
Thanas L. Gjika/
(VLERËSIME PËR LIBRIN E PASHKO R. CAMAJT “ POROSIA E KULLËS”).
Dr. Pashko Camaj, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Panshqiptare Vatra të Amerikës, muajt e fundit botoi librin në dt gjuhë, anglisht me titullin “Dreaming from the Trunk of an American Car” dhe shqip “Porosia e Kullës”, ONUFRI, 2024, 262 f. përkthyer shqip prej vëllait të tij Nikolla.
Ky libër është ndërtuar si përmbledhje tregimesh ku jepet jeta e autorit dhe e familjes nga vitet e fëmijërisë deri tek hartimi i librit, pasuruar dhe me nje album fotografik kujtimesh. Pra, synimi i parë i autorit ka qenë të krijojë një libër autobiografik, libër, që zakonisht i përket letërsisë dokumentare. Mirëpo, formimi i mirë intelektual dhe talenti letrar e kanë ndihmuar autorin që ta ndërthurrte tregimin e jetës me tipare të letërsisë artistike. Të shumta janë episode ngjarjesh që rrëfehen duke përdorur figura letrare, ku jepen përshkrime të ambjenteve dhe të personave realë me stil letrar artistik.
Tërheqëse është përdorimi i dy formave të rrëfimit. Në tregimet ku autori ka qenë vetë pjesëmarrës, ai i rrëfen ngjarjet në vetën e parë njëjës, kurse ngjarjet, ku nuk ka qenë pjesëmarrës vetë, i rrëfen në vetën e trete njëjës ose shumës. Pra në disa tregime autori është edhe personazhi kryesor dhe rrëfimtari i ngjarjeve; kurse në tregime të tjera është vëzhgues i ngjarjeve që kanë ndodhur kur ai nuk ka qenë i pranishëm.
Ideja themelore e librit është e lidhur me dëshirën që e mundon emigrantin e ndershëm: “Të jem i vlefshëm për fisin, kombin dhe atdheun e origjinës dhe atdheun e ri ku jetoj pas emigrimit”.
Gjatë rrëfimit të jetës autori pyet veten shpesh here: “A bëra mirë që u largova prej kullës (kupto: prej familjes, fisit, vendlindjes)? A po e plotësoj dot detyrën time ndaj fisit tim gjatë punës këtu në atdheun e ri?
Të tilla pyetje ia bëjnë vetes njerëzit e ndergjegjshëm, të cilët e kanë të qartë se jeta nuk duhet jetuar vetëm për të plotësuar nevojat materiale personale e familjare, por edhe detyrat si bir i fisit, i kombit të cilit i ke përkitur dhe i kombit të cilit i përket pasi ke emigruar.
Mbajtja gjallë në jetën e përditshme të të tilla pyetjeve e bëjnë njeriun gjithnjë e më të vlefshëm për familjen, shoqërinë dhe kombin. I Mëkuar që në fëmijëri prej prindërve e të afërmve me një botëkuptim të tillë, Pashkoja që në rini duroi vuajtjet, varfërinë, punët e rënda të fshatit malor dhe eci me vendosmëri për formimin e tij intelektual e profesional derisa arriti suksese të shënueshme, si pedagog universiteti, si “Doktor i Shhëndetit Publik”, si krijues i familjes së shëndoshë dhe si anëtar i Kishës Shqiptare Katolike dhe i Shoqatës Vatra. Si qytetar shqiptaro-amerikan ai jep ndihmesën e tij për ngritjen morale, fetare dhe kulturoro-politike të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe për unifikimin e kombit shqiptar të coptuar në gjashtë shtete.
Kisha Shqiptare Katolike dhe Shoqata Vatra nuk e kërkuan Pashkon, por ai i kërkoi dhe i gjeti këto institucione. Aty e shpuri formimi patriotik këtë bir të Malësisë Shqiptare, që ka mbetur jashtë kufijve të atdheut mëmë.
Të gjithë emigrantët, që largohen nga vendlindja dhe shkojnë të jetojnë në një atdhe të ri, mësojnë nga ky libër se duhet t’i bësh vetes pyetjet që i ka bërë shpesh autori i librit, për të qenë i mirorientuar dhe të mos i futesh punës thjesht për t’u pasuruar materialisht, sepse vjen një ditë që e kupton se pasuria nuk vlen po të kesh humbur identitetin tënd fisnor e kombëtar. Ti je kthyer thjesht në një numër si miliona njerëz, që jetojnë pa ideal.
Lidhur me realizimin artistik, dëshiroj të theksoj se ky libër ka mjaft pjesë që besoj i kanë zili dhe shkrimtarët e talentuar. Të tilla janë tregimet “Hyrja në ShBA”, “Babai im, heroi im”, “Lotët në sytë e babait tim”, etj, ku spikat zhdërvjelltësia e rrëfimit me figura emocionuese. Personazhi Rrok Pjetri, babai i autorit, skalitet si një malësor që shquhet për rruajtjen e traditave të shëndosha. Me zgjuarësinë e tij, ai jo vetëm fal gjakun e vet, por i pajton dhe dy bashkëfshatarët e armiqësuar midis tyre. Kjo ndërmarrje e tij është punë pararendëse e veprimtarisë madhore që kreu Prof. Anton Çeta disa vjet më vonë në Kosovë.
“Porosia e Kullës” shquhet dhe për pasazhe meditative e filozofike. Sa për ilustrim po riprodhoj një prej tyre, meditimin e autorit kur në fund të librit, pasi kishte arritur sukseset në atdheun e ri, shkoi për vizitë lamtumire në vendlindje, pikërisht tek fshati i braktisur Surkuq dhe kulla që po rënohej:
“Mbylla sytë përsëri dhe shtëpia tashti ishte e mbushur plot me jetë. Dëgjoja kërcitjen e zjarrit që ndriçonte fytyrat e njerëzve dhe ndieja aromën e ëmbël të lakrave që po zjeheshin në vatër. Familja ishte mbledhur, ulur në stolat e tyre rreth sinisë prej druri dhe thoshin lutjet para se të ndanin vaktin.
Fillimisht, ndjeva nevojën të flisja, të shpjegoja pse e kisha lënë shtëpinë time dhe të tyre, njëherë e përgjithmonë. Doja t’u kërkoja falje. Zhurma e erës, e cila vallëzonte nëpër xhamat e thyer të dritareve, u ndal papritur sikur donte të dëgjonte atë që kisha për të thënë. Por nuk e ndieja më nevojën t’u kërkoja të më falnin. Nuk kisha nevojë të flisja…
Aty u binda se kisha marrë vendimin e duhur. Më kuptuan se do të kisha bërë të njëjtën zgjedhje një mijë herë. Pesha e fajit që e ndieja deri atëherë disi u ngrit teksa kujtoja atë që kisha arritur atje, në shtëpinë time të re…
Gjyshi i kishte porositur të bijtë se për kullën nuk vdiset, për kullën jetohet. Madje u kishte thënë, derisa ata po përballeshin me dilemën e madhe, se kjo kullë nuk guxon të shuhet, se kjo kullë duhet të japë burra që do t’ i njohë kombi. “Kjo asht porosia ime, kjo asht porosia e kullës, o bijtë e mi”, – ishin fjalët e tij të fundit brenda kullës, ku unë tani po qëndroja…”.
Rrëfimet e librit shpalosin shkaqe të ndryshme politiko-shoqërore të shpopullimit të fshatrave shqiptare të Malësisë së Madhe që ka mbetur në Mal të Zi. Autoritetet malazeze i keqtrajtonin shqiptarët. Gjyshin dhe babain e autorit ata i vranë barbarisht, kurse djaloshin Pashko e shikonin me mosbesim, nuk i dhanë mundësi të ndjekë shkollën e lartë. Me një fjalë e detyruan ta braktiste vendlindjen për të realizuar ëndrrën e tij, shkollimin për t’u bërë mjek. Endërr të cilën e realizoi në atdheun e ri.
Uroj që pas kësaj prove të suksesshme autori të vijojë hartimin e tregimeve mbi jetën e shqiptarëve të Malësisë që ka mbetur në Mal të Zi për të treguar se si edhe ata ashtu si ai mundën ta mbanin “porosinë e kullës” duke “nxjerrë burra që i njeh kombi”. Të tillë burra egra mbijetuan dhe arritën ta shpallin Tuzin “Bashki Shqiptare”, të hapin stacion televiziv, të përurojnë shtatoren e Nënë Terezës dhe të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, si dhe suksese të tjera.