
Satirë nga Rafael Floqi/
Hulumtimi për pasuritë e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, na sjell një histori, që më shumë përcjell ngjashmëri me një përrallë moderne, sesa me një raport mediatik. Ajo duket si romani i Aleksandër Dumasit “Konti i Montekristos”- si një mister i hollësishëm, mbi të cilin po përpiqemi të hedhim ca dritë humoristike, sidomos mbi një rrjet të ngjitur biznesesh që shtrihen që nga ndërtimi, në turizmin mjekësor dhe deri te qendrat estetike kurative.
Por si, qysh si arriti Tahiri të bëhet milioner që nga burgu. Apo ajo levander mbante erë hashashi të pashitur?
Në qendër të hulumtimit satirik është “Eagle Residence”, një projekt ndërtimi në pronësi të Tahirit, i cili në pamje të parë duket si një ndërtesë shumë e zakonshme, por që fsheh një histori misterioze prapa fasadës së saj të shkëlqyeshme. Ajo që fillon si një ndërtim i zakonshëm, shpesh mbaron si një aventurë në botën e pasurisë dhe politikës “estetike”.
Duke grumbulluar informacione nga deklaratat financiare dhe lidhjet me investitorë të ndryshëm, hulumtimi na dëshmon një panoramë të pasurive të përbashkëta, ku bizneset dhe pronat shfaqen si personazhe në një dramë politike. Por çfarë e bën këtë hulumtim të veçantë është ironia e situatës, ku pasuria dhe pushteti shpesh përplasen në një farë “të lumturish” që i ndihmon protagonistët të zgjidhin problemet e tyre financiare. A ha, vetëm kaq?
Në këtë histori, bashkëshortja e Tahirit, Fatlinda Tahiri, është mbretëresha e Midas, që çdo që prek e kthen në ar. Ajo luan një rol tërësisht të veçantë, duke krijuar kompani si “Health Tourism Albania” dhe “Lavender Clinic”. Ajo përshkruhet si një heroinë moderne e botës së biznesit, e cila ecën me guxim në fushën e turizmit mjekësor dhe estetikës, dhe pse e sëmurë rëndë, sa burin e nxorrën nga burgu për t’i shërbyer, dhe ndërsa i shoqi qe në burg, ia doli mbanë me sukses të dukshëm.
Por në sfondin e kësaj aventure, pastrimi cash-i, disa pyetje mbeten të pazgjidhura, si për shembull, cilat janë burimet e dyshimta të financimit dhe përdorimi i tyre në bizneset e saj. “ Follow the Money “ thonë gojët e këqia, po ndoqët erën e Livandos (Lavender) e gjeni. Po pse më duket ky emër si lavanderi apo lavatriçe!”.
Dhe pastaj, si në çdo përrallë, ka dhe një kontekst politik dhe ligjor që i shton ngjyra të tjera historisë tonë. Me emërimin e Tahirit si ministër i Brendshëm dhe dënimin e tij për trafikun e drogës, vetëm për shfrytëzim detyre, raporti mes pasurisë dhe pushtetit bëhet edhe më intrigues. Tahiri që në fillimet e tij shfaqej si Rambo pranë helikopterit që do zhdukte kanabisin e Lazaratit, e bëri vendin hashishhane, apo si i thonë këtu në Amerikë, Hukah, dhe veten e promovoi në ekzekutor dhe mbulues të trafikimeve. Se s’thonë jo me kot, se korrupsioni është vrasësi i heshtur i kombeve, duke i rrjedhur burimet e destinuara për të mirën e përbashkët në xhepat e pak njerëzve, si livando, ahha.
Por paratë lënë një gjurmë, një gjurmë vendimesh dhe prioritetesh. Për të kuptuar thelbin e çdo sistemi apo ndërmarrje, duhet të gjurmoni me zell lëvizjet financiare. “Ndjekja e parave nuk ka të bëjë vetëm me financat; ka të bëjë me fuqinë, ndikimin dhe shpeshherë dinamikën themelore të vetë shoqërisë. Pas çdo ngjarjeje apo vendimi të madh, ka një histori financiare që pret të tregohet. “E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë.”, thotë Edmund Burke.
Ndjekja e parave ndriçon rrugën e historisë, pasi kërcënimi më i madh për demokracinë nuk është tirania nga jashtë, por korrupsioni nga brenda. Apo peshku s’qelbet nga koka!
Thuhet se Tahirit, kohët e fundit i ka shkruar me Whats up edhe ish- zvkryeministri i arratisur, Arben Ahmetaj, i cili pasi bëri një “Rama Culpa”, jo vetëm për qejf e nder të opozitës të Syrit, apo pse i duhet për të lehtësuar marrjen e një azili politik, por vetë, e pyeti këtë të fundit ndër të tjera, kur doli nga burgu:
“ Pse na e futi neve Rama?” Ndërkaq pas kësaj vijoi me një pyetje të habitshme, por dukej që qe e rëndësishme e prej ekonomisti me/pa përvojë: “Qysh ia dole të bëhesh i pasur që nga burgu? A mundet?”
Në një vend ku politika duket si një episod telenovele, gjurmët e ish-zv.kryeministrit të arratisur janë si një skenar absurd, që nuk mungon të përfshijë asnjë element të pazakontë. Opozita është e kënaqur që i po i vërtetohet akuza. Opozita duket se po e shfrytëzon Ahmetajn. kurse nga ana tjetër, ai po e shfrytëzon “Syrin” për të ruajtur veten. “O të hëngsha “Syrin!”
Sipas tij, kryeqyteti i Tiranës ka dy qendra: kryeministrinë dhe bashkinë, duke u fokusuar në pikat problematike si inceneratori i kryeqytetit dhe Eco Parku i Durrësit. Në një përpjekje për të provuar rolin e Edi Ramës si drejtues i komplotit, Ahmetaj tregon për një takim ku kishte kërkuar dorëheqjen, por Rama e kishte refuzuar. Ky moment delikat duket si një pikë kulmore në skenarin e tij, ku dy figurat përplasen në një lojë të skajshme pushteti dhe intrigash. Kush do të fitojë ? S’ thonë, më kot, se kur paraja dhe pushteti u përplasën, atherë lindi korrupsioni.
Kështu pra, historia e politikës shqiptare shndërrohet në një spektakël ku komedia dhe tragjedia përplasen në mënyrë të papritur, duke e lënë audiencën të mendojë, se nëse duhet të qeshë apo të qajë për fatin e vendit . Në fund të fundit, politika mbetet një skenë ku personazhet e saj luajnë rolet e tyre me një pasion dhe një shkatërrim të barabartë. “Thuhet se pushteti të korrupton, por në fakt është më e vërtetë që pushteti i tërheq të korruptuarit. Njeriu me mendje të shëndoshë zakonisht tërhiqen nga gjëra të tjera përveç pushtetit.” – David Brin
Pra, në fund të këtij hulumtimi, mbetet të pyesim: çfarë mbetet nën mbulesën e pasurisë së Tahirit dhe bashkëshortes së tij? A ka hulumtim SPAK-u për të zbuluar të vërtetën e fshehur? Apo kjo është “loja”, vetëm një tjetër pjesë e përrallës së pasurisë së çuditshme dhe pushtetit të panjohur, që të bën milioner edhe në burg? Siç na e sjell ndër mend, Ali Asllani në vargjet klasike “ Të pa brek‘ ju gjeti dreka, milioner ju gjeti nata…! Dhe për ta mbyllur po me një shaka për “Kohën e maskarenjve”, po pyesim:
-Pse “Boss i Antimafias “ndihej në burg si në shtëpinë e vet?
-Sepse pas hekurash “biznesi” lulëzon si canabis përpjetë!