Nga ANGELO PANEBIANCO
Është diçka më pak se një projekt por, duke mbajtur parasysh autoritetin e burimit, është më shumë se një urim i thjeshtë. Presidenti i ri Joe Biden ka njoftuar se don t’organizojë një takim të nivelit të lartë të demokracive në një datë ende të papërcaktuar të vitit 2021. Qëllimi është t’i japë jetë një bashkërendimi botëror të demokracive të Planetit, (sido që të quhet lidhja e demokracive ose forumi demokratik). Natyrisht, lajmërimi është kryesisht një lëvizje kundër Trump, një mënyrë për t’i thënë pjesës tjetër të botës: muzika ka ndryshuar. Trump-i në sjelljen me Shtetet e tjera ishte i pandjeshëm ndaj regjimit të tyre politik, nuk bënte ndryshim. Vlenin vetëm dobitë që mund të kishin Shtetet e Bashkuara. Biden-i thotë: kthehemi në të hershmen, Washingtoni do të rifillojë të bëjë dallim ndërmjet Vëndeve, simbas regjimit politik të tyre e të parapëlqejë marrëdhëniet e bashkëpunimit me demokracitë. Vullneti i shpalosur në dobi të një aleance të madhe ndërmjet demokracive, është krushqizuar me atë, shpesh herë të përsëritur të dëshirës për të përforcuar – mbas furtunës Trump – marrëdhëniet e miqësisë me partnerët tradicionalë, së pari evropianët. Duke lënë mënjanë propagandën, a do të ketë rikthime praktike? A është e mundur t’i jepet jetë lidhjes së demokracive? Makar në gjëndje të lejojë një bashkërendim më të madh në selinë e OKB, e të krijojë në përgjithësi një front të bashkuar kundrejt fuqive autoritare?
Sigurisht vlejnë edhe traditat kulturore. Në rastin e Biden-it luan një rol trashëgimia e ndërkombëtarizmit wilsonian. A world safe for democracy, një botë e sigurtë për demokracinë: me këto fjalë presdidenti Wodrow Wilson njoftoi më 1917 hyrjen në luftë të Shteteve të Bashkuara. Ideja që Amerika duhet të punojë për të favorizuar demokracinë në botë (një aspiratë bujare për sipmatizantët, maska hipokrite e imperializmit yankee për kundërshtarët) u bë që atëherë pjesë e pandarë e traditës demokratike amerikane. Me kohë infektoi dhe republikanët. Të mendojmë reganizmin por edhe Georg Bush të riun dhe “eksportimin e demokracisë” të tij, në kohën e luftërave të Afganistanit e të Irakut.
Përveç traditave vlejnë edhe rrethanat në të cilat qeveritë veprojnë herë herë. Është e mundur se nëse investon kohë e durim diplomatik, Biden-i mund të arrijë të thërrasë një tubim të demokracive. Nërsa ka pak gjasë që të mund të lindë një organizëm politik jetësor (lidhja e demokracive). Cilatdo qofshin ndajafërsitë ndërmjet tyre, demokracitë, në shumë drejtime, kanë interesa të papërputhëshme në mos, haptas të ndryshme. Ka shumë ndasira, aktuale apo të pritëshme. Për t’u kufizuar tek evropianët, mjaft të vërehet se sa të mundimëshme janë ujditë në selinë e Bashkimit evropian. Janë pastaj dosie të hapura me Shtetet e Bashkuara, si në fushën tregtare ashtu dhe n’atë strategjike. Nëse duam të jemi ndjellamirë mund të hamendësojmë që – mbasi kaloi faza e kombëtarizmit agresiv të Trump-it – bisedime shumë të vështira dhe zotuese mund të sheshojnë kundërshtitë tregtare.
Në fushën strategjike gjërat janë shumë më të ndërlikuara. Për shembull, demokracitë aziatike, nga Japonia në Hindi, të tmerruara nga dëshirat ekspansioniste të Pekinit, janë dukshëm më të prirura të mbështesin një politikë amerikane të “përmbajtjes” së fuqisë kineze, më shumë se demokracitë evropiane. Për më tepër, nuk duket që në këtë çast opinionet publikë evropianë të ndihen në ndonjë mënyrë “të rrezikuara” nga zgjedhjet kineze të politikës së jashtëme. Edhe n’epokën e komunikimeve globale dhe të çastit vlejnë ende largësitë dhe afërsitë gjeografike. Fuqia autoritare gjeografikisht më e afërt shtin frikën më shumë se ajo m’e largëta.
Është një nga arsyet për të cilat argumentet më të “ndjeshëm” për demokracitë evropiane kanë të bëjnë me NATO-n, marrëdhëniet me Rusinë, Lindjen e Mesme. Trump-i kërkonte evropianëve një përpjekje më të madhe financiare për mbrojtjen e përbashkët. Sigurisht Biden-i do t’a përsërisë kërkesën. Nuk do të jetë e lehtë për t’i dhënë të kuptojnë opinioneve publike evropiane se, si për vaktet e të ngrënit, edhe siguria e përbashkët nuk është falas e nëse duhet të shpëtojmë NATO-n, (në pritje të së famëshmes “mbrojtje evropiane” – prit gomar të mbijë bar – ) do të ketë flijime të nevojshme. Me që ra fjala, çështja e NATO-s ka rëndësi edhe në një tjetër kah: bën pjesë, formalisht një Shtet, Turqia, e zotuar në një politikë shtrirëse që e vë në kundërshtim me Evropën. Edhe sa kohë do të duhet në selinë e NATO-s të shtiremi se nuk e shohim problemin? Pastaj natyrisht është Rusia, fuqi ekonomikisht në rënie, por megjithatë (ose ndoshta pikërisht në sajë të saj) e zotuar në sulme neo – imperialiste në Evropën e Lindjes dhe në Lindjen e Mesme. Është e zotuar të shtojë me çdo mjet (përfshirë dhe sulmet informatike) aftësinë e ndikimit mbi Evropën. Një “ves” ky – imperializmi rus – që daton nga koha e carëve: Vladimir Putin që, në ndryshim me mjaft evropianë, e njeh hostorinë, jo rastësisht pak kohë më parë, ka thënë se frymëzohet nga cari Pjetri i Madh. Për një Amerikë të zotuar në përmbajtjen e kinezëve do t’ishte e vështirë të bënte të njëjtën gjë kundrejt rusëve. Për më tepër, nuk është aspak e sigurtë që demokracitë evropiane do t’a ndiqnin në mënyrë kompakte.
Në të hamendësuarin takim të nivelit të lartë, ne italianët, do të duhej t’i kërkonim amerikanëve një prani më vepruese në Lindjen e Mesme e të Afërme, për të përmbajtur rusët e turqit që tashmë fushojnë (Libia) në derën e shtëpisë sonë. Sa gjasë do të kemi për t’u dëgjuar?
Nuk do të lindë një lidhje e demokracive. Por mund të përforcohen lidhjet e vjetra. Siç ka vërejtur Jan Bremmer (Corriere 12 dhjetor), rendi liberal botëror i ndërtuar nga demokracitë, prej kohësh është në tërheqje e do të duhen shumë mundime për t’i ridhënë hov. E vështirë por jo e pamundur. Megjithë të metat e tij të shumta, ai rend ruan ende aftësinë për të përhapur në botë shpresa e vullnet imitimi, një aftësi që asnjë regjim autoritar zotëron. Si në Berlinin e kohëve të luftës së ftohtë: kalohej muri për të shkuar në Perëndim, kurrë në drejtimin e kundërt.
“Corriere della Sera”, 15 dhjetor 2020 Përktheu Eugjen Merlika