Refleksione nga libri “Ditari i kujtimeve të paharruara”, të autorit SADULLA ZENDELI (DAJA)/
Shkruan: ZYBA HYSEN HYSA/
Kur dikush të dhuron një libër nga krijimtaria e tij, për respekt, do gjesh pak kohë që ta shfletosh, të lexosh diçka nga fillimi, diku nga mezi… pak nga fundi. Ky lloj leximi quhet lexim respekti, por në të njëjtën kohë ne dallojmë stilin e shkrimtarit, apo poetit dhe, ashtu siç provojmë me një majë luge gjellën, për të parë se na pëlqen, apo jo, edhe ne kemi provuar shijen e librit që na bën, ose ta mbyllim me kaq, ose të ulemi mirë e ta rinisim nga fillimi për ta lexuar faqe më faqe e rresht më rresht, bile aty – këtu, të ndalojmë për të lexuar edhe në bardhësinë midis rreshtave duke na futur në meditime e ndodh, që më pas të shkruajmë refleksionet tona për çka kemi lexuar.
Kështu më ndodhi, kur rastësisht më ra në dorë libri “Ditari i kujtimeve të paharruara” të autorit Sadulla Zendeli (Daja), ku autorin nuk e njoh fizikisht, por si krijuese që jam, kam veti njohëse përmes krijimtarisë së tij, njëlloj si të shikoj madhësitë e gurëve, deri në guriçka të vogla nën kthjelltësinë e burimeve që gurgullojnë zabeleve të bjeshkëve të Sharrit, se shpesh, lexuesve, apo kritikëve që nuk janë krijues do u duhej të pyesnin, të shfletonin, apo dhe të kontaktojnë edhe me ta për të qenë sa më realë në vlerësimin e tyre.
Në ritualin e përhershëm me libra që më bien në dorë, pa dashje bëra një ndryshim, se më tërhoqi kopertina e ideuar nga Lavdije Cenmurati, ku paraqiteshin fytyra të shformuara, si t’i shikoje nën ujë, si të ikur nga bota reale, për të hapur portat e odave të shpirtit ku rrinë të kyçura kujtimet e paharruara të jetës, por dhe në ato porta ku kanë mbetur në errësirë sythet e dëshirave, të idealeve dhe ideve që kurrë nuk e panë dritën e realizimit të tyre, apo në ato skuta të errëta ku fshihen brengat dhe dhembjet që nuk patën shërim kurrë…
Mbase këto ndryshime nga një odë në tjetrën, e shndërronin portretin në shumëplanësh e shumëdimensional, ku shpesh shihet vetëm një sy, një vesh, një copë ballë, ashtu si kujtimet që koha i ka gdhendur duke i hedhur tej si ashkla të shpërndara që kurrë s’kanë për t’u bërë më një e tërë, por që koha do t’i kthejë në humus që do të ushqejnë kujtimet e reja, apo të atyre kujtimeve që sqepari i kohës nuk mundi t’i ashkëlojë. Dhe ngjyrat ndryshojnë ngjyrë nga gri e zënë, si një shpirt i drobitur nga brengat e tallazet e pafundme, aty – këtu me zbardhje të grisë, por jo krejt e bardhë e me fasha të zeza nga të zezat e kohës pa kohë të mirë për shqiptarët e, pak, fare pak shigjeta të kuqe dashurie që vijnë e godasin deri në tërmetosje e na lënë të përpëlitemi gjatë si peshku i nxjerrë në zall në mungesën e ujit… e dashje, pa dashje duke zhbiruar kopertinën, kisha hyrë në shpirtin e poetit dhe ndjeva butësinë e vargut poetik të dalë nga një shpirt më i butë se butësia, ndjeva fortësinë e vargut dalë nga një shpirti më i fortë se fortësia, ndjeva bardhësinë e vargut dalë nga një shpirti më të bardhë se bardhësia, preka fisnikërinë e vargut dalë nga një shpirt, më fisnik se fisnikëria dhe me kaq nuk kisha nevojë të bëj ritualin e kapërcimeve të faqeve, por e nisa me qetësi me radhë që në faqen e parë, pa lexuar fjalët e redaktorit, apo dedikimet e ndryshme, gjë që e bëj përherë për të mos u ndikuar në shkrimet e mia.
Kapitulli i parë: “Këngë dashurie” dhe me mend thashë” Qenkemi në një mendje!”. Të gjitha gjallesat frymojnë, ushqehen, shumohen, por nuk janë në gjendje të flasin, të shkruajnë, të krijojnë, të punojnë… dhe motori që i vë në lëvizje këto, mendoj, është dashuria.
Shpesh herë unë me mend kam hedhur poshtë teorinë e Darvinit së prejardhjes të njeriut nga majmuni, se këto veti njerëzore të njeriut nuk janë thjesht veprime mekanike, apo instiktive, por si rezultat i zhvillimeve psikologjike që përcaktojnë shkallën e aftësisë së njeriut për të folur, shkruar, krijuar, punuar… se po ta shikojmë për nga ndërtimi fizik, pak dallojmë nga majmuni, por pse nuk mundëm ta shndërrojmë një majmun në njeri?! Unë mendoj se nuk është materia primare në zhvillimin e njeriut, por llojet dhe sasia e kuanteve në shpirtin e tij që vijnë nga Universi e shkojnë në Univers.
Kur ne pranojmë krijimin e tokës si planet, atëherë pse të mos pranojmë dhe krijimin e njeriut me tiparet e tij fizike, por që me zhvillimet e Universit zhvillohet dhe pasurohet shpirti i tij në varësi nga lloji i kuanteve që përbëjnë shpirtin e secilit dhe aftësia e tyre të veprojnë mbi sistemin nervor për të nxitur mendimin dhe për të ndryshuar mënyrën e jetesës së njeriut sipas dëshirave të tij shpirtërore.
Mendoj, se pikërisht këto grimca rrezatuese që përbëjnë shpirtin njerëzor, kanë aftësitë e të dashurit të vendlindjes, të afërmve, e ajo që i ka zhvilluar proceset e të folurit ka qenë nevoja e brendshme për të shprehur emocionet dhe ndjenjat, se të cilat kanë lindur me lindjen e njeriut. Vetëm Dashuria kuantike bën të mendosh përtej të mirës e të ligës dhe të nxit të prekësh Nirvanën. Kjo lloj dashurie është motori lëvizës i njeriut për të menduar e për të vepruar përtej nevojat e tij biologjike, ngandonjëherë dhe në kundërshtim me to.
Nëse në lashtësi, dashuria i ka nxitur njerëzit të flasin, të luftojnë për lirinë e tyre e cila ekziston tek shpirti qysh në lindje e na shoqëron deri në vdekje, të perfeksionojë veglat e punës për një jetë më të mirë, në kohët moderne ajo i bën njerëzit të bëhen kreativë, për të gjetur mundësi të reja për të arritur atë ç’ka dëshirojnë e kush pushtohet nga zjarri i dashurisë kuantike, pra të bashkimit të kuanteve të dy shpirtrave edhe kur ata janë larg nuk shkëputen dot, atëherë shumë njerëz kanë bërë vepra madhore, deri në kryevepra të shoqërisë njerëzore. Vetëm dashuria e çon shpirtin në vlim duke shkrirë talentet për të na dhënë vepra – kryevepra në të gjitha zhanret e artit dhe letërsisë botërore.
Unë nuk them që libri “Ditari i kujtimeve të paharruara” është një kryevepër, por edhe pse është shkruar thjeshtë, tek unë nxiti të shkruaj, pra me bindje them se është një libër që vlen për lexuesit, por edhe për studiuesit, nga ku mund të merren mesazhe të mëdha të cilat burojnë përmes vargut poetik të dalë nga shpirti i autorit. Në këtë libër të ndarë në 4 kapituj vërej që poezia e tij është më e stërholluar në përdorimin e mjeteve stilistike për të përçuar idetë dhe mesazhet tek shqiptarët pa u dalluar nga armiku (këtu futen poezitë e para viteve ’90 e poezitë që vijnë më pas, vërtet kanë mjete stilistike, por ato janë të thjeshta për t’u kuptuar, kjo si rezultat e ardhjes së demokracisë dhe shkallmimit të diktaturave më të egra që ka njohur shekulli i kaluar nga sundimi serb, sidomos mbi shqiptarët.
Unë shikoj një ngjashmëri të këndvështrimit të këtij autori të dashurisë me autorin Adem Demaci në veprën e tij “Dashuri kuantike”, ku bisedon dhe me të dashurën njëherësh me lirinë, si dy dashuri në një. Kështu në poezinë “Sonte ëndërroja” ai shpalos këto lloj dashurie kuantike për vashën dhe njëkohësisht për Atdheun, si dy dashuri që sa më shumë largohemi, aq më shumë ua ndjemë mungesën dhe aq më shumë na rëndon pesha e mallit. “Mund të dojë kushdo qoftë/ Por Perëndia të ka qëndisur për mua… T’i rrisim zogjtë e mëmëdheut/ Qofshin të mallkuar ata që të shtrënguan/ Ballin tënd të bukur shamia të mbulojë/ Perëndia i vraftë e nëma imë i zëntë/ Shqiptarët të vonuar i keni lënë/ Eja vasha ime, sa të dua/ Lëri kotësirat, moj gocë e bekuar!”
Apo tek poezia “Dashuria ime” ku shprehet: “Dashuria ime thellë më trand…/ Askush nuk e di që dhembja ime je ti…”, apo tek poezia “Jetoj dhe jetoj” Pa ty dielli nuk më ngroh mua/ Yjet errësojnë ndriçimin…” e përsëri e lidh me vendlindjen “Eja, afrohu, me ty të jetoj/ Të gdhijë agimi në vendin tonë/ Simfoni e zogjve të Sharrit/ E të Tomorrit për ne të këndojnë!”
Dashuria për Atdhe lind që me ardhjen tonë në jetë e na shoqëron gjithë jetën si një lidhje e pazgjidhshme e shpirtit tonë me “shpirtin” e tokës ku lindim, se nuk ka se si të shpjegohet ndryshe malli i vendlindjes, thikat që godisnin në zemër, kur vendi rënkon i robëruar e fluturon nga gëzimi, kur dëgjon për begatinë e tij. Ndaj e pse i mërguar vazhdon të jetosh jetën e Atdheut, e pse i mërguar, ëndrrat i sheh në Atdhe dhe dëshirat i lidh përherë me të, se vetëm Atdheu, vetëm dashuria është “diell që ngroh në çdo stinë/ Zemra ime si e zhytur në akull/ Pa ty e pa diellin akull ngrij…/ Të pres te burimet e Vardarit/ Kudoqoftë në Sharr, Tomor, a Pollog…”, thuhet tek poezia “Dielli që ngroh gjithmonë”, ku më fort e thellon mendimin tek poezia tjetër “Nata më mundon”, ku është vështirë të dallosh kufirin midis dashurisë së tij për vashën dhe për lirinë, apo kur flet për vashën, ka parasysh lirinë e vendit, por gjithsesi për të dyja dashuritë mund të thuhet e njëjta gjë: “Pa ty jeta është e zbrazët/ Si në Sharr, Tomorr, apo Pollog…/” Kjo është e keqja me shqiptarin, që as dashurisë, as lirisë nuk ia di vlerën, se pasi i fitojmë ato, nuk kujdesemi dhe autori shprehet “Nuk e çmova aq kur e pata pranë/ Sa s’u çmenda kur më kaloi matanë…/ Me të zeza jetën, në terr ma qiti…” tek poezia “Ëndërroj”.
Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe humbja e dashurisë dhe e lirisë përveç pakujdesisë dhe “sigurisë” se e kemi fituar përjetësisht (Dashurinë me celebrim në bashki dhe lirinë me Deklaratën e Pavarësisë), por harrojnë se që të dyja janë filiza të sapo mbjellë, që të rriten kërkojnë kujdes të vazhdueshëm.
Po çfarë ndodh me ne, shqiptarët? Pasi të dashurën e bëjnë grua të ligjshme, e burgosin duke e kthyer robinë shtëpie, pa përfillur të drejtat dhe liritë e saj njerëzore, pra lirinë e saj e burgosin burrat në lirinë e tyre, kështu martesa prishet, po kjo gjë ndodh edhe me lirinë duke e burgosur ne që e fitojmë me gjak, se harrojmë që ajo vaditet me djersë e përkushtim, ne e kthejmë atë në thjesht “grua” për të përfituar prej saj pa i dhënë hapësirë të zhvillohet, ndaj vendi ynë sërish robërohet po nga ata që e lanë me gjak duke kërkuar shpërblim për luftën, pa i dhënë djersë e përkushtim për ta nxjerrë nga prapambetja.
Me dhembje më duhet të pranoj, se kështu ndodhi në Shqipëri në 1944 e po kështu pas viteve ’90 – ës dhe në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, kështu ndodh edhe në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, që politikanët shqiptarë në vend të përpiqen për të siguruar liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, nuk lënë gjë pa bërë për të siguruar mirëqenien e tyre personale, ndaj ne, shqiptarët, mbetëm duke kërkuar ndër shekuj liri, edhe sot që jemi diçka të pavarur, përsëri kërkojmë liri dhe tek poezia “Ku je?” autori do të shprehet: “Ku je, ku je, o shpirt, afrohu…/ Ku ke humbur në tënden dëshirë/ Se gjaku i martirëve trima/ Nuk u derdh kot!” por këtë gjak që toka piu e shkelën me këmbë ata që morën pushtetin dhe fjala “liri” dhe “pavarësi” ekziston vetëm si nocion për të fshehur dhëmbët vampirë të ngulur në trupin e Shqipërisë, Kosovës, e kudo ka shqiptarë në trojet e veta.
Ku është liria? Ku është pavarësia? Ku është shteti shqiptar që akoma nënat shqiptare lindin bij për të ikur shërbëtorë nëpër botë përherë të malluar për atdhe e përherë porta mbyllur në atdhe?! “Koha bëri të vetën/ Armiku zgjodhi më të keqen/ Na zgjodhëm të vërtetën…/ Po, çfarë fituam e pse “Në gjoksin tënd sytë i mbaja/ Në mërgim sa herë na kapte vaja/ Kokën në gjoksin tënd vendosja/ Për jetë të jetës i thashë vetes/ Kurrë shtëpi pa ty mos të ndërtoja…”
Autori e pse e shkruan në vitin 1967 poezinë” “Sermnova e zemrës”unë do ta quaja aktuale për ditët e sotme në Kosovë, por me një ndryshim, kemi shfrytëzim të dyfishtë! Populli është më i varfër se nën pushtimin serb, më i ikur se asnjëherë…
Një nënë që nuk mund t’i mbledhë bijtë e saj e që nuk di se ku i ka e nga i ka, ndodh veç atëherë kur ajo është veçse e prangosur e për fat të keq, po ata që na gjakosën, por me gardianë që flasin shqip e nënën e kthejnë prostitutë për të marrë fitime marramendëse pa e vrarë mendjen se sa e si e lëndojnë atë, veç të jenë në rregull me krye tutorin antishqiptar dhe të mbushin xhepat e tyre që vetëm thellohen nga shpërblimet e majme që shtohen sa herë rrisin shfrytëzimin e pashpirt ndaj nënës së tyre.
E ashtu vetëtimthi më ven në mend një poezi që kam shkruar në 2012, dhe që është vlerësuar me çmimin të parë në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyci” me titull “Mëmëdheu emigrant”, pra ne që jetojmë në vendin tonë kemi fat emigranti, por do thosha se mos kishim “shpirtin” e tokës kaq pranë, zor se do mbijetonim. Shpeshherë çuditem se si arrijmë të mbijetojmë, por mbijetojmë, marrim frymë, por bijtë asgjë nuk kanë të sigurt për të ardhmen e tyre. Është e dhimbshme, kur bijtë fillojnë universitetin se kanë etje për dije e në të njëjtën kohë mendojnë të marrin rrugët e botës për të pasur mundësi për të krijuar familje. Kush do e zhvillojë kombin, ne pleqtë që mezi marrim frymë? Ikën rinia e pse është e dashuruar përjetësisht me truallin e trashëguar brez pas brezi, ikën me kokën pas, me dhimbje në gjoks e me sy të përlotur, pa e ditur se çfarë e pret.
E pasi fitojnë pasuri e duan të kthehen për të investuar në Shqipëri, nuk favorizohen nga shteti, bile nxjerrin ligje për të favorizuar të huajt, kjo për të përligjur firma fantazmë dhe për të penguar zhvillimin e vendit nga vetë shqiptarët, si e vetmja rrugë për zhvillim dhe bashkim kombëtar, se boll kemi ëndërruar e thirrur për Kombin, sikur ai të ishte në një planet jashtëtokësor dhe harrojmë që kombi bashkohet kur ne ruajmë dhe zhvillojnë gjuhën shqipe, kur ruajmë dhe zhvillojmë kulturën dhe traditën e vyer shqiptare, kur shkruajmë dhe mësojmë historinë tonë të vërtetë, kur nuk endemi më rrugëve si turma verbuake duke klithur e tundur flamurë, pa ditur se ku shkojmë, kur shumat marramendëse që harxhohen për kongrese e konferenca “shkencore” të shoqëruara me dreka e darka të mos bëhen më vend e pavend, por këto para të investohen për të pastrehët, për shkolla e spitale, se Bashkimi Kombëtar nuk vjen me platforma, as me luftë e gjak, ai vjen me dije, me punë, me bashkim kapitalesh ne një bankë kombëtare e kështu kufijtë shkrihen vetvetiu, se edhe po t’i bashkojmë sot kufijtë, nuk bëjmë gjë tjetër vetëm do pasurojmë më shumë “gardianët” dhe “tutorët”. Të keqen ta kërkojmë tek vetja, duke mos e lejuar të na zaptojë… “Gishti ta ktheni nga vetja…” tha Doris Pak.
Në poezinë e këtij autori e sheh qartazi se kjo ëndërra për të do të mbetet ëndërr dhe në poezinë “Ëndrra ime”, ai do të shkruante vargjet: “Ëndrra ime gjithmonë po ajo/ Gjumi të më kaplojë/ Dhe i gjallë të zgjohem/ Të kem kohë të shkruaj dy fjalë/ Bashkimi i trojeve shqiptare/ Në Arbërinë tonë të ndarë…” Populli shqiptar ka kërkuar historikisht Bashkimin dhe ka harruar zhvillimin, apo më mirë të themi, nuk e kanë lënë të zhvillohet, ndaj e ardhmja jonë duhet të shihet zhvillimi si bashkim mendjesh, zemrash dhe kapitalesh qw të investohen në trojet tona etnike, ku të punësohen bijtë tanë e cila është më e vështirë se bashkimi i kufijve, por që do sjellë ndryshim të jashtëzakonshëm.
Më kujtohet para disa vitesh, në mos gabofsha, në vitin 2006, isha në Strugë dhe aty kam takuar rastësisht pronarin e lokalit “Paris”, Filizan, më duket e quanin, i cili më ngazëlleu kur tha: “Bashkë me vëllezërit e blemë këtë lokal që të mos na ngulej në mes të Strugës një i huaj…” Ja një shembull, ka dhe tjerë plot, por shumë më shumë të ketë e kështu bëhemi bashkë duke qenë bashkë.
Autori e prek dhe e ndjen vështirësinë dhe pamundësinë që ai tw arrijë ta shohë këtë Bashkim, ndaj shprehet: “Do të shuhem pa e prekur me dorë/ E pa të parë ty, moj me sy/ Edhe në varr do të qaj këtë dashuri…”, po në poezinë “Ëndrra ime”.
Poetin e tremb koha në të cilën jetojmë, siç e tremb varri i zi, se poeti shikon të padukshmen e tmerrohet, ndaj kërkon të ikë larg, ashtu si Buda nëpër shkretëtirë, të kërkojë një dorë për t’i dhënë dorën, të kërkojë filozofinë e së vërtetës sonë, e së drejtës sonë të ligjshme për të mjekuar dhembjet e kombit, dhembje që poetët i shpon që nga mijëra kilometra largësi.”Të shkoj në një shkretëtirë/ Zogjtë të ma hedhin/ Për mëshirë ndonjë thërrimë/ Të mendoj për Shqipërinë/ Të qaj për fëmijët e mi/ Që i lashë në mërgim të zi/ Do të shuhem duke qarë…/ Atdheun tim e lashë të ndarë…/ Me ëndrrat për shtetin tonë/ Iliri e madhe përgjithmonë.” Shprehet autore me dhembje përtej dhimbjes në poezinë “Të shkoj e mos kthehem kurrë” të shkruar në maj 2013 e këtë titull – dëshirë e shpreh me dufin e dëshirës që nuk u bë realitet, me ankthin e së tashmes dhe mugëtirën e së ardhmes, se shekujt kanë hapur kanale dhe tunele në trupin e kombit tonë që përpijnë dëshirat tona, megjithëse ai shpresën e lë të ndezur si një dritë që do ndriçojë brezat që do të vijnë.
Më duhet të shkruaj, mbase një libër për të hedhur refleksionet e mia gjatë dhe pas leximit të librit “Ditari i kujtimeve të paharruara” të autorit Sandulla Sendeli (Daja), se poezitë e këtij vëllimi poetik janë një vullkan që kurrë nuk e ndal shpërthimin, ashtu si shpirti i tij patriot i pushtuar nga dashuria kuantike për Atdheun e tij, për ardhmërinë dhe bashkimin e Kombit, ndaj për ta mbyllur që të lë radhë për shkrues tjerë që të ndizen nga këto vargje vullkanike për të shkruar me dëshirën e zemrës për të ndjellë lexues të gjithë kategorive për t’i bërë pronë të tyre mesazhet e pavdekshme të kësaj poezie.
Unë do ta mbyll me vargjet e tij shkëputur nga poezia “Miq të përbetuar” ku çdo shqiptar duhet t’i mbajë “vëth në vesh”, siç thotë populli ynë, se koha ecën dhe jeta rrjedh, brezat lënë vendin njëri – tjetrit, ripërtërihen, por kjo ripërtëritje e popullit tonë ka ardhur përmes sakrificash e gjakderdhjes, përmes fitoresh e rrëmbim fitoresh sërish nga gjakësorët të ndihmuar nga tradhtitë e vjetra e të reja.
“Kokë e prerë e një zemre/ Që rreh edhe pas vdekjes…/ Tradhtia bart kokën t’ua dhurojë/ “Kanibalëve”…
VLORË, më 08.01.2014