Shtypi i Tiranës për protestën e shqiptarëve të Amerikës në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi/
Nga Saimir SULAJ/ Washington/
Ne Foto:Autori i shkrimit me një grup vatranësh, pjesmarrës në demonstratë/
Shqiptarët e Amerikës kanë shërbyer prej vitesh si nxitës për një sërë nismash në trojet e vendit amë. Prej viteve të para të shekullit XX, puna e palodhur e atdhetarëve të shquar, si Noli, Konica apo Çekrezi, ndihmoi në kurorëzimin e Shqipërisë së pavarur. Vepra e kësaj shtrese intelektualësh që e donin dhe e çmonin pamasë vendin e tyre, ndoshta ishte vendimtare në pavarësimin e Shqipërisë dhe ruajtjen e integritetit të saj, së paku, në kufijtë e përcaktuar më 1913-ën. Vit pas viti, ndonëse koha kalonte dhe brezat e shqiptarëve në SHBA ndryshonin, një gjë është e sigurt që nuk ka ndryshuar: Dashuria për tokën amë dhe dëshira për zhvillimin e saj. Dhe këtë nuk e thonë vetëm me fjalë,por e tregojnë me vepra.
Në më shumë se një shekull, kontributi i diasporës shqiptare në Amerikë ka qenë i madh. Nga mbledhja e fondeve deri te kërkimi i të drejtave të shqiptarëve në të gjithë trojet ku ndodheshin dhe që diskriminoheshin nga regjime të ndryshme. Nga takimet në dhoma të vogla, e deri te meshat e Nolit në të famshmen katedrale të “Shën Gjergjit”. Aty ku më shumë se shërbesa fetare, predikohej atdhedashuria. Nga tubimet e vogla, deri te demonstratat madhështore. Të gjitha këto, vetëm me një qëllim: Më shumë të drejta, më shumë liri e demokraci, më shumë begati për shqiptarët. Jo për vete. Jo për fëmijët e tyre këtu në SHBA. Më shumë të drejta për shqiptarët në dheun amë.
E tillë ishte edhe përpjekja më e fundit. Më shumë se 300 persona, të organizuar nga 10 shoqata shqiptare në shtete të ndryshme të SHBA-së, u mblodhën për një manifestim në zemër të kryeqendrës së botës së lirë. Shqiptaro-amerikanë të të gjitha moshave, që nga fëmijët e deri te të moshuarit, u grumbulluan shpejt, që prej agimit të një dite të martë përpara Shtëpisë së Bardhë në Uashington. U bashkuan për një qëllim të madh në jetën e tyre, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve.
Demonstrata madhështore janë mbajtur vazhdimisht. Në vitet kur Kosova kërkonte çlirimin nga shtypja jugosllave, shqiptarët dhe ngjyrat kuqezi pushtonin “Capitol Hill”-in dhe sheshin para Shtëpisë së Bardhë në Uashington, si dhe “Times Square”-in në Nju Jork.
Tashmë që Kosova është e lirë dhe e pavarur, sfida vazhdon.
Në Malin e Zi, në një tjetër rajon shqiptarësh, mungojnë ende të drejta themelore. Shqiptarëve në këto krahina nuk u lejohet të flasin shqip; nuk u lejohet të kenë universitetin e tyre; nuk u lejohet të ngrenë lart flamurin kombëtar, madje as të mbajnë shqiponjën dykrenore.
I tillë është edhe rasti i njërit prej tyre, Kolë Dedvukaj, cili bëri tre vjet burg, për një shqiponjë të gdhendur në unazën e artë që mbante në gisht. Dënime morën edhe disa nga të afërmit e tij.
Edhe pse janë qytetarë amerikanë, vizita në Malin e Zi e këtyre aktivistëve të njohur shqiptarë, u konsiderua se kishte qëllime terroriste. Pavarësisht se janë liruar, ata janë në listën e zezë të Malit të Zi dhe nuk mund të vizitojnë vendlindjen, pasi do të arrestoheshin sërish.
Por tashmë, shqiptaro-amerikanë nga Mali i Zi, shqiptaro-amerikanë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Çamëria, kërkojnë që kjo shtypje të marrë fund.
Kur në orët e para të mëngjesit shkojmë para një tempulli të demokracisë, Shtëpisë së Bardhë, shohim se si valëviten në qiell flamuj kuqezi, të mbajtur nga disa njerëz të veshur me kostume popullore e qeleshe malësore. Nuk mungojnë as flamujt amerikanë, në shenjë nderimi e respekti për një komb që ka bërë aq shumë për ne, si dhe për të treguar mirënjohjen për vendin që i mban me punë e me bukë këta shqiptarë.
Janë shqiptarët e ardhur nga Detroiti i shtetit të Miçiganit, një prej komuniteteve më të mëdha shqiptare në SHBA, të cilët kanë udhëtuar gjatë gjithë natës, në më shumë se një mijë kilometra, për të qenë në manifestim.
Por atmosfera gjallërohet edhe më shumë kur mbërrijnë qindra vetë, me autobuzë, nga Nju Jorku, nga Bostoni, nga Nju Xhersi, nga Çikago, Virxhinia, si dhe nga vetë kryeqyteti, Uashingtoni. Mbërritja e tyre përkon edhe me çeljen e motit në qiellin e Uashingtonit.
Nga zymtësia e mëngjesit, qielli merr trajtën e tij natyrale, të kaltër. Dielli nis të shndrijë fort.
Sheshi përpara Shtëpisë së Bardhë ngjyroset kuqezi dhe muzika shqiptare “pushton” zonën.
Një atmosferë që në vendin amë, nuk ndihet as në ditët e shënuara, si 28 Nëntori, as kur është ndoshta më pak e nevojshme, siç janë ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit.
Të gjithë kanë një emërues të përbashkët, dashurinë për atdheun dhe dëshirën që bashkëatdhetarët e tyre të mos jetojnë nën trysninë sllave. Kjo trysni që edhe në vitin 2014 po ndihet në krahinat shqiptare të Malit të Zi.
Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç vizitonte Uashingtonin, ku pritej nga zyrtarë të lartë amerikanë. Vizita e tij, zhvillohej në kuadër të takimeve të nivelit të lartë, që Mali i Zi të merrte mbështetjen amerikane për anëtarësimin në NATO, në vjeshtë të këtij viti.
Shqiptarët, nuk janë kundër kësaj, por kërkojnë që anëtarësimi të kushtëzohet me respektimin e të drejtave të shqiptarëve atje.
Këto të drejta u janë premtuar vazhdimisht atyre, që prej 24 vjetësh. Milo Gjukanoviç, njeriu që ka mbizotëruar skenën politike malazeze, shpeshherë është zotuar për ndryshim të situatës,por asgjë konkrete nuk është realizuar.
Në vitin 2006, në referendumin për pavarësinë e Malit të Zi, vota e shqiptare ishte vendimtare për shkëputjen nga Serbia. Por premtimi i Gjukanoviç për të drejtat e tyre, mbeti sërish një fjalë boshe e hedhur në eter.
“Shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë të drejta të barabarta si të gjitha pakicat e tjera” shpjegon Pashko Gjokaj, kryetar i shoqatës “Malësia e Madhe” në Detroit.
Don Fran Kolaj, famulltar i Kishës së “Shën Palit” në Detroit, u shpreh se shteti malazez, megjithëse premton liritë nacionale, kur vjen puna te çështja e shqiptarëve ai nuk i praktikon dhe nuk i realizon ato me kushtetutën e vet.
Mark Gjonaj, anëtar i asamblesë së Nju Jorkut, është shqiptari i vetëm që përfaqëson komunitetin në një organ të rëndësishëm si asambleja e shtetit.
“Zemra ime është plot kur shikoj kaq shumë shqiptarë nga të gjitha territoret shqiptare të mbledhur bashkë, nga Kosova, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, nga Çamëria, për të diskutuar çështjet e trajtimit të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk ndjej veçse gëzim. Ky bashkim në vetvete dërgon një mesazh të fortë jo vetëm për qeverinë e Malit të Zi, por për të gjithë udhëheqësit shqiptarë, se ne jemi këtu për ata, se do të jemi zëri për gjithë shqiptarët në Mal të Zi dhe në të gjitha territoret shqiptare”, garanton Gjonaj.
Në këtë manifestim madhështor, nuk mund të mungonte as federate panshqiptare “Vatra”, vetë historia e shqiptarëve të Amerikës.
“Ne i bëjmë thirrje Gjukanoviçit, por në të njëjtën kohë dhe Shtëpisë së Bardhë (për dijeni), se në qoftë se Mali i Zi e do paqen e bashkëjetesën normale me shqiptarët në trojet e tyre mijëra vjeçare, atëherë autoritetet në Malin e Zi në çdo segment të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, Kushtetutën dhe ligjet e vendit të tyre, proporcionalitetin në qeverisje, fonde, buxhet, ushtri, polici, shëndetësi, arsim, drejtësi e kudo. Mos të luajnë me dinjitetin, zakonet, traditat, fenë e institucionet e saj, me tokat, pyjet, kullotat, vendet e shenjta e turistike, bregdetin e pasuritë materiale e shpirtërore të shqiptarëve. Mos t’i fryjnë zjarrit të nacionalizmave malazezo-serbe në dëm të interesave të shqiptarëve dhe të mos bëjnë trysni politike diskriminuese e mafioziste për asimilimin e shqiptarëve”, tha nënkryetari i “Vatrës”, Asllan Bushati.
Veç lirive dhe të drejtave, shqiptarët në Malin e Zi kërkojnë edhe liri politike. Ata shprehen se edhe në këto zona nevojitet krijimi i një bashkësie komunash shqiptare, që të ruajnë një vetëqeverisje, por të varur nga Podgorica zyrtare. Një sistem i ngjashëm me atë që synohet të zbatohet në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Por për këtë, ata kërkojnë që të punohet më shumë atje. Vetë shqiptarët e Malit të Zi, e kanë të pamundur ta arrijnë këtë. Kjo për shkak të presionit të autoriteteve malazeze.
Një gjë e tillë u provua edhe nga një protestë e pak ditëve më parë në Tuz, kur jo më shumë se 50 shqiptarë dolën për të drejtat e tyre. Të tjerët nuk guxonin.
Shqiptarët e SHBA-së gjithnjë kanë guxuar. Prej dekadash kanë kërkuar liri dhe të drejta për shqiptarët kudo që ndodhen, edhe për ata në Mal të Zi. Por nismat e tyre, pavarësisht rolit shumë të fortë në sensibilizimin e komunitetit ndërkombëtar, nuk mjaftojnë.
Kësisoj lind nevoja, që shteti shqiptar, trualli amë, të kërkojë më shumë të drejta për bijtë e tij. Tirana zyrtare, duhet t’i dëgjojë këmbanat e alarmit. Tirana zyrtare nuk duhet të heshtë më, siç ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Ka ardhur koha, që të veprojë, ashtu siç bën çdo vend tjetër në botën demokratike, për të kërkuar të drejtat që i takojnë popullit të tij.
Dhe për këtë, mjetet demokratike janë.
Shqipëria është vend anëtar i NATO-s me të drejta të plota që prej pesë vjetësh. Shqipëria duhet ta kushtëzojë anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën Veriatlantike, me respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në këtë shtet. Shqiptarët e Malit të Zi kanë të drejtën e tyre të plotë për ta ngritur flamurin kombëtar kuqezi.
Në qiellin amerikan, një të martë të bukur pranverore, flamuri i Skënderbeut, me shqiponjën e zezë dykrenore në fushën e kuqe, u valëvit i lirë, në sheshin para Shtëpisë së Bardhë. Askush nuk u tremb nga kjo. Ky flamur duhet të valëvitet lirisht nga shqiptarët, kudo që ata ndodhen.
SHBA-ja nuk u cënua nga flamuri kuqezi. Atëherë, përse shtetet fqinje të Shqipërisë, duhet të tremben?
Kortezi:GAZETA”MAPO”