Dr. Iris Halili/
Kisha kohë pa qarë teksa lexoja. Kjo ndoshta sepse vitet e fundit më shumë jam marrë me librat e mendimit që e thonë moralin e veprës drejtpërdrejt, pa përshkrime emocionale, pa karaktere të spikatura dhe pa ndonjë vështirësi për të zbuluar apo për t’iu përgjigjur pyetjes finale se çfarë ka dashur të thotë autori? Megjithatë, para disa muajsh teksa lexoja librin e mësuesit dhe poetit Pajtim Sejdinaj qava vërtet, madje edhe me dënesë pasi u njoha si në një film real me historitë e gjyshërve të mi, të treguara nëpërmjet rrëfimeve dhe legjendave të njerëzve të gjallë që i kanë njohur, vlerësuar dhe admiruar.Unë i takoj atij brezi që jetoi në komunizëm dhe u rrit duke njohur prindërit apo gjyshërit e munguar nëpërmjet rrëfimeve të familjarëve, sigurisht nëse ishe me fat dhe kishe familjarë të sinqertë që të rrëfenin pa frikë. Neve më së shumti për stërgjyshërit dhe gjyshërit na rrëfente gjyshja. Ajo thoshte se stërgjyshi, domethënë vjehrri i saj, Hajredin Fratari, firmëtar i pavarësisë dhe dëshmor i saj, kishte qenë hero që kishte dhënë jetën për atdhe, madje edhe që kishte hapur shkollën e parë shqipe në Mallakastër.
Po kështu, gjyshja fliste për gjyshin, Rauf Fratarin dhe vlerat e tij si bashkëshort dhe si patriot, delegat i Mukjes dhe Pezës, si dhe luftëtar antifashist, që ndonëse kishte studiuar në akademitë ushtarake më të larta në Itali, fillimisht në Modena dhe më pas më të lartën në Romë, kishte djegur flamurin fashist sapo ata kishin vënë këmbë në tokën e tij.
Domethënë, unë gjyshin nuk e njoha kurrë, sigurisht as stërgjyshin, por në mendjen time ishte formësuar imazhi për ta si bij shqiptarësh që i kishin falur çdo gjë atdheut: pasurinë, të ardhmen e tyre dhe deri jetën e tyre, që sikur thonte stërgjyshi – e kemi për t’ia dhënë atdheut. Ky edukim i gjyshes më ishte ngulitur dhe kishte skalitur dashurinë dhe adhurimin tim për ta. Të tillë, gjyshja kishte bërë edhe me fëmijët e saj: mamanë dhe dajon tim, që i ati i kishte lënë kur ishin vetëm 4 dhe 2 vjeç. Daja as nuk e kujton dot të atin, ndërsa mamit i shfaqen më shumë imazhe nga fotografitë sesa kujtimet, por le të themi se e kujton veten kur ai e hidhte hopa sikurse çdo baba bën me fëmijën e tij, aq më tepër me vajzën që ai e quante princeshë, që do të shoqërohej nga kalorësit dhe kuajt më të mirë të racës.
Gjyshja na mëkoi se njerëzit mund t’i duash dhe t’i respektosh edhe kur nuk arrin t’i njohësh kurrë nga afër; kjo, sipas mendimit tim, do të thotë t’i duash njerëzit nëpërmjet legjendave që dëgjon për to dhe të paktën këtë gjyshja arriti t’ia dalë me ne. I njohëm dhe i deshëm sepse i donte dhe i adhuronte mentorja jonë, por përtej saj asgjë më tepër nuk kishim dëgjuar për stërgjyshin, ndërkohë që kishim dëgjuar si cilësohej gjyshi “Armik i popullit”.
Asgjë nuk e ndryshonte këtë fat derisa një ditë pranvere të vitit 1987 ndodhi çudia. Si në të gjitha mbrëmjet komuniste, ku informimi vinte nga kanali i vetëm shtetëror nëpërmjet Revistës Televizive, befas shohim se Ramiz Alia, Sekretari i Parë i KQ të PPSH dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kishte vizituar zonën e Mallakastrës dhe, në fjalimin e tij “gju më gju me popullin”, papritur dëgjojmë të përmendet emri i stërgjyshit Hajredin Rakip Fratari: “Mallakastra ka nxjerrë burra të mëdhenj si Rrapo Hekali, Hajredin Fratari…”. Ndërkohë që zëri i televizorit ishte ngritur në maksimum ne të gjithë kishim shtangur. U mpimë. Nuk po u besonim as veshëve dhe as syve.
Stërgjyshi kishte mbetur në harresë prej vitit 1944 kur komunistët instaluan pushtetin e tyre dhe kjo pasi i biri, nacionalisti Rauf Fratari nuk kishte pranuar t’i bashkohej vijës së kuqe dhe kauzës së saj që solli ndarjen e Shqipërisë dhe dorëzimin tek jugosllavët. Kjo kishte vulosur fshirjen tërësore të aktivitetit patriotik të Hajredin Fratarit që edhe emri i ishte hequr nga lista e firmëtarëve të Pavarësisë; ndërkohë asnjë shkollë në Mallakastër dhe jo vetëm nuk ju ishte thënë kush ishte ai burrë që la Stambollin, bashkë me gruan e tij, të dy të edukuar në ‘Robert College’ dhe hapën të parën shkollë shqipe në shtëpinë e tyre dhe me shpenzimet e veta; shtëpisë 250-vjeçare ku ishte hapur shkolla në pranverën e vitit 1906 nuk i ishte vendosur asnjë pllakatë dhe sigurisht pronat dhe sarajet ishin shtetëzuar të gjitha.
Vetëm lapidari në Berat, ndërtuar atje ku e kishin pushkatuar, nga Mbreti Zog me rastin e 30-vjetorit të Pavarësisë kishte mbetur ende. Nuk di pse e kishin lënë atë lapidar atje, përballë varrezave të dëshmorëve? Ndoshta pasi mbarë Berati e dinte si ranë ata burra për atdhe dhe ndoshta për këtë nuk donin të provokonin më shumë?!
Ndërkohë që stërgjyshi ishte lënë në harresë, gjyshit i ishin vënë damka nga më të padrejtat, si dhe ishte dënuar në mungesë me vdekje si bashkëpunëtor i fashizmit, domethënë jo vetëm që i ishte mohuar i gjithë aktiviteti i tij patriotik në krah të Mithat Frashërit dhe Abaz Kupit, por i ishte hedhur edhe baltosje nga ato që i kishte kthyer në art vetëm komunizmi hoxhian. Sipas përshkrimeve të gjyshes, gjyshi ishte mashkulli ideal: bujar, njerëzor, familjar, i pashëm, i paqtë, i ditur, por mbi të gjitha ishte patriot. Nga kujtimet e saj ndihej një dashuri që jo vetëm nuk ishte konsumuar, por sikur shtohej edhe më shumë me gjithë vitet që kalonin.
Gjyshja e kishte aftësinë ta përcillte dashurinë për ta, duke na bërë edhe ne t’i donim po aq shumë, ashtu sikurse kishte një talent gati hyjnor që të mbushte edhe atë vend të zbrazët ku duhet të ishte dashuria e babait apo e gjyshit, duke na bërë ne të ndiheshim sikur duheshim nga një njeri që në fakt kishte qenë vetëm imazh, si për fëmijtë ashtu edhe për mbesat apo nipin e tij. Rrëfimet e gjyshes, vit pas viti, ishin kthyer në legjenda; aq sa ne i kishim mësuar përmendësh.
Mes këtyre legjendave të gjyshes njohëm dhe deshëm gjyshërit tanë.
Ndodhte shpesh që sa herë donim të çmalleshim i ktheheshim një sirtari sekret të mamit ku ruheshin disa dhurata që gjyshi kishte mundur t’i sillte fshehurazi duke përdorur si dërgues disa emra të tjerë. Askush nuk duhej ta dinte se këto dhurata për dasmën e mamit ishin nga Amerika dhe kishin ardhur nga gjyshi. Mami dhe më pas ne të tjerët i mbanim ato si të shtrenjta dhe në fakt dukeshin që ai i kishte përzgjedhur me shumë kujdes dhe elegancë.
Sot e kësaj dite, ato mbeten relike të shtrenjta për ne dhe kjo botë fetishiste ishte dhe mbetet si të thuash një tjetër formë për të prekur një njeri dhe ndjerë atë përqafim që nuk e kishim provuar kurrë as ne dhe as fëmijët e vet. Të dënohesh me këtë vdekje për së gjalli, vetëm se je kundërshtar politik i një kauze, kjo ishte marrëzia komuniste e kohës kur ne jetuam dhe që fatkeqësisht shumë nga brezat e rinj nuk e dinë apo nuk u është mësuar.
Shumë herë mendoj sesi ka mundësi të jetosh, të plakesh dhe të mos të të lejojnë të rritësh fëmijën tënd, të jesh i pranishëm në jetën e fëmijëve të tu dhe të njohësh apo të gëzosh familjen tënde, ndërkohë që krimi i vetëm është mendimi ndryshe në politikë apo ideologji?!
Ky fat i gjyshit dhe shumë të tjerëve si ai ishte si një burgim në një botë të lirë (pasi gjyshi jetoi në SHBA), por nga kjo, bota e lirë nuk kishte çfarë të bënte tjetër përveçse të jetonte me lajmet që vinin nga bota e errët, ku çdo ditë familja e tij mund të shuhej sikur ishte fshirë edhe emri i tij apo familja e vet do të vuante për fajin e vetëm se ai e donte ta shihte te ardhmen e atdheut ndryshe nga si e donin ata që erdhën në pushtet.
Por fatkeqësia më e madhe qe se nuk ishte atdheu, por njerëzit që e ‘privatizuan’ atë, ata që i flakën emrat e shumë idealistëve dhe patriotëve në qoshkun e harresës apo i vunë ata në bankën e akuzës.
Kështu që unë, sikur shumë bashkëmoshatarë të mi në atë kohë, mësoja dy histori. Unë dija atë që ma tregonte gjyshja dhe atë që e lexoja në librat e shkollës apo e shihja në filmat me partizanë të Kinostudios “Shqipëria e re”. Përfytyroni një mendje fëmije që duhet të njihet me dy histori që kundërshtojnë njëra-tjetrën deri në pikën e fundit. Pikërisht atë ditë pranvere, kur Ramiz Alia përmendi emrin e stërgjyshit tonë në TV, duket sikur u hap faqja ku historitë e gjyshes po fillonin të dilnin të vërteta dhe si të thuash unë do të gjeja më në fund paqen e brendshme pikërisht atje ku besoja dhe doja më shumë, në prehërin e gjyshes sime.
Pas asaj pranvere, do të vinte një pranverë edhe më e madhe ajo e vitit 1992, kur më në fund historitë e gjyshërve dhe baballarëve, motrave dhe vëllezërve do të rrëfeheshin sikur kishin ndodhur vërtet, bazuar pikë së pari në rrëfimet e njerëzve që i kishin jetuar apo dëgjuar në kohë reale. Dhe kështu do të niste epoka kur historia duhej të rishkruhej, por që ajo të bëhej korrektësisht së pari duhej analizuar dhe kundërshtuar çfarë ishte thënë dhe shkruar për 50 vjet dhe sigurisht ky nuk ishte një proces i lehtë; përkundrazi, ishte një rishkrim i vështirë dhe një mision shumë i madh për historianët, të cilët duhet ta trajtonin historinë jo më si një fakt i vetëm i thënë nga fitimtarët, por si interpretim i shumë fakteve që çonin tek e vërteta.
Unë besoj se një ndër fatkeqësitë më të mëdha që i ka ndodhur historiografisë sonë është që asnjëherë nuk arriti të dalë nga këndvështrimi bardh e zi, kur në fakt në histori, sikurse në art, nuk ka vetëm një ngjyrë, dhe jo gjithmonë ai që fiton ka përdorur çdo mjet të drejtë për të arritur aty. Historia duhet mbështetur në shumë burime, dhe ato më reale janë gojëdhënat, legjendat apo rrëfimet e njerëzve që jetuan atë kohë. Këngët e popullit apo gojëdhënat e tyre nuk ka historian që t’i kundërshtojë dhe nuk ka kohë që t’i ndalojë. Ato dalin nga rrënojat e kohës, dalin nga labirintet e errësirës, nga fondet e bibliotekave dhe në fund rrëfejnë të vërtetën historike, saktësisht ashtu siç ndodhi.
Është falë këtyre legjendave të mbledhura nga Pajtimi në këtë libër, që unë, por edhe ju i dashur lexues, po njohim historinë e plotë të Hajredin dhe Rauf Fratarit. Ndaj mendoj se kur qava teksa lexoja librin e Pajtimit, nuk ishte vetëm përshkrimi i mrekullueshëm që ai u ka bërë karaktereve në një tekst që është dhe nuk është roman, mënyra se si ka përzgjedhur vargjet popullore në një libër që është dhe nuk është folklorik, si ka radhitur faktet historike në një material që është dhe nuk është shkruar nga një historian, por mbi të gjitha ështësi ai ka përmbysur disa mite të rreme dhe ka rrëfyer mitin e vërtetë, jo siç e duam ne, as edhe siç e do autori apo koha tjetër që po jetojmë, por siç e kanë thënë dëshmitarët okularë, ata që mësuan gërmat e para në shtëpinë e stërgjyshit tim, ata që mbajtën peshë trupin e tij kur e morën pas vrasjes së pabesë nga xhonturqit, ata që dëgjuan fjalët e urta të gruas së tij të mençur që nuk lejoi t’i merrej hak ndaj të shoqit se nuk donte vëllavrasje. Po kështu, rrëfimi nga Pajtimi u është mbledhur atyre që panë gjyshin që nga dita e lindjes e deri ditën që i dha lamtumirën familjes.
Nuk di sesi duhet të falënderoj autorin e këtij libri, së pari për mënyrën e bukur me të cilën i ka përshkruar karakteret, për lidhjen që u bën kohëve sa të largëta në vite aq të afërta në vlera për protagonistët, për emocionet që të bën t’i ndjesh deri në palcë falë detajeve të përzgjedhura me mjeshtëri, për peizazhet e bukura të një fshati që iu vodh historia sikurse shumë fshatrave dhe qyteteve të tëra në Shqipëri, dhe mbi të gjitha për rikthimin e një të vërtete të madhe për dy burra të mëdhenj të kombit, të cilët janë edhe njerëz shumë të dashur për mua dhe familjen time, ashtu siç kanë qenë dhe mbeten të dashur për vendlindjen e atdheun e tyre si dhe për këdo që i njohu dhe pati fatin të bashkëpunonte apo luftonte me ta. Ky libër më bëri gjithashtu të besoj se rrëfimet e gjyshes sime, Ganimet paskan qenë të sinqerta dhe të vërteta dhe ndaj më duhet përsëri t’i përulem kujtimit të saj të virtytshëm.
Autori Pajtim Sejdinaj, ashtu siç bën çdo shkrimtar i mirë, në përfundim të leximit të librit nuk e lë lexuesin të pyesë për kuptimin që mbart titulli i librit pasi lexuesi arrin qartazi të kuptojë pse ai quhet “Akademia e Fisnikëve”. Më shumë se përpiqet të na bindë për këtë virtyt të parë të sagës së Fratarllinjve, autori sjell ngjarjet reale në rrethana nga më tragjike apo të vështira të jetës së tyre, dhe tregon si ata i përballuan këto ngjarje me dinjitet njerëzor.
Akademia e fisnikëve e ngritur tashmë në kornizë të virtyteve të këtyre patriotëve nuk është fjalë e veçantë apo e përzgjedhur nga autori, por është fjala që kurorëzon çdo akt të jetës së tyre në shërbim të atdheut, apo siç e thotë më bukur autori Pajtim Sejdinaj: At-mëmëdheut.
Ju siguroj se në këtë libër do të gjeni përshkrimin e një fshati të bukur shqiptar, zakoneve të tij, atyre të lindjeve, dasmave, vdekjeve, vajtimeve dhe gëzimeve; do të gjeni natyrën e bukur shqiptare, historinë e dhimbshme që ka kaluar vendi që nga fillimi i rilindjes kombëtare dhe deri në rënien e komunizmit. Mes historisë së kësaj pjese të familjes sime do të gjeni historinë apo fatin e shumë familjeve të tjera shqiptare që u vranë, u dëbuan, u burgosën, u mohuan, u shpronësuan, u asgjësuan, por kurrë nuk u mposhtën.
Mos e lini pa lexuar këtë libër të thjeshtë në dukje, por të fuqishëm në ndjenja dhe histori. Ai jo vetëm na edukon si të jemi më empatikë, por na mëson si të jemi më të dhimbshëm dhe si të dalim përtej egos sonë për t’i shërbyer kauzave më të mëdha, sikur janë njerëzit në nevojë apo atdheu në nevojë! Na mëson çfarë do të thotë të lindësh, jetosh dhe vdesësh si fisnik në shpirt. Na edukon sesi duhet t’i duam dhe kurrë të mos harrojmë rrënjët tona. Kjo na bën edhe më fisnikë!