Këndvështrim letrar rreth romanit “…s’i them askujt” të autores Raimonda Moisiu/
Nga Zhuljeta Grabocka Çina/Shkrimtarja dhe publicistja Raimonda Moisiu vjen kësaj here me gjininë e romanit për të dhënë një mesazh të fuqishëm ripërtëritës e hyjnor. Me një përvojë të spikatur krijuese, poetike, prozë e publiçistike autorja e sheh veten gjithnjë si misionare e veprimtare e emancipimit shpirtëror femëror. Pas romanit “ Pafajsia e Evës”, dhe dy librave me tregime të titulluar: “ Duke kërkuar Adrianën” dhe “Gjëmimi i moshave”, -ajo sjell për lexuesit romanin e dytë me titull joshës “….s’i them askujt…”.
I gjithë repertori tematik, që ajo na ka servirur me veprat e shumta të botuara, janë një thirrje shërruese ndaj fateve njerëzore në një kohë të trazuar si kjo që po jetojmë. Tek fati i femrës ajo shikon të mishërohet edhe vizioni për jetën. Lufta e saj sakrifikuese në emër të vlerave dhe rruga që duhet të bëjë, për t’i fituar duke luftuar në përditshmëri është një mision në zhvillim e aktual.
Romani “…s’i them askujt” është një himn për jetën edhe dashurinë e vërtetë. Dashuria si ndjenjë e përjetim është i kudo ndodhur edhe universial në të gjitha vëllimet poetike të Rajmonda Moisiut. Nëpër vëllime, ky motiv zbërthehet nëpërmjet një dialogimi sa të sinqertë e integrues plot ngjyra edhe njerëzor. Por fabula e fatit të gruas në këtë roman vjen e kushtëzuar e merr jetë nëpërmjet një subjekti të skalitur mes marrëdhënieve të personazheve mbresëlënës, që zbërthehen në situata jetësore nën kontekstin e një mentaliteti dhe psikologjie që vet emancipohet në luftë për t’u realizuar si një përsonazh sa më njerëzor. Gjithçka i nënshtrohet logjikës së një kulture, të një qyteti të nënkuptuar, siç është Korça, që e ka tejkaluar prej kohësh zvetnimin shpirtëror të mblesërive “ të karnavaleve” të Spiro Çomorës. Përshkrimet në roman përndriten në shpirtin e pastër të tharmit të serenatave e të njerëzve të thjeshtë e të ndjeshëm ndaj së mirës e së bukurës. Atuorja ka ditur të realizojë tablo e marrëdhënie familjare të goditura e përfaqësuese.
Dashuria si ndjenjë e themeli i familjes trajtohet jo vetëm në përjetimet femërore të Jolës, Klarës, Anës, por tek çdo njeri e ambjent familjar që rrit dhe edukon vazhdimësinë e brezave. Protagonistët e romanit kërkojnë e përjetojnë dramën e tyre individuale por vlerësojnë dashurinë e vërtetë për ta ruajtur prej thyerjeve të brishta të kohë pas kohshme. Edhe personazhin burrëror prozatorja e trajton larg ndëshkimit maskilist. Stoicizmi për të ruajtur dashurinë e vërtetë është virtyt. Çdo krisje në marrëdhëniet e çiftit nuk e zhvlerëson atë margaritar që rruhet në kuarcin e zemrës. Romani është një thirrje e zërit femëror të ripërtëritjes nën frytin e dashurisë. Mungesa e një fëmije në jetën e një çifti le vend për t’u diskutuar. Besoj, se ky është një diskutim, që libri e le të hapur: – Është apo jo shkak ndarjeje, ky fakt në jetën e një çfti?! Autorja i jep një zgjidhje brenda një ekulibri shpirtëror të një femre të pavarur siç është Jola!
Romani është një ftesë për lexim, për t’u larguar nga kotësia e orëve të telenovelave, që pasqyrojnë një jetë vanitoze me konflikte të stisura. Struktura e romanit është e studiuar edhe funksionale. Narracioni rrjedh nëpërmjet një gjuhe lakonike e të pasur. Romani shtron çështje filozofike e sociale të shprehura mes meditimesh e trajtesa deri diku shteruese eseistike! Kjo vepër është një vlerë e shtuar jo vetëm në krijimtarinë e autores por edhe në letërsinë mbarë shqiptare.