Nga Reshat Kripa/
Para disa ditësh në Tiranë, me nismën e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë dhe Fondacionit “Kondrad Adenauer”, u zhvillua konferenca kombëtare me temë: “In memoria – Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”, me pjesëmarrjen e Drejtorit të këtij instituti, zotit Bilal Kola, Avokatit të Popullit, zotit Igli Totozani, Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, zotit Blendi Klosi, Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, zotit Erjon Veliaj e të tjerë. Këtë lajm e mësova të nesërmen nëpërmjet njoftimeve në shtypin e përditshëm. Mendova se edhe mua, Kryetar i Shoqatës Antikomunste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, me qendër në Berlin, normalisht duhej të më kishte ardhur një ftesë gjë, që për asnjë arsye nuk arrij t’i kuptoj, nuk më erdhi.
Para dy ditësh në Shkodër, me nismën e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, u zhvillua një manifestim i të përndjekurve politikë në nderim të 25 vjetorit të vrasjeve në kufi në vitet 1989-1990, pas daljes së dekretit të Kuvendit të Shqipërisë ku termi “Tentativë arratisje” zëvendësohej me “Kalim të paligjshëm të kufirit” dhe dënohej vetëm me pak vite burg. Në këtë manifestim mori pjesë edhe drejtori i Institutit të Përndjekurve Politikë, zoti Bilal Koli, i cili e mori edhe fjalën dhe foli mbi problemet që, sipas tij, shqetësojnë shtresën që ai përfaqëson.
Duke qenë i pranishëm në këtë manifestim dhe duke dëgjuar kumtesat e mbajtura apo parë pamjet e filmit ku pasqyroheshin emrat e viktimave të këtij genocidi të zhvilluar në prag të përmbysjes së madhe, më dilte para syve pyetja:
- Kush janë autorët e kësaj masakre? Ku ndodhen ata sot?
Sipas kumtesave të mbajtura pjesa më e madhe e tyre ndodhen në detyra drejtuese në administartën shtetërore dhe atë gjyqësore. Lidhur me sa më sipër dua t’i drejtoj zotit Kola pyetjen e mëposhtme:
- A do të ngrini ju, si Drejtor i Institutit të Përndjekurve Politikë, një padi kundër
të gjithë këtyre kriminelëve që, duke shkelur ligjin që vetë e miratuan, vranë një numër të madh të pafajshmish duke përfshirë edhe gra e fëmijë? Sot shikojmë që gjykatat tona dënojnë të gjithë ata që në kundërshtim me ligjin kryejnë vrasje. Po për vrasësit e viteve 1989-1990 përse nuk zhvillohen gjyqe por, në të kundërt, ngrihen në detyra të larta? Ju lutem më ktheni një përgjigje.
Në konferencën e cituar në fillim të këtij shkrimi, ju zoti Kola shpallët nismën tuaj për domosdoshmërinë e ngritjes së një memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit, nismë që u përkrah nga të gjithë pjesëmarrësit e konferencës. Por ju harruat se kjo, e ashtuquajtura nisma juaj, ka vite që është shtruar, qysh në vitin 2006 me rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, në mbështetje të rezolutave numër 1096 (1996) “Mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparshme komuniste totalitare” dhe numër 1481 (2006) “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Madje për këtë ekziston edhe një ligj i miratuar disa vite më parë po nga Kuvendi i Shqipërisë për ngritjen e këtij memoriali. Atëherë si ka mundësi që e paraqisni si një nismën tuaj? Ju lutem më ktheni një përgjigje
.Le të shikojmë edhe disa nga pikat e tjera që përmban kjo rezolutë. Në njerën prej tyre thuhet për akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike. Sipas të dhënave zyrtare sot në Shqipëri janë ende mbi 5000 të vrarë që nuk e kanë një varr ku të afërmit e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule. A keni dëgjuar të jetë aprovuar ndonjëherë ndonjë fond për gjetjen dhe rivarrosjen dinjitoze të tyre. A do të kërkoni ju akordimin e një fondi të tillë? Ju lutem më ktheni një përgjigje.
A do të kërkoni ju dënimin e diktatorit Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi në varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij dhe bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist, ashtu siç përmbahet në këtë rezolutë? Ju lutem, më ktheni një përgjigje.
A do të kërkoni rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore?
A do të kërkoni bërjen publike të të gjithë dokumentëve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve?
A do të kërkoni hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara? Për sa më sipër qysh në prill 2015 është miratuar nga kuvendi një i ashtuquajtur ligj për të cilin ju në një intervistë dhënë gazetës “Sot”, më 19 qershor 2015, keni deklaruar se pas një muaji do të bëhet zgjedhja e anëtarëve të autoritetit për informimin dhe brenda tre muajve duhet të ketë përfunduar procesi i mbledhjes së dokumentave. Ka kaluar më shumë se një vit dhe autoriteti në fjalë ende nuk është zgjedhur dhe si rrjedhojë dhë as procesi i mbledhjes së dokumentave. A do ta kërkoni shkakun e kësaj vonese? Ju lutem, më ktheni një përgjigje.
A do të kërkoni hartimin e një strategjie kombëtare për eliminim e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipari dhe a do të ftoni institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë?
A do të nxisni fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komunsite duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike?
A do të kërkoni organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist? Të gjitha këto janë kërkesa që i përmban rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë. Ju lutem më ktheni një përgjigje.
Hap faqen tuaj ne google dhe lexoj:
“Bilal Kola i ftuar në emisionin Jamais Vu të gazetarit Mustafa Nano në Ora News. (Minuta 48:00- 49:00 në videon e emisionit të plotë Jamais Vu) deklaroi:
- Aspiroj të jem në Por në mënyrën më kategorike të mundshme, nëse do
isha 100 vjet jo një mandat, në mënyrën më kategorike nuk do të lejoj njeri të më përdor si
pushkë apo si plumb për të bërë maskarada të tilla” tha Bilal Kola
Aspironi të jeni në kuvend? Është e drejta juaj por dua t’ju pyes:
- Nëpërmjet kujt mendoni të shkoni në kuvend? Këtë të drejtë e kanë vetëm partitë
politike. Mos vallë nëpërmjet Partisë Socialiste? Ju lutem më ktheni një përgjigje.
Ju thoni se nuk lejoni njeri t’ju përdorë si pushkë apo si plumb për të bërë maskarada të tilla. Por a e kuptoni se organizimi i një konference si ajo që iniciuat ju ishte një maskaradë në kurriz të të përndjekurve politikë?
Këto ishin pyetjet për të cilat ju lutem të më ktheni përgjigje. Në të kundërt do të më vinte keq për mungesën e kurajos tuaj. Ju nuk jeni një njeri çfardo. Keni mbaruar në South Bank në Londër për drejtësi. Keni marrë diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Zotëroni Masterin në të Drejtën Ndërkombëtare Tregëtare nga Universiteti Metropolitan i Londrës. Keni marrë titullin Doktor Shkencash nga Universiteti Ndërkombëtar Montgomeri në SHBA. Në këto kushte është i papranueshëm ndryshimi i karakterit tuaj. Rrjedh nga një familje e njohur nacionaliste njëra nga figurat më të shquara të së cilës është edhe gjyshi juaj që ju i mbani emrin. Keni lindur në internim dhe e njhni mirë tmerrin e atyre kampeve.Ndaj nuk ka se si shpjegohet që jeni hedhur në prehërin e së majtës shqiptare. Megjithatë kjo është e drejta juaj që të zgjidhni.
Unë do t’ju lutesha të më ktheni një përgjigje për të gjitha këto.