




Në ditën e Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt më 19 Qershor 2025, Kosova dhe të mbijetuarit e saj ishin te pranishëm për të ndarë zërat e tyre në Kombet e Bashkuara në një sesion të veçantë të titulluar “Të dëgjojmë zërat e tyre dhe të luftojmë për të drejtat e tyre”, organizuar nga Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara znj.Suela Janina, bashkëdrejtuesja e “Rally For Her Justice” Vera Mjeku dhe Misionet e Ukrainës dhe Sudanit.
Folësit në këtë panel ishin Pramila Patten, e dërguara speciale e Sekretarit Gjeneral të Kombeve të Bashkuara për dhunën seksuale në konflikt, Sergiy Nizhynskyi ndihmësi i zv.ministrit për Evropë dhe Marrëdhënie Euroatlantike të Ukrainës, Nusaiba Idriz, përfaqësuese e Misionit të Sudanit në Kombet e Bashkuara, znj. Vasfije Krasniqi Goodman, e deleguar nga presidentja e Kosovës znj.Vjosa Osmani për Dhunën në Konflikt, Angela Maria Escobar, e mbijetuar nga Kolumbia, Tatiana. Mukanire, e mbijetuar nga Republika Demokratike e Kongos, Dr. Wioleta Rebecka, Zv. Presidente e Qendrës Polake për Viktimat e Torturës, Dr Feride Rushiti, Drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve dhe Vera Mjeku bashkëdrejtuese e “Rally For Her Justice”.
Dhuna seksuale në konflikt mbetet një nga armët dhe strategjitë që përdoren në konflikte të ndryshme në botë. Ky sesion u fokusua në ndërgjegjësimin për impaktin që ka dhuna seksuale në konflikt, fuqizimi i të mbijetuarve, praktikat dhe eksperiencat për adresiminin, rolin e qeverive dhe legjislacioni për përkrahjen e të mbijetuarve etj.
Gjatë luftës në Kosovë rreth 20,000 gra, burra dhe fëmijë kanë qenë viktima të dhunës seksuale në konflikt sipas CDC dhe Human Rights Watch. Deri më sot vetëm 4 persona kanë folur publikisht dhe vetëm 2268 kanë aplikuar për njohjen e statusit.
Vasfije Krasniqi Goodman është e para që ka thyer çdo barrierë dhe ka folur publikisht duke i hapur rrugën të tjerëve. Ajo ka dëshmuar në Komitetin e të Drejtave të Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Kongresin Amerikan dhe është e Deleguar nga Presidentja Vjosa Osmani për Dhunën Seksuale në Konflikt. Për nder të saj14 Prilli në Kosovë është Dita e Kujtimit të të Mbijetuarve. Në rasin e saj është prezantuar Resoluta 24 në Kongresin Amerikan bashkëshkruar nga Vera Mjeku dhe përkrahur nga 15 kongresistë amerikanë demokratë dhe republikanë.
Në këtë sesion që u ndoq nga diplomatë, ekspertë dhe anëtarë të shoqërisë civile u ekspozuan dhe punimet e të mbijetuarëve nga Qendra për Promovimin e Të Drejtave të Grave nga Drenas, Kosovë.