

Mirela Kanini/
“Kafe dhe petulla”, ishte emri i këtij eventi të organizuar nga Vatra Chicago, një frazë e thjeshtë në pamje të parë, por aq kuptimplote këtë ditë të ftohtë Marsi për këto Zonja dhe Zonjusha në Chicago. Çfarë e bëri të veçantë ishte fakti që ato u mblodhën së bashku thjesht për të biseduar dhe diskutuar, për të folur shqip, për të gjetur mes njëra tjetrës atë çka na mungon më së shumti nga Atdheu ynë, miqësinë dhe jetën sociale si atje. Kishim zgjedhur Café Mirage për këtë takim së pari sepse vetëm aty serviren petulla tipike shqiptare në një vend ku thuhet se gjen edhe qumësht dallëndyshe. Nuk mund të mos përmendim faktin që pronarja është shqiptare nga Maqedonia, shumë e nderuara Zj. Suzana Dadevski dhe gjithashtu një mike dhe mbështetëse e Vatrës. Atmosfera që u krijua ishte aq e këndshme sa që nuk u ndjenë sa shpejt kaluan gati tre orë me premtimin unanim që të takohemi përsëri ashtu si sot të bashkuara, nga të gjitha trevat shqiptare dhe gjithë grup moshat. Kemi plot për të treguar dhe mësuar nga njëra- tjetra, ashtu si në këtë takim ku folëm mbi jetët tona, fëmijët, nipat e mbesat, recetat e gatimeve, problemet që mund të ndeshim, apo humorin që na karakterizon. Nuk mbetet gjë tjetër por t’ju falenderojmë për pjesëmarrjen dhe ju mirëpresim së shpejti në takimet e ardhshme…