Nga Dimal Basha – New York/
Secili prej nesh ka të drejtë të pyes pse Kosova po dështon gjenerata të tëra dhe gjasat për të prodhuar artistë, sportistë apo biznismen të suksesshëm janë shumë të vogla? Si ka mundësi që Kosova me 1.8 milion banorë arrin të nxjerr shumë pak talent derisa diaspora shqiptare korrë suksese në të gjitha sferat pavarësisht se janë minoritet në secilin shtet ku ata jetojnë?
Një mik në rrjetet sociale me shaka tha se sikur Xherdan Shaqiri të kishte jetuar në Kosovë ai me siguri se ishte duke shitur fara të zeza. Sigurisht se nuk ishte qëllimi denigrmi i të rinjëve shqiptarë në Kosovë, apo përulja e Shaqirit që e dëshmon të kundërtën, por një përshkrim i një gjendje reale e një vendi ku talenti vdes i paeksploruar.
Kjo vie rrjedhimisht nga krahasimi i suksesit të shqiptarëve në diasporë dhe dështimi i të njejtit popull në Kosovë. Shembulli i parë është kombëtarja e Zvicrrës. Shteti helvetikë që ka gati 8 milion banorë besohet të ketë përafërsisht 150 mijë shqiptarë. Nëse zbërthehet më tutje kjo i bie se shqiptarët nga të gjitha trevat Ballkanike përbëjnë jo më shumë se 6% të populates zvicerrane. Të njejtën kohë, jemi dëshmitarë të sukseseve të shumta të shqiptarëve atje dhe njëra prej tyre është kombëtarja e futbollit të Zvicrrës që dëshmon se edhe pse shqiptarët përbëjnë vetëm 6% të popullatës totale, ata kanë arritur që të kenë gati 40% të kombëtares që fillon në njëmbëdhjetëshen e parë.
Nëse kaloni përtej Atlantikut, gjithashtu gjeni rrëfime të shumta suksesi të diasporës shqiptare. Shqiptarët në SHBA, për shembull, vazhdojnë të citohen në shtypin amerikanë si shembull i suksesit në biznes pavarësisht numrit të vogël të tyre. Vitin e kaluar gjatë një takimi me z. Mark Gjonaj, asembleistin e pare shqiptaro-amerikanë në asamblenë e New York-ut, ai tregonte për suksesin e madh të shqiptarëve në New York. Përveq tjerave, ai citoi një reviste revistë të njohur biznesi në New York ku theksonte se shqiptaro-amerikanët janë pronarë të mbi 30% pronave komerciale në Bronx. Kjo komunë ka përafërsisht 1.5 milion banorë derisa, sipas burimeve të vitit 2009, komuniteti shqiptarë përbënë vetëm 3% të popullsisë totale. Pra, 3% të komunitetit shqiptarë janë pronarë të mbi 30% të pronës komerciale me një komunë që ka mbi 1.4 milion banorë.
Diaspora shqiptare gjithashtu ka prodhuar intelektual e nobelistë të shquar. Shqiptarët kanë talentin dhe aftësitë të jenë edhe biznismen, edhe intelektual por edhe sportistë me renome botërore. Gjatë fushatës zgjedhore shpesh u përsërit nga elita politike se “ne nuk mundemi të prodhojmë kompjuterë, makina apo makineri të përsosur.” Unë besoj se është një pikënisje e gabuar dhe mesazh i keq i politikës që synon ndryshime me sllogane “nuk mundemi. Jam i bindur se nëse shteti ofron mundësitë dhe kushtet gjithçka është e mundur. Dallimi kryesorë pse Xherdan Shaqiri “nuk shet fara” por është një sukses janë kushtet dhe mundësitë që i ka ofruar shteti helvetikë. Të njejtën kohë arsyeja pse shqiptaro-amerikanët vazhdojnë të jenë rrëfim i suksesit në biznesin amerikanë është mundësia dhe kushtet që ofrojnë SHBA-të për të gjithë qytetarët e saj.
Çka është me rëndësi të theksohet është se populli shqiptarë duhet të kuptojë se shteti nuk krijon fabrika, biznese apo sportistë. Kanë përfunduar kohërat ku shteti është punëdhënësi kryesorë me dhjetëra ministri e zavendësministra koti. Roli kryesorë i pushtetit është të krijojë kushtet dhe mundësitë bazike për secilin individ që të zhvilloj talentin apo biznesin e tij, diçka që Kosova vazhdon të dështoj tash e sa vjet. Raporti i individit me shtetin janë sikur natyra me bimët. Sikurse drita, ajri dhe uji që janë faktorë që ofrojnë zhvillimin e një bime dhe mungesa e njëra prej tyre shkakton vdekjen e bimës dhe rrjedhimisht shteti gjithashtu duhet të ofroj kushtet bazë ku individi është i lirë të zhvillohet.
Prandaj, është e domosdoshme që pushteti i ardhshëm të mos vazhdoj traditën me qeveri të madhe dhe të funksionalizoj një pushtet të vogël që punon mençur dhe ofron kushte dhe mundësi te barabarta për zhvilllimin e individit, përndryshe, nëse vazhdohet me këtë qasje, sikur bimët, rinia do të vazhdojë të “thahen” në mungesë të kushteve dhe mundësive bazë.