• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja e Zvicrës nderon shqiptaro-zviceranen Xhemile Fetaji

August 3, 2020 by dgreca

-Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga me rastin e Ditës Kombëtare nderon shqiptaro-zviceranen Xhemile Fetaji me mirënjohjen”Heroinë e Përditshmërisë”-

Nga Elida Buçpapaj- Voal.ch – Këtë vit 1 Gushti Festa Kombëtare e Zvicrës u kremtua në mënyrë të veçantë.E megjithatë, nën rregullat që dikton situata pandemike e koronavirusit, u festua nëpër familje, rrethe shoqërore e komunat në të 26 kantonet.

Po ashtu Presence Swisse hapi një faqe online për diasporën zvicerane nëpër botë.

Fishkzjarret shkëlqyen qiellin helvetik prej natës të 31 korrikut deri pas mesnatën e 2 gushtit.

Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga për ta kremtuar këtë ditë me kaq rëndësi kombëtare zgjodhi një mënyrë shumë të veçantë.

Në Rütli, në vendin që quhet “djepi i Zvicrës” buzë Liqenit të Lucernës, atje ku çdo vit kremtohet festa zyrtarisht, për të patur të pranishme gjithë Konfederatën, zonja Sommaruga kishte ftuar për çdo kanton nga një grua dhe burrë që ishin dalluar për kontributin e tyre gjatë pandemisë. Po ashtu ishin të ftuar edhe 2 përfaqësues të “Zvicrës të Pestë”, sikur quhet diaspora zvicerane. Gjithësej 54 përfaqësues, të cilëve  zonja Sommaruga u ndau mirënjohjet për kontributin e tyre të çmuar në përballimin e krizës, duke i quajtur ata “Heronjtë e Përditshmërisë”.

Në fjalën e saj zonja Presidente nënvizoi faktin se “forca e Konfederatës është solidariteti”. Ajo përmendi me nderim ndihmën e qytetarëve të Zvicrës në mbështetje të më të dobtëve dhe të moshuarve  me qëllim përballimin e situatës të jashtëzakonshme, që jeta e vendit në kushte aspak normale të vijonte normalisht, duke filluar nga supermerkatot, farmacitë, mjetet e transportit publik, por jo vetëm. Në ato momente të vështira u dëshmua solidariteti zviceran i qytetarëve për të ndihmuar të moshuarit, duke u bërë blerje dhe u ardhur në ndihmë atyre që kishin vështirësi ekonomike.

“Sot dua të them faleminderit. Faleminderit atyre që bënë blerje për të moshuarit në lagjet e tyre, atyre që i shërbyen vendit tonë pavarësisht virusit, stafit në spitale, stafit të shitjeve, punonjësve të hekurudhave, drejtuesve të kamionëve, fshatarëve, punëtorëve në vendet e ndërtimit dhe stafit në shtëpitë e të moshuarve “: këto ishin fjalët e Simonetta Sommaruga në kremtimet zyrtare për 1 gusht. “2020 ishte viti i koronavirusit, tha ajo, “por shpresoj që të quhet edhe viti i solidaritetit”.

Ceremonia po për shkak të situatës korona zgjati vetëm 90 minuta dhe prania ishte shumë e kufizuar, gjithësej ishin 150 të pranishëm.

Midis të nderuarve ishte edhe shqiptaro-zvicerania Xhemile Fetaji, me origjinë nga Gostivari, e cila mori direkt nga Presidentja e Zvicrës mirënjohjen bashkë me nga një fidan molle, që do të mbjellen në kantonet ku jetojnë.

Xhemile Fetaji është dalluar për kontributin e saj shembullor gjatë pandemisë si shitëse në Migros. Xhemilja ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë periudhës të lockdown.  Xhemilja është shumë aktive në jetën sociale. Këtë vit kandidoi për parlamentare në zgjedhjet lokale të kantonit të saj.

Për voal.ch Xhemile Fetaji tha: “Dje ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta hiç natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Aktiviteti kishte një organizim të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Kur filloi ceremonia më prekën shumë fjalët e Presidentes, zonjës Sommaruga, kur na u drejtua dhe tha :” Ju me siguri e keni pyetur veten pse pikërisht unë jam e ftuar këtu!” Edhe unë kur më erdhi ftesa për Rütli i kisha bërë vetes të njëjtën pyetje: Përse unë. Sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj unë, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne, 54 përfaqësuesave nga e gjithë Zvicra. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”

Voal.ch e uron për këtë nderim duke i uruar suksese të tjera./Elida Buçpapaj

**** Bisedë me Xhemile Fetajin,e nderuar nga Presidentja e Zvicrës me mirënjohjen si “Heroinë e Përditshmërisë” Nga Elida Buçpapaj

Në ceremoninë zyrtare me rastin e 729 vjetorit të Ditës Kombëtare të Zvicrës kishin një ftesë të veçantë 54 zviceranë, që përfaqësuan nga dy persona të dy gjinive 26 kantonet përfshi Zvicrën e Pestë, sikurse quhet diaspora zvicerane. Ata ishin të ftuar në kremtimet festuese me Presidenten e Konfederatës Simonetta Sommaruga-n në Rüetli, “djepin e Zvicres” kur më 1291 u lidh besa, u firmos pakti i përhershëm dhe lindi Konfederata Helvetike. (CH)

Ky vit është shumë i veçantë për shkak të koronës që kërkon respektimin e rregullave. E megjithatë, zonja Sommaruga e shfrytezoi Festën Kombëtare për të falenderuar e shprehur mirënjohjen një grupi qytetaresh që simbolikisht përfaqësonin atë komunitet që, në kushtet e lockdown-it, i shërbyen vendit duke bërë që jeta të përvijonte normalisht.

Midis atyre të cilët Presidentja e Zvicrës i quajti “Heronjtë e përditshmërisë” në kohë krize, ata të cilët nuk “e respektonin” sloganin “stay home be safe” ishte edhe Xhemile Fetaji, një shqiptaro-zvicerane me origjinë nga Gostivari, e cila në mënyrë shembullore i shërbeu qytetarëve si shitëse në Migrosin e Steckborn, qytezë me rreth katër mijë banorë në kantonin e Thurgaut në verilindje të Zvicrës buzë Liqenit të bukur të Konstancës.

Dje kur biseduam Xhemilja ishte me plot emocione.

“Kur znj.Sommaruga na tha gjatë ceremonisë nëse i kishim bërë pyetjen vetes “përse unë jam ftuar në Rütli” unë në fakt ia kisha bërë vetes këtë pyetje”, më tregoi ajo.

Xhemilja është një “heroinë” e lockdown-it, periudhës kur ne ishim të këshilluar të rrinim të mbyllur dhe të dilnim nga shtëpia vetëm pēr domosdoshmeritë tona, sikur jane blerjet e ushqimeve, shkuarja ne postë, farmaci, mjek etj.etj.

“Gjatë gjendjes lockdown” më thotë Xhemilja, “u ndryshuan krejt planet e punës. U desh që ne të punonim pa plan, sepse, sapo i vendosnim mallet dhe ushqimet në raftet e Migrosit, ato zbrazeshin menjëherë, aq shumë bliheshin nga qytetarët.”.

E kush nuk i kujton ato ditë plot zymtësi kur njerëzit mbushnin karrocat me majë për të krijuar rezerva sa më të mëdha për familjet e tyre që nga mielli, majaja e bukës deri tek letrat higjenike që zhdukeshin nga raftet e supermerkatove sa hap e mbyll sytë, pa marrë parasysh se gjithë ditën mediat në Zvicër qetësonin popullatën duke u thënë se nuk ka asnjë arsye për shqetësim se dyqanet do të jenë gjithmonë plot e përplot, e, megjithatë, të qetësohej popullata ishte e pamundur.

“Kur i shihja raftet e zbrazura dhe njerëzit që mbushnin karrocat, të merrte frika, kaq e tmerrëshme dukej situata”, vazhdon të më tregojë Xhemilja. “Shefi më thirri me ndihmu 2 orë plus, por nuk dilnin as dhjetë orë për të mbushur raftet nga ku mallrat bliheshin menjëherë. Dukej qartë që njerëzit kishin frikë. Frikë kisha edhe unë. Por kujtoja njerëzit nëpër botë që vdesin për një kore buke, ndërsa ne jetojmë në Zvicër me gjithë të mirat.” “E megjithatë”, ngulmon Xhemilja për një situatë që unë e njihja shumë mirë, “dukej sikur do të niste lufta. Çuditesha, por bënim gjithçka që të plotësoheshin kërkesat e blerësve, edhe kur disa kishin dëshira speciale, kur kërkonin papaya apo letër higjenike të aromatizuar. Atë periudhë, prej ngarkesës së punës unë në shtëpi isha shumë pak e pranishme dhe bashkë me bashkëshortin jemi shumë krenarë se fëmijët tanë (kanë dy fëmijë, djale e vajzë, Emirin dhe Emirën përkatësisht 12, 15 vjeç) nē atë periudhë aq të vështirë u organizuan shumë mirë, studionin vetë dhe u treguan shumë të përgjegjshëm edhe pa ndihmën time. Sepse unë nuk kam punuar 100% por 200% se më duhej që t’iu ndihmoja kolegëve, rrija pa orar në punë, në shërbim të blerësve. Dhe fëmijëve u them gjithmonë të ndihmojnë, të japin ndihmën e tyre sa herë të kenë mundësi. ”

“Përveç kësaj”, vijon Xhemilja, “në mbrëmje kur kthehesha, kisha kontakte përmes WhatsApp-it me shumë gra shqiptare në kantonin e Thurgaut, ku u sqaroja situatën, masat mbrojtëse kundër koronës, u jepja informacion, i pyesja si i kishin hallet, si shkonin me bashkëshortët, u jepja këshilla atyre me fëmijë të vegjël. Ishte ky një angazhim ndryshe nga ai i Migrosit, por edhe këtë e bëja me shumë përkushtim.”

Xhemilja kësaj pranvere në zgjedhjet lokale ishte kandidate e PS për parlamentin në Kantonin e Thurgaut. “Ylfeten e kam shembull, por më duhet ende pune”, më thotë ajo. E ka fjalën për Ylfete Fanajn, anëtare e parlamentit të Lucernës. Ylfetja ka lindur në Prizren. Bijë emigranti. I jati ishte punëtor ndërtimi, ndërsa Ylfetja gjatë 2020/21 drejton parlamentin e kantonit të Lucernës. Arritje të paimagjinueshme për dy dekada më parë!

Më tutje, Xhemilja më tregon: “Nē mëngjes fillonte ngarkesa e punës nga e para. Kishte njerëz që dëshironin t’jua çonim mallin në shtëpi. Kishte të moshuar që më vinte shumë keq kur i shihja të mundoheshin dhe i ndihmoja e ua çoja vetë blerjet nëpër shtëpi”.

“Kētu në Steckborn më njohin të gjithë!”, më thotë Xhemilja dhe pa dashur ajo i kishte dhënë përgjigje pyetjes: “Përse kishte marrë ftesë për në Rütli”.

Të gjithë ne banorët e Zvicrës në ditët kritike të rrezikut eksponencial të përhapjes të koronës, në mungesë të plotë të maskave, sepse me Kinën ku importoheshin ishin pezulluar fluturimet, ndërsa Franca e Gjermania kishin maska vetëm për vete, nuk harron frikën, si një paranojë kolektive kur të duhej të dilje nga shtëpia për blerje, ndërsa shitësit nëpër supermerkato të dukeshin kushërinj me ET, Samaritanë të Mirë apo superheronj.

Xhemilja është njëra prej tyre. Pjesë atij komuniteti që sakrifikuan pēr interesin e përgjithshëm kombëtar. Së bashku me ushtrinë e mjekëve, infermierëve dhe ekipet ndihmëse nëpër spitale.

Presidentja e Zvicrës në fjalën e saj gjatë ceremonisë midis të tjerave tha se “2020 ka qenë viti i koronavirusit, shpresoj se 2020 të jetë edhe viti i solidaritetit”, duke e nënvizuar këtë tipar të Konfederatës. Jo më kot motoja kombëtare e Konfederatës Helvetike është: “Unus pro omnibus, omnes pro uno” –
«Einer für alle, alle für einen» – “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

Biseda jonë u përmbyll duke më treguar për ceremonë e kremtimeve në Rütli. Nuk kanë kaluar as 24 orë nga takimi me Presidenten e Konfederatës, por Xhemilja është plot emocion: “Dje”, më thotë ajo, “ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta fare natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Ceremonia ishte organizuar në mënyrë të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Moderatorja ma shqiptoi emrin shumë bukur. E falenderova. Zonja Sommaruga na takoi. I dhurova disa produkte të kantonit tonë. Bëmë edhe foto. Isha me fat sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Presidentja e Zvicres, Xhemile Fetaji

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT