Një juri në shtetin juglindor të Floridës arriti në përfudimin se i dyshuari George Zimmerman nuk është fajtor për vrasjen me ose pa paramendim të të riut me ngjyrë, Trayvon Martin.
Juria e përbërë nga 6 gra e shpalli Zimmermanin, mbrëmë vonë, të pafajshëm për të gjitha akuzat, në një proces të ngarkuar me nota racore. Babai i zotit Zimmerman është i bardhë ndërsa nëna e tij hispanike. Mbështetësit e të riut Martin e kishin akuzuar Zimmermanin se e kishte paragjykuar 17-vjeçarin Martin nga një këndvështrim racor, për shkak se ai ishte afrikano-amerikan.
Menjëherë pas vendimit, mbështetësit e Trayvon Martinit – duke përfshirë edhe anëtarët e familjes së tij – përdorën mediat sociale për të shprehur pakënaqësinë e tyre me vendimin. Një grup njerëzish, jashtë gjykatës, protestoi ndaj rezultatit në mënyrë paqësore. Prania e policisë është shtuar në qytetin e Sanford, ku u zhvillua procesi gjyqësor.
Protesta spontane u zhvilluan në disa qytete në të gjithë SHBA-në, në një hapësirë prej mijëra kilometrash nga Florida në San Francisko. Protestat ishin kryesisht paqësore, edhe pse pati thyerje të disa vitrinave dhe disa zjarre të vogla.(Kortezi VOA)