Nga Astrit Lulushi/
Qytetërimi është pranë kulmit, mendojnë disa, kur të tjerë thonë se ende ndodhet në këmbët e malit, si ylli i mëngjesit, që del kur diellit i duhet ende kohë për të filluar ditën. Kjo tregon se sa i manipulueshëm është karakteri i disave, të cilët me sy mbyllur ndjekin pushtetin, e ligjshëm ose jo, që një opozitë gjithësesi kërkon t’a rrëzojë.Çdo mendim që hidhet në botë, ndryshon botën. Por politikanët ndiejnë vetëm praninë e fitimit, të cilin e kanë ndarë, sa për vete e sa për shefin, përpara se të hyjë në kasafortë.Konkurenca dhe sukseset janë aq të pakta, si gjethe fiku, me të cilën politikani i turpëruar përpiqet të fshehë lakuriqësinë e tij. Homazhe a nderime bëhen në çdo rast, fushë e aspekt. Shumë e dinë se nuk i meritojnē ato, dhe janë të paduruar për të treguar një talent sado të vogël si zëvendësues të vlerës. Çdo njëri ka një talent që mund t’a bëjë disi të dobishëm, ose të këndshëm, ose të frikshëm, ose zbavitës, ose fitimprurës, dhe e shfaq atë si një ndjesë ndaj të tjerëve për shkeljen mbi ‘ta a shkëputjen prej tyre. Por kjo nuk e kënaq. Mund të hedhësh pluhur në sytë e të tjerëve, por shikimin e vetes nuk e përmirëson dot. Kur kalon para të tjerëve je i vetëdijshëm dhe një dridhje e lehtë emocioni e frikë të kaplon. Talenti është një lloj ekspansioni dhe njeriu është i detyruar të reflektojë në momentin e shkëlqimit me një lloj poshtërimi. Shumica e personave të suksesshëm, veçanërisht në politikë, dalin në publik me një farë droje të heshtur. Secili duket sikur thotë, ‘nuk jam ky që shihni’. Ky është kompensimi ndaj vetvetes për dobësinë, ftohtësinë dhe pabesinë ndaj të tjerëve. Si lloj kafshësh të pyllit, që nuk kanë asgjë tjetër përveç një bisht për ngjitje ose zvarritje. Nëse një politikan mund të hynte në marrëdhënie të ndershme me njerëzit dhe ta bënte jetën më të qetë përreth tyre, nga dinjiteti dhe ëmbëlsia e sjelljes së tij, ose të shmangte favorizimet e shefit, apo takimet e fotot e lakmuara aq të kota dhe pompoze? Por me siguri asnjëri prej tyre nuk do të ishte aq sharlatan sa të përballonte të ishte i sinqertë në këtë përgjigje.