Nga Don Lush Gjergji/*
“Familjet katolike shqiptare në Shkup, (dokumente, fotografi, dëshmi I), studim dhe botimiInstituti i Trashëgimisë Shpirtërore e kulturore të shqiptarëve të Shkupit (2018), Acta non Verba. Autorë: Skender Asani, Albert Ramajm Natasha Didenko, Shkup, 2018, f. 481.
Ky libër mbulon një zbrazëti dhe mangësi historike dhe aktuale për Shkupin e dikurshëm, sidomos sivjet në 90 vjetorin e nisjes së Shën Nënës Tereze për misione në Indi.
“Memoria perditur”, po tretet kujtesa, pasi që çka nuk është shënuar dhe dokumentuar, si të mos kishte egzistuar.
“I mençuri shkruan, i marri mbanë në mend”, thotë fjala popullore, ose urtia latine: “Verba volant, scripta manent” – fjalët fluturojnë, shkrimet qëndrojnë. Mungesa e këtij qëndrim na ka dëmtuar shumë historikisht dhe aktualisht gati në çdo lëmi.
Prandaj, të kujtohet e mos të harrohet,qortim historik dhe gjithnjë aktual për ne.
Ky studim dhe botim është mjaft i qëlluar, i rrallë dhe specifik, deri diku i plotëson nevojat e historiografisë sonë kaq të mangët, të copëtuar dhe cunguar, të pranishme ende kryesisht nëpër arkiva të huaja, aty-këtu edhe ndër ne.
Botimi në fjalë është dy gjuhësor, shqip dhe anglisht, për një komunikim sa më të gjerë dhe domethënës.
Pjesa e parë i kushtohet Ipeshkvisë Shkup-Prizren nëpër shekuj, me trajtim të veçantë të disa figurave karizmatike, si Imzot Pjetër Bogdani,Toma Raspasani, Don Zef Ramja, Imzot Lazër Mjeda…
Një kapitulli i rëndësishëm i kushtohet shkollave katolike shqiptare në Shkup, si dhe kontributit të çmuar të Kolë Bojaxhiut në këtë drejtim.
Nuk lihet pasdore as figura e ndritur e Don Ndue Bytyqit, shkupjan, poet, shkrimtar, përthyes, mësues, bamirës, patriot, fatkeqësisht pak i njohur dhe studiuar ndër ne.
Në këtë monografi përpunohen edhe figura e prof. Lorenc Antonit, njeri shumë i lidhur me familjen Bojaxhiu, sidomos me Gonxhen, nga i cili kam marrë shumë shënime, dëshmi dhe fotografi. Dua të theksoj se jeta e tij artistike ka filluar me Gonxhe Bojaxhiur, me komponimit e parë të poezisë së Hil Mosit, Në breg të liqenit, enkas për Gonxhen dhe Dranen (25 mars 1928), dhe ka përfunduar me komponimin e tekstit Lamtumirë, (shtator të vitit 1991), që është himni i bamirësisë. OKB-ja, siç dihet, 5 shtatorin e ka shpallur Dita Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Nuk mungojnë as figurat tjera, si Dr. Don Gaspër Gjini, Vinçenc Gjini e tjerë.
Një kapitull i veçantë i kushtohet Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze dhe Nasta Mihillit, m. Gabriela, si motra të Loretos.
Botimi vijon me familje tjera shqiptare katolike: Antoni, Serreqi, Ukajdini, Gjini, Nreca, Marku.
Pjesa e fundit i paraqet varrezat katolike shqiptare në Shkup, si dëshmi e gjendjes së vështirë edhe për të vdekur, e jo më për të gjallë, me trysni të ndryshme. Libri përfundon me historinë e kishave në Shkup.
Përparësitë e këtij botimi:
- Është studimi dhe libri i parë i tillë ndër ne;
- Shpjegon dhe dokumenton me fakte, dëshmi dhe fotografi kontekstin familjar, shoqëror, fetar dhe kulturor të asaj periudhe në Shkup;
- Argumenton trashëgimin historike shumëvjeçare, si mundësi për ta njohur Shkupin të atëhershëm tonë dhe të Gonxhe Bojaxhiut, kontekstin shpirtëror, kulturor, fetar dhe kombëtar që e linden, rriten dhe edukuan Nënën tonë Tereze.
Ndoshta, me ndonjë studim dhe botim të ardhshëm, mund të përpunohet më tepër famullia e “Zemrës së Krishtit”, veprimtaritë e ndryshme baritore, shkollore, edukative, fetare dhe kombëtare të meshtarëve që kanë ndikuar në edukim dhe formimin e Gonxhe Bojaxhiut në fëmijëri dhe rini, ndihma e tyre për zbulimin dhe zbatimin e thirrjes rregulltare dhe misionare.
* (Fjala në promovimin e librit Skender Asani, Albert Rama, Natasha Didenko, “Famljet katolike shqiptare në Shkup” (dokumente, fotografi, dëshmi I), Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve – Shkup, 2018, i mbajtur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, më 26 gusht 2018)