Aleksandër Çipa/
Aktori, regjisori dhe Mjeshtri i dokumentarit Mevlan Shanaj, na mblodhi dje në Tiranë, tek Piazza, për librin e vet “Të fshehta jashtë ekranit”. Natyrisht na mblodhën bashkë me zonjën, poeten tonë të përkorë, Natasha Lako. Nga miqtë dhe bashkëudhëtarët e tij në art, kinematografi, teatër etj., kanë mbetur jo shumë, por së bashku, kanë dhënë e japin ende shumë.
Mjeshtri Shanaj dhe zonja e vet, poetja jonë Natasha Lako, janë një ndër të paktat çifte artistësh që na kanë mbetur…
Rrezëllimtarë në çdo kohë dhe nëpër të gjitha ditët.
Se janë të paktë, prandaj na duket edhe më e vogël shoqëria jonë, sidomos shoqëria në hapësirën dhe prurjet kulturore brenda saj…Por Mjeshtri Shanaj, mbrëmë na la të gjithë të pranishmëve ndjenjën dhe shijen e elegancës së vet të pahequr, të mbathur me hijeshinë e burrit-artist që shkëlqen edhe përmes thjeshtësisë natyrale.
Është artisti që ikën nëpër këtë kohë dhe nëpër të ardhmen e vet, si shtergu që e mbart dhe e kërkon syprinën e kaltër e të qashtër të liqenit.
Në librin e Mevlan Shanaj është kujtesa për art dhe artistë, e një artisti që e bën jetën dhe e shton atë me hijeshinë e një sovranisti në shpirt. Urime Mjeshtër Shanaj!