• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shna Ndou – Shenjti i botës

June 13, 2023 by s p

Don Lush Gjergji/

Edhe pas shumë vitesh dhe shekujsh, Shna Ndou i Padovës është gjallë, shumë aktual, i dashur dhe i nderuar nga të gjithë, të krishterë, besimtarë dhe jo besimtarë, si Shenjt ndërkombëtar, edhe më shumë: Shenjt i botës.

Këtë e dëshmon përshpirtëria popullore, do të thoja plebiscitare, ju, prania dhe nderimi, dashuria në shumë kisha, shenjtërore, trupore, figura, altarë. Ndër ne në Kosovë në katër kisha: në Prishtinë, Gjakovë, Binçë dhe në Gllogjan.

E nëse i mbarë botës, atëherë edhe i yni, i popullit tonë Shqiptar, sidomos me shenjtëroren e tij të njohur në Shqipëri, ndër Shqiptarë, në Laç.

Fernando Bulioni, ashtu quhej Shën Ndou, lindi në Lisbonë të Portugalisëmë 15.VIII.1195, në festën e të Ngriturit të Zojës në Qiell, datë shënjuese dhe paralajmëruese se do të jetë Shenjt me përshpirtëri mariane.

Prindërit e tij ishin Martin dhe Maria Bulioni, ndërsa Ferdinandi ishte fëmija i tyre i parë. Emri i tij Fernand në gjuhën vizigote d.m.th luftëtar i paqes. Fernando u rrit praktikisht në katedrale, në prehrin e dy nënave: nënës Mari dhe Virgjërës Mari.

Urata dhe shembulli i mirë familjar, ndihmuan Fernandon të rritej në paqe dhe qetësi, në mirësi dhe dashuri. Babai i tij ishte kalorës i njohur, luftëtar I dalluar. Dëshira e tij ishte që edhe Fernando të bëhej kalorës.

Mirëpo Fernandon e tërhiqte urata, më tepër se arma, jeta luksoze, lojërat dhe ahengjet e ndryshme të kohës. Prindërit e tij ishin të shqetësuar përse dhe si Fernando i tyre nuk tregonte interesim për punët familjare dhe dëshirat e tyre.

Ferdinando – njeri në kërkim

• dëshirën e prindërve dhe të rrethit ishte kjo: që ai të vazhdonte traditën familjare: jetën e kënaqësive, zbavitjeve, begative materiale, të traditës, lavdisë dhe sukseseve familjare, ushtarake…

• dëshirën e tij ishte që të mësonte te etërit Augustinian, ku ishte shkolluar (1201-1210), të lutej, të jetonte një jetë të tërhequr dhe të përkushtuar.

• Cila ishte dëshira e Zotit? Ishte në kërkim dhe në pritje. Së pari iu bashkëngjit etërve Augustinian, dhe për tetë vite qëndroi Koimbra, kryeqyteti i atëhershëm portugez, ku edhe ishte shuguruar meshtar, pas përgatitjes solide filozofike dhe teologjike, në vitin 1220.

Ferdinando meshtar

Mendonte kështu: tashmë vullneti i Zotit është plotësuar, jam meshtar dhe rregulltar augustinian, merrem me shkrime dhe lexime, me uratë dhe meditime. Mirëpo kjo kënaqësi zgjati shumë pak kohë.

Tash i lindi një dëshirë tjetër, më e madhe, me e vështirë, më e rrezikshme: martirizimi, të vdiste për Krishtin! Thoshte: Ai ka vdekur për mua, për ne, e unë çka bëj për Të, për shëlbimin tim, të mbarë njerëzimit?

Shoqëria, edhe meshtarët i thonin: lëri këtë “ëndërrime”, ti ke flijuar për Krishtin dhe për Kishën jetën, çdo gjë, çka të nevojitet tashmë edhe martirizimi? A nuk martirizohesh çdo ditë nga pak?

Kjo dëshirë i lindi kur, nga Maroku, i sollën pesë françeskanë të cilëve myslimanët iu kishin prerë kokën, për t’i varrosur në Portugali, dhe pas varrimit madhështorë në të cilin mori pjesë edhe Don Fernando (Shna Ndou).

Ata martirë, si t’i thoshin personalisht atij: ne e kryem misionin tonë, e vulosëm fenë dhe dashurinë për Krishtin dhe Kishën e Tij me gjakun tonë, e ti çka je i gatshëm për të bërë në këtë drejtim?

Prapë një vendim i çuditshëm, nga ana njerëzore edhe absurd, por me frymëzim hyjnor: Dua t’i zëvendësoj ata për të zbutur urrejtjen ndërfetare dhe për ta dëshmuar dashurinë e dyfishtë, ndaj Jezu Krishtit dhe ndaj vrastarëve.

Për realizimin e kësaj dëshire kishte nevojë të jetë tërësisht i varfër, pa asgjë, si françeskanët, për të qenë vërtet ilirë, i “pasur” vetëm me Krishtin.

Fra Ndou – martir i dështuar

Mu për këtë ishte larguar nga rregulli Augustinian, ku kishte fituar dijen dhe përshpirtërinë, dhe iu kishte bashkuar Shën Françeskut të Asizit dhe rregullit të tij të varfër.

Së fundi, i dukej se e kishte qëlluar udhën e Zotit. Ishte i lirë, i lumtur.

Mbetej dëshira për martirizim në Maroko, ku ishin vrarë pesë françeskanët. Arriti t’i bindte eproret për këtë hap, por jo edhe Zotin. Gjatë një viti në Maroko (1220-1221) ishte i sëmurë, prandaj edhe martir i dështuar.

Më vonë shkruante kështu: Maroko, predikimi dhe martirizimi atje, nuk ishte plani i Zotit, por dëshira ime. Mu për këtë dështova.

Jeta – sfidë në vazhdimësi: Të kthehej prej Marokos në Portugali, por valët e detin e bartin në Itali, ku pati një veprimtari të bujshme si predikatar i palodhshëm (1222-1231), epror françeskan (1227-1230), rrëfyes, edukator, mrekullibërës deri në vdekje (1231).

Shna Ndou qëndroi në Padovë, si një lloj selie për atë, aq sa quhet Shna Ndou i Padovës.Aty derdhi fuqitë e fundit të jetës së vet në dobi të Kishës çdo njeriu, me synimin kryesor: SHËLBIMI I AMASHUAR.

Pas predikimeve të përditshme të kreshmëve, pendesës së rëndë, punës baritore, rrëfime, shkrim lexim, Fra Ndou ishte i lodhur, shpesh i molisur. Gjendja e tij shëndetësore keqësohej çdo ditë e më tepër. Për të pushuar pak tërhiqet tek një bujar meemrin Tiso, jo larg Padovës. Edhe pse i kishte kushtet optimale për të pushuar dhe shëruar, kjo nuk ndodhi.

Dëshira e tij e fundit tokësore: ishte e premte, më 13 qershor 1231. I tha dy vëllezërve françeskanë që ishin gjithnjë me të: Sa bukur do të ishte të vdesë sot! Dhe duke folur mbi Zojën e Bekuar, kryeveprën e dashurisë së Zotit, diku në mesditë, humbi vetëdijen. Kur u këndell pak, i shpreh dy dëshira:

Të kthehet tek Ati në qiell, por para se të shkonte atje, dëshiron të kthehet në Padovë. Kështu, edhe pse në gjendje kritike,nisen për Padovë me dy vëllezër françeskanë. Pasi që ishte i lodhur, e nuk mund as të fliste mirë,u ndalen në Arcella, në një kuvend françeskan. Pasi mori sakramentet, vdiq në këtë kuvend më 13.VI.1231 rreth orës 16,në moshën 36 vjeçare.

Varrimi i të ndjerit u bë në Padovë të martën më 17.VI.1231 në kishën e Shën Marisë, i udhëhequr nga ipeshkvi i vendit. Pas hulumtimeve të parapara për shenjtërim, jetës së tij, mrekullive të shumta, 34 të aprovuara nga autoriteti kishtar, u shpall shenjt nga Papa Gregori IX (30.V.1232).

Sot varrin e Shenjtit dhe Bazilikën e tij në Padovë e vizitojnë rreth 4 milion shtegtarë në vit.

Populli i krishterë ia ka dhënë Shna Ndout katër emërtime: postieri i Zotit, ndihma e shpejtë apo e parë, specialisti për gjëra të humbura dhe “ekonomi” i Kishës dhe i të varfërve.

Porosia për ne

Po ta pyesim sot Shna Ndoun, si arriti të gjitha këto virtyte, shkallë të larta shenjtërie, vetëm pas 36 viteve të jetës tokësore? Përtgjigja e tij do të ishte shumë e thjeshtë dhe bindëse:

Nëpërmjet uratës, pendesës dhe bamirësisë! Përcjellësja e jetës së tij ishte Virgjëra Mari, ndërsa shtylla, ushqimi, siguria, ishte Eukaristia.

Thoshte shpesh kështu: qysh tash jam tejet i lumtur, me tri katedra:

Për mësim: nëpërmjet Biblës – Kishën, për gjetjen e porosisë dhe vullnetit të Zotit;

Për predikim: nëpërmjet jetës së virtytshme dhe dëshmisë së krishterë;

Për shijim: të mëshirës, dashurisë dhe faljes – nëpërmjet rrëfimit apo pajtimit.

Shna Ndou na mëson dhe udhëzon kështu: “Feja pa dashuri s’ka dobi. Dashuria është shpirti i fesë, sepse asaj ja jep jetën. Feja dhe shpresa janë dy krihet e zogut për të fluturuar”.

Shna Ndou ishte i dashuruar në Krishtin, Kishën, çdo njeri, dhe donte Atë t’ia dëshmonte, tregonte dhe dhuronte gjithë botës. Si? Nëpërmjet fesë, shpresës dhe dashurisë, që dëshmohen me përsosmëri dhe shenjtëri.

Jeta vazhdon. Mrekullia vazhdon. Shëlbimi vazhdon!

Shna Ndou i Padovës – lutu për ne!

Filed Under: Reportazh Tagged With: don Lush Gjergji

“E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR”

June 15, 2022 by s p

Shkup, 14 qershor 2022 – Në ITSHKSH (Instituti i Trashgimis Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup) u promovua libri “E KAM NË ZEMËR POPULLIN TEM SHQIPTAR” të auorit Don Lush Gjergji, ku ishte i pranishëm edhe vet ai. Me këtë rast drejtori Prof.dr. Skender Asani tha se ky libër, i 17 me radhë i Don Lush Gjergjit, sjell përvojën personale të tij në raport me Nënën Tereze, e cila ishte objekt analizash e studimesh të autorit që nga njohja e parë me të në vitin 1969. Ky libër është botuar në nderim të 40 vjetorit të marrjes së Çmimit Nobel për Paqe nga Nën Tereza dhe sjell disa intervista, reportazhe e kujtime të Don Lush Gjergjit, të shkruara me përkushtim e dashuri, tha Asani.

Ai njoftoi se këtë promovim po e bëjmë për të nderuar kujtimin për Nënën Tereze, në 25-vjetorin e shuarjes së saj, me ç’rast Departamenti për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Tereze, po e vazhdon traditën e ruajtjes dhe nderimit të një prej figurave më me ndikim në planet, siç ishte Nënë Tereza. Asani tha se një me këtë rast një mirënjohje i dedikohet edhe Don Lush Gjergjit, i cili ka përzgjedhur pikërisht ITSHKSH që të prezantojë librin e tij të radhës.

Për librin foli Prof. dr Ines Murzaku, profesoreshë universitare shqiptaro-amerikane, e cila vuri në dukje se ky libër ofron burime primare të dorës së parë mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze. Ajo ndër të tjera duke përshkruar profilin e Nënës Tereze tha se thelbi i ekzistencës së urdhërit është jeta shpirtërore e misonionarëve të dashurisë. Nënë Tereza, tha ajo vinte nga periferia, por punoi me dashuri dhe e vetmohim, duke bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Në vazhdim, prof. Murzaku shkoqiti edhe disa pjesë të librit duke u ndaluar në kapituj të veçantë. Me këtë rast ajo veçoi mbresat nga qyteti i lindjes, Shkupi, të cilat ishin transponuar në intervistat me Don Lush Gjergjin. Ajo tha se rinia moderne dhe njeriu sot, janë të lidhur nga fjalët dhe premtimet e reja. Ajo që ka nevojë të shohim është puna e vërtetë dhe dëshmitë konkrete, nënvizoi Murzaku.

Libri “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, tha Emin Azemi udhëheqës i Departmanrtit të Letërisës në ITSHKSH, është një burim referencash për të gjithë ata që duan t’i kompletojnë dhe sistemojnë njohuritë mbi plotninë e figurës së Nënës Tereze, por edhe një lidhje me botën e pasur të një gruaje që mbolli në mendjet dhe zemrat tona faren e dashurisë për Hyjin dhe njeriun. Sipas Azemit, Don Lush Gjergj me këtë libër ka pasuruar jo vetëm bibliotekat, por edhe horizontin tonë të kërkimit pas modelit të një personaliteti si Nënë Tereza, e cila vazhdon të na frymëzojë me fuqinë e rrezatimit të saj human e shpirtëror.

“Në perceptimin e përgjithshëm, figura e Nënës del si një profil njerëzor tek i cili dominonte dimensioni kosmoplit, si një figurë që është shkëputur nga trungu i origjinës dhe peshën e rëndesës humane e kishte shkarkuar rrugëve të braktisura të Indisë dhe skutave të vemtumuar të botës, ndërkohë që ekziston edhe një perceptim tjetër, sidomos i atyre që e kanë njohur nga afër dhe shumë mirë natyrën e saj njerëzore, ku bën pjesë edhe Don Lush Gjergji, ku figura e Nënë Terezë na shfaqet me një dimension tjetër, me një frymë që korrespondonte me dashsurinë e saj të pashuar ndaj familjes, por edhe ndaj vendit të origjinës”, u shpreh Emin AZEMI.

Në përmbyllje të këtij promovimi, autori i librit Don Lush Gjergji, shprehi falenderime të përzemërta në adresë të ITSHKSH-së dhe me këtë rast shpalosi edhe disa detaje të pa thëna në librin e tij, e që kishin të bënin me jetën e Nënës Tereze. Pastaj ai përmendi tri arsyet që e shtyen atë, që ta shkruaj dhe botoj këtë libër: Nata e lindjes se Gonxhe Bojaxhiut, 40 vjetori i Çmirimit Nobel për Paqe, si dhe një jubile personal i tij – 50 vjetori i takimit të parë me Nënë Terezën në Romë, më 29 mars të vitit 1969. (www.itsh.edu.mk).

Filed Under: Kulture Tagged With: don Lush Gjergji

Përshpirtëria e Nënës Tereze

April 6, 2022 by s p

(25 – vjetori i vdekjes)

JEZUSI DHE MËKATARËT

“Për të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të .“

                                       (Gjn 3, 17; krhs. Mt 20, 28; Mk 10, 45; Lk 19, 19)

“Jezusi mund të falë shumë, sepse ka shumë dashuri, mund ta falë një mëkat të madh. Siç është për Jezusin, ashtu duhet të jetë edhe për ne, nëse vërtet duam të falim, duhet vërtet të duam.”

                                                                                            (Nëna Tereze)

Njeriu njëkohësisht është i mirë dhe i keq, i fortë dhe i dobët, i vdekshëm dhe i pavdekshëm, shpirtëror dhe trupor, i prirë kah e mira, por edhe e keqja. Dëshirat e tilla krijojnë në ne konflikte të brendshme: mundem apo nuk mundem, duhet apo nuk duhet, dua apo nuk dua, është mirë apo keq, është e dobishme apo e dëmshme, shërben apo nuk shërben?

Mirëpo, krenaria nuk na “lejon” që ta pranojmë paaftësinë tonë, kufizimet, edhe më pak që vetëm me të tjerët mund ta realizojmë vetveten; edhe më pak, të pranojmë se pa Zotin, njeriu është qenie e padefinuar: në kërkim, i tretur, i pakënaqur, i pasigurt, i dëshpëruar…

Një përvojë e ngjashme, është edhe mëkati, sidomos kur vjen në shprehje dobësia njerëzore, kufiri, paaftësia e njeriut për të zgjedhur e bërë mirë, si dhe evituar të keqen.

“Në të vërtetë, njeriu nëse vështron brenda zemrës së vet, zbulon se është i prirur edhe nga e keqja, dhe është i zhytur në shumë mjerime, që sigurisht nuk mund të vijnë prej Krijuesit, i cili është i mirë… Kështu, njeriu është i ndarë në vetvete. Prandaj e gjithë jeta njerëzore, si individuale ashtu edhe kolektive, paraqet karakteristikat e një lufte dramatike mes të mirës dhe të keqes, mes dritës dhe errësirë. Madje njeriu është i paaftë t’i kapërcejë siç duhet ai vetëm sulmet e të keqes, kështu që secili ndihet si i  lidhur”. (GS 13)

Kjo përvojë e shtyri Shën Palit të shkruante kështu: “Dhe e di se e mira nuk banon në mua – dmth. në natyrën time trupore: sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën, pasi nuk e bëj të mirën që dua, por të keqën që nuk e dëshiroj, atë e bëj.” (Rom 7, 18-19)

Në këtë luftë të brendshme, çdo njeri ka nevojë të përkrahet, ndihmohet dhe solidarizohet për të arritur në rritjen e së mirës dhe vetvetiu pakësimin e së keqes.

“Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, indiferenca e tmerrshme për të afërmin, që lëngon nëpër rrugët e botës, si viktimë e shfrytëzimit, korrupsionit, moskujdesit shëndetësor, padrejtësisë.” (Nëna Tereze)

Jezusi bëhet njeri për të na ndihmuar, përkrahur dhe lehtësuar në këtë luftë të brendshme mes të mirës dhe të keqes. Madje, me dashurinë e tij, me falje, me vdekje dhe ngjallje, na dhuron lirinë nga robëria e mëkatit dhe vdekjes. Mu për këtë, në jetën dhe veprimtarinë e tij Ai pati një parapëlqim  të veçantë ndaj mëkatarëve, duke u munduar kështu ta përkrahte të mirën në çdo njeri, si  dhe për ta mposhte të keqen.

Jezusi, haptas dhe qartas thotë: “Biri i njeriut erdhi ta kërkonte e ta shpëtonte atë që kishte humbur.”  (Lk 19, 10)

Misteri i së mirës dhe së keqes në njeriun, varet nga shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, mbi të gjitha, nga përdorimi i lirisë. 

“Njeriu, mund të drejtohet nga e mira vetëm në liri. Bashkëkohësit tanë e vlerësojnë së tepërmi dhe kërkojnë me afsh atë, e me të drejtë. Por shpesh e kultivojnë atë në mënyrë të gabuar, sikurse të ishte e lejueshme gjithçka që na pëlqen, përfshirë këtu edhe të keqen. Liria, te njeriu është një shenjë e privilegjuar e shëmbëlltyrës hyjnore… Njeriu, arrin në këtë dinjitet kur, duke u liruar prej çdo skllavërie pasionesh, priret nga qëllimi i vet nëpërmjet zgjidhjes së lirë të të mirës  dhe me nismën e vet të zellshme gjen mjetet e përshtatshme për këtë. Këtë drejtim nga Hyji, liria e njeriut, realisht e plagosur prej mëkatit, nuk mund ta bëjë plotësisht efektive përveçse nëpërmjet ndihmës së hirit hyjnor”.  (GS 17).

Çelësi i këtij ndërrimi dhe përmirësimi, është JEZUSI, hapja dhe bashkëpunimi me të. Mosdorëzimi para së keqes, besimi në Jezusin, në fitoren e tij, që bëhet liria, gëzimi dhe fitorja jonë. Vetëm Jezusi është liria jonë e plotë, që përkrahë të mirën në ne, e rritë atë, e bënë të pjekur dhe veprues, duke shtuar në ne aftësinë për bashkëpunim me të tjerët.

Është mrekulli dëshmia e kësaj lirie, edhe pse jemi të dobët dhe mëkatarë, sepse Zoti kurrë nuk na braktisë, dhe Ai kurrë nuk është dëshpëruar në njeriun dhe njerëzimin. Madje, mund të themi kështu: sa më të dobët jemi, aq më shumë na do dhe përkrahë, sepse e di se hiri i tij “ndikon në ju e të doni e të veproni.”  (Fil 2,13)

Fatkeqësisht, edhe pas dymijë vjet, ende shumë njerëz nuk duan ta dinë dhe ta pranojnë të vërtetën bazë që Jezusi është e vetmja mundësi e vërtetë për të qenë njerëz të ri, të lirë, të aftë për të dashur dhe kërkuar dhe dhuruar falje, për t’u gëzuar dhe pikëlluar, për të besuar, dëshmuar dhe jetësuar  humanizmin e ri, familjen e re, botën e re të përtërirë në Jezu Krishtin (krhs. GS 22).

Për shumë njerëz, Jezusi trajtohet ende vetë si kufizim, pengesë, ndalesë e lirisë dhe të realizimit, gati si një lloj rivali, madje edhe si dikush që dëshiron t’na detyrojë në robëri. Për ata që mendojnë dhe besojnë kështu, liria e vërtetë është e keqja, mëkati, liria për të bërë çka di, mundëm, më pëlqen mua, si arbitrarizëm i gjithçkahit.

Nëma Tereze dëshmon: “Mëkati na përndjek, është i pranishëm në ne. Mirëpo kurrë nuk duhet të dorëzohemi dhe dëshpërohemi. Nuk duhet të ndihemi dhe të jemi të pashpresë…Gjithë kjo nuk na nevojitet nëse e kemi kuptuar butësinë e dashurisë së Zotit. Ne jemi të çmuar për Atë, sepse Ai na do, na do aq përkushtim, sepse jemi të trajtuar me dorën e tij.. Kur zemra juaj është e shqetësuar, kur zemra juaj është në dhembje, kur zemra juaj duket se po thuhet… atëherë kujtojeni këtë: “Unë jam i çmueshëm për Atë, Ai më do. Më ka ftuar për emër. Jam i tij. Zoti më do. Për ta dëshmuar dashurinë e tij Jezusi ka vdekur në kryq.”  

Në luftë kundër mëkatit, nuk jemi të vetmuar: me ne është gjithmonë Jezusi, bashkësia e krishterë, hiri i Zotit. Me përvujtëri dhe dashuri mund të shkojmë përpara në kërkim të së mirës dhe të lirisë, të përsosmërisë.

 E vetmja fuqi që mund ta ndërrojë botën është DASHURIA – ZOTI. Nëse është e vërtetë gjendja e së keqes, mëkatit, edhe më e vërtetë është vepra e shëlbimit – Krishtit të mëshirshëm. Atëherë, pse të ndalemi te hapi i parë, i së keqes, dhe mos të ecim deri në fund, te Jezusi dhe me Jezusin, me të cilin edhe ne e mundim të keqen, robërinë, mëkatin. 

Nëse është e rëndë dhe e dhembshme gjendja e mëkatit, aq më e bukur  dhe ngushëlluese është ajo e faljes, dashurisë dhe mëshirës  – JEZUSI!

Prishtinë, 6 prill 2022       Radio Maria – Kosovë           Don Lush GJERGJ

Filed Under: Interviste Tagged With: don Lush Gjergji

“E kam në zemër popullin tem Shqiptar”

November 6, 2021 by s p

Don Lush Gjergji

Bisedat me Shën Nënën Tereze, DRITA, 2019;

Conversazioni con Madre Teresa, Velar – Edizioni Dottrinari, 2021

(111 – vjetori i lindjes, pesë vjetori i shenjtërimit)

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910, atëherë kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës, nga prindërit shqiptarë katolikë Kolë Bojaxhiu dhe Drane, lindur Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. 

Ajo është fryti më i bukur i krishterimit lashtësor dhe martir, prej kohës së Shën Palit dhe nxënësve të tij, në popullin tonë dikur ilir dhe arbëror, sot shqiptar.

Jemi ndër popujt e rrallë, që kemi “mozaikun e feve”, krishterimit dhe islamizmin, gjithnjë të hapur për dialog ndërfetar, duke jetuar dhe vepruar vëllazërisht dhe bashkarisht, si shqiptarë dhe besimtarë monoteistë, model për botën e sotme,  me këtë vëllazëri të dyfishtë. 

Pas 16 veprave kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, ja edhe botimi im i 17 -të, me titull ”E kam në zemër popullin tem Shqiptar”. Pse ky libër i ri për Shën Nënën Tereze?

Çka pashë, dëgjova, përjetova për së afërmi me Nënën Tereze, atë po ua dhuroj edhe juve, që të jeni disi “pjesëmarrës” në këtë risi dhe mrekulli të shekulli XX, edhe më tepër, të shumë shekujve, të njerëzimit dhe krishterimit.

Ky botim është shumë burimor, i rrallë, mjaft i dalluar, një lloj “Ungjilli sipas Nënës Tereze”, apo “Ungjiili i pestë”, sepse botohen si tërësi: 7 intervista të saja ekskluzive, 6 më mua dhe një me Mons. Nikollë Minit, pesë vizitat e saja në Kosovë (1970, 1978, 1980, 1982, 1986), fjala e rastit të Nënës Tereze nga “Katedra e Paqes” dhe përshtypjet, përjetimet, përvojat e mia me të gjatë gjithë këtyre viteve, 1969 – 1997.

Çfarë risie sjell ky libër? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajo ka dhënë e mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.

Prandaj, dëshira ime është kjo: mbarë populli Shqiptar, por edhe popujt dhe vendet tjera, që sa ajo ishte e gjallë dhe ndër ne, nuk kanë pasur mundësi ta shohin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmjet teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, leximeve dhe meditimeve, ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:

  • Për ta njohur atë si vërtet ishte dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë;
  • Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelizmit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;
  • Për ta dashur dhe imituar,  në mirësi dhe dashuri, së paku në rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore, apo si do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe”;
  • Për të krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, shtylla këto pa të cilat jeta s’ka kuptim: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.
  • Për ta mësuar artin e jetës dhe të dashurisë, apo për t’i përngjarë Nënës së madhe, sipas parimi: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.
  • Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.
  • Me një fjalë: unë atë po ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar,  në një mënyrë edhe mbarë Kishës katolike dhe botës, sidomos të varfërve ndër më të varfër, të gërbulurve, atyre që janë në buzë të vdekjes, “Nënën time Tereze” duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime, që çdo njeri i mendjes së hapur, zemrës së mirë, në Shenjtëreshën tonë ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse të fortë dhe të dashur për hapat tanë jetësor në të tashmen dhe në të ardhmen.
  • Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor, si dëshmi e krishterimit ndër ne, të Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë mos të harrohet.

Risitë e jetës dhe veprës së Nënës Tereze

  1. Nënë e dashurisë universale, si është Zoti krijues  dhe shpëtimtar i çdo njeriut; si është jeta, dhuratë dhe mundësi për çdo njeri; si është dashuri, burimi gëzimi, lumturie dhe  pavdekësie, amshimi. 

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës:
• tradita dhe përvoja kombëtare ilire, arbërore dhe  shqiptare, që mbështetet në këtë parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”;” Mirë së të ka pru Zoti!”…
• si dhe përvoja dhe jeta e dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, kur Jezusi identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjlit, e bëtë për mua” (Mt 25, 40).
• Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë, që ka dy burime të pashtershme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllain apo motrën Njeri. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur dhe zbatuar një vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, agnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

  1. Kontemplative – aktive, gjithnjë dhe gjithçka  me Zotin, për Zotin, si dhe me njeriun dhe për njeriun, pa i ndarë apo përjashtuar kurrë nga jeta dhe veprimtaria. Ky “dualizëm” – Zoti dhe Njeriu apo Njeriu dhe Zoti – kanë krijuar te Nëna Tereze harmoninë e mrekullueshme nëpërmes fesë dhe dashurisë gjithnjë në kërkim dhe në veprim. 

Papa Françesku për Nënën Tereze në Shkup ndër të tjera tha :  “Uri për bukë, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Si e njihte kaq mirë Nëna Tereze këtë uri, ajo që ka dashur që jetën e saj ta themelonte në dy shtylla: Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mishëruar në të varfër. Dashuri që marrim dhe dashuri që dhurojmë. Dy shtylla të pandashme që e kanë karakterizuar ecjen e saj, e kanë lëvizur, edhe ajo me dëshirë për ta shuar etjen dhe urinë e Tij. Ka shkuar te Zotëria dhe në të njëjtën kohë ka shkuar te vëllai i nënçmuar, i padashur, i vetmuar dhe harruar; ka shkuar te vëllai dhe e ka gjetur fytyrën e Krishtit… “ (Shkup, 7 maj 2019).

  1. Shenjtëresha e Jetës dhe Dashurisë: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”; sidomos mbrojtjen e jetës së fëmijëve të pa lindur, njerëzve të dëbuar dhe të përjashtuar, të varfërve ndër më të varfër, të gërbulurve, të moshuarve, të atyre që gjithnjë pësojnë dhe fare nuk jetojnë, por vuajnë dhe pësojnë. Jeta pa dashuri është vetëm barrë, peshë, kryq, sepse kuptimi i jetës dhe veprimtarisë është Dashuria.
  2. Vuajtja bekim e jo mallkim, duke ia gjetur kuptimin në vuajtjen e motivuar dhe të ofruar, në bashkë-ndarje me Jezusin dhe me çdo njeri. Solidariteti, edhe më tepër, dashuria në veprim është mjekimi universale për çdo të keqe në botë.

Ajo thoshte kështu: ”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.

  1. Dhurim falas dhe në tërësi, si risia e pestë e Nënës Tereze, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe me falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëje këtë punë me zemër, ose mos e bëj aspak!” 

Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.

Shën Nëna Tereze lutu për Popullin tonë Shqiptar dhe për botën mbarë!      

                                                                                                                             Don Lush Gjergji

Veprat e Don Lush Gjergji-t kushtuar Nënës Tereze:

  • Nëna jonë Tereze, shqip, 1980; 1990; kroatisht, 1982; 1990; sllovenisht , 1983; italisht, 1983; 1985, 1988;  frëngjisht, 1985; spanjollisht, 1988, 2016; hungarisht, 1990; anglisht, 1992.
  • Lule për Nënën, shqip, 1986; italisht, 1987.
  • Dashuria në vepër: Nëna Tereze, shqip, 1992; kroatisht, 1995.
  • Gonxhja jonë – Nëna  e botës, 1998.
  • Madre della carità, italisht, 1990, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1991; 2010; frëngjisht, 1993; spanjolisht, 1993, 2010; polakisht, 1994; gjermanisht, 1995; shqip, 2000; 2010; kroatisht, 2007; sllovenisht 2009.
  • Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, Poezi dhe Uratë, zgjodhi: Dr. don Lush Gjergji, 1998; 2000.
  • Vivere, amare, testimoniare, La spiritualità  di Madre Teresa, dy vëllime, italisht, 1995, ribotohet për çdo vit;  anglisht, 1998; polakisht, 1999; shqip, 2016.
  • Živjeti s Kristom, kroatisht, 1997.
  • Ljubiti s Marijom, kroatisht, 1997.
  • Svjedočiti s Crkvom, kroatisht, 1998.
  • Zraka Božje Ljubavi, kroatisht, 1998.
  • Madre Teresa, L’amore in azione, italisht, 2002; 2003, 2007; 2009; polakisht, 2002; 2003; litvuanisht, 2003; anglisht 2008; 2010; shqip, 1992; 2010.
  • Bog ljubi danas preko nas, kroatisht, 2003, sllovenisht, 2009.
  • Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë, shqip, 2010; italisht, 2010; anglisht, 2010; polakisht, 2010; rumanisht, 2010.
  • Jeta, Dashuria, Dëshmia. Përshpirtëria e Nënës Tereze, 2016
  • Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nëna Tereze, italisht, shqip, kroatisht, 2017.
  • E kam në zemër popullim tem Shqiptar, 2019.

Filed Under: Kulture Tagged With: don Lush Gjergji

Shën Nëna Tereze: jeta, porosia, trashëgimia dhe risia

September 4, 2021 by s p

Don Lush GJERGJI

                     (5 – vjetori i shenjtërimit)

  1. Jeta

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910 nga prindërit shqiptarë katolikë Kolë Bojaxhiu dhe Drane, lindur Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. 

Shkollën fillore – katër vitet e para – i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, ndërkaq vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore. 

Në moshën 18  vjeçare vendosi t’i shërbente plotësisht Zotit, Kishës, njeriut, përmes jetës rregulltare të “Motrave të Loretos” që vepronin në Kalkutë. Dhe atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi i infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shumë shkollave të mesme në Kalkutë. 

Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”. 

Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze”(1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977).

Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare; edhe atë Nobel për Paqe (1979). 

Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.

Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe salikim, si në lumturim, ashtu edhe në shenjtërim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën pa asnjë dallim dhe  përjashtim.

U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi  jetë më 5 shtator 1997. Qe lumturuar nga Papa Shën Gjon Pali II (19 tetor 2003), ndërsa u shenjtërua nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza kryesore jetësore që mund t’i dallojmë dhe t’i quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997).

Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndrime apo orientime, përcaktime themelore që përputhën me tri virtyte hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.

Për Nënën Tereze feja ishte kërkim, shpresa veprim, ndërsa dashuria flijim dhe dhurim.

Ajo ka folur pak, por ka vepruar shumë, mbi të gjitha ka dëshmuar fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, si dy shtylla të forta dhe të pathyeshme për jetë dhe për veprimtari. 

  1. Porosia

“Sa më pak kemi, aq më shumë japim, sepse e japim vetveten.”

“Dashuria mjekon  vetminë.” 

“Nëse i gjykojmë të tjerët, nuk kemi kohë për t’i dashur.”

“Shumë njerëz flasin për të varfër, por pak kush flet me të varfër.”

“Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë.”

“Mos e kërkoni Zotin në toka të largëta. Ai është afër jush, në ju.”

“Varfëria më e keqe është mungesa e kujdesit dhe dashurisë.”

“Dita e djeshme ka kaluar, e nesërmja s’ka ardhur ende. Ne kemi vetëm: sot. Të fillojmë.”

“Vepra të vogla me dashuri të madhe.”

“Zoti është bukë. Zoti është dashuri. Zoti është gjithnjë.”

“Jezusi në Eukaristi është i njëjti edhe në çdo njeri, vëlla apo motër.”

“Nëse nuk jeton për të tjerët, nuk jeton fare.”

“Jepe pjesën më të mirë të vetvetes, zemrën, dashurinë.”

“Duaje jetën domethënë jeto dhe vepro me dashuri dhe për dashuri.”

“Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.”

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim.”

“Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.”

“Nëse dëshiron ta ndërrosh botën, ndërroje vetveten.”

“Dashuria mjekon dhe shëron gjithçka.”

“Gërbula e botës perëndimore është vetmia.”

  1. Trashëgimia

Ajo dha gjithçka, mbi të gjitha vetveten dhe Zotin, nëpërmes dashurisë flijuese dhe dhuruese.

Ja disa ndër thesaret e saj për ne dhe për gjithë njerëzimin:

“Pa falje nuk ka as dashuri.”

“Dhurata më e bukur: falja.”

“Njeriu më i rrezikshëm: rrenacaku.”

“Mbrojtja më e mirë: optimizmi.”

“Fuqia më e madhe: feja.”

“Gjëja më e bukur në jetë: dashuria.”

“Nevoja më e madhe: Zoti.”

“Rreziku më i keq: vetmia.”

“Mundësia më e madhe: bashkimi.”

“Tjetërsimi më i keq: dyfytyrësia.”

“Dëshpërimi më i madh: zbulimi që mikun e ke armik.”

“Mësimi më i mirë: fëmija.”

“Suksesi më i madhe: e vërteta dhe dashuria.”

  1. Risitë

Nënë e dashurisë universale, si është Zoti krijues  dhe shpëtimtar i çdo njeriut; si është jeta, dhuratë dhe mundësi për çdo njeri; si është dashuri, burimi gëzimi, lumturie dhe  pavdekësie, amshimi. 

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës:
• tradita dhe përvoja kombëtare ilire, arbërore dhe  shqiptare, që mbështetet në këtë parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”;” Mirë së të ka pru Zoti!”…


• si dhe përvoja dhe jeta e dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, kur Jezusi identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjlit, e bëtë për mua” (Mt 25, 40).
• Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë, që ka dy burime të pashtershme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllain apo motrën Njeri. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur dhe zbatuar një vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, gnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

Kontemplative – aktive, gjithnjë dhe gjithçka  me Zotin, për Zotin, si dhe me njeriun dhe për njeriun, pa i ndarë apo përjashtuar kurrë nga jeta dhe veprimtaria. Ky “dualizëm” – Zoti dhe Njeriu apo Njeriu dhe Zoti – kanë krijuar te Nëna Tereze harmoninë e mrekullueshme nëpërmes fesë dhe dashurisë gjithnjë në kërkim dhe në veprim. 

Papa Françesku për Nënën Tereze në Shkup ndër të tjera tha :  “Uri për bukë, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Si e njihte kaq mirë Nëna Tereze këtë uri, ajo që ka dashur që jetën e saj ta themelonte në dy shtylla: Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mishëruar në të varfër. Dashuri që marrim dhe dashuri që dhurojmë. Dy shtylla të pandashme që e kanë karakterizuar ecjen e saj, e kanë lëvizur, edhe ajo me dëshirë për ta shuar etjen dhe urinë e Tij. Ka shkuar te Zotëria dhe në të njëjtën kohë ka shkuar te vëllai i nënçmuar, i padashur, i vetmuar dhe harruar; ka shkuar te vëllai dhe e ka gjetur fytyrën e Krishtit… “ (Shkup, 7 maj 2019).

Shenjtëresha e Jetës dhe Dashurisë: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”; sidomos mbrojtjen e jetës së fëmijëve të pa lindur, njerëzve të dëbuar dhe të përjashtuar, të varfërve ndër më të varfër, të gërbulurve, të moshuarve, të atyre që gjithnjë pësojnë dhe fare nuk jetojnë, por vuajnë dhe pësojnë. Jeta pa dashuri është vetëm barrë, peshë, kryq, sepse kuptimi i jetës dhe veprimtarisë është Dashuria.

Vuajtja bekim e jo mallkim, duke ia gjetur kuptimin në vuajtjen e motivuar dhe të ofruar, në bashkë-ndarje me Jezusin dhe me çdo njeri. Solidariteti, edhe më tepër, dashuria në veprim është mjekimi universale për çdo të keqe në botë.

Ajo thoshte kështu: ”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.

Dhurim falas dhe në tërësi, si risia e pestë e Nënës Tereze, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe me falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëje këtë punë me zemër, ose mos e bëj aspak!” 

Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.

Dhe ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit nëpërmes njeriut.

Çfarë risie sjell Nëna Tereze për ne shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajo ka mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.

Prandaj, dëshira ime është kjo: që mbarë populli Shqiptar, sidomos ajo pjesa që nuk ka pasur mundësi ta shihnin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmes teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, botimeve, leximeve dhe meditimeve, ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Shën Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:

Për ta njohur atë si ishte vërtet dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë; 

Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;

Për ta imituar, së paku në  mirësi dhe dashuri, në rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore ose siç do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe”;

Për ta krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, si dy shtylla jete dhe veprimi,  sipas parimi: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.

Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.

Me një fjalë: unë jam munduar që me shkrime dhe botime të mia në 17 vëllime,  Gonxhen tonë, tash Shën Nënën Tereze, t’ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar, duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime. 

Dhe për çdo njeri të mendjes së hapur e zemrës së mirë, ajo tashmë është një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse e fortë dhe e dashur, për hapat tanë jetësorë në të tashmen dhe në të ardhmen.  

Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor, si dëshmi e krishterimit ndër ne, e Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë të mos harrohet, sidomos në 5 – vjetorin e shenjtërimit të saj. Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe do të mbesë “Ungjilli i gjallë”, të cilit ajo i besoi dhe e zbatoi me përpikëri dhe shumë dashuri, risia ungjillore,  “Misionarja e Dashurisë”, Nëna e botës së mjerimit, e tash Shenjtëresha e  Jetës dhe Dashurisë. 

Ne shqiptarët, bijtë dhe bijat e saj shpirtërore, jemi trashëgimtarë të kësaj historie dhe mrekullie, feje dhe dashurie, vëllazërie gjithë-njerëzore, për krijimin e bashkimit në dallime, mozaikut tonë historik dhe aktual.  

Shën Nëna Tereze lutu për Popullin  tonë Shqiptar, si dhe për mbarë botën!

 Prishtinë,  5 shtator 2021                                                        Don Lush GJERGJI

.

Filed Under: Featured Tagged With: 5 vjetori i shenjterimit, don Lush Gjergji, Nene Tereza

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • POETI PIERFRANKO BRUNI – FITUES I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”
  • DERVISH HIMA PËR IL POPOLO ROMANO (1919) : “MAQEDONIA E ALEKSANDRIT TË MADH, QË DIKUR ISHTE VETËM NJË VEND SHQIPTAR, DUHET TË JETË NJË SHTET AUTONOM…”
  • Kryeministri Kurti takoi kandidatë shqiptarë të partive të ndryshme zvicerane në zgjedhjet federale të këtij viti
  • KILOMETRIKËT E PARESPEKTUAR
  • INJEKSIONET PËR HUMBJE PESHE: ZGJIDHJA ‘MAGJIKE’ QË MUND TË MOS ZGJASË GJATË
  • Kongresi i Dytë Çam
  • Rezistenca e shqiptarëve të sanxhakut të Nishit kundër pushtuesve serbë gjatë viteve 1877-1878
  • Refuzim
  • Turneu i shahistëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjerë
  • Një mundësi e shkëlqyer në ndihmë të të gjithë shqiptarëve në New Jersey, New York e më gjerë
  • Marie Logoreci, kjo ikonë e artit skenik shqiptar, gruaja magjepsëse dhe epikia e rolit të nënës
  • “ALEKSANDËR” – KRONIKË E NJË LUNDRIMI TRAGJIK
  • NESËR NË ORËN 11.30 AM PRESIDENTJA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS ZONJA VJOSA OSMANI VIZITON VATRËN
  • PRITJE MADHËSHTORE, VATRA NDEROI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ
  • “Fati im më i madh i jetës”. Kështu e kishte quajtur Fehmi Lladrovci vdekjen për lirinë e Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT