• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova- Luftrat e tjera

November 29, 2013 by dgreca

Nga Zeno Jahaj/

Për Kosovën duhet të zhvillohen, së paku, edhe dy luftra.Luftën e parë e ka vetë Kosova me vetveten. Të bëjë shtet. Përndryshe nuk do të mundë të kuptohet as me fqinjët që kanë mbi një njëqindë vjet mbretërira apo shtete.

Luftën tjetër e ka Europa me vetveten, më saktë zemra e Europës me periferinë e vet, e cila ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Zemra e Europës e njeh Kosovën. Përkundrazi, pesë shtete të periferisë së Europës nuk e njohin atë.

Dikush thotë që arsyeja pse Spanja, Greqia, Sllovakia, Qipro apo Rumania nuk e njohin Kosovën është se këto shtete vuajnë vetë probleme të heterogjenitetit të popujve të tyre e, për rrjedhim, tremben se mos njohja e pavarësisë së Kosovës bëhet shembull për prirjet shkëputëse në to. Kjo mund të jetë një arësye, por jo e gjithë arësyeja, madje jo arsyeja themelore. Katalonja nuk i lindi sot Spanjës. Rumanisë nuk ia nxiti Kosova Transilvaninë. Sllovakia u nda shumë më përpara sesa Kosova. Qiproja ka afro gjysmë shekulli që po ha çfarë gatoi sëbashku me Greqinë. Nuk ishte Kosova si shembull.

Arësyeja e vërtetë qëndron tjetërkund: Spanja, Greqia, Rumania, Qipro e Sllovakia kanë mbetur periferia e Europës, jo vetëm në gjeografi. Papunësia në zemër të Europës është deri në 10%, në periferi ajo shkon sa dy e trefishi, pikërisht me Spanjën e Greqinë të mbajnë rekordet. Pikërisht këto vende renditen me ardhurat më të pakta për frymë në krahasim me tërë vendet e tjera të Bashkimit Europian, me Sllovakinë në vendin e 41-të, Rumaninë në vendin e 60-të, Greqinë në vendin e 42-të e Qipron në vendin e 40-të. Do të ishin pikërisht këto shtete, të cilat, me shpërdorimin e borxheve ndaj Europës, e vunë në pikëpyetje vetë egzistencën e Bashkimit Europian.

Por pas patriotizmit periferik europian për të mos pranuar realitetin e Kosovës duket se qëndron një arësye akoma më e thellë. Spanja e vuan akoma që shtatë shekuj i kaloi nën pushtimin mysliman e arab. Greqia, Qipro e Rumania duket se kanë të vështirë të ndahen nga pasojat e biznatinizmit e nga katër shekujt nën sundimin otoman. Sllovakia vuan akoma inferioritetin e një vendi që ka vetëm njëzet vjet identitet si shtet-komb.

Kësisoj Kosova më së pari duhet të merret me veten. Përkatësinë europiane ta plotësojë me standarde europiane. Të ruhet të mos bjerë në mentalitete, sjellje apo orientime jashtëeuropiane. Për të arritur këto standard, Kosova ka një fat të madh: ka me vete zemrën e Europës, praktikisht atë pjesë të Europës e cila, në Kosovë dhe për Kosovën, bëri luftën e parë të saj për vlera dhe jo për territore.

Lufta tjetër e Kosovës është që, në krah të zemrës së Europës, të fitojë periferinë e Europës.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, luftrat e tjera, Zeno jahaj

Mbetëm me kokën pas…

October 27, 2013 by dgreca

Shqipëria do mbetet përjetësisht e verbër në në ekonomi, në kulturë, në civilizim, në tregëti, në emnacipim kombëtar, në vëmendje e në prestigj, nëqoftëse merret me rrugë fshatrash e nuk respekton gjeopolitikën, domethënë qendrat gjeopolitike të rëndesës. Për shembull, nëqoftëse nuk arrin të ndërtojë një “Suez” që të lidhë Romën me Stambollin. Një amanet që na e ka lënë 100 vjet më parë edhe Ismail Qemal Vlora, Babai i Kombit Shqiptar./

Nga Zeno Jahaj/

Në Prizren, në kryeqendrën kombëtare ku u bë prova e parë gjenerale e një qeverie shqiptare në kohët moderne, miku i ftuar, Kryeministri turk, jo në një konferencë shkencore, as në një deklaratë zyrtare, përkundrazi, në një sofër tradicionale, tha se Kosovën e donte shumë, aq shumë sa ajo për të është Turqi. Kryeministri i Shqipërisë, i ftuar edhe ai, jo privatisht, jo si byrazer, por si Kryeministër, natyrisht që do të respektonte afeksionin e mikut turk. Nuk bëhet fjalë që i zoti i shtëpisë të mos ndjehej mirë. Kaq ishte gjithë historia.

“Tungjatjeta vëlla,” “Ç’kemi vëlla” i përshëndesim të gjithë, përveç vëllezërve. Vëllezërve s’kemi pse ua kujtojmë që i kemi vëllezër.

Otomanët nuk e kishin dhe as nuk mund ta kishin kurrë forcën t’i bënin vëllezër shqiptarët apo ballkanasit e tjerë, jo për 500, por as për një mijë vjet. Se kombet nuk bëhen vëllezër, edhe sikur t’i mbash me bukë 500 vjet, pa le më t’i shtypësh 500 vjet.

Turqia ka sot të tjera mundësi e nesër do të ketë akoma më shumë mundësi. Turqisë i ka ardhur koha të ribëhet, në mos kryeqendër, të paktën një nga dy-tre qendrat që do ekuilibrojnë kontinentin e ca më tej. Por me orë e balanca të tjera, jo me orë e balanca perandorake.

Shqipëria mjaft ka gabuar me balancat. Nuk na falet të gabojmë më tej.

Shqipëria do mbetet përjetësisht e verbër në në ekonomi, në kulturë, në civilizim, në tregëti, në emnacipim kombëtar, në vëmendje e në prestigj, nëqoftëse merret me rrugë fshatrash e nuk respekton gjeopolitikën, domethënë qendrat gjeopolitike të rëndesës. Për shembull, nëqoftëse nuk arrin të ndërtojë një “Suez” që të lidhë Romën me Stambollin. Një amanet që na e ka lënë 100 vjet më parë edhe Ismail Qemal Vlora, Babai i Kombit Shqiptar.

Për këtë, po, ia vlen të kthejmë kokën pas.

Filed Under: Komente Tagged With: mbetem me koken pas, Zeno jahaj

Java e Kadaresë, domethënë e Shqiptarëve…sy e veshë nga Stokholmi

October 8, 2013 by dgreca

Shkruan: Zeno Jahaj/

Java është e Kadaresë, domethënë e Shqiptarëve: Juria e Stokholmit do të ketë në dorë të tregohet e drejtë në peshoren e vitit për në dhënien e Çmimit Nobël për letërsinë, ku, një ndër tre kandidatët e mundshëm është edhe Ismail Kadaré.

Çmimi Nobël është një ankth jo i vogël për botën dhe ajo tashmë ka folur. Instituti i një vendi Ballkanik shkruan me këtë rast se Kadaré është zë unik në letërsi. Një studjuese tjetër – edhe kjo nga një vend Ballkanik shkruan: “Unë do të duhej t’a urreja Kadarenë, sepse unë jam Maqedonase dhe ai është Shqiptar dhe dy popujt tanë kanë qenë armiq në shekuj dhe shkuan në luftë një dyzinë vitesh më parë…Por  Kadareja duhet të jetë fitues i Çmimit Nobël për Letërsinë për vitin 2013 sepse ai zgjedh të ndriçojë mendimin për gjëra që nuk janë komode si për atë, edhe për ne.” Ndërsa pak kohë më parë, një revistë e një vendi tjetër fqinj e cilësonte Kadarenë një nga shkrimtarët më të njohur të botës sot: “Ka gati dyzet vjet që e keni fituar këtë status, sidomos në Perëndim, por, kohët e fundit, edhe në vendet e ish-Lindjes. Kritika botërore është treguar bujare me ju. Krahasimet me Homerin, Danten, Kafkën nuk mungojnë. Ka vlerësime tepër të larta për veprën tuaj, për rolin emancipues të saj.”

Pas shkrimit të paradokohshëm të revistës prestigjioze amerikane “World Literature today” “Pse Kadaré duhet ta fitoje Çmimin ‘Nobel’ për letërsinë më 2013’, një gazetë e përtej oqeanit “La tercera” e Kilit e rendit atë në treshen më të diskutueshme për Çmimin e Madh.

Por çuditërisht Shqipëria hesht edhe kur mund e duhet të flasë. Shqiptarët mund të dëgjohen, se edhe të tjerët dëgjohen jo pak:  dy grekë, një serbo-kroato-boshnjak, nje bullgar e një rumun e kanë fituar këtë titull. Një Shqiptar, jo. Nënë Tereza, Themeluese e Misionarëve të Bamirësisë, në statistikat e Stokholmit rezulton e lindur në Uskub, Perandoria Otomane, tani Skopje, Republika e Maqedonisë e, për këtë arësye, çmimi njihet se i ka shkuar atij vendi!

Si me mallkim, shqiptarët gërmojnë vetëm në të pabërat për të mos iu dhënë zë vlerave, kontributeve dhe personaliteteve shqiptare që kanë hyrë në historinë tonë kombëtare dhe në atë Europiane e më gjerë, duke u renditur si të tillë në pasuritë shpirtërore të Europës. Harrojmë se kur nuk e bëjmë ne këtë zë, kur mendojmë se na bën më mirë modestia, apo kur e vuajmë si kompleks faji ndonjë përzgjedhje të gabuar politike të aplikuar përgjatë hstorisë, atëherë vlerat tona, në rastin më të mirë, humbasin, ndërsa, në rastin më të të keq, shpërdorohen e deformohen, përqeshen e fyhen derisa, më në fund, të tjerët i përdorin si kapital politik për defaktorizimin e Shqipërisë e të shqiptarëve.

Një libër me “letra intime” të Nënës Terezë, në të cilat ajo, gjoja, e paska mohuar Zotin dhe Krishtin, shpallet best-seller në Europë! Heshtën dhe heshtin ende politikanët, akademikët e klerikët shqiptarë për këtë fushatë kundër shenjtërimit të Nënës Terezës.  

Një makineri e tërë errësirëprodhuese – e mbështetur çuditërisht edhe nga shqiptarë, që Ismail Kadaresë – simbolit kombëtar të letrave shqipe, të mos i jepet çmimi Nobël!

Pse ky inat për të zhbërë vetveten, emrat, lavditë, kujtimet, vlerat, historitë, gurët, perënditë që na i ka rikrijuar aq nobelisht Kadareja? Pse duhet t’i kujtojmë botës se Kadareja lindi, u rrit dhe mbijetoi nën diktaturë komuniste? Edhe Aleksandar Solženjicin, u rrit e mbijetoi nën diktaturë komuniste, por rusët nuk ia kujtuan këtë. Edhe Czesław Miłosz u rrit e mbijetoi nën diktaturë komuniste, por polakët nuk ia kujtuan këtë. Edhe Jaroslav Seifert u rrit e mbijetoi nën diktaturë komuniste, por çekët nuk ia kujtuan këtë. Edhe Gao Xingjian u rrit e mbijetoi nën diktaturë komuniste, por as kinezët nuk ia kujtuan këtë.

Ne nuk jemi një vend e një popull aq i vogël, as i humbur diku në fund të globit që të mos e kemi një Nobelist! Shkrimtari Vidiadhar Surajprasad Naipaul është nga Trinidad-Tobagoja, një shtet sa çereku i Shqipërisë zyrtare në popullsi e në sipërfaqe, por bashkatdhetarët indiano-afrikanë të shkrimtarit arritën deri në Stokholmin e krahut tjetër të globit për të fituar një Nobelist! A nuk ndjehemi të gjithë të çmuar kur shohim se shkrimtarë, publicistë dhe autoritete me zë në forumet e letrave europiane shprehin çudinë se pse tkurret Stokholmi ndaj kalibrit të jashtëzakonshëm të këtij shekulli, shkrimtarit universal me traditë narracioni që e ka origjinën nga Homeri?

Natyrisht Juria e Stokholmit është një mision, një institucion, një lloj selie e shenjtë. Të Premten datë 11 Tetor, Juria e Stokholmit do të shpallë fituesit e Çmimit Nobel për vitin 2013. Ajo duhet të bëjë misionin dhe misioni tashmë i ka shkuar Kadaresë: E gjithë vepra e tij është misionare, domethënë jo vetëm Shqiptare.

Por Juria e Stokholmit e bën edhe gjeopolitikën. Dy grekë, një serbo-kroato-boshnjak, nje bullgar e një rumun janë tashmë nobelistë, por mund të ndjeheshin më mirë nëse do të kishin arritur shkallën e emancipimit të Kadaresë: “Në Ballkanin e tkurrur, të sotëm… janë tre popuj që e mbajnë veten dhe, me sa duket, ashtu janë vërtet, si më të pashmangshmit: shqiptarët, sllavët dhe grekët. Nuk janë vetëm tre popuj bashkë në zonat e veta, por janë tri qytetërime, me tri kultura, me tri gjuhë (madje secila me alfabetin e vet: latin, cirilik dhe grek). Ballkanet nuk mund të përfytyrohen, qoftë dhe pa njërin prej këtyre përbërësve. Të ngulur prej shekujsh në këtë rajon të Europës, ekzistenca e asnjërit prej tyre nuk mund të kushtëzohet prej tjetrit. Në rast ndërlikimesh, me hir apo me pahir, jemi të detyruar të merremi vesh.”

Shqipëria, qeveria, ambasadat, institutet, shqiptarët, miqtë, mund të bëjnë të tyren. Natyrisht që Çmimi Nobël është meritë, por ai është edhe gjeopolitikë e pse jo, edhe politikë e lobing. Një vend “peshohet” edhe me numrin e çmimeve Nobël që i kanë shkuar. Çmimi Nobël për Kadarenë është edhe një Çmim i Shqipërisë për në Europën e Bashkuar.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Cmimi Nobel, Java e Kadarese, Stokholm, Zeno jahaj

MIRËNJOHJE MBIJETESËS SHQIPËTARE

November 22, 2012 by dgreca

Nga Zeno JAHAJ/

Ne e dijmë se historia e Shqiptarëve dhe e Shqipërisë është histori mbijetese. Gjeopolitika na vendosi në buzë të briskut pothuaj në të gjitha kohërat. Por ne e dijmë gjithashtu se më të fortët mbijetojnë. Ky është ligji themelor i evolucionit. Po kush e rrezikoi dhe e kërcënoi mbijetesën Shqiptare? Ç’forcë madhore e siguroi këtë mbijetesë? Kujt duhet t’i jemi mirënjohës?

 Zanafilla/

Etërit e kombit tonë e shkruajtën qartazi zanafillën në këngën për kombin: “Zoti vetë e tha me gojë që kombe shuhen përmbi dhé,
por Shqipëria do të rrojë”. Shqiptarët, pra, kur i bëri Zoti, i vendosi njëherë e mirë në trojet e tyre të përjetëshme. Qyshse nisën shkrimet, të gjithë njerzit e shkrimeve, të të gjitha vendeve, edhe ata të kombeve të tjerë të ardhur në këto anë, pohuan vetëm atë çka pat thënë Zoti. Nuk mund të pohonin ndryshe, edhe pse mund të dëshironin të ishte ndryshe.

 Identiteti Shqiptar – palca e mbijetesës.

Kombe të tjerë erdhën e ikën nga këto anë. Disa prej tyre mbetën, të tjerë u tretën. Shqiptarët mbetën po ata. Të ardhurit në këto anë ëndërruan dhe punuan shumë për të tjetërsuar Shqiptarët, duke sjellë me vete fuqitë e tyre me emra zotash, gërmash, racash, besimesh, kultesh: me zotat e tyre, për të t’iu ngatërruar Zotin vendasve; me artet e tyre për t’u dukur ndryshe nga ç’ishin; me shkrimet e tyre për t’iu humbur kujtesën vendasve.

Shqiptarët, përkundrazi, jetuan me Zotin dhe besimin e tyre të parë dhe të fundit: se ishin njësh me këto anë, në një marrëdhënie të përjetëshme, të patundëshme, të pashqitëshme; se kushdo që do të vinte, do të duhej të ishte vënë në dijeni se këto troje e kishin tashmë të zotin e tyre, të bekuar madje për t’a gëzuar atë përjetësisht.

Kjo ishte bindja, besimi dhe siguria e Shqiptarëve të parë, perëndia e tyre, njëjtësia e tyre, pandryshueshmëria e tyre, fuqia e tyre, kulti i tyre.

 

Shqiptarë dhe Europianë

 

Shqiptarët janë në rrënjë të Europës. Të gjithë njerzit e shkencës botërore, edhe ata të kombeve të tjerë të ardhur në këto anë, gjejnë vetëm një pemë racash e gjuhësh Europiane: atë ku shqipja është në rrënjë.

E gjithë kujtesa dhe të tëra ëndërrat e Shqiptarëve dhe e Shqipërisë janë historia e një race Europiane. Por ka një epokë mjaftueshmërisht sublime në jetën e Shqiptarëve për ta shfaqur këtë: Qëndresa kundër Otomanëve thuajse të vetëm, madje tepër, tepër gjatë në kohë, krahasimisht me thellësinë e tyre të pakët strategjike dhe me burimet shumë të kufizuara njerëzore e materiale. Europa ishte aq mirënjohëse dhe ua njeh këtë borxh Shqiptarëve përderisa pati mirësinë t’a çmojë Gjergj Kastriotin – Prijësin e Madh Europian të Shqiptarëve – me titullin më të lartë të nderit: “Kalorës i Krishterimit”.

Pushtimi Otoman që zgjati disa shekuj, synoi dy nga qendrat më jetësore të Europës: Vienën dhe Romën. Synimi për të marrë Vienën mbeti një ëndërr. Synimi për të marrë Romën dështoi plotësisht. Shqiptarët vuajtën pjesën e vet, madje shumë të dhimbëshme në këtë qëndresë. Kundërqëndruan. Qëndresa ushtarake Shqiptare, krahas faktorëve të tjerë, pati rol vendimtar për sigurimin e hapësirës Jugëlindore të civilizimit Perëndimor.

Çka është më e rëndësishme vjen pikërisht pas kësaj qëndrese: Përballja Otomane në trojet Shqiptare iu kostoi aq shumë Shqiptarëve sa iu përgjysmoi burimet njerëzore. Në këto kushte, për të mbijetuar, Shqiptarët toleruan fenë për të mbetur Shqiptarë, për të mbetur vetja e tyre, domethënë Europianë. Kjo është aq shumë e rëndësishme sa meriton të përsëritet: Shqiptarët toleruan fenë për të mbetur Shqiptarë, domethënë Europianë.

Europianëve, mund t’iu duket disi i çuditshëm ky pohim dhe mund të pyesin: Po popujt e tjerë Ballkanikë që nuk toleruan në fe, nuk mbetën vetja e tyre?

Sigurisht që kanë të drejtë të habiten dhe kanë po aq të drejtë të pohojnë se popujt e tjerë Ballkanikë që nuk e ndërruan fenë, mbetën vetja e tyre. Atëherë cili është ndryshimi? Ç’bënë apo ç’nuk bënë Shqiptarët që, edhe pse ndërruan fenë, mbetën vetja e tyre?

Ndryshimi qëndron pikërisht këtu: Të tjerë popuj Ballkanikë që nuk toleruan në fe, me të vërtetë mbetën vetja e tyre, por ata as nuk mund të bëheshin, as të mbeteshin Europianë, sepse ishin vetëm gjysmë-Europianë. Në të kundërtën, Shqiptarët, nuk mund të bëheshin ndryshe, as nuk mund të mbeteshin ndryshe, përveçse Europianë. Sepse ishin vetëm Europianë.

Shqiptarët toleruan myslimanizimin pikërisht për të mbetur Shqiptarë dhe mbetën Shqiptarë pikërisht për të mbajtur Europën në Ballkan. Ajo që ka ndërruar kombi Shqiptar është thjeshtë emri i fesë dhe jo feja vetë. Popuj Ballkanikë që nuk e ndërruan fenë, me të vërtetë mbetën vetja e tyre, por mbetën brenda përzjerjes ideologjike të Pan-Sllavizmit, Ortodokësisë Politike dhe Komunizmit, saqë u bënë luftëtarë për të fshirë nga Ballkani edhe atë pak Europë që kishte mbetur.

 

                      Gjeopolitika e Europës

 

E qarkuar në Veri, në Perëndim dhe në Jugë vetëm me dete e oqeane, gjeografia i fali Europës burime të begata dhe ritme krahasimisht shumë të larta zhvillimi. Siguria e Europës ishte siguria e detrave dhe e oqeaneve. E gjithë Europa, veçanërisht ajo Perëndimore, ka qenë gjithnjë e kushtëzuar nga liria e veprimit në detra e oqeane. Çfardo kombinacioni fuqish të mëdha që do të prekte këtë status të saj, do të ishte i patolerueshëm. Ishujt, kalimet, ngushticat, rrugët detare, etj, kanë qenë dhe mbeten jetësore për Europën. Cilado fuqi që do të kërcënonte këtë interes jetësor të saj, pavarësisht nga përkatësia gjeopolitike, gjeostrategjike, shtetërore, kombëtare, fetare, apo kulturore, do të përballej ushtarakisht me Europën. Këtu është edhe baza e konfliktit shumëshekullor që edhe vetë Europa pati me vetveten.

Vetëm në Lindje, gjeografia i ka rezervuar Europës një fat të ndryshëm: vetëm në Lindje Europa merr e jep me tokë, jo me det. Vetëm në Lindje, Europa ëshë e lidhur me “ingranazhe” apo “kthetra” të tjera që quhen kufij politikë. Aty fillon ndeshja për thellësi ekonomike, tregëtare, etnike, të mbrojtjes e të sigurisë. Aty konflikti për hapësirë është i përjetshëm.

Europa pra, është rrezikuar vetëm në Lindje dhe kërcënimet kryesore kanë qenë dy: Kërcënimi Otoman dhe kërcënimi Rus. Por kërcënimi Otoman, në origjinë dhe në zhvillim, mbeti kryesisht një kërcënim tokësor. Në dallim, kërcënimi Rus në origjinë ishte kërcënim tokësor, por në zhvillim ishte një kërcënim kryesisht detar.

 

                          Kërcënimi Otoman dhe Shqipëria

 

Turqia synoi dy nga qendrat më jetësore të Europës: Vienën dhe Romën. Synimi për të marrë Vienën mbeti një ëndërr. Synimi për të marrë Romën dështoi plotësisht: përpjekja Otomane për të pushtuar Otranton rezultoi në një inkursion të mallkuar.

Në të dyja rastet, gjeografia Shqiptare rezultoi të ishte vendimtare për aq sa populli Shqiptar pati fuqi të ushtrojë qëndresën. Qëndresa ushtarake Shqiptare, edhe pse heroike, nuk mund të zgjaste pa fund. Thellësia strategjike dhe burimet njerëzore e materiale Shqiptare nuk premtonin më shumë. Mbështetja financiare nga Europianët pati gjithashtu një fund. Për më tej, populli Shqiptar do të detzrohej të përdorte një instrument unik qëndrese: ruajtjen e identitetit të vet, identitetit Europian, të kombit, të gjuhës, të zakoneve dhe kulturës Shqiptare. Në këto kushte, Roma dhe Viena, më të rrezikuarat nga pushtuesi Otoman, mbetën të interesuara dhe të përkushtuara për të stimuluar këtë qëndresë të gjatë anti-Osmane të shfaqur tanimë si një hapësirë identiteti Europian në Gadishullin Ballkanik.

George Fred Uilliams, Ish Ministër-Ambasador i Amerikës në Greqi e Mal të Zi dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar në Durrës në fillimshekullin e ’20, do t’a përcaktonte në mënyrë të përkryer këtë “kimi” Europiane ndaj Shqipërisë:

“Austria dhe Italia urdhërojnë ose komandojnë detin Adriatik përveç ballit të Shqipërisë. Këta dy shtete kanë pritur mepadurim vite me rradhë rastet për të shtirë në dorë portet e këtij vendi. Ata kanë shpenzuar të holla duke mbajtur në Shqipëri agjentë dhe shkolla për të shtuar ndikimin e tyre mbi këtë popull. Të dy këto kanë pritur ditën kur “i sëmuri i Lindjes” do të varrosej në anën tjetër të detit Egje. Mbi dy pika Austria dhe Italia qenë posaçërsisht në marrëveshje: e para, që asnjëra prej tyre të mos sundonte Shqipërinë dhe e dyta që asnjë fuqi tjetër të mos vendosej në Adriatik. Nga pikpamja  diplomatike e përgjithshme, kjo nuk qe një gjë shume e paarsyeshme. Pse, po të kish nën sundimin e vet Austria Shqipërinë, ajo do të gjendej vetëm 74 km larg bregut Italian në mës të Vlorës dhe Otrantos. Dhe, po të bëhej Italia sunduese e Shqipërisë, do ta kthente Adriatikun në një gji të Italisë duke e bërë ‘il mare nostra’, sikurse italianëve u pëlqen t’a thonë. Në anën tjeter, çdo fuqi detare me zotërimin e Shqipërisë do të ishte një kërcënim e kanosje për të dyja, Austrinë dhe Italinë”.

 

                       Gjeopolitika e Rusisë dhe Shqipëria

 

Përndryshe nga Europa, Rusinë e ka “burgosur” gjeografia: Në very-detet e ngrira të Polit të Veriut, në lindje-Siberia e shkretë dhe e ftohtë, në perëndim dhe në jug-barriera të panumërta popujsh, racash dhe fesh, të angazhuara në një konflikt të përjetshëm për hapësira e thellësi. Në këto kushte, Rusia e stërmadhe, është thjeshtë një fuqi tokësore. Nga ku rrjedh edhe ankthi e halli i saj i përjetshëm: dalja në ujra të ngrohta.

Për të arritur këtë qëllim, Rusia ka vetëm dy mundësi, dy drejtime strategjike daljeje: Balltikun dhe Mesdheun. Këto drejtime dallohen thelbësisht në pikëpamje të perspektivës së thellësisë strategjike:

Drejtimi strategjik për Detin Balltik nuk siguron perspektivë strategjike për dalje në Atlantik. Sapo të tentosh të shkosh më tutje nga Deti Balltik, do të ndeshësh përpara “mure” të njëpasnjëshme shtetesh tradicionalisht të fuqishme, fortesa natyrore e njerëzore, të cilat nuk do t’i lëshonin kurrë hapësirat që iu ka falur gjeografia: “Muri” i parë: Suedi-Danimarkë-Gjermani dhe muri i dytë: Angli-Norvegji. Pikërisht për këtë arësye, synimet strategjike të Rusisë në këtë krah janë kufizuar në kapjen dhe mbajtjen e hapësirave të mjaftueshme për të siguruar vetëm mbrojtje strategjike, jo për të ndërmarrë operacione mësymëse strategjike. Në këtë kuadër, zgjidhja më e mrekullueshme dhe më e guximshme strategjike, ka qenë çvendosja e kryeqytetit Rus nga Moska në Petërburg. (Sipas postulateve tashmë të njohura, për kryeqytet përzgjidhet apo krijohet ajo qendër strategjike nga ku garantohet në radhë të parë siguria dhe mbijetesa e tërë vendit. Kryeqytetet, si rregull, planifikohen vetëm për operacione mbrojtëse. Nga kryeqytetet, si rregull, nuk nisen operacione mësymëse pushtimi. Mjafton të kujtojmë qëndresën legjendare të Petërburgut-Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër pushtuesve gjermanë).

Përndryshe nga drejtimi i daljes për në Detin Balltik, drejtimi strategjik për dalje në Detin Mesdhe, siguron perspektivë strategjike, sepse:

Përpjekjet e mundëshme për daljen në Mesdhe nuk zhvillohen në terren Rus. Kostoja e një ndërmarrjeje të tillë është shumë herë më e vogël në krahasim me zhvillimin e saj në terren Rus.

“Terreni” gjatë përhapjes në këtë drejtim përbëhet nga një mori kombesh, racash njerëzore, pakicash, fesh e orientimesh të shumëllojta, vendesh të varfëra e konomikisht e shtetesh relativisht të dobëta në pikëpamje të traditës dhe qëndrueshmërisë së institucioneve. Nuk ka pra, një barrierë relativisht homogjene sikurse janë barrierat kombëtare, të racave njerëzore e të feve në Perëndim të Rusisë.

Drejtimi për dalje në Detin Mesdhe ofron gjerësi të mjaftueshme për operacione pushtimi apo përhapjeje strategjike: vija bregdetare nga Vlora deri në Stamboll e siguron këtë gjerësi.

Me mbritjen në këtë vijë, sigurohet sundimi mbi Mesdheun Lindor

Sigurimi i sundimit në Mesdheun Lindor, krijon kushte për të vënë nën kontroll Kanalin e Suezit.

Perspektiva e vënies nën kontroll të kanalit të Suezit siguron sundimin e Oqeanit Indian dhe, prej këtej, të të gjithë botës Islamike, domethënë të rezervave kryesore globale të naftës.

Pikërisht për këto arësye, synimet strategjike të Rusisë për dalje në Mesdhe kanë qenë në themel të doktrinave të saj ushtarake, etnike, ideologjike, ekonomike, kulturore dhe fetare.

Synimet e Rusisë për dalje në Detin Balltik kanë qenë dhe mbeten afatgjata në kohë, por të kufizuara në hapësirë. Synimet në Mesdhe kanë qenë dhe mbeten gjithashtu afatgjata në kohë, por, në dallim, ato kanë qenë e mbeten të pakufizuara në hapësira. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në bazë të këtij koncepti strategjik janë përzgjedhur apo ndërtuar instrumentet dhe mënyrat përkatëse për t’a vënë atë në jetë.

Synimi kryesor në drejtimin e Mesdheut ka qenë marrja e hapësirave që siguronin pushtime për përhapje të mëtejshme të karakterit strategjik. Rusia nuk ka patur nevojë të organizojë mbrojtje në këtë krah, sepse asnjëherë nuk është rrezikuar nga ky krah. Çdo përparim, çdo bazë apo bazim që Rusia ka mundur të sigurojë në këtë krah, ka shërbyer vetëm si një trampolinë për përparime të mëtejshme strategjike, ideologjike dhe ekonomike.

Kjo ka qenë doktrina Ruse e të gjitha kohërave. Mbase Testamenti i famshëm i Pjetrit të Madh – Car i Rusisë në shekullin e ’17, që pushtoi me dhunë zotërimet Suedeze në pjesën lindore të Balltikut dhe cvendosi me dhunë kryeqytetin e Rusisë nga Moska në Shën Petersburg – e shpreh më mirë këtë doktrinë:

“Kombi Rus duhet të jetë gjithnjë në luftë…në interes të zmadhimit dhe rritjes së prosperitetit të Rusisë…Asnjë rast nuk duhet humbur për të marrë pjesë në punët e Europës, sidomos ato të Gjermanisë…Polonia duhet ndarë…Ne duhet të marrim sa më shumë territore të jetë e mundur nga Suedia…Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të ruajmë aleancën tregëtare me Anglinë…Ne duhet të avancojmë sa më shumë të jetë e mundur në drejtim të Konstandinopojës (Stambollit)…Ne duhet të grumbullojmë përreth shtëpisë sonë sin ë një qendër të gjitha seksionet e shkëputura të Grekëve…dhe t’i bëjmë ata të vështrojnë nga ne për ndihmë, duke krijuar kështu me kohë një lloj supremacie fetare ortodokse me qëllim që të shtrojmë rrugën për sovranitet universal. Kur Suedia të jetë e jona, ….Polonia të nënshtrohet, Turqia të pushtohet…Përthithni  Mesdheun…Rusia do të jetë atëherë në zotërim absolut të … pjesës më të mirë të Europës…”

Tre shekuj më vonë, të njëjtën doktrinë Ruse, Europa do t’a mësonte nga Çou En-lai (Ish Kryeministër i Kinës në vitet ’60), i cili, do t’i deklaronte një delegacioni të nivelit të lartë të NATO-s: “Sovjetikët nuk do t’ju sulmojnë në fushat e Gjermanisë. Ata fillimisht do t’ju hipnotizojnë mendjen dhe shpirtin tuaj me këtë kërcënim. Pastaj ata do të jenë të lirë të zbatojnë një strategji të rrethimeve të gjera dhe njëpasnjëshme të Europës. Rrethimi i parë që kalon përmes Angolës dhe Mozambikut do t’ju kërcënojë rrugët tuaja të furnizimeve me Hemisferën Lindore. Një unazë e dytë do të krijohet për të parambyllur Perëndimin nga pllajat e larta të Etiopisë, Adenit dhe Afganistanit e, ndoshta, Iranit dhe Gjirit Persik. Influenca juaj në Indi do të pakësohet aq shumë sa do të bëhet thuajse zero; Pakistani do t’a gjejë veten në një situatë të vështirë. Ndërsa do t’a kenë përfunduar të gjithë këtë, udhëheqësit Sovjetikë do të fillojnë të ndërtojnë një unazë të tretë rrethimi. Këtë herë, ata do të synojnë të futin nën kontrollin e tyre Gadishullin Ballkanik dhe Mesdheun Lindor. Nëqoftëse ndodh kjo, atëherë Perëndimi, sikurse e dijmë, mbaron në këtë pike.”

Synimet Ruse janë të qarta: Në Balltik – fortifikim për mbrojtje, në Mesdhe – përhapje për pushtime. Në Balltik, procesi i zgjerimit të Rusisë përfundon. Në Mesdhe, ky zgjerim është një proces në zhvillim.

Mbetet të qartësohen skemat e mundëshme të procesit në zhvillim për përhapje në Mesdhe.

Rusia Perandorake e Carëve do mund të delte në Mesdhe vetëm përmes kapjes së vijës bregdetare Vlorë-Stamboll. Rusia e Perandorisë Sovjetike komuniste, do të përdorte edhe një skemë tjetër shtesë: blerjen e influencës dhe të bazave ushtarake në shtetet që shtrihen në vijën bregdetare Egjypt-Siri. Baza Ruse në Tartus, Siri, është vetëm një prej tyre, por e mjaftë për të kalcifikuar praninë dhe influencën Ruse në Mesdheun Lindor, për të orientuar zhvillimet në këtë rajon sipas skenarëve të paracaktuar në Moskë.

Për të kapur vijën bregdetare Vlorë-Stamboll, ka tre korridore të mundëshme:

Korridori i parë për nga rëndësia është ai që kalon përmes Ngushticave të Bosforit e Dardaneleve.

Rusia tradicionalisht ka qenë një ekonomi bujqësore dhe Ngushticat kanë qenë me rëndësi jetësore për eksportet e saj. Dalja përmes Ngushticave, në pikëpamje thjeshtë gjeografike do mund të ishte zgjidhja më e mirë, sepse është në kontakt të drejtëpërdrejtë kufitar me Rusinë. Të dy shtetet i lidh Deti i Zi. Nëse përdoret instrumenti ushtarak, kjo dalje mundëson më mirë përdorimin e të gjitha llojeve të forcave detare, tokësore e ajrore. Ngushticat janë afër burimeve njerëzore e logjistike Ruse. Por, për të kaluar Ngushticat, duhej kaluar Turqia. Prandaj energjitë më të mëdha ushtarake të Rusisë Perandorake u përdorën në radhë të parë kundër Otomanëve. Në rreth 4 shekuj Rusia ka zhvilluar plot 13 luftëra të mëdha me Perandorinë Otomane – një konflikt shumë i gjatë në kohë dhe tepër i ashpër në dhunë, ndoshta unik në historinë e vet.

Rënia e Perandorisë Otomane në fillimshekullin e ’20, e vuri në alarm Europën, kryesisht Anglinë. Rënia e Perandorisë Otomane, do të thoshte rënie e Stambollit në duart e Rusisë. Këtë nuk mund t’a toleronte kurrë Anglia, sepse kjo humbje do mund të vinte në pikëpyetje të gjithë Perandorinë Britanike. Humbja e Stambollit ishte humbje e Mesdheut Lindor, e Kanalit të Suezit, e Oqeanit Indian, e botës Arabe e deri edhe e Indisë, ku Mbretëria e Bashkuar kishte investuar aq shumë dhe ku kishte ndërtuar me kohë urat dhe rrugët e kalimit. Prandaj Europa vrapoi shpejt për të shpëtuar korridorin e Ngushticave duke e “konservuar” Turqinë nga hiri i Perandorisë Otomane. Më tej, për një shekull të tërë, ishte Turqia që punoi për Europën. Turqia mbase nuk ishte Europë, por plotësonte Europën në kundërshtinë e saj të përjetëshme me Rusinë.

Korridori i dytë që mund të sigurojë dalje Ruse në Mesdhe është ai që kalon nëpër Selanik, domethënë përmes Greqisë. Kjo është arësyeja që krijimi i Greqisë moderne ishte frymëzim, organizim, mbështetje dhe financim i drejtëpërdrejtë i Rusisë. Prandaj Europa, kryesishit Anglia, u vunë në alarm qyshse po krijohej Greqia për të asnjanësuar praninë Ruse. Një Greqi si bazë Ruse nuk mund të tolerohej kurrë nga Anglia, sepse, edhe në këtë rast mund të vihej në pikëpyetje e gjithë Perandoria Britanike. Humbja e Greqisë ishte po aq humbje e Mesdheut Lindor sa edhe humbja e Ngushticave Turke. Prandaj Europa vrapoi shpejt që të mos ia lejonte inisiativën Rusisë në Greqi.

Por, ndërsa për të ruajtur Ngushticat, Anglia llogariste disponimin anti-Rus të Turqisë, për të ruajtur Selanikun Greqia nuk mund të llogaritej si e tillë. Greqia, në atë masë sa është Perëndim, është edhe Lindje, domethënë e dyzuar. Prandaj Europa nuk kishte rrugë tjetër vecse t’a blente me pará besnikërinë Europiane të Greqisë dhe rrjedhimisht largimin e pranisë Ruse nga Greqia. Kësti prej disa qindramilardë dollarë që i detyrohet sot Greqia Europës është disa herë më i vogël në krahasim me këstet në pará që Greqia ka marrë në dy shekujt që kaluan.

Korridori i tretë që mund të sigurojë dalje në Mesdhe është ai që kalon përmes Adriatikut dhe Ngushticës së Otrantos. Në pikëpamje strategjike, ky kalim sundohet nga hapësirat gjeografike Shqiptare, përkatësisht nga trekëndëshi Sazan-Karaburun-Vlorë. Rënia e Shqipërisë nën influencën Ruse do mund të rrezikonte drejtëpërdrejtë kontrollin e brigjeve lindore të Adriatikut dhe rrejdhimisht, dalje të sigurtë të Rusisë në Mesdhe. Efektet do të ishin të njëllojta me marrjen nën kontroll të Selanikut apo të Ngushticave.

Këtu fillon raporti i Britanisë së Madhe me Shqipërinë. Mbretëresha e detrave nuk do të toleronte kurrë që “Gjibraltari” i Adriatikut të binte nën ndikimin apo zotërimin e ndonjë fuqie armiqësore. Prandaj ajo, ashtu siç u kujdes në mënyrë të posaçme për konservimin e Turqisë, si dhe për të blerë besnikërinë Greke, ashtu u kujdes edhe për ruajtjen e kontrollit mbi hapësirat Shqiptare. Prandaj Mbretëria e Bashkuar do të ishte jo vetëm pjesë e procesit diplomatik të formimit të Shtetit Shqiptar, por edhe në krye këtij procesi.

 

Pan-Sllavizmi, Ortodokësia Politike, Komunizmi

 

Dalja përmes Selanikut dhe dalja tjetër përmes Adriatikut në Ngushticën e Otrantos, janë shumë larg gjeografikisht nga kufijtë dhe bazat Ruse. Si Rusia Cariste, ashtu edhe ajo komuniste, nuk kanë patur kontakt të drejtëpërdrejtë kufitar me këto dalje, sepse do t’u duhej të kalonin mbi shumë entitete të tjera shtetërore, kombëtare, racash, popujsh e pakicash, shpesh të ndryshëm me njeri tjetrin. Terreni në zonat e Ballkanit nga ku kalohet për në këto dalje, është malor dhe tepër i thyer. Dalja në këto dy korridore e largonte shumë Rusinë nga bazat dhe burimet njerëzore e logjistike. Për më tepër, zonat nga ku do të duhesh kaluar për të dalë në këto korridore, ishin nën zotërimin Turk.

Në këto kushte, përdorimi i forcës ushtarake do të ishte një aventurë që mund t’i shkurtonte jetën Perandorisë së Carit apo asaj Komuniste. Nëse Rusia Perandorake hapte një konflikt ushtarak në hapësirën Ballkanike, atëherë do të hynte në lojë domosdoshmërisht edhe Perandoria Austro-Hungareze, interesi gjeopolitik i së cilës në këtë rast do t’a bashkonte me Perandorinë Otomane. Këto janë arësyet pse Rusia nuk përdori asnjëherë forcën e hapur ushtarake për të dalë në Mesdhe përmes Selanikut apo Adriatikut, por vetëm forcën “e mbuluar”, të mbështetur nga ideologjia pansllaviste, ortodoksia politike dhe ideologjia komuniste.

Në Europën lindore nuk ka patur as shtete kombëtare, as kultura kombëtare. Qyshse kur raca Sllave filloi përhapjen në shekullin e 7-të, ajo nuk do të  gjente dot hapësira në Perëndim, sepse do ndeshej me racat e njohura luftarake Gjermanike, me konstitucionin mendor e psikologjik, identitetin, qëndrueshmërinë, karakterin, artet, institucionet dhe besimet e racave Gjermanike. Në këto kushte, mundësia më e mirë për Sllavët ishte përhapja në drejtimin e Ballkanit. Europa nuk pat qenë aq e interesuar për gjeografinë malore të Ballkanit, sepse ka patur hapësira dhe drejtime të tjera më të lehta e më të frytëshme për të eksploruar. Entitetet e shumta kombëtare e shtetërore, të racave, popujve e pakicave, shpesh të ndryshëm me njeri tjetrin që e karakterizojnë Ballkanin, përbënin një pre më të lehtë për depërtimin e racës së disiplinuar e luftarake Sllave.

Janë pikërisht ngulmimet Sllave në Ballkan që shërbyen si shtysë qëndrore për lindjen e Pan-Sllavizmit si ideologji. Tepër interesante është se kjo ideologji e mori formën doktrinore menjëherë pas pavarësimit të Serbisë dhe u zhvillua më së shumti ndër Sllavët e Ballkanit (të ashtuquajturit Sllavë të Jugut), si një instrument politik si për Rusinë Cariste, ashtu edhe për atë Komuniste. Synimi ishte që, përmes këtij instrumenti, Rusia të kontrollonte tërë Ballkanin, të bashkonte tërë popujt e këtij rajoni nën këtë ideologji duke krijuar kësisoj kushte e lehtësira për dalje në Mesdhe. Kjo skemë mori fillimisht formën e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe pastaj atë të Jugosllavisë.

Të vetmit Sllavë që mbetën jashtë kësaj skeme ishin Bullgarët, por kishte, gjithsesi, plane të mjaftueshme për t’i futur edhe Bullgarët në këtë “vath”, si Republikë të Shtatë të Jugosllavisë. Një skemë e tillë pat qenë ndërtuar edhe për përfshirjen e Shqipërisë, e mishëruar më ashpërsisht në vitet e para të pasluftës së Dytë Botërore.

Shtylla tjetër e ekspansionit Rus është Ortodoksia Politike. Hierarkia Ortodokse, në dallim nga hierarkia gjithëpërfshirëse Katolike, është e fragmentarizuar sipas shteteve. Duke qenë fe shtetërore, Ortodokësia është ortake me shtetin në orientimet politike, madje në atë shkallë sa e kontrollon shtetin, vecanërisht politikën e jashtme të tij. Shtrirja e ortodoksisë përputhet saktësisht me thellësinë strategjike të interesave të shteteve përkatës. Ortodoksia Politike nuk do mund të arrinte të pushtonte shpirtin Polak e Bohem, edhe pse këto vende janë aq afër me Moskën – kryembrojtësen e Ortodokësisë. Ortodoksia Politike ka synuar e synon kryesisht Ballkanin, sepse, vetëm përmes Ballkanit mund të sigurohet dimensioni shpirtëror i ekspansionit të kombeve gjysmë-Europiane në Mesdhe.

Kontrolli Rus mbi Ortodokësinë do t’i jepte asaj një instrument tepër domethënës për të krijuar dhe ushtruar avantazhe dhe influencë deri në Mesdhe, domethënë, duke e kthyer atë në Ortodoksi Politike. Ideologët Rusë janë të bindur si trashëgimtarë të Bizantit Ortodoks dhe si shteti më i madh Sllav, se fati i Rusisë shtrihet pa asnjë mëdyshje në Ballkan. Ky është një parim i përhershëm i politikës Ruse.

Gjeografia e përhapjes së ideologjisë dhe institucioneve komuniste jo rastësisht shtrihet në të gjithë boshtin dhe periferinë e shtrirjes së Sllavizmit dhe Ortodoksisë. Një projekt djallëzor duket se i pat krijuar dhe i pat prurë në një “hinkë” Pan-Sllavizmin, Ortodokësinë dhe Komunizmin. Një nga modelet politike të kësaj “hinke” është shprehur në parullën “Ballkani për Ballkanasit”. Pavarësisht nga maskat, një Ballkan për Ballkanasit do të thotë një Ballkan ortodoks, sllav, Rus dhe komunist. Është fakt tanimë se, pas çdo Lidhjeje Ballkanike ka qenë Rusia, me synim të parë të mos lejonte terren për Austrinë, Gjermaninë dhe Italinë në këtë gadishull dhe me synim të pastajmë, t’a shfrytëzonte këtë instrument për të siguruar akses dhe përhapje në Mesdhe.

 

Europa, Ballkani, Shqipëria  

 

Europa, e dehur me lirinë që i fali gjeografia për të sunduar në Atlantik, në Afrikë e në Mesdhe, gjithnjë e ka përjetuar me frikë Ballkanin. Falë lirisë në Atlantik, në Afrikë e në Mesdhe, Europa e shtriu praninë, kulturën dhe civilizimin e saj deri në Argjentinën e largët, por jo në Ballkan.

Ballkani, është i frikshëm për vetë pozicionin gjeografik ku janë kryqëzuar e kryqëzohen perandoritë, tri bashkësi kulturore, tri qytetërime të gjalla e të stërmëdha, tri mënyra themelore të menduari, të besuari e të jetuari. Në të vërtetë, sikurse e shpreh aq bukur Braudel, “janë tre përbindësha gjithmonë të gatshëm për të treguar dhëmbët”.

Por, në krahasim me qendrat Islame e Ortodokse të qytetërimeve, Ballkani është shumë shumë më afër me Romën, domethënë me kryeqendrën e qytetërimit Perëndimor. Atëherë pse dhe nga kush ka patur frikë Europa që, proporcionalisht, të influenconte më shumë Ballkan? Mos vallë ka një pakt për ndarje misterioze zonash influence midis Perandorisë Romake të Lindjes (Bizantit) dhe asaj të Perëndimit që mund të jetë akoma në fuqi?! Nga ndonjë marrëveshje misterioze për ndarje po aq misterioze zonash influence midis Katolicizmit e Ortodoksisë?! Nga frika se mos prekej Rusia e Madhe?! Apo nga halli se mund të vijë koha (siç po duket) që Europa t’i falet Rusisë?!

Këto janë pyetje por, ca më pak e ca më shumë, janë edhe arësye pse Europa është gjetur pothuajse gjithnjë e papërgatitur për të përballuar ngjarjet në Ballkan dhe, në rastin më të mirë, është përfshirë pikërisht në castin e fundit, duke mos arritur të parandalojë traumat e përmasave botërore që e patën zanafillën pikërisht në atë Ballkan të mallkuar të shekullit të ’20!

Shqiptarët dhe hapësirat Shqipëtare përbënin një zgjatim të natyrshëm të interesave jetësore të Austro-Hungarisë, Italisë dhe Anglisë në Ballkan. Këto interesa nuk mund të toleroheshin për t’u menaxhuar nga entitete të tjera me disponim armiqësor ndaj tyre, sikurse ishte Serbia e, pas saj, Rusia.

Austro-Hungaria vlerësonte se arma kryesore që do të duhej të stimulonte tek Shqiptarët për këtë qëllim ishte pikërisht identiteti kombëtar, gjuha dhe kultura Shqiptare si faktorë jetësorë që Austro-Hungaria të mos humbiste terren në Ballkan. Për këtë arësye, Austro-Hungaria vlerësonte se një nga shtyllat e politikës së saj ndaj Shqipëtarëve duhej të ishte stimulimi dhe/ose kontrolli mbi zhvillimin e një identiteti kombëtar Shqiptar.

Interesi i Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë ka qenë kushtëzuar nga interesi i veçantë për të mbajtur dhe ruajtur kontrollin e Mesdheut Lindor, ku njera nga rrugëdaljet kryesore është edhe Ngushtica e Otrantos që kontrollohet nga Shqipëria dhe Italia.  Në kushtet kur Shqipëria e formuar si shtet në 1912, nuk i pati asnjëherë kapacitetet për të ushtruar kontroll të plotë dhe efektiv mbi Otranton (ku, për shkak të gjeografisë, kishte përparësi strategjike),  atëherë, Britania e Madhe toleroi madje edhe një Itali fashiste, vetëm e vetëm të siguronte mbajtjen nën kontroll të brigjeve perëndimore të Ballkanit nga një fuqi Europiane. Natyrisht demokracia klasike Britanike nuk pajtohej me një regjim fashist. Por interesi gjeopolitik justifikonte çdo instrument që mund të hynte në punë për të mos lejuar që, në hapësirat Shqiptare të vinin këmbë fuqi armiqësore ndaj interesave Britanike.

A e ka bërë detyrën Italia si mëkëmbësja e Europës, posaçërisht e Anglisë, në Shqipëri? Disfata e pakthyeshme që pësoi Italia pas aventurës ushtarake për të pushtuar Greqinë gjatë Luftës së Dytë Botërore rezultoi “çuditërisht” në një tërheqje strategjike të turpëshme, gjë që ndikoi t’a faktorizonte edhe më shumë Ortodokësinë Politike, Pan-Sllavizmin dhe Komunizmin në Shqipëri.

 

                                  Kombi Europian i Ballkanit

 

Shqiptarët, ashtu siç janë, me të mirat dhe mangësitë e tyre, me arritjet dhe mosarritjet e tyre, janë këmba e Europës në Ballkan, duan apo nuk duan Europianët t’a shprehin zyrtarisht këtë fakt. Pozicioni i lakmuar gjeostrategjik i territoreve Shqiptare vecanërisht në Ballkanin Perëndimor, nga ku mbahen nën kontroll si hyrja për në Detin Adriatik, ashtu edhe bregdeti lindor i Detit Jon; raca dhe gjuha Europiane e Shqiptarëve; përkatësia e natyrshme Europiane e tyre; afeksioni pro-Europian i tyre, etj, ishin dhe janë pasuria e Europës në Ballkan. Popujt e tjerë gjysëm-Europianë në Ballkan e më tej kanë qenë e janë të aspiruar, të indoktrinuar, të organizuar dhe të vendosur për t’a tjetërsuar këtë identitet Europian në Ballkan.

Shqiptarët, në kohë të ndryshme, kanë mbetur edhe të izoluar nga Europa, por nuk janë tjetërsuar. Thjeshtë kanë mbetur Shqiptarë. Jo rrallë të lënë mënjanë nga Europa, Shqiptarët kanë pritur edhe Rusinë, kanë pranuar edhe Kinën kundër Rusisë, por asnjëherë nuk janë vënë kundër Europës. Me të drejtë Gellner thotë se “Banditët rebelë të maleve Ballkanike, duke e njohur veten si kulturalisht të ndryshëm nga ata kundër të cilëve luftonin, dhe për më tepër të lidhur nga besimi apo humbja e besimit me një qytetërim të ri tejet të fuqishëm, u bënë kësodore banditë ideologjikë: me fjalë të tjera, nacionalistë”.

Pas 15 shekujsh nën Bizantinët e pas 4 shekujsh nën Otomanët, Shqiptarët fare mirë mund të përzgjidhnin alfabetin cirilik apo Arab për të shkruar gjuhën Shqipe, por ata përzgjodhën alfabetin Latin pikërisht për të shprehur latinizmin e tyre, Europianizmin e tyre.

Po a e ka bërë detyrën Europa, megjithë këtë përkushtim shpirtëror?

Shqipëria e Gjergj Kastriotit u gjet vetëm në përballjen me Otomanët, përvec ndonjë paraje që mund të jetë dhënë nga Europa. Shqipëria u gjet pothuaj vetëm 500 vjet nën Turqinë e detyruar të sakrifikojë edhe gjëra të shenjta për të mos humbur identitetin Europian të saj. Shqipëria u gjend vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore, kur u bë shesh lufte dhe pretendimesh për t’a copëtuar. Por mbeti përsëri Shqipëri, domethënë Europë.

Shqipëria dhe Shqiptarët nuk janë aq të mëdhenj sa për të tregtuar mall. Më së shumti ata kanë tregtuar shërbime. Dhe shërbimi më i madh i Shqiptarëve është që konservuan Evropën në Ballkan. Pa shqiptarë, Europa do kish mbetur gjysmë-Europë. Gjysma tjetër do të mbahej nga gjysmë-Europianët. Objektivi i gjysmë-Europianëve ka qenë dhe është Stambolli, por Stambolli nuk pushtohet ndryshe përvecse duke u krahëmarrë nga Selaniku apo nga Vlora, përgjithësisht nga Ballkani. Europa e di se këto strategji nuk mund të zbatohen në trojet Shqiptare. Thjeshtë sepse Shqiptarët janë vetëm Europianë.

Shqipëria, përpara se të jetë Europiane në gjeografi, është Europiane në shpirt, në rracë, në gjuhë, në alfabet. Për Shqipërinë varkë shpëtimi është vetëm Europa. Prandaj Shqipëria e ka bërë vetë detyrën e vet Europiane edhe pa Europën e cila, natyrshëm ka interesin por edhe përgjegjësinë e detyrimin për të ruajtur praninë, identitetin e nderin e saj në Ballkan.

Europa indiferente e la të lirë bashkimin e Sllavëve të Jugut nën emrin Jugosllavi, edhe pse kishin ndryshime të mëdha e madje edhe urrejtje për njeri tjetrin sikurse ishin Kroatët katolikë me Serbët e Sllovenët Ortodoksë. Ishte pikërisht ajo Jugosllavi ku u prodhuan doktrina, platforma dhe praktika genocidiste nga më të urryerat e më masivet që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit. Pse, pra, kjo Europë nuk i la të lirë, madje i ndau Shqiptarët që ishin vëllezër të një gjaku? Jugosllavia u bë shteti më i madh në Ballkan në territor e popullsi për 100 vjet. Pse Europa e la e, madje, e stimuloi një disekuilibër të tillë fuqie, ku një Jugosllavi të ishte superfuqi Ballkanike dhe të tjerët të shpresonin për aleanca tej Ballkanike nga frika e saj? Pse u desh ndërhyrja përtej Europiane që ky shtet mostër dhe feja e ideologjia mostër që e ushqeu, të shpërbëhej vetëm në fillimshekullin e ’21 ?

 

                     Borxhi i Europës

 

Europa ndoshta ua njeh edhe një tjetër borxh Shqiptarëve: atë të faturuar në ato ditë të ftohta shkurtit të vitit ’45, në Krimea (cuditërisht, një emërtim i ngjashëm me krimin!), në Detin me emrin e cuditshëm “i Zi”, kur Europianët, bashkë me gjysmë-Europianët u pajtuan në heshtje që influenca e tyre mbi Shqipërinë e Shqiptarët të ndahej 50 me 50! Shifra disi të frikëshme e misterioze, dicka midis qenies dhe jo qenies!

Europa ecte kësodore në shinën e një krimi që e kishte shtruar me kohë: Aty nga viti 1913 nuk pat ndarë thjeshtë influencën mbi Shqiptarët, por tërë egzistencën e tyre: tokën dhe gjakun. Ndarja kishte pasë qenë saktëisht e njëjta: 50 përqind e tokës dhe e gjakut tej kufijve kombëtarë dhe 50 përqind përkëtej tyre. Të njëjta shifra makabre, terri e makthi!

Sidoqoftë, Europa e pati mirësinë t’a njohë këtë faj të saj dhe ua ktheu pjesërisht borxhin Shqiptarëve: Shqiptarët në Kosovë e Maqedoni i bëri qytetarë.

Këto janë shumëcka. Por jo gjithcka. Europa iu ka ende një borxh kolosal Shqiptarëve:  Europa i detyrohet mbijetesës Shqiptare! Një borxh që nuk mund të shpërblehet as me gjak e as me tokë, por vetëm me mirënjohje! Një mirënjohje që deri tani ka munguar.

Një mirënjohje që duhet të burojë nga njohja, nga arësyeja. Nuk do duhet shumë guxim intelektual për t’a thënë më shkoqur: Europa pa Shqiptarët do kishte mbetur gjysëm-Europë, thuajse 50 me 50, po aq sa po kjo Europë pat rezervuar dikur për Shqiptarët!

 

                                Përfundim

 

Shqiptarët, në radhë të parë, mbijetuan sepse Zoti i pat vendosur qysh në fillim në trojet ku rrojnë ende sot dhe me të cilat kanë krijuar një marrëdhënie të përjetëshme, të patundëshme, të pashqitëshme. Nuk janë një popull i ardhur. Palca e mbijetesës Shqiptare buron pikërisht nga ky identitet. Asnjë degë e shkencës nuk ka vërtetuar të kundërtën. Ky identitet iu ka dhënë Shqiptarëve fuqinë, besimin dhe kujtesën e mjaftueshme për të mbijetuar dhe për të mos u tjetërsuar nga fuqitë, perënditë, gërmat, racat, besimet dhe kultet e të ardhurve.

Një nga etërit e kombit Shqiptar, Pashko Vasa, Europian sa vetë Europianët, është lutur që të ruhet “populli më i vjetër i Europës, raca më e papërzier… që, falë një fenomeni të mrekullueshëm dhe që nuk mund t’a spjegojmë, ka ditur t’i rezistojë kohës që shkatërron dhe transformon, ka mundur të ruajë gjuhën pa pasur as letërsi as qytetërim të përparuar dhe për më tepër, ia ka dalë të ruajë pa u treguar e mbyllur dhe përjashtuese  në shfaqjet e veta të jashtme ndaj besimit dhe riteve të feve që ajo ka përqafuar gjatë përhapjes së tyre fitimtare përmes evoluimit në shekuj.”

Shqiptarët mbijetuan sepse janë një komb Europian. Pushtime pas pushtimesh, fe pas fesh, ideologji pas ideologjish, të gjitha lindore, por Shqiptarët mbetën mbetur vetja e tyre, domethënë Europianë. Sepse këto ishin rrënjët e tyre.

Tretja e identitetit Europian të Shqiptarëve rrezikonte drejtëpërdrejtë kombet Europiane. Gjysmë-Europianët patën dhe kanë projekte për këtë qëllim. Pa Europën Shqipëria nuk do të ishte Shqipëri. Por pa Shqiptarët, Europa do të kishte mbetur vetëm gjysmë-Europë. Pa shqiptarë, Europa politike do të ndahej me gjysëm Europën në meridianin që kalon nëpër Detin Adriatik.

Kombi Shqiptar është relika më e vjetër Europiane dhe Europa ka detyrimin por edhe nderin t’a ruajë atë. Shqiptarët e dijnë përgjegjësinë e tyre. I kanë rrënjët e degët për projekte më të përparuara: Bashkim kombëtar përmes propsperitetit apo prosperitet përmes bashkimit kombëtar. E rëndësishme është të shpresojnë dhe të investojnë, jo vetëm me ndjenja e dije, por në radhë të parë me projekte kombëtare. Pa projekte kombëtare do të mbeten gjithnjë në nivelin e mbijetesës.

Filed Under: Opinion Tagged With: e mbijeteses shqiptare, mirenjohja, Zeno jahaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT