• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100 VJETORI I KONGRESIT TË LUSHNJËS, LETRA PRESIDENTIT AMERIKAN DHE DRAMA…

January 21, 2020 by dgreca

Nga Xhevair Lleshi dhe Visar Zhiti/

100 vjet më parë, në 21 janar 1920, shqiptarët, krerë të tyre, patriotë dhe të urtë nga të gjitha trevat e vendit, u mblodhën në Lushnjën e vogël, në kuvendin e tyre të madh me qëllim që t’i dilnin zot Shqipërisë, që kërcënohej nga rreziku i mosqeverisjes, i copëtimit dhe i zhbërjes.

Ai kongres është quajtur dhe “pavarësia e dytë e Shqipërisë” dhe përsëriti “Lidhjen e Prizrenit”, “Kuvendin e Lezhës” me Skënderbeun në krye, e shpëtoi vendin e bëri me qeveri e me kryeqytetin që kemi sot..  

Për këtë ngjarje madhore të historisë tonë ka dhe një dramë, e vetmja që është shkruar, me autor mësuesin, aktorin dhe dramturgun Hekuran Zhiti, 50 vjet më parë, por që nuk është vënë ndonjëherë në skenat e teatrove tona.

Shtëpia botuese “Uegen” e zbuloi dhe e nxori në këtë 100 vjetor.

Po sjellim pjesë nga pasthënia e dramës, shkruar nga Xhevair Leshi:

APOSTUJT E KONGRESIT TË LUSHNJËS/

          Pa Kongresin e Lushnjës do të humbte si në shkretëtirë Pavarësia e Shqipërisë, e arritur nëntë vjet para Ngjarjes së Madhe. Pa Kongresin e Lushnjës Pavarësia do të kish mbetur nën rrebeshet e tmerrshme të kohërave që, siç kishin kaluar nëpër Luftën e Parë Botërore, priteshin të binin sërish mbi trupin e Atdheut… Por Kongresi erdhi. E sollën ata, atdhetarët e fisëm e të mëdhenj të Shqipërisë, që, të tillë kanë mbetur për jetë.

Kanë 100 vjet që ata i kemi në bronz dhe ky jubile na i sjell sërisht afër, duke pasur ndjesinë sikur ka ndodhur dje….

Lexoja shënimin e Visar Zhitit bash për këtë ditë të shënuar e për dramën e saj dhe m’u duk se ishim në të njëjtin përdytyrim. «Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vendit, kush e ndjente dhe mundte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunës, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Evropë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëherë, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja…» Çfarë sakrifice dhe vetëdijësimi!…

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Pa telegraf, por me thirrjen e thjeshtë të zemrës, se vetëm ashtu do të shkruhej ndryshe historia, pa menduar ndonjë tender se ku mund të mblidheshin dhe s’i mund të ndaheshin milonat, sepse ishte rreziku i ndarjes së atdheut.

…u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë! Me telin e zemrës, mik pas miku, frymë gojë më gojë. I thoni Ferid Bej Vokopolës. I thoni Aqif Bej Elbasanit. I thoni At Bumçit. Mos harroni, mik, të m’i çoni fjalë Ahmet Bej Zogollit…

Sa me ndjenjë u përcoll ky lajm 100 vjet më parë, veç me fluturim shpirtëror, me frymë të shenjtë. Dhe erdhën, u bashkuan.

Dhjetë ditët që tronditën botën, dhjetë ditët e mahnitshme që ngritën nga balta dhe uria Shqipërinë dhe ua falën atë njerëzve të së ardhmes. Dhjetë ditët e Kongresit të Lushnjës! Në to do të ribëhej shteti shqiptar, do të caktohej kryeqyteti, Tirana (me të sotmen e papërfytyrueshme atëherë!), «do të emërohej kryeministri dhe qeveria e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.»

…Pushka e gjatë e Sulës Zdravës, me të cilën kishte marrë pjesë në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë, çante qiellin dhe errësirën, ngrohte shpirtra dhe jepte forcë… fare i vetëm do të bënte epokë…

*  *  *

Kongresi Kombëtar i Lushnjës u mblodh më 21 janar 1920 dhe i zhvilloi punimet nga 28 deri më 31 janar 1920. Në të morën pjesë mbi 50 përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit.

Në fillim Kongresi shqyrtoi planet e Konferencës së Paqes të Parisit për copëtimin e Shqipërisë dhe i hodhi ato poshtë në mënyrë të vendosur. Ai u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër protektoratit të cilësdo fuqie të huaj dhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit.                                     Në protestën që Kongresi i dërgoi kryetarit të Konferencës së Paqes thuhej se shqiptarët ishin gati të bënin «të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë».

Vendim tjetër i rëndësishëm ishte ai për krijimin e organeve të larta të shtetit shqiptar. Kongresi zgjodhi një Këshill të Naltë prej 4 vetash, i cili do të përfaqësonte kryetarin e shtetit shqiptar derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit nga ana e një Asambleje Kushtetuese…

Këshilli i Naltë do të ushtronte pushtetin ekzekutiv. Ai caktonte kryeministrin, i cili pasi formonte qeverinë, merrte miratimin e Këshillit Kombëtar. Ndërsa Këshilli Kombëtar ushtronte pushtetin legjislativ dhe kontrollin mbi qeverinë. Veprimtaria e Këshillit Kombëtar ishte e pavarur nga Këshilli i Naltë…

Përpara kësaj qeverie dilnin detyra të rëndësishme. Brenda vendit ajo duhej të merrte në dorë administratën shtetërore dhe të kërkonte largimin e pushtuesve të ndryshëm nga Shqipëria. Në të njëjtën kohë ajo duhej të për t’i siguruar shtetit të pavarur shqiptar tërësinë tokësore dhe rinjohjen e tij në arenën ndërkombëtare.

Më 11 shkurt 1920 qeveria e Sulejman Delvinës, Këshilli i Lartë dhe Këshilli Kombëtar u vendosën në Tiranë, ku u pritën me entuziazëm nga populli. Qysh nga ajo kohë, Tirana u bë kryeqyteti i Shqipërisë.

KJO LETËR E MADHËRISHME:

«Shkëlqesisë së Tij Wilson,

Kryetar t’Amerikes i Shteteve të Bashuem,

Vashington

Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpëtimin e atdheut tyne.

I nalti Kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të Sh. S’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.»

Kryetari Katundaris së Lushnjës

Lushnjë, më 17.3.1920

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës… O Zot, ç’ndodh! Kishte mbaruar Kongresi. Kishin ikur Burrat e Kombit, kishte ikur edhe Sula: nuk kishte ç’ruante më! Dhe ky burrë i padukshëm, kryetar i Katundarisë së Lushnjës, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit!… «Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen.… gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë ‘e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale’, etj., etj.» Këtë përshtypje të hollë do ta shkruante Visar Zhiti.

«…në fillim të vitit 1920 Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë.

Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, padrejtësinë ndaj popullit shqiptar.

Përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën New York Times të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’» shkruhej atëherë…

DRAMA E KONGRESIT:

«Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, e një gjysmë shekulli më parë, por ende gati e panjohur, edhe pse e vetme, që sjell më së miri atë frymë në popull. Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estradës së Lushnjës.

Sot një rrugë në qytetin e Lushnjës mban emrin “Hekuran Zhiti” dhe ai është shpallur dhe “Qyetar Nderi”.

Ndoshta kjo dramë ishte dhe testamenti i tij. Që do ta përfundonte i biri, Visar Zhiti, që na e solli të plotë dhe ja ç’shkruan në pasthënie:

…si e pa përfunduar, e mbetur në dorëshkrim që nga mesi i shekullit të kaluar, – kisha thënë, – por me gjakimin, që, nëse do t’ia kërkonin ndonjëherë të vihej në skenë, autori do ta rimerrte dhe do ta përshtaste me kohën, domethënë me rrethanat, jo veç ato të skenës, të vegimit regjisorial dhe lojës së aktorëve etj, ngaqë Kongresi i Lushnjës, i quajtur dhe si Pavarësia e Dytë e Shqipërisë, është një ngjarje kulmore në histori, e patundshshme, që kërkon përtëritje në riparje, në shëmbëlltyrën e lartë që dha, të përbashkimit dhe të mënçurisë, të veprimeve të guximshme në shpëtimin e vendit.

Nuk e di a kishte menduar autori rënien e perandorisë komuniste dhe të diktaturave të saj.Ai besonte e jetonte dhe me Shqipërinë e vjetër, atë të përjetshmen. Kështu e pa dhe Kongresin e Lushnjës, një dramë me tre akte, nga e zakonshmja tek ato që ikin me përditshmërinë, nga antropologjia në rreziqet ekzistenciale e deri tek derdhja si në bronz e një altoreliefi të ngjarjes së madhe.

Në ndjekje të asaj porosie të heshtur, tani me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, botuesi UEGEN ndjeu detyrën e ribotimit të dramës, ashtu të plotësuar dhe të përfunduar, me atë dëshirë siç e nxori në dritë për herë të parë në vitin 2011, në 100 vjetorin e lindjes së autorit dhe në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, por tani dhe me pasionin e historianit dhe të shkrimtarit, kështu që z. Xhevair Leshi vendosi t’i shtonte botimit të ri pak histori për Kongresin dhe autorin, për t’u kuptuar, më saktë për t’u ndjerë më mirë drama e Kongresit dhe e autorit, që edhe pse ngjajnë të largëta midis tyre dhe nesh, kanë lidhje dhe kanë prodhuar njëra-tjetrën ndërsjelltas.

Gjithmonë ka një prag jete dhe vdekjeje. Pragu i vdekjes është dhe në jetë, ndërkohë që dhe pragu i jetës është edhe në vdekje. Ka dhe ringjallje…

 Kongresi që u mbajt në Lushnjë, sërisht i duhet vendit, jo vetëm si kujtesë kolektive, aq më tepër tani që ka dy shtete shqiptare në Ballkan dhe zjen ankthi i bashkimit, me rreziqet e zhbërjes ndryshe, me modernitetin globalizues. Se duhet t’i bashkohemi së tërës (BE) me identitetin tonë, që kohërat e deshën të jetë sakrificë e heroizëm, por dhe një mrekulli.

Filed Under: Opinion Tagged With: Xhevair Lleshi-Visar Zhiti-Kongresi i lusnjes-Drama e vetme

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT