
Dritan Mashi/
Sa kënaqësi ndien ku selitë diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës, në disa shtete ku është përqëndruar diaspora shqiptare si Greqi, Gjermani, Zvicër, Austri etj,etj… mësimi i gjuhës shqipe shihet me përparësi dhe si i shenjtë dhe ditën e mësuesit nuk e shohin si vetëm festë kombëtare brenda kufirit shtetëror. Përkrahja dhe sensibilizimi i mësuesve, afrimiteti dhe bashkëpunimi për problematikën që karakterizojnë mësimdhënien e gjuhës amtare, bëjnë që këto përfaqësi të krijojnë një imazh të qëndrueshëm dhe të plotë për komunitetin shqiptar në këto vende. Kjo u vërejt edhe për 7 Marsin, ditën e Mësuesit, ku takimet dhe vlerësimet nuk munguan. Respekte për të gjithë përfaqësitë diplomatike për përkrahjen!Po në Itali?Ku janë përfaqësitë diplomatike shqiptare …?Aty janë, aty. Nuk luajnë vendit, në të gjitha kuptimet. I kemi dhe e dinë që janë dhe janë kur duan, janë vetëm atëherë kur u nevojitet të tregojnë që po punojnë. Por të themi të vërtetën që nuk kanë kohë për çështje të vogla apo të rëndomta. Po pse mor diplomatë të dashur që përfaqësoni shqiptarët në Itali, ambasadorë, konsuj apo oficerë, kaq të nxënë, kaq pa kohë, kaq çështje e vogël ju duket 7 Marsi, që nuk e morët mundimin të përshëndetni këta mësues që po shfrytëzojnë kohën e tyre të lirë, duke ia hequr familjes së tyre e duke mos u kërkuar asgjë në këmbim për shpërndarjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. (Nuk po them të bëni si në Greqi, Gjermani Zvicër Austri e gjetkë, sepse lodheni). Merreni mundimin të bashkëpunoni, t’i afroni, t’i stimuloni dhe t’i përkrahni, pa parë ngjyrat dhe grumbullimet! Shihni dhe mundohuni të prekni realitetin! Është e lehtë të thoni: “gjuha shqipe këtu, apo gjuha shqipe atje”. Gjuhën shqipe po e ruajnë ata që ju e dini që ekzistojnë, por jo ku dhe pse janë, çfarë bëjnë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe si e bëjnë. Megjithatë, pa problem, po e bëj unë urimin në vendin tuaj, meqë nuk ju intereson apo nuk keni kohë….”Gëzuar ju MËSUES dhe ua shtoftë zoti jetën dhe dëshirën të mësoni brezat e ardhshëm!”