
Alfons Grishaj/
Ajo që pritej… ndodhi! Pas sulmit të Amerikës dhe Izraelit dhe vrasjes së liderit Ali Khamenei, Presidenti Trump u shpreh: “This is not only justice for the people of Iran, but for all great Americans and those people from many countries throughout the world that have been killed or mutilated by Khamenei and his gang of bloodthirsty thugs.” – 28 shkurt 2026. Për më shumë se 36 vjet e gjashtë muaj, Ali Khamenei udhëhoqi Iranin. Që nga 6 gushti 1989 (pas rrëzimit të Mohamed Reza Pahlavi), deri më 28 shkurt 2026, Lideri Suprem drejtoi me grusht të hekurt Revolucionin Islamik. Gjatë viteve të udhëheqjes së tij, u ekzekutuan mijëra qytetarë dhe kundërshtarë politikë. Ai u konsiderua sponsori numër një i grupeve terroriste në botë. Siç thotë populli, “për të mos djegur dorën, përdori mashën”, sponsorizoi grupe terroriste proksi. Rruga e gjatë e terrorit ndaj Amerikës, Izraelit dhe vendeve të tjera nuk kishte një justifikim të qenësishëm në politikat e bashkëjetesës dhe zhvillimit, por vetëm provokime dhe tensione të panevojshme. Pikërisht ky ishte fataliteti i tij.
Ai asnjëherë nuk i mori seriozisht këshillat dhe dorën e afruar. Presidenti Obama i akordoi mbi 1.5 bilion dollarë në kuadër të marrëveshjeve për ndalimin e proliferimit bërthamor. Edhe pse kishte monitorim nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, ai i injoroi kontrollet, duke mos dhënë mundësi për inspektim të plotë të zonave ku zhvillohej programi bërthamor për armë të shkatërrimit në masë. Megjithatë, MOSAD dhe CIA arritën të informohen lidhur me pasurimin e uraniumit dhe përpjekjet për ndërtimin e armëve bërthamore. Me ardhjen e Presidentit Trump, të cilin shumë e konsiderojnë njeri të paqes dhe aksionit, Khamenei nuk e mori seriozisht as paralajmërimet dhe as veprimet e tij. Kjo çoi në rënien e këmbanës së fundit, operacioni “Epic Fury”, aksion i përbashkët i Amerikës dhe Izraelit që solli fundin e tij.
Khamenei dhe pasuesit e tij nuk e kuptuan se sot nuk luftohet me gjoks e raketa, Fattah, Emad, Paveh, Ghadar, Somar apo Khorramshahr, por me mendje dhe strategji. Dhe më e rëndësishmja, Allahu nuk ndihmon vrasësit e popullit të vet, nuk mbështet frymëzuesit e humbjes së jetëve të pafajshme. Allahu është vetë Zoti. Ai nuk pranon karshillëk dhe ndëshkon rreptë kur mëkati bëhet krim. Format e ndëshkimit janë misterioze. Edhe pse nuk kanë zë, njeriu i ndjen dhe i prek. Pas aksionit të suksesshëm, shumë folës kaluan pa më tërhequr vëmendjen, por njëra më bëri përshtypje, Masih Alinejad, gazetare amerikano-iraniane, e cila u shpreh me entuziazëm për lirimin e popullit të saj. Ajo falënderoi në mënyrë të veçantë Presidentin Trump dhe popullin amerikan.
Tek e shikoja aktivisten, m’u mbush shpirti dhe u emocionova.
Kujtimet më çuan në vendin tim, 13 dhjetor 1990, Shkodër, kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës. Si një film i këputur m’u shfaq 20 shkurti 1991, kur populli i Tiranës e tërhoqi zvarrë bustin e diktatorit. Dhe dita e lirisë së popullit tim dardan, 17 shkurti 2008, kur Kosova fitoi me gjak lirinë nga regjimi serb. Emocionet e lirisë ndihen dhe vlerësohen vetëm nga ata që u ka munguar liria, kurrë nga ata që kanë qenë vegla të diktaturave apo të besimeve të thyer nga lidershipi. Liria nuk vlerësohet sinqerisht as nga barkngopurit, që nuk u ka munguar asgjë në jetë. Këta të fundit janë më të rrezikshmit, sepse nuk janë as mish as peshk, as luftëtarë, as paqësorë, por hipokritë dhe egocentristë.
Luftërat nuk janë të këndshme, por kur paqja rrezikohet, ka vetëm dy rrugë: O ta luftosh të keqen, ose t’i nënshtrohesh asaj. E di që ka kampe të ndryshme gjykimi, dhe kjo është e drejta e gjithsecilit. Por njeriu, për të qenë në paqe me veten, duhet ta gjykojë veten si pjesë e vuajtjes dhe jo e pasionit. E rëndësishme është se emigrantët iranianë po festojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Populli iranian ka një shans për liri. Ndërsa armiqtë e lirisë mund të ngrihen përballë ambasadave amerikane, ndoshta edhe me akte terroriste.
Liria ka kosto, prandaj duhet mbrojtur. Mendoj se shqiptarët, kudo që janë, duhet të jenë në krahun e duhur, në krahun e Amerikës dhe Presidentit Trump.