Intervistë per Gazeten Dielli ne SHBA e gazetarit Fadil Shehu me regjisorin, shkrimtarin e aktorin Xhevat Limani /
PYETJE- Çfarë ju kujton Struga e urave magjepsëse,Drinit të kristaltë, njerëzve bujarë,ku çdo vizitor ndjehet si në shtëpinë e tij?
PERGJIGJE-Struga është qytet hyjnor,dhuratë Perëndie dhe privilegj i gjakut arbëror.Tingëllon bukur si në gjuhësi,në këndim,vallëzim,në kostumografi,në arkitekturë dhe koreografi.Arti i popullit rrezaton katërcipërisht i pastër në shqip.Perëndia i fali liqenin ujë kristalor, Drinin përrallor,fushën e begatë drithërore dhe malet me blerim të përhershëm përeth. Aty mjelmat dhe pulëbardhat fluturojnë kaltërsisht ku troftat e ngjalat provokojnë shijen. Dikur shkrova vargjet“O udhëtar bote,në të zëntë nata në rrugë,të lutem ndalu në Strugë…”
Në gjimnazin e këtij qyteti,jeta juaj do të hynte në rrjedhën midis dy dashurive, vajzës esmere dhe dashurisë për artin.Ishit i bindur se të dyja këto do të ishin përjetësisht bashkëudhëtare të jetës suaj?
-Fati u prinë të zgjedhurve vetëm kur ata veprojnë.Në shkollë shkova për mësim duke besuar shprehjen e dishepullit të letërsisë shqiptare, bilbilit Naim Frashëri, se vetëm rrugë e diturisë përpara do na shpjerë.Ditën e parë në gjimnaz më ra në sy e bukura shtatselvi Lule.Zemrën ma shpuan tej e përtej shigjetat e zjarrta të një dashurie çasti që lind dhe përcëllon.Dikur gjatë pushimit e thirra anash tek parku,ku ajo po fliste me shoqet. I thashë qetë me fjalë plumbi.Lule,ti je e zgjedhura ime.Në fillim ajo u hutua dhe filloi të skuqet.E mori disi veten dhe desh ta kalonte situatën si me shaka.Mos u tallni me mua,ju lutem. Jo i thashë Lule. Ky është vendimi im i prerë.Ti do të jesh zonja ime.Unë jam fati yt…mos harro.Ajo donte të thoshte diçka,por unë i vura pikë dialogut si në kuvend të perëndive, kur caktohet fati.Koha dëshmoi se kisha të drejtë.E bukura rrëmbehet dhe nuk mund të pranoja që të jem i zgjedhur viktimë i ndonjë pule të lagur apo pate të ngordhur. Të tjerat rrodhën vetvetiu sipas vullnetit të Zeusit dhe verdiktit të Lules, bashkeshortes sime të ardhëshme.Zgjedhje më të mire nuk do e kishte bërë as vetë Perëndia.
-Ikët nga qyteti juaj dhe shkuat në Prishtinë për studime,ku studiuat per aktrim dhe letërsi. Pasi u diplomuat u kthyet në teatrin shqiptar në Shkup si aktor i parë profesionist ndër shqiptarët e Maqedonisë.?
-Në Prishtinë studiova për aktrim dhe letërsi.U diplomova në klasën ku pedagog kishja aktorin e madh të filmit Faruk Begollit.Letërsinë e mora për tia dëshmuar babait tim aftësinë time.Ai në fillim nuk më mbështeti,duke aluduar se unë duhej të studjoja mjekësi apo drejtësi.Por ëndërra ime mund të realizohej vetëm përmes artit dhe letërsisë. Në aktrim ka diçka që të shenjtëron.Përballja me publikun.Të gjithë presin sy e veshë, mendjehapur dhe zemër kurreshtarë.Të thuash të vërtetën e besuar të protagonistit, duke bërë shpirtin operacion pa anestezi.Dhe kur mbetesh vetëm përballë vdekjes,qoftë ajo imagjinare, artistike,kur dritat fiken ngadalë,paralel dorëzimit të shpirtit trupi bie ngadalë mes ndjenjash makabre.Në terr shpërthejnë eufori duartrokitjesh,ndërsa ti kufoma e gjallë ngjitesh në “Harkun e Triumfit”.Padyshim mendoj se gjuha dhe letërsia e ndihmojnë mjaftë aktorin në zbatimin praktik të fonetikës.Morfologjia ndihmon në formësimin e mendimeve përmes kategorive të ndryshme,emrat,mbiemrat,përemrat, foljet,lakimet dhe zgjedhimet,etj.Letërsia i ndihmon krijuesit për të notuar bindshëm lumenjëve,liqejve,detrave dhe oqeaneve të krijimtarisë popullore dhe autoriale. Në 1974 pas diplomimit në aktrim desha të vija në SHBA, por nuk munda për shkak të shërbimit ushtarak.Atë vit punova si profesor i gjuhës dhe letërsisë në gjimnazin e Strugës. Ndërkohë me gjimnazistë shfaqa dramën e famëshme, “Duke pritur Godonë” të Semjuel Beketit.Në garat e teatrove alternativë të republikës, prej gjashtë shpërblimeve të festivalit që mbahej në Veles,pesë i fitova unë me projektin tim teatror.Ky sukses padyshim, motivoi drejtorin e përgjithshëm të teatrit në Shkup që asokohe thirrej teatri i kombësive,Xhevdet Mustafa,që unë të isha pjesë e këtij teatri.Në shtator të vitit 1975 fillova punë në teatrin e Shkupit. Atje më pritën mirë.Atëherë kuptova se unë paskësh qenë aktori i parë profesionist ndër shqiptarët nën Maqedoni.
Çdo të thoshit për partnerët dhe kolegët tuaj,në vlera artistke dhe respektin ndaj teje?
-Ishte një gjeneratë e zellshme amatorësh që me përvojën e tyre kishin arritur nivel profesional,natyrisht të ndihmuar nga aktoret kosovar Selman Jusufi dhe Ismail Rama.Më pas erdhën aktorët e posa diplomuar,Sefedin Nuredini,Vebi Qerimi,Teuta Ajdini dhe Refet Abazi.Aty ishte dhe i palodhuri Bajrush Mjaku.U formua një ansambëli vertete artistik,i cili nisi të hapte një faqe të re nëe teatrin shqiptar në Maqedoni.Ne si gjak i ri deshëm të dëshmonim se mund ta mbajmë diellin me një dorë, sado që rrezatonte plagë dhe sakrifica.Ishte një ngjitje sizifjane dhe tepër e vështirë,veçmas kur filluam të bëjmë repertor të dramës kombëtare.Doja të vlerësoja ndihmën e pakursyer nga kolegë dhe personalite jashtë teatrit si Teki Dervishi,Beqir Musliu,Resul Shabani,Xhabir Ahmeti, Nexhat Mustafa etj.
Sipas jush,çdo të thotë të jesh aktor i kompletuar?
Geni i babës,qumështi i nënës,dhuntia apo talenti dhe pak shkollë për të mësuar mjeshtërinë e aktorit,janë kushtet me të domosdoshme për aktorin.Diplomat nuk bëjnë aktorë.Pëlqej një thënien e aktorit të madh Li Strasbergut,i cili thoteë se: “deri më sot asnjë diplomë nuk ka folur në skenë”. Nuk ka kreacione artistike duke pritur muzat,zanat apo shtojzovallet, nëse nuk i nënshtrohesh procesit hulumtues, rikrijues,eksplorues dhe prezentues.Aktori nuk ka moshë.Ka vetëm aktorë që dinë apo nuk dinë të luajnë.
Keni interpretuar më se 100 role,personazhe e karaktere popullore,figura të shquara shqiptare e botërore.Cili motiv ju bënë juve që çdo personazh ta paraqesni me vërtetësi,duke dhënë zemrën në skenë?
Beteja me çdo personazh fillon nga zero.Hulumtimi dhe eksplorimi i personazhit është proces i vështirë.Ku të gërmosh vallë?Në cilin vend?Në çfarë periudhë historike? Sa informata ke në dispozicion nga kronikat, historitë, arkivat, dokumentet, gojëdhënat që nuk ti ofron teksti dramatik?A të mjaftojnë të dhënat dhe kërkesat regjisoriale?Natyrisht që jo. Pasi ti grumbullosh të dhënat vë në zbatim kriterin selektues, imagjinatën krijuese për të shpirtësuar personazhin në lartësinë e duhur.Artisti ka nevojë të dëshmojë para kombit dhe Zotit, individualitetin e tij krijues.Sa më shumë të duatrokitet aq më tepër rrezikohet nga pushtetarët vdekatarë që abuzojnë me lirinë e fjalës,mendimit,veprimit dhe ekzekutimit hakmarrës. Ndërsa artisti pranon me vetëdije të vdesë në skenë. Krimbo suzarët trillojnë dhe përgatisin kurthe hakmarrëse, duke mos duruar famën e krijesave hyjnore-artistëve,të cilët njohin vetëm pushtetin e imagjinatës.artisti është opozitë e pushtetit dhe pushtetarëve,të cilët natyrisht janë të lindshëm dhe të vdekshëm.Sa më i besueshëm të jesh në skenë aq më shpejtë çbëhen suzarët, që nuk e njohin dhimbjen dhe skamjen. Korruptimi dhe ligësia e tyre janë kanceroze për shoqërinë dhe civilizimin.
Nëse rolet tuaja do i klasifikoje si në një paradë,cilin prej tyre do të doje të interpretoje po me atë dëshirë si dikur?
Kam shumë mallë dhe plagë për rolet që janë strukur në vitrinat e kritikës, librave, inçizimeve dhe xhirimeve.Do të kisha dashur?! Koha nuk kthehet se mosha është pjesë e dialektikës.Ndjej përmallim me Lulashin tek drama“Gof”e Anton Pashkut,Hamidi i verdhë tek“Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”të Teki Dervishit,Klaudi tek”Hamleti” i Shekspirit, b Milosi tek “Varrezë automobilash” të Fernando Arrabalit,Mbreti tek”Genti”të Sherif Delvinës,Kreoni tek“Antigona”të Sofokliut,Argani tek“I sëmuri për mend” të Molierit,profesor Lako dhe Laokonti tek“Përbindëshi” i Ismail Kadaresë,Dr. Adhumudhi tek “Pas vdekjes” të Kristo Floqit,Babazoti tek “Anatema”e Xhevat Limanit,Eminenca tek “Hijesina’ e Nebi Islamit dhe shumë personazhe para të cilëve përulem me respekt,dinjitet e plotë dhembje kujtimesh.Zjarrin dhe flakën e mbajë të ndezur përmes kryepersonazhit {Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.
Në trokun e tridhjetë viteve si aktor i skenës,njiheni si skenaristi dhe regjisori i të parit film shqiptar në Maqedoni,“Fatprerët”.Sa është mirëpritur ky film?
“Fatprerët”është filmi i parë me metrazh të gjatë,në krijimtarinë e shqiptarëve nën Maqedoni,të cilin e kam punuar sipas motiveve të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Murat Isaku. Filmi është mirëpritur nga publiku dhe artdashësit. Veçmas në festivalin e filmit shqiptar në Tiranë.drejtori i festivalit,regjisori i madh, Kristaq Dhamo dhe kolegët e tij Esat Musliu,Mevlan Shanaj,Vladimir Prifti,Natasha Lako,Bujar Asqeriu,u shprehën me shumë dashamireësi për vlerat që mbart brenda vetes ky film.
Ju flisni me shumë pasion për rolin e mbretit tek drama“Antigona”.Ndoshta shpreheni kështu pasi me këtë rol ju u cilësuat aktori më i mirë i festivalit”Flaka e Janrit,në Gjilan,apo ndoshta dhe për numrin e madh të shfaqjeve mbi 5oo.Vërtetë përse e e vlerësoni disi më shumë këtë rol?
Roli i Lulashit tek“Gof”i Anton Pashkut në regji të Ahmet Jakupit,ishte kthesë për dialektikën time teatrore.Në festivalin e Sarajevës,veç vlerësimeve,nga kritikë të ndryshëm, selektori i festivalit,Dalibor Foretiç,në prani të mjaftë artistëve nga Ballkani do të shprehej se:”E solla këtë shfaqje në festival që artdashësit jugosllav të njihen me energjinë,gjakun, mikroaktrimin dhe një teknikë të paparë e të folurit skenik të aktorit Xhevat Limani.Mbajeni mend këtë emër!” Ishte viti 1979, kur shqiptarët nuk shiheshin me sy të mire skenave të Ish-Jugosllavisë.Rolin e Adhamudhit e kam krijuar më tepër si një provokim artistik ndryshe nga ish kolegë artistë në Shqipëri.Loja disi ndryshe larg formave stereotipe nga të cilat vuante dhe ende vuan aktrimi shqiptar e bënë këtë personazh të mbahet mend.Ndërsa rolin e mbretit Kreon e dua edhe për shkak të atyre gati 500 shfaqjeve.Një mbrëmje vonë, rastësisht po shihja një film dokumentarë të Luanit në savanë.Më la shumë përshtypje raporti i luanit mbret në savanë.Mënyra e të vërejturit, përceptimit,mbajtja e kokës,rrotullimi i syve,ecja,reagimi i shpejtë gjatë sulmit mbi viktimën dhe shumë detaje të tjera,risollën në bindjen time krijuese një konstrukt modelues të cilin, natyrisht gjatë provave do ta qëndisja me detaje që i ka hak personazhi. Shfaqja u pëlqye për shkak kreacionit të veçantë të figurës së mbretit Kreon.Kritika u shpreh me superlative dhe natyrisht se nuk munguan as vlerësimet e jurive nëpër Festivale.
Jeni shprehur se në teatrin e Shkupit,u brumosët,u lartësuat si aktor,madje në këtë strehëz jeni nderuar me tituj e çmime të ndryshme,duke mos harruar kurrësesi suksesin e trupës tuaj të arritur në vitin 1992,në Festivalin botëror të teatrove zhvilluar në Gjermani.Përse e veçoni këtë eveniment me vlera botërore?
Arësyeja është konkrete dhe tepër afirmative.Drama shqiptare pati projekt të arrirë me cilësi të larta skenike. Përveç trupës që rezultonte një lojë harmonike me energji të paparë skenike, bëhet fjalë për aktorë babaxhanë që shkelnin rëndë në skenë siç ishin Sefedin Nuredini, Bajrush Mjaku, Refet Abazi,Vebi Qerimi dhe Xhevat Limani.Tekstin e zgjedhur dramatik sipas prozës së shkrimtarit kroat Nikolla Shop e vuri në skenë regjizori i njohur i skenave evropiane,kroati Branko Brezovec.Ishte një shfaqje e paparë që në kuadër të selektimit brenda një periudhe dy vjeçare, sfidoi gati të gjitha trupat e teatrit jugosllav dhe u gjend në finalen e madhe në Essen të Gjermanisë,ku merrnin pjesë 32 trupa teatrore nga tërë bota.Në Festivalin”Der Welt theater”,triumfuam ne Teatri shqiptar nga Shkupi, Teatër de soleil nga Parisi dhe Teatri Kabuki nga Tokio. Ishte vërtet një triumf i madh i teatrit shqiptar në përgjithësi. Sukses ky që nuk e ka arritur asnjë teatër shqiptar e as ish-jugosllave.
Keni interpretuar perla poezie,nga krijimtaria e Naim Frashërit,Çajupit,Lasgushit, Jeseninit,Migjenit,Nolit…,Çfarë ndjesi ndjeni ju kur interpretoni këto krijime,ku disa syresh janë aktuale edh sot për shoqërinë shqiptare?
Personaliteti im krijues ka dy burime frymëzuese, folklorin dhe perlat poetike.Apostulli im poetik është bilbili i gjuhës shqipe NaimFrashëri.Të gjithë ata që kanë hedhur baltë e gurë mbi atlasin e poezisë shqipe kanë qëlluar veten e tyre.Çajupi,Asdreni,Fishta, Migjeni, Poradeci,janë kolosë poetikë.Misioni i tyre përmes vargut monument kurrë nuk ndalet. Kur lodhem në teatër,film,televizion apo shkrime,punoj me perlat poetike të Kadaresë, Dritëroit,Jeseninit apo Nënës Terezë,Ali Podrimjes,Azem Shkrelit,Resul Shabanit,Teki Dervishit apo Visar Zhitit.Përmes vargjeve të tyre,unë shëroj plagët e popullit tim viktimë nga njerez liliputëe,që vazhdojnë ende ti ngulin kamat në gjoks. Atdheu im ka nevojë për fjalën,vargun monumental.Vargjet godasin fuqishëm dhe emcionalisht.Unë përjetojë katarzisin tim duke çuar në vend një drejtësi emocionale të vonuar apo që nuk vjen kurrë.
Jeni vlerësuar me çmime e medalje të ndryshme si aktor,regjisor dhe skenarist. Çpërbëjnë për ju këto trofe, të fituara në skenat shqiptare dhe vënde të tjera?
Artisti është një personalitet poliedrik.Unë piksëpari jam aktor.Me regjisurë jam marrë paralel si dhe me aktrimin.Në teatrin shqiptar në Shkup ushtroja shpesh detyrën e regjisorit,i pakënaqur nga konceptet e ca regjisorëve jo shqiptarë dhe shqipfolës.Regjisura ime kish dhe ka vulën e sistemit e të menduarit shqip e shqipërisht.E njëjta gjë më nxiti dhe për skenarin si gjini e palëvruar sa duhet me që nuk kishim asnjë institucion ku do të realizonim veprat. Në fillim u mora me skenarë dokumentarë e më pas në redaksinë e programit shqip pranë televizionit në Shkup.Lëvrova me mjaftë sukses për here të parë zhanrin e tele poemës,bazuar kryesisht në perlat poetike shqiptare.Më vonë bëra skenarin e filmit të parë artistik ndër shqiptarët nën Maqedoni “Fatprerët” sipas romanit të Murat Isakut.E them me gojën plot dhe botërisht se të gjitha shpërblimet e fituara në këto fusha kanë qenë fryt i punës sime titanike si institucioni Xhevat Limani. Unë nuk kam pritur asnjëherë nga shteti,të cilin e kishim simbol të së keqes,ligësisë,diskriminimit dhe formave të rafinuara të linçit të kulturës dhe artit shqiptar. Këtë e dinë të gjithë qyqarët dhe lakejtë servile,që ulin bythën e kurrizin para pushtetarëve me shpresë mos u hedhin ndonjë kockë për ta lëpirë.Trofetë e mia janë relike që dëshmojnë betejat e mia në luftën e pambaruar.Kam humbur shumë privilegje shtetërore,por ama, jam krenar që mbaj ndezur flakën prometjane të Shqiptarizmit.Kam triumfuar mbi shijen e keqe siç do të thoshte Teki Dervishi dhe mbeta në “Harkun e Triumfit”duke dëshmuar Shqip,para Kombit e Atdheut.
Njiheni si ndër organizatorët e mitingjeve për aspiratat shqiptare,ndaj diskriminimit nga shteti maqedonas.E kishit menduar se kjo pjesëmarrje do të kishte pasoja ndaj jush?
Kur në vitet 90-të,shqiptarët nën Maqedoni po zgjoheshin me insistim të shumë personaliteteve,unë pranova rolin e tribunit me të vetmin qëllim të ndihmojë popullin tim që pushteti sllavo maqedonas që nga Kushtetuta e arnuar titiste e emërtonte si pakicë,i prirë nga kasapi Gligorov dhe argatët e tij shqip folës, duke dashur të prezantojnë një utopi paqësore.Natyrisht se isha i vetëdijsëm për pasojat.Në fillim kisha frikë,më tepër për familjen se sa për vete,por duke e mundur frikën shesheve të qyteteve bashkë me popullin tim, filluan proceset e zgjimit kombëtar të lëvizin.Merreni me mend në mitingun e parë askush nuk kishte guxim të fliste veç meje. Tani folësa kafenesh e broçkulla të tjera njeriu mund të dëgjojë nga më të marrëzishmet.Unë pranova të flijohem për popullin tim. Fati më desh, dhe Zoti më mori në mbrojtje që unë mbeta gjallë. Ndoshta pse unë ende nuk e kam kryer misionin.Pasojat erdhën atëherë kur u bindën se nuk mund të më blenin për as farë çmimi.Unë isha i bindur shqipërisht dhe sot ndjehem ballëhapur para popullit tim viktimë.Tani që jam arratisur larg,duke dremitur lirinë e popullit tim po e kuptoj pse gjatë leximit të shumfishtë të kryeveprës të Servantesit “Don Kishoti i Mançës”, nuk mund të parapëlqeja asnjë presonazh me formë njeriu,por gjithnjë pa ndonjë analizë të thellë zgjidhja ime ishte kali Rosinanti.Unë isha shpirt kryengritës si aktor,rihulumtues si regjisor me platformë të qartë dramaturgjike shqiptare,poet dhe shkrimtar me vulën e shpirtmërdhirit shqiptar që desha tua falë zjarrin me të cilin ngroheshin vetëm të shiturit dhe Satrapxhinjtë.Së fundi unë isha oratorë me shumë virtyte të larta dhe plotë përparësi që më kthyen në një tribun të vërtetë. Jo vetëm pushteti, por edhe mercenarët e partive shqipfolëse e ndjenin rrezikun e fjalë së lirë shqipe që po lëkundte themelet edhe ashtu të kalbura sintetike të kreaturës Titiste,ndaj vendosën për likuidimin tim.Dhe sot disa prej gërdallave që ngordhën dhe që kanë gisht në atentatin mbi mua në 22 mars 2002 në Tetovë,në shtëpinë e kulturës,ku demonstrohej paralel koncepti Makiavelist dhe i Monteskiesë,i forcës së pushtetarëve te cilëve po u luhatej posti,karriera dhe privilegja. Fati im ish që akti ndodhi në programin “Luftojmë terrorizmin”,nën tutelën e ambasadës amerikane në Shkup e Tiranë,realizues dhe përgjegjës i projektit isha unë. Desh Perëndia dhe mbeta gjallë.Mjerisht shumë kolegë e“miq”profiterë u gëzuan para kohe,duke menduar se vdiqa.Unë ende nuk e kisha kryer misionin tim.Kur do vijë koha,shpirtin që pranojmë të parin e dorëzojmë të fundit. Natyrisht edhe unë ashtu do të jem i bindur.
Pretendoni se jo në pak raste jeni ndier i zhgënjyer?
Unë jam optimist me parashikim profecie.E di se populli im nuk më ka zhgënjyer.I kërkuam ndihma na dha,e ftuam të dali në rrugë në mitingje e protesta,doli duke pranuar të shqelmohet,të përgjaket dhe të vritet për liri.Por liderët e shpifur nga premtimet e mëdha dhe boshe çfarë i ofruan vallë? Asgjë, përveç vazhdimit të diktaturës dhe robërisë. Popujt e mëdhenjë lindin nga një burrshtetas të medhenj gati në çdo 3oo vjetë,ndërsa ne krijuam heronjë prej balte dhe dylli. Bile u kënduan edhe këngë,por ata ranë ende pa mbaruar refreni i pare i këngës.Sa mjerim!Ky është zhgënjim për popullin tim durim shpirtmadhin. Asnjëri nga këta udhëheqësa të shpifur nuk reflektoi me vepra në zanatet e e tyre se profesione nuk di a kishin ata mjeshtra ngatërrestarë dhe imitatorë të inkzistente.
Ndoshta gjatë kësaj periudhe shteti maqedonas,policia kërkuan largimin tuaj nga Maqedonia,Çfarë fshihej pas këtyre kërcënimeve ?
Unë u largova me familjen time me që për kryet tim kishte çmim.Doja ta shpëtoj familjen time.Njërën vajzë e kisha në Tiranë.Ndërsa vajzën e madhe ma larguan nga Akademia e arteve në Shkup,dy ditë pas atentatit që mu bë mua.Ia kanë dhënë dokumentat në dorë duke i deklaruar idiotësisht,”Shko studio në Shqipëri, se babai yt Shqipërinë do”.Erdhi vajza duke qarë.Kjo skenë ish më e rëndë se atentati.Pas disa skenave dramatike në akademi,takova Zana Shuteriqin dhe ajo më këshilloi ta regjistroja në akademinë e arteve në Tiranë.Ashtu veprova. Me mua erdhi dhe Zana të më ndihmoi, por edhe atje burokracia kishte sharruar thellë.Nuk deshin ta regjistronin vajzën për të vazhduar studimet.Pas ecejakeve,korridoreve të ndryshëm institucionalë, ndodhi mrekullia.Më pranoi kryeministri Ilir Meta.E dinte tregimin tim përmes kanalesh diplomatike dhe me urdhër të tij rektori Kastriot Çaushi, solli indeksin në kryeministri. Puna mbaroi përtej situatave të neveritshme. Falenderova kryeministrin dhe të nesërmen u ktheva në Shkup. Pas dy ditësh se bashku me bashkëshorten time,fluturova për New York. Ateroja në tokën e bekuar pa ditur asnjë fjalë anglisht.Aty luhet drama ime personale.
Jeni pjesë e skenës dhe filmit,ndaj të cilave po flisni me shumë pasion dhe dashuri.Në cilën prej këtyre dyjave jeni ndier me i sukseshëm?
Natyrisht në teatër.Aty kam investuar tërë qenien time prej krijuesi.Të vetmin isntitucion që kishim ne shqiptarët e ngratë atje ishte ai gjysmë teatri.Po them gjysme teatri se skenën e ndanim me dramën turke.Pra diskriminimi fillonte që tek ditët e javës.Çdo teatër normal në botë ka repertoar javor,ndërsa ne kishim program gjysëm javor. Dhe po ta kërkoje të hënën për ditë provash nga administrate shtetërore dhe ministria e diskriminimit kulturor i kishin gati shigjetat plotë helm duke të akuzuar për nacionalizëm e separatizëm.Ky ishte absurditet profesional dhe politik.Po të kërkonim paga si sllavo maqedonasit na thoshin,ndani paratë e buxhetit dedikuar për shfaqje.Teatri pa shfaqje,është teatër.Sa i përket filmit duhet të ishe kuadër“vëllazërim-bashkim”që të hidhnin ndonjë zorrkë qorre sa për tu tallur me aktorët shqiptarë që të përbuznin edhe para opinionit vendës dhe të huaj,se nuk ka aktorë shqiptarë. Aktorë kishte,por filma, projekte,regjisura,skenarë dhe role për krijues me bindje shqip nuk kishte.Kosova filmi që ende e kish frerin e Serbisë na ftonte si individë sipas ndonjë interesi apo profiterie fisnore,klanore,apo kuadro të verifikuar të sistemit.Kur u hap Shqipëria pas viteve 90-të, filloi të na ftojë më tepër nga një detyrim patriotik se sa nga ndonjë rezultantë cilësish artistike.Morën guximin Kujtim Çashku dhe Esat Musliu të cilëve u shpreh mirënjohje publike.Kinostudioja u katandis në mjerim dhe gati po e coptonin ambiciozët për të shqyer kufomën që po drithëronte shpirt.
Njiheni si krijues i dy vëllimeve me poezi,tre librave mbi artin e dramaturgjisë-drama,dhe botimit të një romani.Ne cilën prej tyre ju jeni përballur me Xhevat Limanin?
Librin e parë poetik“Pranverë dimërore”e botova tek Shkupi, udhëhequr nga Azam Dauti, ku botova edhe librin e dytë “Albaniada” tetë drama. Më vonë në Prishtinë shtepia botuese “Buzuku”më botoi librat“Ora shqiptare”dhe”Anti memorandum”.Bashkë me gazetarin amerikan Gregory Lima.Ai kishte shkruar një novelë, ndërsa botova poemën “Unë Agron Mirdita”në shqip dhe anglisht.Para dy vitesh botova romanin“Artisti pa Atdhe”me elemente autobiografike dhe promemorje të bashkëkohësve të mi,si dhe të pishtarëve që kanë pasur misionin e komb ndriçuesëve.Kritika dhe lexuesi i ka mirëpritur.
Njiheni për skalitjen mjeshtërore artistike,ndaj figurës të Gjergj Kastriotit-Skënderbe,shfaqur me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë,ku së bashku me 100 burra struganë,ju përshkuat në këmbë, tre ditë rrugën nga Struga në Vlorë.Si e kujtoni këtë moment historik?
Iniciativa u përket atdhetarëve struganë Agim Dauti dhe Ajrush Miftari.Ata më lutën mua të qëndrojë në ballë të aktivitetit të veçantë kombëtar.Prezent ishte dhe miku im Adonis Filipi,regjisor i cili u entuziazmua nga ideja që me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë,100 struganë, burra dhe gra,djem e vajza, të marshonin nga qyteti i Strugës për në Vlorën historike.Punuam bashkarisht mbi katër muaj me një grup te mirë atdhetarësh të kulluar.Ftuam shumë personalitete që luhasin kot flamurin e atdhetarizmës, por ata nuk na u përgjigjën.Do të rikujtonim tetë struganët, pjesëmarrës në aktin e pavarësisë së shqipërisë në Vlorë,katër prej tyre firmëtarë të aktit të shpalljes së pavarësisë.Ky numër dinjitoz na motivoi edhe më tepër që të ecnim gjurmëve të rilindasve tanë dhe të ndjeheshim të barabartë me të gjithë të zgjedhurit e tjerë në këtë ngjarje të madhe historike.Unë u vesha me kostumin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe u përkujdesëm që të bëjnë rrugën bashkë dhe Adem Jashari duke e shoqëruar dhe mbrojtur plakun e urtë Ismail Qemali,të cilin e hypëm në një qerre të dekoruar me simbole kombëtare autoktone.Ishte një udhëtim plotë peripeci,lodhje dhe kënaqësi e ndjenjës së triumfit që ne bijt e flamurit me shkabë kujtonim Nënën Shqipëri,bashkë me mendjendriturin Babë,Ismail Qemalin.Pati përjetime të bukura dhe dramatike.Ne qëndruam në nivel të misionit dhe nuk u përulëm para lakejve, mercenarëve dhe argatëve profiterë. Detajet e tjera mund ti gjeni tek romani im “Artisti pa Atdhe”.
Si do e kujtonit sot çastin e largimit tuaj për në Amerikë,duke lënë pas një pjesë të shpirtit tuaj?Ishte Mars i vitit 2002.
Pas atentatit të 22 marsit 2002 u detyrova dhunshëm të largohesha në SHBA,për të shpëtuar veten dhe familjen nga kriminelët,mercenarët dhe tradhëtarët të ndërsyer nga ca laro e balo,që lëpinin kockat e policisë dhe pushtetit.Mora vendim me shumë dhimbje dhe insistim të disa miqve dhe përfaqsues të ambasadës amerikane.Kurrë nuk ma merrte mendja se do ta lëshoja teatrin,atë tempull ku kisha investuar tërë qenien time krijuese dhe vepruese.Prej Shkupi në New York,përmes Vjenës ishte një fluturim i gjatë mbi fole qyqesh e qyqarësh,korbash e laraskash,konesh e zagarësh shpirt mercenarësh, bukëshkalësh e tradhëtarësh,të cilët ngritën dorë publikisht për të linçuar një Artist. Prijësat e rekruatuar që nuk patën kurrë kod moral shëronin komplekset e tyre duke eliminuar zërin dhe shpirtin kryengritës të Xhevat Limanit, që po kthehej në një tribun absolut. Xhelozia, cmira, urrejtja, tradhëtia dhe ligësi të tjera, kaluronin Iliridës së mjerë. Të shpallen shpëtimtarë ca kalemxhinjë të rafinuar nga përgatitjet nëpër Beograd e Prishtinë,nën tutelën e liberalizmit jugosllav, do të thotë që robërisë sonë po i vazhdohej mandati.Policia vriste shqiptarë.Ushtria bashkë me policinë u shpalli luftë shqiptarëve. Ata rrinin në qeveri dhe kërcënonin luftëtarët, se do ti pastrojnë hesapet me ata banditë që po prishin rendin në”Oazin e Paqes”IRJM-së. Dhe përsëri Tirana e Prishtina nxituan ti marrin në mbrojtje sa edhe ti rehabilitojë këta metuzalemë politik. Nxituan të emërtojnë edhe rrugë. Hipokrizi. A ka burrë nëne të tregojë veprat e mëdha të këtij kalemxhiu anadollak.Intervistat e porosituar me pagesa të majme nuk llogariten vepra.Vetë fakti që shqiptarët nën Maqedoni vazhdojnë me problemet elementare për ta shmangur skllavërinë, flet qartë se atje nuk kishte vizionar, e as politikan të madh.
Sa i vështirë ishte fillimisht për ju,integrimi juaj në jetën amerikane?
Nuk e kisha te lehtë.Nuk dija asnjë fjalë anglisht.Isha i papërgatitur gjuhësisht për Amerikën.Kur nuk di gjuhë je si ai personazhi i Shurdhmemecit të Eugjen Joneskos tek drama “Këngëtarja tullace”. Motivi për të dëshmuar, ambicja krijuese dhe dinjiteti im prej aktori, më dhanë kurajo, forcë e gjetje që të nisë të fluturoj pa krahë. Herë më dukej vetja qesharak e herë idiot,por unë me çdo kusht desha të komunikoj me njerëzit,pra amerikanët.Flisja mbarë e prapsht shqip,frengjisht e gjermanisht tek-tuk vetëm e vetëm të bëj që të më kuptojnë bashkëbiseduesit e mij viktima.Ca ishin miq të mij,ca emra eminentë.Një nga viktimat të cilit i flisja më shumë se tri-katër muaj,duke menduar se ai më merrte vesh. Ishte publicist i madh Gregory Lima, një mik i madh i shqiptarëve dhe njëkohësisht përfaqsues jo zyrtar i zonjës Medlin Ollbrajt,sekretares së shtetit për çështjen e shqiptarëve të Kosovës në Rambuje.Më vonë e tregoi rrëfimin e bisedave tona duke cituar më shumë se 100 ditë:“Unë nuk merrja vesh asgjë se për cfarë më fliste Xhevat Limani.E luaja kryet dhe i pohoja sikur kuptoja çfarë thoshte ai, vetëm të mos ia ulja moralin dhe zellin që ai demonstronte kinse flet anglisht. Ai ia doli.Unë tani e kuptoj qartë.Jo në perfeksion,por mjaftë qartë.Unë mburrem edhe për këtë veprim timin, nëse mund ta quaj kontribut në suportimin e zotit Xhevat Limani që për bindjen time është një kryeartist. Nuk kam takuar më proamerikan se Xhevat Limani, se sa për shqiptar të madh që është nuk e vë në dyshim. I kam dëgjuar me dhjetra fjalime të tij. Xhevati është një tribun i lindur”,- thekson Gregory Lima (tanimë i ndjerë).Detajet mund t’i gjeni tek libri“Udhëtim në Maqedoni”,nga Gregory Lima.
Si do i vlerësoni bashkëpunimet me artistë shqiptarë në Nju Jork dhe shtete të tjera?
Ka Individë të talentuar por pak punojnë veprimtari artistike. U mungon vetë iniciativa.E kanë të vështirë të sigurojnë ekzistencën. Shumica detyrohen të punojnë punë të rënda.Pak kohë u mbetet për veprimtari profesionale.Artistët nuk mbështeten fare nga milionerët egoist dhe me tangarllëk antikulturë.Faj për këtë mbajnë edhe pushtetarët shqiptarë që sa herë vinë përvidhen mes lakejve dhe surrogatëve, pa suportuar fare individët krijues,qoftë edhe moralisht.Ky është vërtet kapitalizëm i ashpër. Mbijeto vetëm dhe triumfo vetë. Mosprit nga laro balot, të cilët gëzohen shumë nëse i ke punët keq. Artistët shqiptarë nderohen vetëm aq sa për të shfrytëzuar nga fama e tij, qoftë edhe për ndonjë foto hipokrizie.Ka edhe fisnikë që ndihmojnë artin, por ata janë shumë pak.
Keni krijuar Teatrin shqiptar në Amerikë. Ishte ky një hap i guximshëm dhe sakrifikues i juaj apo kishit dhe mbështetje nga artistë të tjerë? Si e vlerësoni punën dhe talentin, përkushtimin e artistëve të kësaj trupe?
Teatri shqiptar në Amerikë“Albanian Theatër in Amerika”, është institucioni i parë teatror ndër shqiptarët e Amerikës.E themelova vetë,pa ndihmën e askujt.Më ndihmoi vetëm aktorja angleze Vanesa Redgrave, me të cilën isha njohur gjatë luftës së Kosovës.Miqësia ime vazhdoi edhe në SHBA me aktoren e madhe dhe njëkohësisht mike të shqiptarëve. Vanesa për bindjen time është një Edith Durham i shekullit tonë.Ajo ka lindur të jetë artiste e madhe, njeri i mirë dhe humaniste e rrallë. Pa dashur të fyeja personalitetin e Konicës dhe të Nolit,prej të cilëve kam pasur çfare të mësoj, deklarova bindshëm dhe shqipërisht ,se as Noli e as Konica nuk dinë për teatër,nuk kanë pasur përgatitje profesionale,as talentin e dhuntinë e Xhevat Limanit. Bëra premierën e parë Anatema, një tekst i imi,me tre personazhe të Babazoti,Djalli dhe Engjëllina.Ishte kjo një histori dramatike ku në bosht të veprimit sillej e pështillej historia shqiptare përtej dhe këtej dymijëvjeçarit tragjik Pellasgo-Ilirik-Arbëror-Shqiptar.Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ngrita projektin, Unë Adem Jashari shkruar nga Lebit Murtishi dhe luajtur bindshëm nga Pajazit Murtishi,një pasionant i rrallë teatror.Deri tani kam punuar tetë premiera.Janë luajtur mbi 2oo here nëpër SHBA-së dhe Evropë.Unë mbaj llogari që në tetarin tim të ketë përparësi drama kombëtare.Të luajnë aktorë shqiptarë me krijues të spikatur shqiptarë.
Kohët e fundit jeni përkushtuar mjaftë realizimit të figurës së Skënderbeut në poemën dramatike“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.Sa kohë ju desh juve të realizonit këtë figurë gjigande të historisë të popullit tonë?
Mbi nëntë vite punova tekstin.Kisha shumë informacione historike,dokumentesh kronikale,udhëpërshkrime,letra,përshtypje,vepra autoriale shqiptare dhe të huaja.U njoha me burime folklorike,këngë,tregime,përralla,mite,anekdota dhe natyrisht materiale të panjohura arkivor.Pastaj shtrova platformën se bashku me aktorin holivudian Michael Tylo.Thirra për ndihmë durimin tim kreativ dhe vendosa bindjen time në embrionin e bërthamës për të rilindur burrin e madh,kryeheroin kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeu.Ishte një udhëtim i gjatë fantazmagorik,epik,lirik,dramatik,kronologjik, psikologjik,filozofik e strategjik. Nëse nuk funksionon koha e tashme, kot lodhesh me të kaluarën apo mundohesh për të ardhmen. E dija se po ballafaqohem me përgjegjësinë para publikut,popullit.Ti nuk mund të improvizosh me një figurë apo kryefigurë kombëtare.Duhen hulumtime konkrete në shumë plane,fusha,degë dhe disiplina shkencore,gjuhësore dhe artistike për tu ngjitur në “Harkun e Triumfit’.
Mendoni se mjekra e bardhë origjinale,sytë shkëndijues,fiziku juaj energjik,kanë ndikuar pozitivisht në realizimin me vërtetësi të Skënderbeut?
Aktori është i zgjedhur për shkak të dhuntisë,talentit,imagjinatës,anatomisë fizike, diagramit psikologjik,ngjyrimeve emcionale të gjuhës së tij, qëndrimit dhe raportit për tu distancuar nga e përgjithshmja,kolektivja, nga turmat dhe turret e injorancës kompiluese, plagiatore dhe imituese. Nëse e le figurën me të meta dhe shëmti improvizuese atëherë ti padashur po bën krim.Duartrokitesh apo fishkëllehesh.Ndoshta për hir të edukatës publiku del duke mërmërirë korridoreve apo bifeve teatrore. Në këso raste aktori ka nënshkruar rënien si personalitet krijues.Teatri nuk është jetë private.Është institucion që domosdoshmërisht i nënshtrohet gjykimit publik.
Një muaj më parë me projektin teatror “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” të Teatrit shqiptar në amerikë, ju organizuat një turne në Europë, Kroaci, Austri, Zvicër, dhe Francë. Kalabri etj.Sa u mirëprit kjo vepër artistike nga publiku europian i këtyre shteteve?
Gjergj Kastrioti Skënderbeu,atleti që mbrojti Evropën nga hordhitë otomane është simbol i dinjitetit evropian Ndjeja një borxh artistik e kombëtar për tia rikthyer Evropës plakë që mjerisht vazhdon me hipokrizi dhe demagogji duke shprehur mosmirënjohje dhe cinizëm nda popullit viktimë-Shqiptarëve. Në bashkëveprim me zotin Shuip Ziberi në Zagreb, zonjën Drita Cacaj dhe regjisorin Safet Musa në Vjenë,me shokun tim të idealeve Agim Sulejmanin në Lucern,me znj. Albana Krasniqi Malaj dhe Gani Bytyqi në Gjenevë dhe me vëllezërit Vardari në Paris,arrita të koordinojmë kohën,terminet,fluturimet dhe rrugëtimet,menaxhimet me teatrot e ndryshëm,prezentimet para publikut,seancat me gazetarët dhe fotoreporterët,mediat e shumta dhe takimet e pranimet nga përfaqsues eminentë të Ambasadave dhe konsullatave të Shqipërisë dhe të Kosovës, bën që ky turne të fitojë dimenzionin përtej artistik,historik e diplomatik.Të gjithë këtyre individëve të shkëlqyer u shpreh mirënjohje dhe falenderim publik ne emër të teatrit shqiptar në amerikë dhe në emrin tim personal.Vërtet u kënaqa me teatër.Veçmas falenderoj publikun shqiptar dhe të huaj që ndanë nga koha e tyre e çmuar dhe me pjesëmarrjen e tyre ngritën nivelin dhe shkallën aristokratike të shijimit të kësaj kryevepre. Kritika e përqafoi shfaqjen me shumë respekt dhe qasje profesionale. Misioni ishte ngadhnjimtar. Një turne të tillë deri më sot nuk ka organizuar asnjë teatër shqiptar, pjesa më e madhe e të cilëve subvencionohen nga shteti dhe taksapaguesit.Le të turpërohen para institucionit tim që po e mbaj gjallë me mendjen,zemrën,shpirtin,dijen dhe paratë e mia.Unë nuk dua të kursejë para nëpër banka.Gjithë pasurinë time dua ta investojë në vazhdimësi për të fisnikëruar popullin e zotit,shqiptarët si raca më e rrallë e sui generisit në Univers. Unë dua ti lë popullit tim, shpirtin dhe gjithë dashurinë time.
Çdo të thoshit për partneren tuaj në këtë shfaqje,sopranon Era Hoxha,e cila është njëkohësisht vajza juaj?
Gjatë kohë mendoja variante si ta prezentoj Donikën,një princeshë tipike e aristokracisë shqiptare,të bijën e Arianit Topisë, të cilën Skënderbeu nuk e bëri vetëm mik, ,por edhe partner strategjik.Skënderbeu theu një kod duke martuar princeshë shqiptare e jo të huaj siç vepronin pararendësit dhe pasardhësit jo të denjë të gjakut arbëror.Kështu ai duke bashkuar zemrat bashkoi kombin dhe dha shembullin më të ndritur si ndërtohet shtetësia dhe si funksionon natyrshëm vazhdimësia e trungut të madh Pellasgo-Ilir.Për skenë kërkoja një prezantim ndryshe.Me guxim dhe bindje angazhova vajzën time, soprano Era Limani-Hoxha në rolin e Donikës.Libretot e shkruara nga unë i kompozoi i shkëlqyeri Aleksandër Peçi, ndërsa Era duhej të këndonte ariet. Kjo nuk ishte aq e lehtë kur duhet të luante edhe të vallzonte skenat si aktore dhe natyrisht paralel të këndonte. Lypsej një teknikë e përsosur diafragme.E ftova në New York dhe i pagova specializimin gjashtëmujor tek kryemjeshtri i shkollës amerikane z. Kvok…Dhe ia dolëm me sukses. Provat filluan me ritëm uragan në një kohë ngushticë për të arritur termin në prag të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shqipërisë,projekt i cili u shkrua dhe u përgatit enkas për kremten e madhe të kombit shqiptar.Premierën e shfaqëm në tri qendra ne Tiranë ne 16 nëntor 2012,Prishtinë 18 Nëntor 2012 dhe Shkup 20 nëntor 2012. Më pas vazhduam edhe në qendra tjera.Ky projekt vazhdon e do të kulmojë me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Teatri shqiptar do të prijë me flamur këtë kremtim nacional nga dt 5 maji deri në 17 shkurt 2018-2019.Era dëshmoi talentin e saj të rrallë,ndërsa unë mbulova një borxh timin ndaj vajzës sime viktimë,që institucionet televizive antishqiptare nuk e angazhojnë vetëm pse është vajza e një disidenti,artist pa Atdhe.Ajo paguan tagrin e rëndë të politikave diskriminuese antishqiptare.Kjo më gëzon jashte mase.Era shumë shpejt,do triumfojë në shumë skena botërore.
Ndoshta një ditë“Skënderbeu”mund të flas anglisht për publikun amerikan?
Mendoj se kjo ngjarje do të ndodhë së shpejti.Variantin që luhet në shqip e ka përkthyer Michael Chugg,një gjuhëtar i shkëlqyer,me të cilin po mbaj orë perfeksionomi të ngjyrimeve emocionale në gjuhën angleze.Shpresoj se do të jetë një surprizë teatrore që pritet të ndodhë në Brodvej,New York.Shfaqja duhet luajtur anglisht për hir të një frekuentimi më të madh dhe prezentimi para popujve të tjerë që nuk kanë informacione për Shqipërinë dhe për shqiptarët aq sa duhet,për të pasur një imazh më konkret rreth përkatësisë sonë properëndimore.Vetë ideja e prezencës së luftëtarëve në radhët e ushtrisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga shtatëmbëdhjetë kombe të ndryshëm evropianë për të luftuar perandorinë osmane,rezulton drejt idesë së madhe Nato,që ka për qëllim të marrë në mbrojtje popujt e vegjël dhe të siguroj paqen.Strategjia e Skënderbeut sulmi me tërheqje mësohet lëndë në West Point,akademnë ushtarake në ShBA-së.Mes tjerash do të nderohet aktrimi shqiptar,i cili nuk qëndron më poshtë se shumë shkolla amerikane.Po përshpejtojmë procesin e rikrijimit të një shfaqje me dinjitet profesional dhe kombëtar.
“Kështjella”më e madhe e artit botëror,Holivudi,ka nisur të mendoj madje po punon për realizimin e filmit“Skënderbeu”ku skenari pothuajse ka përfunduar. Regjisori Joe dio Gruardi po përzgjedh aktorët,ku rolin e Skënderbeut do e luaj Hollivudiani,Russel Crowe.Ndoshta troket fati dhe ju bëheni pjesë e këtij fimi gjigand?
Kam lexuar e dëgjuar thashetheme dhe variante që do të doja të jenë të vërteta. Le të më lejohet të shfaq opinionin tim për këto lojëra jo profesionale.Pikë së pari shkruhet skenari.Joe Dio Guardi,të cilin e njohim dhe respektojmë si ish-kongresmen, i cili udhëheq gjatë kohë me ligën qytetare shqiptaro-amerikane dhe ka bërë shumë për çështjen shqiptare,veçmas për statusin e Kosovës si dhe në avancimin e proceseve në vendet tjera ku shqiptarët mbijetojnë diskriminime,genocide dhe forma të ndyra të skllavërisë moderne.Deri këtu Dioguardi me veprimtarinë e tij është një Skënderbe modern. Padyshim se Rasell Krou është aktor i shkëlqyer, dhe besoj se ai nuk ka nevojë të mërzitet nëse përkrah tij konkuron edhe ndonjë aktor shqiptar.Projekti për filmin Skënderbeu mendoj dhe besoj se duhet të bëhet nga shteti shqiptar në bashkëpunim me institucionet relevante filmike,qofshin ato edhe të kryekështjellës në Hollivud.Filmi i Skënderbeut i përket zhanrit historik dhe ka nevojë për ekspertë kostumesh, armatimesh të ndryshme të Lindjes dhe Perëndimit,shpata,heshta,shigjeta, përdredhore, harqehedhës, gurëhedhës e armë të ndryshme otomane. Vetëm kalorës të Skënderbeut duhen nja dy mijë e pesë qind figurantë kalorës e lere më për të gjetur e ushtruar aktorë, shpatues, mjeshtër skermash,dhe akrobatë të aftë të luftojnë mbi kale në lëvizje.Këto lojëra kërkojnë duzinë ekipe dhe ekspertë të rrallë të fushave specifike. Pa suportin e shtetit shqiptar çdo individ do të përplaste kokën për muri. Kam dëgjuar shpesh se nuk bën filmi i Horavës.Ne nuk kemi të drejtë të shajmë një vepër që është shpërblyer në festivalin prestigjioz të Kanës,aq më tepër nuk kemi të drejtë ta shajmë,pa krijuar një vepër që do te tejkalonte filmin ruso-shqiptar,kështu të themi.Për shumë motive tjera,jam në gjendje ti shtrojë në ndonjë debat profesional mbi filmin e Skënderbut në ndonjë televizion.
Sa ka ndikur prania e bashkëshortes tuaj Lule,si spektatore dhe kritike e parë e roleve dhe krijimtarisë tuaj?
Zonja ime Lule ka qenë,është dhe mbetet kritiku im sekret.Shija e saj e rrallë estetike, kultura e gjërë intelektuale,shoqëruesja dhe njohësja ime e rrallë në shumë aspekte. Durimi i saj për të gjetur detajet që ndonjëherë i kanë dalë mendsh edhe regjisorit,pastaj energjia e saj pozitive për të krijuar e jo për të kritikuar,i japin asaj të drejtë absolute jo vetëm ta shpreh mendimin dhe bindjen,madje të insistoj në rigjetjen e modaliteteve që do të më nderonin mua si aktor,regjisor dhe shkrimtar.Kur unë interpretoj në skenë,e di se ajo dridhet nga frika mos gaboj diku.Ndaj unë ndjej përgjegjësi të dyfishtë para publikut si dhe para kryezonjës sime. Kjo është dhuratë dhe privilegjë.Partnere jete më të mirë nuk do më kish dhuruar as Perëndia.E bukura rrëmbehet ndaj ia vlen edhe të vetëflijohesh.
Talenti juaj si aktor dhe regjisor,ka korrur sukses të padiskutueshëm në skenat mbarëshqiptare, në Shqipëri,Kosovë,Maqedoni,Luginë dhe Malësinë e mbi shkodrës.Cilat prej ngjarjeve më të rëndësishme nga këto vende mbetet ende e freskët në kujtesën tuaj?
Ka shumë por një ngjarje veçohet si e veçantë.Pjesëmarrja në festivalin e teatrove alternativ në Podgoricë në 1989,ku drama shqiptare merrte pjesë me dramën “Varrezë automobilash”,të Fernando Arrabalit.Shaqja ka ndodhur atë natë kur u suprimua autonomia e Kosovës.Një natë më parë ne pamë një shfaqje të teatrit Zvezdara të Beogradit,me një storie diskriminuese,raciste dhe genocidale në bosht të veprimit. Ne reaguam të nesërmen në këshill të festivalit.Ata premtuan se do kërkojnë falje në buletinin e festivalit,por as kjo nuk ndodhi,se urdhërat vinin nga dedinja e Francuska 7. Ne atëherë në prezencë të publikut në sallë,afer 700 vetë, nuk deshëm të luajmë shfaqje në shenjë proteste. Sipas marrëveshjes me Sefedin Nuredinin e Bajrush Mjakun,unë dola para publikut dhe informova shkurtimisht publikun e pafajshëm,se nëse nuk kërkohet falje publike ne nuk do të luajmë shfaqjen.Ne kishim shkuar në festival për të bërë garë artistike e teatrore e jo të abuzonim ne emër të artit,siç ndodh shpesh me struktura të rekrutuara politike teatrore. Pas një pauze gati mbi një orë, më kujtohet politikani Cetiniç doli para publikut dhe na kërkoi falje publike dhe se raste të tilla nuk do të përsëriten më. Ne e luajtëm shfaqjen me shumë motivacion hakmarrës artistik dhe politik..Pas mbaroi shfaqja shkuam të pushojmë në hotel. Nuk kaloi as një orë,kur erdhën forcat speciale dhe na përzunë prej hotelit dhunshëm. I hipëm autobusit të Latos,një vjetërsirë që nuk ecte më shumë se 45 km në orë , dhe bëmë udhë tërë natën makabër.Kur kaluam Prishtinën, tanket e ushtrisë jugosllave pandalim vinin nga Shkupi. Kishte dy tre sllavomaqedonas në stafin teknik dhe filluan të qanin. Atë natë Serbia pushtoi Kosoven.
Shpesh herë lëvizni në itenerarin Nju Jork-Tiranë-Prishtinë-Strugë.Çdo të thotë për ju,të ndodhesh në këto vende?
Aktori në fillim ka një rrugë,drejt e në çerdhen e tij,në teatër.Foleja ime e pare ishte Shkupi.Kur teatri ynë filloi të korrë suksese të veçanta na u hap rruga për në Prishtinë. Atje sikur verifikonim statusin dhe nivelin e shijes artistike profesionale.Dikur vonë nga vitet 90-te, u hap Shqipëria me rënien e komunizmit dhe ne hapëm edhe kryeçerdhen për të luajtur,vepruar dhe garuam me kolosët e mëdhenjë të artit shqiptar,Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën,Ndrekë Lucën,Tinka Kurtin,Margatita Xhepën,Bert Ndrenikën,Agim Qirjaqin,Bujar Asqeriun,Ndriçim Xhepën etj.Pasi filluam të bashkëpunojmë më tepër në lëmin e teatrit se sa të filmit,kuptuam se edhe gjenerata ime nuk ishim aspak më të vegjël se kolosët e Shqipërisë londineze..Bile takimin e fundit të festivalit mbarëkombëtar e organizuan në Vlorë,ku në shenjë hakmarrjeje dhe animaleske na thyen makinat mua Xhevat Limanit dhe Enver Petrovcit.Organizatorët regrutonin në paravijë ca si kalamuca student regjisure kinse,të cilët sot për fat të keq administrojnë me qasje antishqiptare teatrin kombëtar në Tiranë.Pas atentatit në vitin 2002 unë aterova dhunshëm në New York.Me që nuk dija asnjë zanat tjetër, themelova teatrin shqiptar në Amerikë.
Ende pa marrë“frymë”mirë nga kthimi i shfaqjeve në disa vende në Europë, sërish niseni për në Shqipëri për një tjetër event arti me vlera mbarëkombëtare. Cili do të jetë aktori Xhevat Limani në këtë event?
Asociacioni kulturor “Jehona shqiptare”, e udhëhequr nga znj. Mira Korançe me president juri znj. Margarita Xhepa,në kuadër të festivalit të fëmijëve shqiptarë,pjesëmarrës nga 14 shtete ne botë, për mbrëmjen finale kish paraparë një gala program festiv duke kremtuar edhe 10 vjetorin e Asociacionit.Më bënë ftesën një muaj para,mirëpo unë sikur nuk desha të merrja pjesë pasi sapo isha kthyer nga turneu i madh evropian me projektin Gjergj Kastrioti -Skënderbeu.Pas insistimit të zonjës Mira Korançe, e cila edhe më kumtoi,për ta mbajtur sekret deri natën finale,se mua Xhevat Limnani më kishin shpallur,”Ikonë e Aktrimit Shqiptar”,dhe se do te ishte mirë që te isha prezent.Unë pranova vetëm për faktin se kjo dekoratë ishte artistike e jo politike,se realisht artisti është opozitë dhe vetëm opzitë e pushtetit.Natyrisht dhe me dëshirë e ambicje për të dëshmuar propozova të deklamoj nja dy meze të veçanta të zanatit tim,siç do të thoshte princ Hamlet në Elsinor.
Kthimi nga Kalabria dhe Bujanoci?
Me ftesë të Zonjës Lucia Martino shkova në Kalabri për të parë premierën e komedisë “Kur vemi në New York”.Në Kalabri,veçmas në Frasnita rigjeta ëndrrën e motit të madh. U premtova se do shkoj përsëri për të vënë një dramë me tematikë arbëreshe.Tekstin do ta shkruajmë bashkë me zonjën Lucia Martino dhe natyrisht do te luhet në të folmen arbërisht.Kam zgjedhur disa personalitete të veçantë dhe me talent për të krijuar një vepër të mirëfilltë artistike që do të merrte karakter dhe mision reprezentues të vlerave shpirtëorere,gjuhësore,koreografike dhe kostumografike autoktone të “Motit të Madh” Skenderbegian.Pas vizitës katërditëshe u largova nga Kalabria me mallin e madh dhe etjen të rikthehem për ta plotësuar premtimin e dhënë.Dy ditë më vonë shkova në Bujanoc,në një takim kurbetqarësh e bashkëatdhetarësh.Në sheshin e qytetit u mbledhen mbi 5000 vetë. Atje deklamova shqipërisht Naimin dhe Fan Nolin, dy dishepuj të fjalës së zjarrtë Shqipe.U duartrokita gjatë.Falenderoj publikisht organizatorët,publikun dhe veçmas biznesmenin Aqif Haziri nga Zvicra.
Cili do të jetë nesër,maratonomaku i artit shqiptar Xhevat Limani?
Mendoj se shumëe shpejt do ti përkushtohem filmit.Jam angazhuar në tri projekte filmi, në SHBA,Kosovë dhe Shqipëri.Shpresoj se do të tentojmë të bëjmë diçka konkrete.Po kështu jam në përfundim të dy librave të rinj që padyshim priten të botohen së shpejti.Gjithësesi synoj të jem si kurdoherë me këmbë në tokë dhe optimist për të nesërmen.
INTERVISTOI :FADIL SHEHU
Florida.Shtator 2017