NGA KRISTO ZHARKALLIU,Athine/
Ka disa vite që Greqia po kalon një krizë të thellë ekonomike. Populli grek po përballet përditë me vështirësi të mëdha në jetën e përditshme ngaqë kriza ekonomike ka prekur në mënyrë të dukshme nivelin e jetesës së popullit. Populli grek që kaloi rreth tridhjetë vjet në një jetë bollëku të tepruar, u gjend nga një ditë në tjetrën në rrezik të varfërohet gjë që është bërë gjatë këtyre pesë viteve. Tashmë asgjëkund nuk mund të krahasohet me jetesën e mëparshme dhe duket se çdo gjë po keqësohet nga dita në ditë. Forcat politike që kishin premtuar daljen së shpejti nga kriza ekonomike, deri tani nuk kanë arritur asgjë në këtë drejtim, megjithëse na trumbetonin se kriza do të kalohej së shpejti. E vetmja gjë që ka kaluar, është mirëqenia e rreme shumëvjeçare e popullit e cila ishte krijuar në mënyrë artificiale me kreditë që shteti grek merrte pa pushim nga qendrat e huaja financiare. Në fakt nuk u përpoq që kjo mirëqenie të bazohej në prodhimet e vendit, por në një politike katastrofale që nxitej dhe nga Bashkimi Evropian, duke shkatërruar bazën prodhuese të vendit duke u bazuar në prodhimet e vendeve të tjera të Evropës së Bashkuar, ku për arsye të kostos, silleshin në Greqi me çmime shumë më të ulëta nga prodhimet e kufizuara greke. Kësisoj industria vendase pothuajse u shkatërrua, prodhimet bujqësore dhe blegtorale nuk patën zhvillimin e duhur bashkëkohor, gjë që bëri të shkretohej pjesa më e madhe e vendit dhe të super populloheshin qytetet, gjë që pas krizës në vend, shtresa e mesme e popullit që merrej me tregti dhe me zejtari e prodhime industriale të lehta, të falimentojë dhe të krijojë një armatë të madhe papunësie. Mjerisht sot Greqia zë vendin e pare në Evropën e Bashkuar me 25% të papunë.
Është e vërtetë se politika e B.E. dhe të huadhënësve ndaj Greqisë u treguan shumë të egër duke i imponuar vendit masa ekonomike tejet shtrënguese për masat popullore dhe dihet së ngaherë në botën kapitaliste krizat bien mbi shpatullat e popullit, kurse klasa e të pasurve jo vetëm nuk preken në përgjithësi nga kriza por shumë here pasurohet më shumë. Në këto kushte pra ishte më se e pritshme që kjo krizë të ndikonte dhe në forcat politike të vendit. Disa nga partitë që dominuan për rreth dyzet vite në vend rrezikohen të zhduken nga përfaqësimi i popullit në parlamentin ekzistues. Shembulli më tipik është PASOK-ku i cili ishte në pushtet, me intervale të shkurtra, më se njëzet vjet. Kjo parti që për tridhjetë vjet rresht nuk kishte rënë nën kuotën dyzet për qind edhe kur nuk ishte në pushtet- tani, pas pesë vite krize, gjë që kjo parti ishte e detyruar ta përballonte, rrezikohet të mos kapë as kuotën tre për qind që të marrë pjesë në parlament, kurse një parti e majtë SYRIZA e cila kaq vite me zor kalonte të tre për qind-shin, është pretedente të marrë pushtetin. Nuk është rastësi që zgjedhjet e parakohshme që priten të bëhen më 25 janar, duken si të jashtëzakonshme. Vetëm partia konservatore Demokracia e Re duket se akoma mban pjesën më të madhe të elektoratit, ndonëse dhe kjo ka humbur bazën kryesore të popullit dhe rrezikohet të kalojë në opozitë. Gjatë kësaj kohe propaganda partiake ka qenë shumë e egër, gjë që ka bërë të çorientohet një pjesë e madhe e elektoratit. Demokracia e Re e cila ishte në pushtet-me mbështetjen e Pasokut të mbetur (Kjo parti na kujton…Jugosllavinë e mbetur) ka ndërmarrë një propagandë të egër kundër kundërshtarit kryesor, SYRYZA duke e akuzuar për parti majtiste e cila do të largojë vendin nga BE dhe nga euro. SYRIZA që përbëhet nga disa parti, mbrohet duke akuzuar qeverinë e Samarait për politikë antipopullore dhe i premton elektoratit të rikthejë mirëqenien e popullit – gjë që sot për sot nuk është aspak e mundur se vendi ndodhet i mbytur në borxhe. Megjithatë duket si e pamundur që një nga të dy partitë kryesore që ekzistojnë sot (Demokracia e Re dhe SYRIZA) të fitojë shumicën e duhur (151 deputete) në parlament prandaj, cila do që të dale e para, do t’i duhet të mbështete në ndonjë parti të vogël. Partitë e vogla tani janë me…shumicë. Një nga këto është dhe PASOKU (ai që para pesë vite mori 45% të votave) që me Venizellon në krye po bën përpjekje të jetë ai që do të mbështesë qeverinë e ardhshme, si bëri deri sot me Samaranë. Një parti e re që po shfaqet për here të pare në fushatën elektorale është “To potami” (Lumi) që drejtohet nga një gazetar i njohur, Theodoraqis, e cila duket se po i afrohet vendit të tretë në parlament me rreth 5-6% gjë që duket më afër të mbështesë qeverinë e re në parlament me qenë se nuk ka hesape të hapura as me Demokracinë e Re as me SYRIZA, madje duket se mban një dorë në revani dhe tjetrën në bakllava! Partia e katërt demokratike në Parlament është Anel, një parti konservatore nacionaliste që ka dale nga radhët e D.R. e cila, siç duket do ta ketë të vështirë të arrijë tre përqindëshin që të hyjë në parlament. Kjo parti ka mundësi të bashkëpunojë me SYRIZA-në se do të ketë përfaqësim në kuvend sepse deri tani ka qenë kundër politikës shtrënguese të qeverisë. Sigurisht është dhe Partia Komuniste e cila, si ngaherë, duket se e ka të siguruar pesë përqindëshin (5%) por kjo parti nuk ka synim të mbështesë ose të përkrahë ndonjë parti borgjeze se ajo shpreson që dikur të rivendosë diktaturën e proletariatit, ose më mire, sistemin socialist. Pas këtyre është dhe partia e re e Papandreut, Lëvizja Demokratike Socialiste të cilën, ish kryeministri dhe kryetari I PASOK-ut, e krijoi ditët e fundit duke u larguar nga ish partia e tij që sot e ka uzurpuar Venizellosi. Edhe Papandreu, megjithse sapo e krijoi partinë duket se i afrohet kuotës 3% gjë që do t’i japë mundësinë të luajë rolin e mbështetësit dhe të bashkëpunëtorit të partisë së pare. Parti të tjera, si ajo e Kuvelit, Dhimar dhe ultranacionaliste e Karaxhaferit nuk duket të hyjnë në kuvend.
Lamë në fund Hrisi Avji ose, si njihet në Shqipëri, Agimi i Artë e cila është një parti shoviniste neonaziste. Megjithëse udhëheqësit dhe shumica e deputetëve të saj ndodhen në burg për veprime kriminale, duke se akoma mban një pjesë të elektoratit, madje duket se ka rrezik të dale partia e tretë. Duket se racistët, shovinistët dhe neonazistët e egër nuk po sprapsen nga politika e tyre antipopullore, antidemokratike, antieuropjane dhe me propagandën e tyre të egër, kryesisht kundër emigrantëve, kanë mundur të helmojnë një pjesë të mirë të popullit që i voton dhe i mbështet. Sidoqoftë asnjë parti demokratike nuk do të mbështetet ose të bashkëpunojë me përfaqësuesit e kësaj bande e cila aktualisht ndodhet nën akuzën e një bande kriminale. Madje qëkurse ka filluar procesi hetimor dhe gjyqësor kundër tyre edhe ata e kanë pakësuar veprimtarinë e tyre kriminale kundër emigrantëve, sidomos kundër atyre me ngjyra.
Askush nuk mund të thotë me siguri se cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i Greqisë, Samaras apo Çipras. Një gjë duhet të jetë e sigurte: asgjë nuk do të ndryshojë në politikën e jashtme greke-ose ka mundësi ndryshime të papërfillshme. Ashtu si duket e pamundur që Europa të lejojë të falimentojë një nga anëtarët e saj më të vjetër. Ndonëse tani duket se Europa nuk është kaq joshëse si ishte disa vite më pare për vendet që duan të bëhen anëtarë të BE, prapë nuk mund të mohojmë se popujt që jetojnë në këtë bashkësi kanë jetesën më të mire në botë. Kjo është edhe arsyeja që me qindra mijëra emigrantë si nga vendet ish komuniste ashtu dhe nga vendet afroaziatike (vitet e fundit) përpiqen të kalojnë kufijtë dhe detet-shumë here me pasoja tragjike- që të jetojnë në kontinentin tone të vjetër.
Por të mos harrojmë se kriza ekonomike në Greqi ndikoi shumë ndaj emigrantëve shqiptarë në këtë vend- shumë prej tyre kanë mbetur pa punë dhe të tjerë janë kthyer në Atdhe- dhe shpresohet që kriza të kalohet me ngadalë jo vetëm për të mirën e popullit grek por edhe të emigrantëve shqiptarë…Prandaj, se pas zgjedhjeve të ardhshme -më 25 janar- jeta në vend të vazhdohet normalisht gjë që e shpresojmë dhe e besojmë se Greqia ndodhet në qendër të bashkësisë më të fuqishme të kohës sonë, në atë të Bashkimit Evropian.
JANAR 2015, ATHINË.