte poeti Xhevahir Spahiu: kush mbjellë dashuri do të korrë dashuri, kush mbjellë urrjetje do të korrë urrejtje), ka mbjellur dashuri.  I pajisur me një dhunti të rrallë për fjalën e shkruar, por edhe me një dashuri e me zell të veçantë po për fjalën e shkruar, me një kulturë të thellë e të formuar dhe me një kërshëri të gjallë e përherë të zgjuar edhe për të lexuar sa më shumë, me një shije të holluar artistike dhe me një stil të shkrimit aq të ëmbël – si dhe sa vet stili í ligjërimit të tij, ai ka lënë gjurmë në mendësinë tonë intelektuale, Ai ka hapur shtigje e na ka trasuar rrugë, ai na ka mësuar e këshilluar për të shkruar dhe për të gjykuar drejt. Ai na e ka zgjuar dashurinë për letërsinë, për të bukurën dhe të madhërishmen, për udhëpërshkrimin, për reportazhin, për publicistikën, për fejtonin, për rrëfimin, për melodramën, për novelën, për skicën letrare, për romanin, për gazetat, për teatrin, për radion, për televizionin. Është e vërtetë se nuk është marrë aq shumë me ‘temat e mëdha’, por ai është marrë me plagët e mëdha që na kanë shkaktuar dhe po na shkatojnë akoma pasoja të mëdha e dhembje edhe më të mëdha. Ai është një ndër luftëtarët e rrallë të dritës që nuk e lëshon penën nga dora, edhe pse 82 vjeç! Edhe në këtë moshë e në pikë të vapës, ai është në Festën e Librit, sepse libri është bashkudhëtari i tij, dhe se ai është Mjeshtri í Penës së Artë, i cili gjakimin e tij për të bukurën dhe të madhërishmen e ka dashurinë e tij të lindur – të veçantë dhe të dhuruar nga natyra, e cila është treguar aq dorëlirë në faljen e një dhuntie të tillë, sa të rrallë po aq edhe të admiruar.Ai – Kalorës í Letrave dhe i Arteve, e edhe Kalorës i Hijshëm i Dashurisë. Ai – Nestor í Urtë e Mentar í Hollë, Ai – Njeriu í Fjalës së Ëmbël e me Peshë. Ai – Ikona e Gazetarisë në Kosovë. Ai – Doajeni i Gazetarisë në Kosovë por edhe më gjërë, Veterani i Kulturës,   Teatrologu i Shquar, Lëruesi i Letrave Shqipe, Shijuesí i së Bukurës, Admiruesi dhe Frymëzuesi i Fjalës, Adhuruesi i Madh i Faik Konicës, Dekani i Gazetarisë dhe í Fakultetit të Gazetarisë ‘Faik Konica’, Publicisti dhe Romancieri, Gazetari dhe Veprimtari, Uliksi që kthehet në Itakën e tij Letrare të Rinisë së tij të Vrullshme: Ulqinin, Ai – që Ulqinin ngado shkon e ngado vete: e merr me vete.

Ai – Zë tek ‘Zëri’, Ai – Rilindësi tek ‘Rilindja’, Ai – për Përparimtaren tek ‘Përparimi’, Ai – Pena e Re tek ‘Jeta e Re’ e Mësuesit të Tij me Fjalë Miradije – Esad Mekulit, Ai – Kosovari tek Ulqini, Ai – Ulqinaku tek ‘Kosovarja’, Ai – Telegrafikisht te ‘Ekspres-i’, Ai – në hap me kohën e tek ‘Koha Ditore’, Ai – Vrojtuesi í Një Epoke – tek ‘Epoka e Re’, Ai – tek e Djeshmja, e Sotmja dhe tek e Nesërmja Jonë.

Ai – Krijuesi që e kishte filluar krijimtarinë e tij letrare duke mëtuar që me elegancën e stilit të tij të ngjallte elegancën e shijes së gjinisë së bukur (e që nuk ka dyshim se pas spastrimit të minave, është mbase misioni më delikat që mendja njerëzore ka mundur të ketë); Krijuesi i cili e ka formësuar stilin e vet të veçantë, apo siç do të shprehej Lasgushi ‘brumësimi estetik i frymës estetike’, me një mision po aq të vështirë: zgjimi i shtresave dhe nënshtresave – thellë ndërgjegjës njerëzore.

Ai – Sokol Halili i Dashuruar në Tanushën, në Letërsinë dhe në Magjinë e së Bukurës dhe së Madhërishmes: E, unë Tanushën e kam pa! Tanusha – Mona Liza e Ciklit të Kreshnikëve në Visaret e Kombit…

Ai – Dora e Tij e Djathtë të cilën Atdheu ia fali me aq Dhunti dhe me po aq Dashuri të shkruante për Faik Konicën, Ai: Dora që na e Ri – Zbuloi Epitetin më të Bukur në të gjithë letërsinë dhe në të gjithë kulturën shqiptare, e që Jeronim De Rada kishte Falur për Elena Gjikën: ‘Mirësia Ëngjullore e Zemrës Suaj’, Ai – Zemërthirrja aq Zemërbardhë për Një Dashuri të Barabartë mes Shqiptarëve.

Ai – Zemërbardhë mes Zemërbardhëve, dhe Zemërbardhë prej Zemërbardhëve.

Ai – për të cilin Perëndia dhe Natyra kishin bërë garë se cila do ta bënte sa më Zemërbardhë, dhe se cila do t’ia bënte Penën e Tij: porsi Vala e Drinit të Bardhë!

Ai – Njeriu í Penës dhe í Punës, që iu Fal me gjithë Qenien e Tij Krijuese Misionit Fisnik të Fjalës. Ai që na porositë përherë ta nderojmë e të mos e harrojmë KURRË: kulturën tonë dhe traditën tonë, trashëgiminë tonë historike dhe kulturore. Ai që bëri Thirrje për të Falur dhe që na mësoi e na mëson të Falim, dhe se pë se duhet të Falim e për hir të kujt duhet të Falim: Për hir të Ardhmërisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Ai: në Fushën e Letrave e në Verrat e Llukës.

Pa penën e tij, pa udhëpërshkrimet e tij, pa prozën e tij, pa tregimet e tij, pa romanin e tij, pa dramën dhe melodramën e tij, pa publicistikën e tij, pa fejtonet e tij, pa reflekset e tij, pa margjinat e tij, pa çapitjet e tij, pa çapitjet e reja midis rrjeshtave – të tij, pa shkrimet tërthorazi troç – të tij, pa teatrin e tij, pa shkrimet e tij, jo vetëm letërsia, jo vetëm kultura dhe arti ynë, por në mënyrë të veçantë bota jonë mendore dhe shpirtërore, do të ishte shumë më e varfër, shumë më e vobektë, sepse Vepra Letrare dhe Publicistike e Tij: është Pasuri e Jona Shpirtërore.

Është thënë me të drejtë se soneti është kurora më e bukur e poezisë. Dy fejtonet e tij, ‘Letërkëmbimi ynë në shekuj’ dhe ‘Polemika në Letrat Shqipe’, janë një prej pjesëve më të bukura të kurorës së publistikës së tij në veçanti, por dhe të publicistikës shqiptare në përgjithësi.

Ai – ligjëruesi i lëndës “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilidnja e deri sot”, bashkorganizatori i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimin Kombëtar, Prijësi í Urtë í Armatës së Gazetarëve, të cilën e Formoi dhe e Forcoi, e Rriti dhe e Ngriti, e Orientoi Drejt dhe e Konsolidoi Qartë, me Emrin aq Domethënës: FAIK KONICA.

Ai që na i ka shpalosur aq bukur dhe na i ka risjellur në kujtesën tonë me gjithë sfondin e madhështisë së tyre, figurat madhore historike si Mithat Frashërin e Mustafa Krujën, trimat n’za të Rugovës kreshnike, si Zhukë Haxhija e Ker Sadria, si luftëtaren dhe atdhetaren shkodrane Marie Shllaku, e: ‘Bege Maliqja e cila luftoi kundër Malit të Zi e veshur me kostume kombëtare meshkujsh, me plis e me shall, që mbante një pushkë të gjatë sa trupi í saj’; Ai na e ka kujtuar me dhembje dhe me mallëngjim një prej skenave të shumta trishtuese e cila í është vërtitur aq shpesh në kujtesën e tij: ‘pushkatimi makabër í Sali Ukellës para fëmijëve në Parkun e Karagaçit’…

Ai – Romancieri që e ka shprehur mendimin e tij për romanin në mënyrë aq filozofike: ‘Romani shkruhet vetëm në qoftë se të “shkruan” ai. Romani vetë. Kam bukur do vjet që nuk po më “shkruan”, jo vetëm asnjë roman, por edhe asnjë – tregim…’

Ai – që na e përkujton aq shumë, sa satirën po aq edhe thënien e Luigji Pirandellos: Është madhështore të jesh i ndershëm. Ai, í cili na përkujton Eugjenio Montalen, të cilin më 1967 e patën shpallur: Senator të Përjetshëm. Ai që na shtynë të besojmë se letra ka më shumë forcë se floriri, dhe se zakoni i burrave të mirë është zakoni i Perëndisë, pra është Zemër-Thirrja që na e la Lasgushi, se shkrimtarët dhe poetët duhet të nderohen dhe të kujtohen, në radhë të parë: për Ditëlindjen e Tyre.

Ai – Shkrimtari të cilin e ka lënduar sa vendlindja po aq edhe atdheu, e megjithatë Ai – Njeriu í Ndjenjave të Holla, i ka dashur dhe i don që të dyja: ‘Vendlindja ka mundësi të të harrojë dhe sa vjen e më shumë po harron. Po ama vendlindësi a njeriu i lindur në një vend assesi s’ka se si e harron vendlindjen’.

Ai – i cili ka shkruar gjithë admirim për De Radën. ‘Telegrafikisht: Nismëtar Nismëtarësh, se e ka futur një shekull të tërë (XV) në letërsi’, kurse vet e ka futur në veprën e tij letrare dhe artistike, kohën tonë dhe njeriun tonë me të gjitha vijat dhe vrragat e veta.

Ai – që me mendimin e tij se: ‘Shkrimtari, thonë, krijon në gjallje të vet bazamentin e përmendores, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë (ose jo) bustin’ (‘Kokrra kripe’), ma kujton thënien e madhe të De Radës se: ‘pena e atyre që do të dinë ta përdorin si duhet, do t’i durojë të gjithë shekujt’.

Ai – që në 82 vjetorin e tij, na shtynë t’ia themi me modesti, se shqiptari megjithatë ta falë edhe suksesin, dhe se Perëndia nuk i do veç ata që i merr të ri, por edhe ata të cilët i duhen tokës: më shumë se qiellit, dhe se njerëzit si Ai na shtynë të sfidojmë tragjeditë e përjetuara e të shumta – me trilogjitë e shkruara, ndonëse aq të pakta në kulturën tonë kombëtare.

Ai që në “rruzarën e kujtimeve të tij” (siç do të shprehej me një thënie kaq të bukur), do ta shpalsote një botë të plagosur të një fëmijërie të këputur, duke parë që në moshën e tij 14 vjeçare: “kushedi sa pushkatime, para syve të mij, plagë, gjak, vrasje dhe varje”, masakra dhe reprezalje, siç na e ka shpalosur ate në shkrimet e tij.

Ai që nuk shkëputet dot nga mendimet e kohëve të vështira: ‘Mendimet më flakrojnë në kalesë të afërm e të largët. Kujtimet më vlojnë…Vijnë e më ravizohen para sysh qindra përjetime të vogla e të mëdha të luftës në femininë time, ngjarje që më poqën para kohe, më rrëmbyen femininë, gazin, gëzimin’ (‘Xhita në Qiell’).

Ai që ‘në pasqyrën e mendjes’ e vërtitë shpesh pyetjen: ‘Pse gjithmonë bie shi në varreza?’, duke u përkulur përpara babait të tij Jakup Brahimit: në shenjë Nderimi dhe Respekti të thellë, por edhe duke iu ngritur në këmbë, ndonëse në moshën 82 vjeçare, Babait të “Albanias” – Faik Konicës, me po të njëjtin Nderim dhe me po të njëjtën Mirënjohje, e me emrin e të cilit: E Pagëzoi dhe e Përjetësoi Tempullin e Dijes.

Ai – i cili ashtu si Ernest Koliqi që pat shkruar për Tregtarë Flamujsh, shkroi për Tregtarë Kapelash: varësisht se cili pushtues do vinte, atë kapelë do vinin kameleonët e tipit të Rremë Kapuçit, e të cilët mjerisht, ishin të shumtë!

Ai –  i cili me poetikën e stilit të tij, si për ta sfiduar atë botë të vijave dhe vrragave, ka shkruar edhe për ‘cicërrimat e buzëve’, e në kërkim të një gjakimi të përjetshëm që nuk shterret kurrë tek krijuesit e përmasave të mëdha, ka pohuar se: ‘Emra të bukur kanë vetëm vajzat e bukura’; e për Besën në rrëfimin e tij ‘Xhita në Qiell’, ka shkruar me aq delikatesë: ‘Ajo kërkoi vetëm një akullore, e unë kisha qejf me ia dhanë krejt një ambëltore’! Po kush më bukur se Ramiz Kelmendi, ka ditur ta japë Pafajësinë për dashurinë e sinqertë?!

Vallë, a nuk është Ai – Një Shpirt Poetik që e thuri Poemën e Tij për Ofelinë, dhe vallë a ka ndonjë Mbishkrim më Monumental për Teatrin tonë Kombëtar, sesa ky:

Ajo fali sonte rozmarina në skenë. Fali vjollca e krizantema. Borzilokë e manushaqe. E unë po ia fal, ja, një kurorë me dafina lavdie për Ofelinë. Një kurorë me dafina për të parin hap të saj. Një kurorë me dafina për natën e bukur që na fali. Një kurorë me dafina për të nesërmen e saj. (‘Kokrra Kripe’)

Vallë, a i ka thurur kush më bukur Një Himn Rugovës, sesa Fjalët Lapidare: E gëzoi me lot Rugova dasmën e vet të madhe. Derdhi lot gëzimi sot Rugova… Edhe qielli me të bashkë. Lot e gas. E puthje. E lojë Rugove. E këngë të reja për rrugën e re të dritës, prej rugovasish të rinj kënduar. E fytyra të rrudhura që gazmojnë. E shkollare Rugove që shpërthejnë, që çajnë përpara. Dasmë të madhe ka sot Rugova – u çel rruga e dritës. (‘Kokrra Kripe’)…

Pastaj Muzeu i Luvrit. Mona Liza. Më joshin mbi të gjitha, sytë e saj, një palë sy, që mbeten enigmë në shekuj. Sy që qeshin…Luvri është muze muzesh…Luvri është parajsa. (Letra nga Parisi: Udhëpërshkrime).

Vallë a mund të ketë Mbishkrim më Monumental, sesa Fjalët për Parajsën Tjetër, për Ate të Librit: Datë mbi data në historikun tonë shpirtëror është edhe kjo e sotmja: 25 nëntor 1982…Tempull mbi tempull është tempulli që i ngremë librit sot…Vatër mbi vatra që do të na ngrohë dhe “fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë” është pikërisht Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës, që u përurua s’ka si bën më mirë dhe të cilën po e pagëzoj edhe unë – si zëdhënës krenar i mija e mija të gëzuarve e të përgëzuesve si unë…Kosova u përurua edhe me këtë faltore shpirtërore, me këtë vatër të re kulturore, me këtë tempull të rritës sonë…Faltore e tempull dritëdhënës, siç tha me një rast Franc Kafka, “ditar i një populli”. Mbanie mend këtë datë: 25 nëntor 1982! (‘Kokrra Kripe’)

Ai është Shkrimtari, për të cilin – ashtu si edhe për Ernest Koliqin: Shqipëria është Nusja e Shpirtit Tonë, dhe se Ai është Njeriu – për të cilin Librat, ashtu si edhe për poetin e madh të lashtë persian Saadiun, janë: Nuse të Mendimeve.

Ai – Njeriu të cilit ia kanë besuar për t’i pagëzuar fëmijët dhe brezat, dhe se Ai e ka bërë këtë gjithmonë sipas proverbit latin: Çka ka në emër, ka në zemër!

Ai – Nestori í Urtë e Mentarí í Hollë, të cilit në gjithë jetën e Tij, í kanë pri Tre Frymëzuesit e Tij Kryesorë: Jakup Brahimi, í cili herë si Jakup Ferri në epikën historike, e herë si Idriz Guri – që hiqte zorrët zvarrë tek ‘Kryengritja Shqiptare’ e Mihal Gramenos, por që nuk e linte pa e bërë Shqipërinë me hir o me pahir: nuk i linte pa í shkolluar fëimjët; Sali Ukella – një levend, një kreshnik malesh, pamja e fytyrës të të cilit do të lëshonte Zemër – Klithjen e tij aq të dhimbshme: RAMIZ MOS MË HARRO!; dhe Mendja Briliante të Cilës Ai i Falet Gjithmonë, sa Denjësisht po aq edhe Përunjësisht: FAIK KONICA, me emrin e të cilit AI: PAGËZOI DHE GATOI BREZNITË ORËMIRA.

Ai – do ta ndiente prezencën e këtyre Tre Frymëzuesve të Tij të Përjetshëm, ashtu siç e ndiente Dante Hijen e Virgjilit në Komedinë Hyjnore, ashtu siç e ndiente dhe e parafytyronte Milosao Hijen e Plakut Balë në Parnasin shqiptar. Figura e Virgjilit nuk i pengonte rrezet e Diellit të binin edhe më qartë, e në përfytyrimin e Gavril Darës – të Riut, aurora çohej mbi Shqipërinë, dhe Shqipëria binte me agimin…

Ai – merrte forcë nga Ata, dhe Shpirti i Tij í Madh, ku Ai mbajti gjallë Prushin e Frymëzimeve të Tij Djaloshare, gjatë gjithë jetës së mbushur me Vija dhe me Vrragë, gjallërohej dhe lartësohej edhe më, sa herë që ato Hije të Shëmtuara e të Mallkuara që s’na u ndanë kurrë, e ndiqnin këmba-këmbës, e survejonin dhe e anatemonin: herë 7 e herë 77, herë me maska e herë pa maska, po AI nuk u dha…

Ai nuk u dha sepse si një Bekim të Rrallë që shekujt falin në nderim të Breznive Orëmira, si një Pagëzim që ka bërë Dora mbi Djepin për të Përjetësuar Ëndrrën e Luftëtarëve të Dritës, Tre Zëra e mbanin të mos binte e të mos jipej kurrë:

Zëri i Babait: RAMIZ, MOS U DORËZO KURRË!

Zëri i Sali Ukellës: RAMIZ, MOS MË HARRO.!

Dhe Zëri í Faik Konicës: RAMIZ, MË PËRJETËSO, E MOS PUSHO KURRË SË SHKRUARI…

Ai – Firma e Tij në Republikën e Letrave Shqipe.

Ai – Sokol Halili i Letrave Shqipe.

Lexues dhe Adhurues të Shkrimeve të Tij, në të cilat Gjuha Shqipe është vetë Gjuha Zonjë, ku Fjala Shqipe Shkëlqen me Yllësinë e saj të Rrallë, ku Fjala Shqipe Rrëmben me Bukurinë, me Butësinë, me Bardhësinë dhe me Hijeshinë e Saj, Gdhendur dhe Latuar me Durim Shenjtori e me Qëndismë prej Filigrani: si një Zjarr i Përhershëm i Ilirishtes drejt Shqipes (siç ligjëronte Lasgushi) që ka Përcëlluar të gjithë ata që kanë Gjakuar për ta Shkruar një Shqipe të Bukur, të Qartë, të Rrjedhshme, Elegante, e të Qëruar hithrash dhe ferrash.

Firma e Letrave Shqipe dhe e Publicistikës Shqiptare:

RAMIZ KELMENDI.

Me ‘Penën e Tij të Artë’:

PENA që kaloi nëpër thjerrëzat e dy kritikëve më të shquar e që ishin edhe bashkëkohanikët e tij, e tek të cilët nuk kalohej lehtë, madje tek të cilët nuk kalohej aspak lehtë në provimet e letërsisë: Hasan Mekuli – i cili ia dha Epitetin aq të Merituar të Talentit Epik, dhe Rexhep Qosja – i cili ia dha Epitetin e Merituar për Penën e Tij të Artë. PENA që mori, përmbi çdo gjë, Bekimin e Zake Zhujit dhe të Jakup Brahimit, por që diti aq bukur se si ta përjetësonte një bekim të tillë:  Falë u qofsha të gjithë mësuesve të mi ernestkoliqianë.

Falë u qofshim të gjithë Atyre, që si Lasgushi me Lirikat e Tij, duke Përcëlluar Drejt Shqipes Zjarrin Drithërues të Ilirishtes, kanë shpalosur Shpirtin e Tyre Fisnik dhe Bujar, sa edhe Zoti vetë ua Bekon Shqipen e Ligjërimit të Tyre, me të cilën Ata, si në Një Mermer Monumental me Bekim Perëndie dhe Pagëzim Shamibardhash sipër, u bënë dhe u bëjnë Thirrje Breznive Orëmira:

TË HESHTIN ARMËT E TË FLASIN LIBRAT!

RAMIZ KELMENDI dhe Pena e Tij e Artë – Vetë Sibila e Ulqinit: Metafora e Madhe në Republikën e Letrave Shqipe.

Biografi e shkurtër-

Xhemail Ali Peci u lind në Mitrovicë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, i mbaroi me notën mesatare 10, në Fakultetin Filozofik – Universiteti i Prishtinës, ku edhe i vazhdoi studimet pasuniversitare.

Në Londër, ka marrë Diplomën për Përkthime Publike në Gjuhën Angleze, nga Instituti i Linguistëve. Ka kryer gjithashtu studimet e larta për Shërbimet Publike.

Në Birbeck College të Londrës ka vijuar kurset për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Aktualisht vazhdon studimet për Master, në: Studimet Amerikane, Historia dhe Politika (Instituti i Studimeve Amerikane në Londër), ku është duke përgaditur temën: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Çështja Shqiptare.

 

Punon si përkthyes profesional në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Deri tani ka botuar librat: Poemë për Shqiptarët e Amerikës (Londër, 2010), Poemë për Gjeneralin Klark (Tiranë, 2011), Uilliam Xheferson Bill Klinton ose Himn për Njerëzimin (Londër, 2012),  ALBANIA – Poemë për Shqipërinë dhe Shqiptarët (Londër 2012), Shqipëria – Shtojzovallja e Europës (udhëpërshkrim), si dhe trilogjinë letrare kushtuar Ramiz Kelmendit: I – Ramiz Kelmendi – Sokol Halili i Letrave Shqipe, II – E Bukura dhe e Madhërishmja në Penën e Ramiz Kelmendit, III – Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit (Londër 2012).

Shkruan poema, udhëpërshkrime, studime letrare, romane dhe drama.

Në dorëshkrim ka librat, që pritet të botohen vitin e ardhshëm: Adem Jashar Shiqpëria (ese), Dr. Gëzim Alpion dhe Fuqia e Fjalës (studim), Sali Bashota – Poet i Shpirtit (studim), Poemë për Sytë me Qiej të Shqipërisë, si dhe një roman me temë dashurie nga jeta e Alfred Nobelit…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ramiz kelmendi, Xhemail Peci

SALI BASHOTA – POET I SHPIRTIT

December 16, 2012 by dgreca

SALI BASHOTA – POET I SHPIRTIT

Nga Xhemail Peci/

“Kur thanë u bë mëngjes/

Fytyra e nënës buzëqeshi në të katër anët e horizontit/

Qyqja nuk vajton më në vendlindje/

…

Kur thanë u ngjallën dorëshkrimet/

Hija e tim eti zgjohej në fushën e Bashotëve/

Qyqja më nuk vajton në vendlindje/

‘Halucinacioni i Djembjes’ /

(“Dorëshkrimi i Ngjallur’)/

1. Dorëshkrimi i Ngjallur/

Në letrat shqipe, jo të gjithë librat me poezi, hapen me një përkushtim, që sa klithje përmban edhe krenari, mall, dhimbje, përjetësi dhe madhështi njëkohësisht: ‘Për Shpirtin e Babait’. Ky është kushtimi që poeti ka vënë në hapje të vëllimit të tij me poezi ‘Dorëshkrimi i ngjallur’, kushtim ky që na e përkujton edhe thënien e njohur se: ‘Atdheu fillon tek zemra e nënës’, por edhe krenarinë e rilindasve, të shprehur aq bukur përmes vargjeve të Çajupit: ‘Ku kam pasur mëmë e atë,/ku më njeh dhe guri i thatë’. Në qarkun e një krenarie dhe frymëzimi të tillë sillet edhe poezia e Sali Bashotës. Ajo është një klithje mitike për vashat që ‘e hanë bukurinë e vet/Në ditën e trembëdhjetë të mjaltit (poezia hyrëse Zanafilla), por ajo është edhe vargëzimi i mendimit të thellë e me përmabjtje epike, ku poetika e përsëritur e vargut (si në poezinë Trashëgim) e krijon bukurinë e fjalës, ku gjakimi për të bukurën dhe të madhërishmen, e laton edhe më shprehjen lapidare sipas të cilës: ‘kujtimi u shenjtërua në portën e diellit’.Me kontrastin e krijuar brenda vargut e me teknikën e njohur të thurjes së mendimit të ngjeshur përmes ndarjes brendapërbredna të njëjtit varg, aftësi që e kanë vetëm poetët e prirjeve të lindura dhe të ecjes drejt majave, Sali Bashota e shpalosë mitin por edhe simbolikën përmes ligjërimit të vargut, me të cilin sa flet ai si poet, po aq flet edhe Albulena, Besiana, Doruntina, Etleva, Rozafa, Rea…

Në universin e poezisë së tij, është pikërisht Drita, ajo që ‘e përkund dorëshkrimin në parajsë’, e poeti Sali Bashota në frymëzimin dhe gjakimin e tij poetik, ndodhet përherë në mes të shenjtërisë së fjalës së shkruar dhe misionit për ta nxjerrë fjalën nga palca e pavdekësisë, në mes të pelerinës së epizmit (Malli i plakur) që ia kanë mësuar ninulat dhe këngët – dhe pelerinatës së gjakut (siç do të thoshte Lasgushi), në mes të hirit të dorëshkrimeve dhe flakës përcëlluese të frymëzimeve të cilat nuk rreshtin dot. Sali Bashota është poet i shprehjes së latuar poetike, i mendimit të ngjeshur por edhe i vargut të befasishëm, i cili sa me simbolikën e tij, rrëmben po aq edhe me kuptimësinë e thellë, me porosinë që le prapa e që e mba të gjallë kurreshtjen e lexuesit (poezitë Çasti i mungesës dhe Loja e gjetheve). Në botën e tij poetike: ‘Heshtja e ha bukurinë e vet’ e ‘Mesnata çmendet nga hijet’ (poezia Mërzi e vyshkur), veç një antipodi gati-gati megjenian, vërehet edhe klithja për fatin kolektiv ‘Plaga e baladës së gurtë’ (poezia Letra e djegur), por në këtë botë të pafund të ndiesive të skajshme poetike, ku përmes vargut të një meditimi të thellë e të ngjeshur jepet bota shpirtërore, herë e trazuar e herë e plagosur, herë e mërzitur e herë e lënudar rëndë, praqitet kontinuiteti historik (poezia Këmisha e bardhë): ‘Vjershat e melankolisë/Përsëri treten në tokën e gjallë/Nëse protestojnë eshtrat e fjalëve’, por edhe zemra e çarë në dysh – shpesh si vetë vargu me dhimbje gjaku: ‘Zjarri yt është shikimi im i trembur’. E për kontrast nga poezia Këmisha e bardhë në poezinë Këmisha e zezë: ‘lutjen e djeg zjarri i buzëve’, ndërsa ‘Pas ekzilit të shpirtit të ngjallur/Përjetësia’ (poezia Forma tjetër e ngjalljes). Në poezinë e Sali Bashotës mishërohet epikja dhe lirikja, simbolikja dhe historikja, e djeshmja dhe e sotmja që mëtojnë t’i flasin së ardhmes, e kur ‘merimangat i thurin rrjetat e klithjeve’, ai është poeti që thërret: ‘Hije ime zgjohu’ (në poezinë Mjafton të vdesësh një herë). Por sa optimist, ai është edhe poet i një melankolie të thellë, prej të cilës del vargu i skalitur aq bukur: ‘Përse yjet e lagun buzëqeshjen e shiut’. Në poezinë e tij, ku me pak mëton të thotë shumë, gjë që edhe ia ka arritur përmes formave të shprehjes së përsosur kompozicionale, vërehen edhe kontraste poetike, si në vjershat Refreni i dy shpirtrave dhe Elegjia e Bekuar, por në poezinë e tij bie edhe shi shpirti. Shiu si metaforë i jep gjallëri poezisë së tij, ashtu siç i jep edhe gjallëri jetës (poezia Vetmia e fundit), e në një nga shprehjet e shumta ekspresive: ‘Në dritën e hënës/ Drtidhen shpirtat para zjarrit të fjalës’ (poezia Në dritën e hënës). Nëpërmjet shprehjeve të tilla, poezia e Sali Bashotës është një pikturë që flet: ‘Zogjtë e bardhë/Fluturojnë mbi bukurinë e nëmur’ (Kujtim i vyshkur); ‘Hiri i dorëshkrimeve do të shndërrohet në vetëtimë…Midis qiellit e tokës do të zgjohen engjëjt e dashuruar’ (poezia Ngjallja e vonuar); ‘Kujtimet vyshken/Dhe vetmia qan/Në sheshin e puthjeve’ (poezia Bota e trilluar), ‘Nostalgjia fle mbi mallkimin e vjetër’ (Loja e sëmurë), ‘Diçka e ngjall/ Pagëzimin e syve tu të kaltër’ (poezia Klithje e zakonshme). Flaka e durimit dhe flaka e shpirtit përcëllojnë njëlloj në poezinë e tij. Poeti flet: ‘Me mallin e ujit të dehur’, e: ‘Frikës i bie pika në zemër’ (poezia Ofshama). Në poezinë e tij: ‘Fjala e ngrirë/Zgjohet nga gjumi i gjarprit’ (Fjala e ngrirë), e lëshohet klithja e cila doemos na e kujton atë klithjen e famshme të Faik Konicës ‘Për një varg që s’mund ta shkruej’, e që tek Bashota shprehet kështu: ‘Deri në kupë të qiellit/Kumbon zëri i humbur/Për një fjalë të pathënë’ (poezia Pas zërit të humbur).

Sali Bashota është poet që e ka shpalosur misionin e tij: ‘Kurrë më kufoma e puthjes/Nuk do të varroset në ferrin e arsyes…/Kurrë më lëkura e gjarprit/Nuk do tam bështjellë lotin e syrit/Një ditë do ta zgjoj shpirtin/Kur klith mbi plagën e thinjur të fjalës/Kurrë më nuk do të bëhem/ Testament i djegur i ndjenjave’ (peozia Balada e harrimit). E veçanta e shprehjes poetike të Sali Bashotës është se bota epike shpaloset shpesh përmes fjalës lirike, të latuar bukur, të gdhendur fort, të ngjeshur nga mendimi, të thellë për nga gjykimi, e dalur herë nga pikëllimi e herë nga frymëzimi i dorëshkrimeve të djegura, ku si feniks prej hirit e si salamander prej zjarrit, ngjitet lartësive një shpirt i bardhë, sa fisnik po aq edhe heroik, i papërkulur në qëndresën e tij, i pamposhtur në bardhësinë e tij, i pagjunjëzuar në krenarinë e tij prej të qenunit shqiptar: shpirti i babait.

Është pikërisht ky Shpirt i Bardhë, të cilit poeti ia kushton veprën e tij, sepse sa një Testament Gjaku i Breznive Oërmira, Ai Shpirt është vetë Dorëshkrimi i Ngjallur. Zjarr e rrufe kanë rënë mbi te, flakë e plojë, lubi e kuçedra, tmerre dhe terror, masakra dhe reprezalje, por ai shpirt nuk u dha kurrë, Ai doli edhe më i fortë, edhe më i bardhë, edhe më madhështor, dhe se ai shpirt simbolizon edhe të bardhën e qëndresës, të bujarisë e të fisnikërisë stërgjyshore, bashkë me këngët e lahutave, siç i ka qujatur Fishta: këto lotore – lacromatoriume tona, brez pas brezi na mbajtën gjallë.

Poezia e Bashotës nuk është pra pa taban. Vargu i mendimit të thellë e i shprehjes së gdhendur, të kujton faktin se në mungesë të një bardi të verbër siç ishte Homeri, e në mungesë të librave – sespe librat dhe bibliotekat na i kanë djegur që nga Iliria, pararendësit tanë kanë pasur se ku të frymëzohen. Epika legjendare dhe odat që shërbenin si akademi të mençurisë e të filozofisë popullore, kanë lënë gjurmët e tyre, dhe siç do të thoshte Asdreni për ëndrrat dhe lotët: ‘S’venë kot në erë/kanë edhe ato gjuhë të flasin njëherë’.

Në pjesën e dytë të përmbledhjes poetike Buzëgazi i Ngjalljes, e cila simbolikisht pas pjesës së parë ‘Elegji e Bekuar’, paraqet ringjalljen, ripërtëritjen, shpresën, rilindjen ku si nga një mitologji e largët dhe po aq e thellë: ‘Fjala shëron mallkimin e gjuhës’ e: ‘Mbi gjakun e shprishur të ëndrrës/Puthja zgjohet mbi blerimin e gjëmës’ (Gjumi i parë i dashurisë).

Vargjet e Sali Bashotës bartin copat e historisë së kombit, shpalosin pjesët e miteve të vjedhura si dhe fatin e legjendave të kafshuara tinëzisht. Ai shpreh shpresën se: ‘Fjalës nuk do t’i kullojë më plaga…Më në fund do të ngjallet/Trishtimi i dorëshkrimeve të shpirtit’ (poezia Buzëgazi i ngjalljes), e në profecinë poetike të Sali Bashotës: ‘Në shekullin tjetër do të vdesim si engjëjt e lutjeve’ (poezia Çudia), sepse: ‘E ngjashme është vetëm ngjallja ime’ (poezia Trajtat e Uratës). Si në një kontast kohësh ku historia ka lënë gjurmët e gjakut: ‘Dorëshkrimet digjen në fushën e zezë/Dorëshkrimet ngjallen në fushën e bardhë’ (poezia Pas metamorfozës).

Në vargëzimin e tij lirik, përfshihet edhe bota mitike e biblike, e dhënë përmes shprehjeve si ‘gjerpri i vetmisë’ (poezia Koha kryeneçe), ‘Shenjë e zezë e fatit…/Ku lotojnë zogjtë e mëkatit’ (poezia Hija e pikëllimit), ‘balada për shiun e nostalgjisë’ (poezia Hiri i fjalës së djegur), por poezia e Sali Bashotës, aq sa është poezi e kontrastit (Njëzet e katër orë), po aq është edhe poezi e gradacionit (Gjysma e parandjenjës).

Gjithsesi, ajo është klithja: ‘Mos e varni në muret e fjalës/Lumturinë time të plagosur/Në ditën e tridhjetë e një gushtit’ (Në ditën e tirdhjetë e një gushtit) e që është edhe ditëlindja e poetit. Poezia e tij është sa klithje po aq edhe përgjërim i përjetshëm: ‘Përse do të lotonin dorëshkrimet…/Sikur biblioteka e djegur/Të mos kishte dhembje/Përse do të vdisnin frymëzimet’ (poezia Kthimi në vendlindje).

Në një botë të tillë të trazuar frymëzimesh, poeti kërkon pakëz prehje: ‘E dashur/Mos e mallko vetminë time/Mbi qepallat e vrara të hënës’ (poezia Si në një legjendë), e në frymëzimin e pafajshëm është sërish zëri lirik i poetit që lutet: ‘Mos e vrani/Gjumin e ëmbël të shpirtit/Mos’ (poezia Elegji e vyshkur), e pastaj prapë fjala: ‘Sa e bukur ishte vdekja/Thonin të gjallët…/Sa e bukur ishte jeta/Thonin të vdekurit/Një zog i bardhë cicëronte në parajsë (poezia Midis Jetëvdekjes), ndërsa nëprmjet narracionit poetik të dyvargëshit ku kuptimësia e secilit varg përbëhet prej dy pjesësh, jepet Zgjimi i ndjenjave:

Çdo mallkim ndizej në çastin e pritjes së vonuar

Etja luante me hirin e dorëshkrimeve të djegura

Çdo lule pagëzohej me emrin e puthjes së ëmbël

Engjëjt shëtisin në natyrën e gjallë të shpirtrave

…

Çdo heshtje fshehej në pyllin e dendur të ulërimave

Përtej dhembjes vallëzonin fjalët e pathëna të harrimit

Çdo rrugë përshpëriste me zjarrminë e përqafimit të shenjtë

Përsëri legjenda për ringjalljen murosej në perëndimin e diellit

 

Çdo yll shndriste në qiellin e lotëve të shkrumbuar

Mërzia e këputur e mesnatës bënte grevë me vetveten

Në pjesën e tretë Lulja e Bardhë, poezia me të njëjtin titull është konceptuar si një ndarje me numrin e legjendave: 12, e ku thelbi i bardhësisë është gjithmonë shpirti:

Lulja e Bardhë

Qëndismë në shpirtin tim

Çdo ditë lotin e ujit

11.

Hija e shpirtit

Lotin e vret

Në parajsën e dashurisë

12.

Sa lule të bardha

Ngjallen në tokën e vet

Me lotët e vetmisë

Në copëzat poetike që duken si pjesë të një lirike të përmallshme, e cila qëndron mes asaj të Martin Camajt dhe Ernest Koliqit – të paktën me prirjen kompozicionale dhe me lirizmin poetik të veçantë, Bashota arrin ta krijojë pamjen e një pikture të dhënë me një kolorit të pasur fjalësh që e përbëjnë thelbin e prirjes së tij lirike: ‘gjetheve të drunjve u bie pika në zemër derisa lotët thahen…derisa lutja e fundit e kafshon tymin e fjalës zemërplasur derisa hapësira qeshej me vetveten në bardhësinë e buzëqeshjes poetike’ (Zemërplasur). Edhe Sali Bashotës, Zana ia ka falur Frymëzimin e saj, por Zana nuk është këtu ajo e Ernest Koliqit tek Kroi i Bardhanjoreve, qoftë edhe ajo në Auto da fe – në e tij të njohur, ku Koliqi klithte pse Zana ishte aq katileshë!; prozën poetike të të cilit Sali Bashota e njeh mjaft mirë. Nuk është as thurja e gjakimit të dashurisë së sfiduar në lirikën e holluar të Mithat Frashërit. Tek Sali Bashota, një botë e tillë nuk e ka mungesën e përmasave të frymëzimit të pararendësve të tij, por ajo këtu shprehet gati si një siluetë që shfaqet në muzgun e poezisë shqipe, pikërisht duke e çelur agimin e saj: ‘floku i saj përdridhej si beli i këputur në tallazet e trazuara të sendeve të gjalla’; ‘në një legjendë hija e saj vallëzon si hija e zanës së bekuar syri i saj loton si zana e bekuar zëri i saj kumbon si zana e bekuar fjala e saj shëron si zana e bekuar…dhe zëri im ishte çmendur nga dashuria për shkronjat e gdhendura në trupin e ftoit të tharë të vendlindjes’ (Zana e Bekuar). Sali Bashota është poet i ndjenjave të holla lirike, dhe si i tillë pos prekjes që ia ka bërë Zana e Bekuar, ai është poeti i cili e ka projektuar në trajektoren e krijimtarisë së tij tekstin e një dorëshkrimi të përjetshëm, të cilit nuk i mungon nënshkrimi që shfaqet aq bukur në konstelacionin e fjalës, në yllësinë dhe hijeshinë e saj, në magjinë dhe në bukurinë, në bardhësinë dhe ëmbëlsinë e shprehjes që s’ka se si të mos m’i kujtojë ata thelpinjtë e rrallë lirik të zjarrit drithërues të Lasgushit: ‘më zuri gjumi i dashurisë mbi shpirtin e saj’ (Përkujtimi). Nuk kishte faj Eneu pse u kërkonte Perëndive dy tela më shumë, për ta zgjuar Eurudikën e tij nga Bota e Nëndheshme! Sali Bashota shkon edhe më larg, sepse siç e ka thënë aq bukur Gëte – Zeusi i Vajmarit: një dashuri e pafajshme e gëzon dhe nuk e lëndon as Perëndinë. E si në një shfletim romani, si në një kronikë të paraljmëruar të një dashurie të frymëzuar, sa thellë aq edhe pafajshëm: ‘besimtarët e ëndrrës e përkundin fatin e fiseve të humbura duke krijuar rënien e pikave të lodhura të shiut në dritare’ (Shtegtari i Lumtur). Sali Bashota e di se ku bie Iliria në një cep të saj të poshtëm, siç ka shkruar Mitrush Kuteli, jetën dhe prozën e të cilit e njeh aq mirë, e na e ka ligjëruar me aq përkushtim dhe prej të cilës s’do mend, edhe është frymëzuar. Në një cep të tillë, në prozën e tij poetike rrejdh krua i frymëzimeve: ’derisa pritjet u shndërruan në flakërim yjesh kur u ngjallën librat dorëshkrimet kopertinat shkronjat rrokjet rimat metaforat anonimet sinonimet dhe kopshti i bekuar i dashurisë’ (Shtegtar i Lumtur). Sali Bashota me prirjen e tij poetike qëndron midis Kopshtit të Bekuar të Dashurisë dhe në mes të Kroit ku Frymëzon: Zana e Poezisë Shqipe.Dy poezitë që hapin përmbledhjen poetike, poezia Ndezja e Zjarrit dhe ajo Fikja e Zjarrit, janë si dy kapakët e një libri që nuk digjet kurrë, janë si krahët e engjëjve që thonë se rrrinë në supet e njerëzve deri në Amshim. Në mes është Dhembja e Pambaruar ku: ‘hëna si hana shndrit mbi zjarrminë e natës nëna si nana loton mbi mallkimet e ndezura të dorëshkrimeve të ngjallura të shpirtit’.

E ‘Zjarri u fik/Sapo engjëjt u kthyen në atdhe/Lirina e reciton magjinë e vet (Fikja e Zjarrit), është gdhendja e vargjeve në ballin e kohës: ‘Shkruar në Bibliotekën Time të Ngjallur në Vendlindje, 31 gusht 2011’. Biblioteka e Djegur dhe Librat si Shpirtra të Ngjallur, së bashku me ditëlindjen e poetit, përbëjnë treshin ciklik të ringjalljes, sa mitike po aq edhe epike, cikël që na e kujton ritin e lashtë të Motit të Madh tek Arbëreshët e Italisë, të cilët edhe sot e mot, sa herë që u lind një fëmi e kthejnë kah Dielli, ka Arbëria matanë detit…

E konceptuar si një trilogji e ndarë në tri pjesë: Elegjia e Bekuar, Buzëgazi i Ngjalljes, dhe Lulja e Bardhë, vëllimi poetik Dorëshkrimi i ngjallur i Sali Bashotës, më shumë se simboliste apo hermetike, është një poezi e shprehjes ekspresive, e fjalës së gdhendur lirike ku zë vend ballor edhe mitologjia ilire e zjarrit dhe e gjarpirt, e gurit dhe e drurit, poezi që shpalos aq bukur botën epike, si dhe ndieshmërinë e hollë prej poeti me prirje të theksuar sa edhe të lindur për ta shfletuar deri në fund botën e shpirtit, si një dorëshkrim i bardhë e i ngjallur   ndër shekuj, e të cilin nuk e djegin kurrë flakët e zjarrit, sepse zjarri mund të djegë çdo gjë, mund të shkrumbojë edhe gurin, po kurrë shpirtin, sepse të gjitha janë të përkohshme, i përjetshëm është vetëm: Shpirti.

2. Jetë me vdekje

Duke gdhendur ilirisht në shpirt/Fjalën Liria (poezia Ankth Shqiptar), Sali Bashota përmes vargut që del si frymëzim i gjakut, e ka thënë fatin e kombit të cilit i takon e ku ai shprehet aq qartë: ‘Ringjallja ime je Ti’, pra ku Ringjallja është Testamenti më i bukur (poezia Testament i bukur).

Në poezinë e tij Motiv i përjetësisë, shprehet gjakimi se si: ‘Mbi degët e pemës së mirë/Një fëmi kërkon mollën e kuqe’, poezi që ngërthen edhe motive arbëreshe: ‘Përtej detit vasha e jugut/Dhembshurisht ëndërron’, por në përgjithësi në poezinë e tij vërehet frymëzimi atdhetar (Agmia), kujtesa dhe klithja: ‘Pesë shekuj mbi gjakun e shprishur…Nënë moj nënë’, shqetësimi dhe brenga për të ardhmen: ‘A do të shkruhet një histori e tërë/Në kohën e pakryer/Apo foshnja do ta harrojë gjirin e nënës’ (Album i grisur), ajo është një poezi me kontraste në përvijime mitesh e legjendash (Koha epike), me elemente të botës pagane (Boa ynë dhe Ujku i zi, fjalë që klithë për plisin e bardhë dhe pyetje që përsëritet aq shpesh në jetën tonë si komb: ‘Po sytë kush m’i përgjak’. Ajo është poezi e optimizmit: ‘Do të kthjellet qielli/Për hir të nënës babait vëllait’ (Shëtitje në shi), por edhe poezi e sokëllimës (Sokëllimë), si dhe e parandjenjës së beftë: ‘Korbi i zi po fle në zemrën time’, por edhe e shprehjes që sfidon harresën historike: ‘Dhembjet i zbarkon në nji rrugë/Q vazhdimisht është harruar/Të emërohet Via Egnatia’(Baladë moderne).

Poezia e Sali Bashotës është poezi e shkruar për simbolin e Urës (Ura pa qemer), por edhe lirikë e shprehur përmes pyetjeve, e ku zë vend bota bimore dhe ao e shpezëve, së bashku me kontarstet e thella (Lirikë), ajo vie edhe si një monolog me kohën (Gjurmë), si kujtime krenare për Bashotët (poezia me të njëjtin titull): ‘Erdhën të çmallen/Zbresin nga fushat e paanë/Prej Drini Vjose Bune…Bashotët në jug’, si një autobiografi e shpalosur mbi kujtimet e së kaluarës e të dhëna në një projeksion historik të një kaluare të përgjakur, por që përsipër ka flatra shqiponje. Ajo është poezi e klithjes dhe e parandjenjës, e trajtimit lirik të pohimit dhe të mohimit, e persiatjes për mërgimtarët: ‘Përse shkojnë e s’kthehen më’ (Heshtja ogurzezë), por edhe poezi ku shfaqet figura frymëzuese e babait: ‘Im atë me nëntë plagë në trup/Im atë me vajin e fëmijëve në buzë’ (Mërgimi), e ku në poezinë Ninullë: ‘Ortekët e pikëllimit oshëtijnë/Dallgëve të gjakut tim’, dhe më tej: ‘Zogjtë përmallshëm cicërojnë/Mbi shpirtin tonë të shenjtëruar’ (Fundi i vjeshtës). Si formë dhe përmbajtje, poezia e Sali Bashotës nuk del nga konturet e poezisë së kohës, por ajo e ka shprehjen e vet të veçantë, motivin e frymëzimit dhe prirjen e theksuar për t’i folur së ardhmes përmes historisë, nëpërmes së djeshmes. Ai është poeti që e artikulon qartë parandjenjën e përgjithshme (Parandjenjë):

 

Këtu gjithçka është e tmerrshme

Ka plot vrasës hipokrit palaço

Që ditës ia fusin zjarrin

Dhe shtatë pashë ia hapin varrin

Përmes fuqisë së fjalës, ai e ka shpalosur ate që e quan Toponimia e dhembjes, e ku ka krenari por edhe shqetësim: ‘Tani korbit krihët po i zbardhen/Erdh koha e shqetësimeve të gjata’ (Fjala), por poezinë e tij nuk e braktisë ndjenja e optimizmit, që shpesh shfaqet përmes figurës së nënës:’Përballë varreve/Nënat heqin shamizezat/Dhe tjerrin kohën e pushtimit’ (Bashotët), apo si në poezinë Loja fluturimthi:

Dhe kur nëna do t’i përkundë të dy djemtë

Lotërisht në të njëjtin djep

Njërin do ta vëja në gjumë poetësh

Tjetrin gjak në vetull i merr apo jep

Shprehja e tij poetike përmban kontrastin (poezia Ditë kryeneçe) por edhe mesazhin e qartë që shpesh del përmes vargjeve dyshe e të puthura me rimë në fund (Pamje e rrëzuar), e që gjithashtu ngërthejnë në vetvete simbolin e zogut të plagosur, ‘qiell pa diell’ (Enigmë), apo edhe klithjen lasgushiane: Vjershat e mia me gjak dua t’i rris’ (Toponimia e dhembjes), e hera – herës edhe pamjen e një bote serembiane: ‘Të pimë deri në fund dhembjen me heshtinë/Kam një lot plot vetmi’ (Vitet pa gjumë), botë e cila si fat i poetit e pasqyron edhe fatin e kolektivit, të entnisë dhe të gjeografisë ku është lindur e rritur, si në poezinë Imazhi i heshtjes:

Në shpirt poetësh nis e mërgon dimri

E ti hesht në rresht

Me imazhin tënd të shtypur

O në gjak krejt i mbytur

Poezia e Sali Bashotës është poezi e dhembjes për zogun e vrarë me profil vjeshte (Zogu me profil vjeshte), për nënat tona që ‘Lotojnë mbi supet e ditës’ (Baladë për vëllaçkon), për Ulqinin, që:’ha e vetëm vjell/Ditën që s’po vjen/Nga gjëmimi i thellë i detit’ (Baladë për Ymer Agë Uqlinin), për Detyrat e shtëpisë: ‘Kur pëllumbat e zgjojnë atë fushë të zezë’, ajo është një botë ku bie vazhdimisht ‘Shi i fortë i dhembjes’ (Litarët e lotëve).

Botën poetike të Sali Bashotës e shqetëson miti dhe legjenda, balada dhe historia, e djeshmja dhe e sotmja, sepse: ‘Gjaku nuk bën të humbet/Në dy trungjet e një rrënje/Nuk bën (Prapë shtëpia e nëmur). Diçka e thellë e shtynë ate të klithë: ‘Ndize llambën magjike’: Se ta vrasim hapin/Sot epesëqind vjet’, për t’iu kthyer botës së lashtë pagane (Boa), për të kujtuar se: ‘Na ranë dhëmbët duke mbllaçitur fjalën’ (Kafshët e buta), sepse: ‘Për fjalën po grindemi tash e sa shekuj’ (Kohë e lotëruar), sepse duke e titulluar poezinë Kur i zbardhen flatrat korbit, poeti përkujton: ‘Ja gjakatar i botës/që përditë ma ha shpirtin/dalëngadalë/…duke thithur gjakun e besimit/krrak krrak krrak’. Nuk ka dyshim se duke e kundruar historinë nëpërmes trajtave poetike, Sali Bashota mëton t’i zhveshë mitet e së djeshmes (Pak histori, Fillimi i vetmisë, Kafshët e egra), veçmas kur në sfond ka: ‘Dhe lule mbi varre/Dhe varre mbi lule’ (Fillimi i vetmisë). Në ciklin Pagjumësi, poeti rikujton se: ‘Etleva m’i kullonte/Plagët e zemrës/…Bie një shi i madh lotësh’ (Si e parandiej korbin), e në vjershën Zemërflaka, thërret thekshëm: ‘Ndaj shtrydhe gurgjakun të pikojë të pikojë’, për t’iu referuar pastaj kohës si një Sokëllimë nëntori e që e parandiente një Agim lirie:’Atdheu pushon pranë agimit të lirisë/…Si ia thonë emrin lules që po rritet/Populli e di përmendësh dhembjen e gurit/Dhe kushtrimin’. Poezia e Sali Bashotës është kthim tek Foleja e lashtë, është Kujtimi i vjetër: ‘një shtrigë plakë mbi kokë më rri’, është parathënia e një fati më të mirë, është zemërklithja në poezinë Drimona: ‘Tërë gjaku të vlon në ballë/Për lulekuqen që ndjell shi’, është respekti prej poeti për ‘vajzat/Që bartin rrezet e diellit’, por edhe nderimi i thënë aq bukur: ‘Nënat ua ruajnë zemrat nga vetëtima/Të mos iu humbë hapësirë e zezë/Nënat iu presin me duar në gji’ (Baladë muratorësh). Në cilklin e poezive Anatemë, shprehet ndjanja e theksuar e atdhedashurisë, sfidimi i paradoksit dhe përçudnisë që sollën rrebeshet e historisë me pushtues të shumtë, si poezia Ankth shqiptar, e në poezinë Zoti është një, poeti kujton: ‘Sa herë i ndezim qirinjtë e kujtesës/Me imazhin e qëndresës/Për gjakun që pikon mbi asfalt’. Në këtë qark sillet kujtesa e poetit, e dhënë me shprehje të latuar bukur dhe me tabllo të gjalla: ‘Lulegjaku etjen e atdheut mbolli/Me gjëmën e vjeshtës që s’i duket balli/fushatë e tërbuar tmerrin e zgjebën solli/Fjetur këndohej kënga zgjuar digjej malli’ (Si t’ish gjallë Apolloni), e: ‘Ku vargu krijon testament guximi’ (Natyrë e vrarë), ndërsa: ‘Qiellit tim i ndryshket kaltëria/Në Albumin e grisur skuqen ëndrrat e mia…/Qiellit tim përgjaket kaltëria/Në Librin e Bardhë tash nënshkruhet barbaria (Barbaria).

Shprehja poetike e Sali Bashotës është thurje e kontrastit brenda vargut, por edhe distiku si një aforizëm: ‘Në një kryqëzatë të pushkatuar/Nuk vdes shpirti i anatemuar’ (Kryqëzata e fundit), apo: ‘Gjamëtarët gdhendin gurin e varrit/Nga ulurima e murosur e zjarrit/…Hyjnitë e bukura plagosin vetminë’ (Fantazma); ‘Pulëbardhë e plagosur çukat kujtesën e zezë…/Astmën e tim eti rënë në askezë…/Qielli fshin rrudhat përgjysmë kafshohet/Për vashën e bukur që thonë po murohet’ (Askezë); ‘Fytyra mbulon dëshpërimin me plis/Mbi kukudhët me uniformë antiiliri t’i vdis’ (Ardhja e një trazimi); ‘Thashë po vijnë gjarpinjtë në turmë/ Gjiri i gjallë ndrydh mallin pa zhurmë’ (Shpikja e neurozës), për të përfunduar në një formë tjetër, e që gjithsesi përmbanë optimizmin: ‘Po gdhinte/Shi kuqezi mbi ne/Binte’ (Intimë).

Miti rreth kërcimit në varr, hapet me vjershën Atdhesi, e cila na e kujton thirrjen e Asdrenit: ‘Ç’na duhet trimëria, po s’u bë Shqipëria?’. E veçantë në përsosmërinë e shprehjes së tij, fjala poetike ngërthen magjinë e saj në mesazhin që e lë në ballë të kohës:

Vetëm gjaku skuq mallin atdhetar

Kur zbret nga qielli e s’digjet në zjarr

Ç’kuptim ka atdhesi e përndritur

Kur dëgjon këngën e lemeritur

…

A thua vetëm gjaku skuq mallin atdhetar

Kur zbret ngaq qielli e s’lidhet në litar

Poeti shpreh shqetësimin se: ‘Marshojnë hyjnitë e dritës’ (Për Zotin e verës), ‘Në vend të luleve rrjedh lot’ (Ditëzeza), ‘Nga mërzi e harlisur/Dashuria seç hap varre’ (Baladë lotësh), sepse: ‘Ditës së therur i del gjak…/Në gjak gjarpri seç i ngjitet’ (Në shtratin e prokrustit). Ngadalë por sigurt, Sali Bashota e shpalosë qëllimin e misionit të tij fisnik prej poetit i cili e ka prirjen e theksuar për t’i kënduar shpirtit, prandaj ai e ka shprehur gjakimin e tij që fjalën: ‘Ta shtrydh deri në pafundësi’ (Ritual mortor), që ‘Fjalën ta nxjerrë nga palcë e pavdekësisë’ (Skenë pa lot), ‘Vras shpirtin dhe gjakun e shprishur’ (Arti i ankthit). Sali Bashota nuk është poet i ndjenjave të indiferentizmit, sepse: ‘Poeti klith kur i përgjaket poezia’ (Meditim i trishtë), prandaj ai shtron pyetje: ‘Ç’anatemohen shpirtrat që mbeten gjallë’ (Ekzili i shpirtit); ‘Tek rri gjaku plis i kuq…/A mbulohet dhembja me lulevesë’ (Gjumi i lirisë), ai regjistron në kujtesën e tij: ‘Ekzilin e shpirtit sërish e zverdh vjeshta’ (Ekzili i shpirtit); ai klithë: ‘O vajton e Vluara plot mërzi/Dikush tërë atë magji ia shemb/Kur i jep zemër trimit të ri’ (Martirja e dashurisë); ‘(I)liria rron nga shpirti ynë/…Dysh ndahet dhembja me thika të gjata…/Sa fort i ngjan dëshmisë/ Kufiri i shpirtit të ndarë/Para e prapa dallgës së lirisë/Vetëtin bubullin si zjarr’ (Fund vjeshte). Ai është poeti që e sfidon skllavërinë: ‘Tash e shihni/Fushë e tmerrit shtrihej tutje/Në tjetrën udhë bizantinët e rinj/Dheu i zi përmbi…/Në anën tjetër shkrumbi i fjalëve/Dhe fytyra e atdheut sipër valëve/…A skuqet prapë si dekret i drojës/Gjaku mbi faqet e shqiponjës/A bëjnë dritë/Mushkëritë e therrura në pritë S(k)llavëria.

Tek poezia e Sali Bashotës, rima në vend të pikës dhe presjes apo edhe shenjave të tjera të pikëzimit, e luan rolin e gradacionit të ndjenjës, të dhënë aq mjeshtërisht përmes shprehjes së latuar poetike, kurse në poezinë Plagomë, e cila i kushtohet Mitrush Kutelit, për Poemin Kosovar dhe Shëndaumin, vargu i parë fillon me një pamje të ngjashme me ate të poezisë së Bilall Xhaferit për Çamërinë: ‘E shoh poetin me kufoma foshnjesh në krah…/Kosova dhe Shën Naumi i gjallë ndrydhin agime polare/Gjyqtarët e qelbur gjuhën e qesin në gjah/Ti plagomë çmendie kurrë mos hap varre’.

Me shprehja të ngjashme lakonike e kuptimplota, është edhe poezia Borhesi i verbuar: ‘Qentë lehin qentë në një poezi atdhedashurie…/Ankthi i krijimit frymëzimin zgjon…/Borhesi i vetmuar tash mbledh gjakun në pyll/Pavdekësia i vë dryrin trurit me dyll’, dhe e një strukture të njëjtë është edhe ligjërimi poetik i titulluar Malli i plakur: ‘…Mëkatet e engjëjve të katarzës thyhen brinjësh/Këmisha e shiut përgjaket në udhën e errësirës/…Ditë okupimi është mbështjell me lot…/Figura e atdheut plasaritet brenda hartës memece…/Vlon truri im me pelerinë epizmi në terr’.

   Jeta pa vdekje është cikli i poezive ku mëtohet të shpaloset bukuria e një jete të tillë, por që e pamundëson vdekja dhe hija e saj, në vitet e stuhishme, të cilat poezia si një kronikë gjaku i ka regjistruar një nga një. E para është Ringjallja e poezisë, një titull sa simbolik me një përmbajtje po aq edhe domethënëse: ‘Si zgjohen ëndrrat/Të zëna rob në magjinë e fjalës…/Mendje hyjnore që ndrit gjithë shpirtësinë’, pastaj kronika e gjakut e cila përsërit klithjen që është edhe titulli i poezisë ndoshta më antologjike Atëherë poeti tha:

Të gjitha mëkatet sundojnë mbi arsyen e shpirtit njerëzor

Në ujin e pavdekësisë ku është ngulur thikë e mallkimit

…

Atëherë poeti tha:

Po rikthehen nga Përjetësia miqtë e vargut të rilindun

…

Atëherë poeti tha:

Dhe u bë fryma e shpirtit llambë e ndezur në kujtesën ilirike

Shi Arbëria kullon ende plagët e trupit shi si digjet fati ynë

…

Atëherë poeti tha:

O Zot të mos vdesë vetmia në dhomën e krijimit

E fantazmat ngjyrë blu të shëtisin mbi librat e frikës

Atshkrimi bëhet figure më e dahsur e flijimit që s’vjen

…

Atëherë poeti tha:

Po e lë këtë testament me frymën e fundjetës

Dhe e dua të gjallë vetëm hirin e fjalës sime

Përmasa e zvogëlimit të atdheut, është poezia tjetër e përmasave që vetes ia siguron vendin meritor në çdo antologji të poezisë atdhetare shqipe: ‘A e din Gjin Bue Shpata/Si i lidhet kërthiza Arbërisë…/Vetëm gjaku i gjuhës ende kullon/Mbi atë testament të ndryshkur’.

Në poezitë e tjra, fjala vjen, poeti ka sfiduar melankolinë: ‘…Me qefin të zi varur në mur me ëndrrën e zezë/Të mbyllur në dhomë me gjarprin e zi të fshehur nën jastëk…/Piqen mollët e pikëllimit në kopsht/Natyra i rrotullon stinët sipas ritmit të vet’ (Melankolia), por ai e ka sfiduar edhe harrezën që si keza gjethlare ngre kokën e vet: ‘…Ankthi vrastar sërish nxjerr gjëmë pa kor…/Dy mijë vjet korbi fle mbi bebëzat e thata/E dorë e zezë ngrihet në hapësirë kot/…Asnjë zë asnjë lot asnjë këngë s’mbulohet me harresë’.

Në memorien e poetit tek shfleton kronikat e kohës: ‘Shpirti kullon gjak tek përplaset për muri’ sepse: ‘Një thikë pas shpine tradhti e kurdisur/Vdekja ulurin tek ther vetminë’ (Rikrijimi i vetmisë). Muajt dhe vendi e vitet që ka shënuar poshtë poezive, e sqarojnë vetvetiu kohën në të cilën u shkruan ato, një kohë e mbusur me gjarpërinj: ‘…Ç’janë gjithë këta gjarpërinj që i ngjiten murit…/Është natë/Egërsirat mund ta përgjakin sfondin e krijimit…/Kur më doli gjumi oh kur e pashë Dritën/Në Librin e Përjetësisë skicohej portreti im/Dhe jeta pa vdekje mes qiellit dhe tokës’. Në përfytyrimin e një ëndrre të tillë, poeti shtron pyetjen: ‘ku është liria/Këmisha e vdekjes shtatin ia mbulon me mërzi…/Bukuri e çmendur/Tërë jetën këlthet: ku është liria’ (Bukuri e çmendur), e mes kontastesh të thella shpaloset realiteti i hidhur nëpërmjet poezisë Çelësi i Mirko Gashit: ‘Ëndërr paska qenë liria zhgjëndërr poezia e vdekjes…/Ku ta fshehim pastaj fjalën/Kur dalim nga liria s’na duhet asgjë më emri/Vetëm kobi’. Nuk do mend se një realitet i hidhur e ka shtyrë poetin të lëshonte zemërklithjen: ‘Atdheu im është burg’ (Astma e tim eti), e megjithatë po përmes figureës qëndrestare dhe po aq burrëore të babait, jepet përmes tij ndnjenja e një shprese aq të bekuar: ‘Vdiq duke këlthitur/Na kemi me fitue’ (Portreti i tim eti), në ndërkohë që fjala poezi, kur nuk ish kohë poezie, pikonte si gjak i zi prej germash: ‘Nëpër natën vetmitare rojtarët numërojnë yjet në shi/Fjalët e humbin kuptimin tek shkëlqejnë plot magji/Çelësin e fshehin në atdheun me gjarpër në gji/Poezi poezi poezi poezi poezi poezi poezi poezi poezi/Gjak i zi gjak i zi gjak i zi gjak i zi gjak i zi gjak i zi’ (Maja e zezë).

Një vend të veçantë në poezinë e Sali Bashotës zë nderimi përmes vargut i figurave poetike si ajo e Lasgush Poradecit: ‘Sa shekuj vijon tharja e Fytyrës së Gjeniut/Atëherë Hyj tha: Kjo fytyrë nuk thahet kurrë…/A kotet shpendi i qiellit valëve të liqenit zemërak/Mali i Thatë a gjelbëron apo e shkund borën/Nga trupi i vet’ (Poezi e pambaruar te varri i Lasgush Poradecit), retrospektiva në historinë e kombit: ‘Hapeni portën e shpirtit most a zërë terri i natës/…Kur në pjesën tjetër të atdheut/Gjarpërinjt e zi shtrihen lakuriq/Mbi letrën e vdekur cirilike vallëzojnë’ (Në pjesën tjetër të atdheut), klithja për gjeografinë e tkurrur të atdheut, për Ulqinin dhe për Balshajt: ‘Balshajt pinë verë në tokën e prerë/Ulqini kafshon qiellin me dhëmbin e syrit…/Atdheu skuqet edhe për një fjalë…/Deti bie në gjumë sikur e përpinte valëjetën/Gurët rrokullisen sikur do ta lëviznin kufirin/Çuditërisht marrin formën e njeriut të gjallë/E dhembja shqiptohet deri në shekullin tjetër’ (Dalja nga kulla e balshajve).

Raportet poezia dhe shpirti, zana dhe hijet, janë dhënë si një bashkëbisedim i shpeshtë tek i cili kthehet poeti, sepse ato ia ngacmojnë imagjinatën, sepse ato ia ndezin neurasteninë krijuese: ‘Vijnë me rend xhelatët të ma grimcojnë fytyrën syrin e etur’ (Zana apo figura e përfytyruar); ‘Nëse vdes poeti/Në dhomën e krijimit të vetmisë/Duke i shëruar zogjtë e plagosur/Vdekja do të kishte kuptim tjetër/Se nuk vdes poeti’ (A vdes poeti); ‘Po bien një nga një fluskat e zmërimit/Heronjtë po ringjallen me mitin e qëndresës epike/Ti s’di asgjë kur po vdesim përditë për një fjalë goje/Gjarpri shëtit me njeri përdore nëpër ferrin e arsyes/Oh prapë më mallkojnë në sheshin e intrigave…/E dashur u mblodh kuvendi i poetëve që vdesin për një puthje…/Qyteti im i pushtuar ngrohu me zjarrin e dorëshkrimeve/Sa i dhembshëm qenka pikëllimi i atdheut/Mungesë e shpirtit’ (Mungesa e shpirtit).

Sali Bashota është poeti që në frymëzimet e tij poetike, shpesh gjendet mes Scillës dhe Haridbës, mes kudhrës dhe çekanit, mes zjarrit dhe llavës së vullkanit, mes Zanës dhe dhembjes, ashtu siç është ndoshur edhe etnia të cilës i takon, dhe për të cilën ai krijon gjakimin e tij poetik: ‘A je Zanë mali apo vetëm dhembje’ (Zanë mali apo vetëm dhembje); ‘Ti klith për lirikën e vrarë/Me dorën e zezë të mashtrimit/Fjalë e kafshuar e çmendisë’ (Pas urrejtjes); ‘Dhe ëndrra digjej në parajsë’ (Pasqyrë e thyer), e me antiteza të fuqishme i ka shpalosur relacionet e mësipërme: ‘Vashat vajtojnë skeletin tim të bukur/Zogjtë zgjohen nga arkivoli i shpirtit…/As i verbër syri as e shurdhër fjala/As i gjallë shpirti as e vdekur fytyra/Zogjtë zgjohen nga arkivoli i shpirtit/Vashat vajtojnë skeletin tim të bukur/Po kjo nuk është ëndërr’ (Rekuiem).

 Vjersha që po jepte shpirt, është një nga thurjet më të bukura dhe më kuptimplote, ku përmes emrave të brumit autokton përçohet nga një porosi, nga një mesazh tepër transparent: ‘Albulena tha: mos e gris…/Besiana tha: mos e djeg…/Doruntina tha: mos e plagos…/Etleva tha: mos e përgjak…/Rozafa tha: mos e varros/ Vjershën që deshi pak atdhe/ Për shpirtin e vet’.

Shpirti i poetit është ai i një ndieshmërie të hollë lirike, por edhe po aq të thellë, që kërkon mëshirën e Zotit:’Në mëngjesin e pikëlluar/Mbuloma fytyrën me dhembje Kosove’ (Forma tjetër e dhembjes); ‘Si ta përpij tmerrin në dyluftim me hijet…/Fëmijët me bukë në fyt i gëlltisin shpresat/Ëndrrat e bardha për lodrat që i tremben vdekjes/Kjo është vërtetësi e dhembjes njerëzore/Që kërkon mëshirën e Zotit/Nëpër legjendat për dramën e krimit/Përpara vdekja pastaj gjaku’.

Për Sali Bashotën librat janë testament i shpirtit, dhe se për te djegja e librave është dhembja më e thellë e shpirtit. E djegjeve u kanë parapri ulërimat e tërbuara: ‘Policët ulurijnë si bisha të egra/Mëngjesi i kullon ëndrrat për atdheun/ Gjumi rrotullohet mbi thërrmiat e shpirtit/Fëmija tjetër i mbyll dyert të mos hyjnë barbarët/ece vraje frikën e shpirtit lotin e nënave/Ky është tmerri…/Mallkohet dita e nesërme/Toka kalbet nga lotët e nënave’ (Realieti i humbur).

E kur armët ushtojnë, muzat heshtin: ‘Nuk e shoh më Zanën e malit/Shterrethimi barbarët autobusët e ngarkuar me pancirë…/Atdheu netëve të marsit i di të gjitha dhembjet…/O Zot më kanë humbur fëmijët nuk e shoh më Dritën/ Atdheu netëve të marsit i ndezë qirinjtë e pikëllimit/Përzihen lot e flakë në valsin e trsihtimit/…Vetëm zbrazëtira i këputë thinjat heshtjen e burgosur/ Kur atdheu netëve të marsit merr Fytyrën e Lirisë’ (Atdheu netëve të marsit). Ky është në përgjithësi stili lirik i poezisë së Bashotës. Ai konstaton, ai regjistron, ai shënon dhe ai projekton brenda vargut e në shpalim të fjalës: pamjen, gjendjen, emocionet, ndjenjat, dramën kolektive, traumat, trandjet, ankthin, mallin, pikëllimin, klithjen, dashurinë, flijimin, agoninë, tmerrin, llahtarinë, gjakimin dhe frymëzimin e shprehur në fjalën e shtrydhur, e cila sa pikon gjak, po aq pikon lot e rigon shi. Por ai është i paepur në dhuntinë e tij, se i paepur është edhe shpirti i bardhë i babait, i cili si një bekim plisabardhësh e zemërbardhësh, si një Testament Gjaku të Breznive Orëmira, le prapa porosinë e shpirtrave të bardhë: ‘Na kena me fitue!’ Prandaj edhe Testamenti i Poetit, nuk ndryshon fare nga Testamenti i Babait:’Vetëm testamentin le ta shkruaj/Egërsira të armatosura pushtojnë atdheun e dënuar…/Mendimet derdhin gjakun e vluar mjerimin e ëndrrave…/Kur shpirti im vdes në bardhësinë e fjalëve’ (Testamenti).

Periudha e luftës me tmerret e saj ka lënë gjurmë në botën e ndieshme të poetit. Lufta ia ka imponuar motivet e të shkruarit: ‘Pse e fike abazhurin të dyluftosh me përbindëshat e territ/Ti dhe vetë llamba magjike’ Elegji për poetin e vrarë (Latif Berisha); ‘Shpirti yt fluturon tutje në fund të përjetësisë…/Larg librave të djegura nga barbarët/Gërmadha e hirit ngrihet në qiell…/Asgjë s’është hynore’ (Një variant i vdekjes); ‘Duke pritur arkivolin pa shqipshkrim/Të lagur në shiun e përgjakur të marsit’ (Prishtina natën e 31 marsit 1999), e ku ferri i Bllacës ia tejkalonte atij të Dantes:’Në baltën e zezë të Bllacës/Mishin tim do ta rreshk do ta ha’ (Tokë e askujt), sepse :’Shi i zi bie në tokën e askujt/ Bllaca gjëmon kur na i zhveshin edhe ndjenjat…/Populli im midis dy grumbuj gjarpërinjsh këlthet’ (Loja e tmerrit), e krimet makabre kanë lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme edhe në kujtesën e kronistit që ka gdhendur vargjet për t’i regjistruar ngjarjet si copa kujtimesh të trishta:’Në tokën e gjakderdhjes grumbullohen njerëzit e gjallë/Në ditën e tretë/ Bëhet karbonizimi i kufomave në errësirën e trishtueshme…/Fëmija i Drenicës vdes duke thithur gjirin e përgjakur…/Më nuk jam qenie njerëzore/Vetëm numër numër numër numër’ (Ferri sipas meje për shtatë ditë), prandaj është krejtësisht e kuptueshme: ‘Arti tashti s’ka kuptim…/Kur shndërrohemi në hije të gjalla’ (Fshirja e kujtesës).

Hiri i dorëshkrimeve të djegura është gjithandej në kujtesën e poetit, dhe se ato kanë lënë gjurmë të thella në ndieshmërinë e tij prej liriku: ‘Dhe tani digjen librat/Nëna vajton mbarimin e shpirtit tim/Në parajsën ku fle trishtimi/Hynë barbarët duke tërhequr zvarrë atdheun/ Lamtumirë vargje të pashkruara/Shkronja të djegura dorëshkrime të përgjakura’ Dhe tani digjen librat (Skicë për një poemë).

Kudo zjarr dhe flakë, tmerre dhe terror, krime makabre, reprezalje dhe masakra në masë, e dielli i lirisë agoi një ditë: ‘Barbarët nuk vijnë më/Duke tërhequr zvarrë atdheun/..Te Sheshi i Republikës së Letrave…/Si këmisha e trëndafiltë lagej shpirti i humbur…/Me zjarrin e trishtimit të përkryer…/Derisa lebetitë në zjarr i lanin dorëshkrimet/Një ditë melankolie kur bëhet ndarja me shpirtin/Për të kërkuar vdekjen më të bukur/Barbarët nuk vijnë më/Atdheun zvarrë duke tërhequr’ (Baladë për dorëshkrimin e djegur). Fryma e ringjalles ndihet kudo, madje edhe në poezinë Elegji, e cila fillon me shkrumbin por mbaron me bardhësinë:’Çdo gjë është e zezë…/Hiri i dorëshkrimeve të djegura…/Vetëm vdekja është e bardhë’, ‘Poetët më nuk do të shkruajnë vjersha dashurie/Se shpirtat e këqinj do të përmbysen në botën tjetër’ (Ringjallje); ‘Dhe bëhem plagomë e bardhë’ (Pasqyra).

Cikli Zëri i shpirtit, është klithja si Dashuri e çmendur, si Pikëllim, si Dorëshkrim i gjetur në varrezat e vendlindjes, si Bukuri e nëmur…sepse: ‘Hijet lëvizin në shpirt/Nata e plagos heshtjen’ (Hijet), ‘Në lotin e saj lulëzon enigma…/Ajo ishte vetë parajsa’ (Vetmi), ‘Sa shumë gjëmon kjo dashuri’ (Zëri i shpirtit);

‘Midis qiellit e tokës/Kjo baladë e bukur/Shpirti im’ (Vdekje e bukur); ‘Mesnata/Vjershë e pikëlluar/Në shpirtin pa lot’ (Mesnatë).

Kur vdes kujtimi për ty, është cikli përmbyllës në të cilin vend kryesor zë biblioteka e djegur, hiri i dorëshkrimeve të poetit të cilat më 2 gusht 1988, ia dogjën bashkë me shtëpinë: ‘Kur në bibliotekën e djegur/Jetëshkrimin e hanin të vdekurit’ (Poezi e djegur), e ku paradokset mjerisht ishin prezente: ‘Në Prishtinë nuk vdiset/Në orën shtatë të mbrëmjes/Të gjitha gjallesat çmenden/ Nga vaji i zogjve’ (Forma tjetër e vdekjes), e flakët bënin shkrumb e hi çdo gjë rreth e rrotull: ‘digjej dhoma ime shtëpia prej guri biblioteka e shpirtit/dorëshkrimet e shpirtit librat e shpirtit të gjitha mallkimet/muret e bardha vaji i Rozafës/…më vonë parakalojnë tankset më vonë shtëpisë i del tymi/pastaj vdesin zogjtë një nga një pastaj shkrumbohen kujtimet pastaj/ diegje dhoma ime shtëpia prej guri biblioteka e shpirtit’ (Poezi e vrarë).

Për Sali Bashotën të gjitha shenjat e shenjta lidhen me shpirtin: biblioteka, librat, dorëshkrimet, sepse ai është poeti që vetminë e shekujve e zbërthen si ‘Njëqind vjet portreti i shpirtit tim/Statujë e gdhendur kur bie në humnerën e pafund’ (Fjalë e amshuar). Madje edhe kur: ‘Na ndjek mallkimi/Nga stuhi e vrarë/Në tokën e premtuar’ (Lulja e zezë), ai është poeti i cili në gjakimin e vet e ka artikuluar shprehjen e tij të veçantë poetike: ‘e kam hëngër vetveten në pyllin e metaforave’ (Adresa e nëmur).

Sali Bashota është poeti që duke e gdhendur historinë dhe epopenë e përgjakshme të Drenicës Martire, të kësaj sopotarje që gjithmonë pati ëndrra drenushe por të cilës ia përgjakën ato, pa mundur kurrë t’ia vrisnin ëndrrat e Ilirisë; e ka gdhendur në ballin e kohës gjithë historinë e kombit të cilit i takon:’Fëmija i Drenicës vdes duke thither gjirin e përgjakur’ (Ferri sipas meje për shtatë ditë). Diçka më e shenjtë se vargjet prush të Tirteut…, prandaj e ka thënë aq bukur Mihal Antonesku, se: ‘Të dish të dashurosh, siç vepron Sali Bashota në poezi, është sikur ta ngajllësh lotin në shpirtin e gurit’. E Sali Bashota e dëshmon se në vargjet e një lirike të latuar holl, bie në dashuri me lirinë dhe gjakimin për të.

Ai është poeti që në kështjellën e kujtesës së tij letrare dhe poetike, ka medituar thellë: ‘Kur vdes kujtimi për ty/ As pena më s’mund të shkruajë/Pastaj vjen çasti i mallkimit të ri/ Dhe shpirti prehet në parajsën e huaj’ (Kur vdes kujtimi për ty). Por përmbi çdo gjë ai është poeti që ka gjakuar gjihmonë: ‘Fjalën ta nxjerrë nga palca e pavdekësisë’, siç e ka thënë aq bukur: DUKE GDHENDUR ILIRISHT NË SHPIRT / FJALËN LIRIA.Duke qenë Poet i Shpirtit, ku universin letrar dhe alkiminë e fjalës e përbëjnë dorëshkrimet – qoftë edhe të djegura, ku dashurinë për ardhmërinë e përbëjnë librat, dhe ku akademinë e përbëjnë odat me filozofinë e tyre të hollë, ku lacromatoriumet  – lotoret tona i përbëjnë lahutat dhe legjendat, nuk ka dyshim se Poezia e Shpirtit të cilën e shkruan Sali Bashota, e ka sa Bekimin e Tokës Nënë e cila e di se: ‘Poeti klith kur i përgjaket poezia’, po aq edhe Bekimin e Shamibardhave, të cilat përcjellin ndër mote, Testamentin e Gjakut dhe të Gjirit të grirë me thika:

Atëherë poeti tha:

Dhe u bë fryma e shpirtit llambë e ndezur në kujtesën ilirike

Shi Arbëria i kullon ende plagët e trupit shi si digjet fati ynë

Poeti i Shpirtit. E edhe i Shpirtit të Tyre të Bardhë:

PËRBALLË VARREVE, NËNAT HEQIN SHAMIZEZAT

Filed Under: Kulture Tagged With: Sali Bashota, Xhemail Peci

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT