Nga Umberto Eko (“Mbi supet e gjigantëve”)/
Ajo e rrenës është një nga temat më të debatuara në historinë e logjikës e të filozofisë së gjuhës, për të mos thënë të etikës e të shkencave politike dhe po deshët të keni një ide të parë të këtij diskutimi të pafund këshilloj atë që do të lexojë një libër të shkathët e thelbësor, “Historia e shkurtër e rrenës” të Matia Betteinit dhe atë që don të përballet me nja njëqind faqe më shumë, “Filozofia e rrenës” të Andrea Tagliapietra-s. Nëse kam pranuar të fus hundën në këtë argumentim (dhe aluzioni i Pinokut është i rastit), është sepse jo vetëm kam shkruar romane dhe ese mbi të paqenat e fallsifikimet, por sepse shumë njerëz vazhdojnë ta citojnë atë pasazh timin te “Traktat i semiotikës së përgjithshme” të vitit 1975, ku thosha se duhet të konsiderojmë si shenjë gjithë atë që është përdorur për të gënjyer. Tymi që ngrihet nga një zjarr i pranishëm nuk është një shenjë, sepse nuk më thotë asgjë që tashmë nuk dimë; por tymi që del nga maja e një kodre jo vetëm është shenjë e një flake, që nuk e shohim dhe mund të jetë përdorur nga indianët për të shenjuar diçka, por ndokush mund edhe ta ketë prodhuar kimikisht që të më bëjë të besoj në një zjarr që nuk ekziston; apo për të më bindur që në atë kodër ka indianë (ndërsa nuk është e vërtetë).
Megjithatë ai përcaktim i imi ishte tepër i kufizuar: do të duhej thënë se është shenjë gjithë ajo që mund të jetë përdorur për të thënë të paqenën, dhe më mirë akoma, atë që nuk ndodh në botën reale. Dhe ashtu siç rrëfimi thotë atë që ndodh në një botë të mundshme ndryshe nga e jona, rrena është vetëm një prej shumë mënyrave për të thënë atë që nuk ndodh në botën reale.
Po shpjegohem. Kur Ptolomeu pohonte se Dielli rrotullohej rreth Tokës, thoshte natyrisht diçka që nuk ndodhte dhe e thoshte sepse gabonte; por nuk thoshte një rrenë. Të gënjesh është të thuash të kundërtën e asaj që e mendon se ndodh, ndërsa Ptolomeu besonte me gjithë shpirt se dielli lëvizte. Por ta imagjinojmë tani sikur Ptolomeu të kishte dashur të infiltrohej pranë një grupi sekret të ndjekësve të Aristarkut të Samos, që ngulmonin se ishte Toka që sillej rreth Diellit dhe për të bërë të pranohej nga ata konspiratorë pohonte majtas e djathtas “natyrisht Toka rrotullohet rreth Diellit”. E pra Ptolomeu do të kishte thënë natyrisht atë që për ne është e vërteta; dhe prapëseprapë, mbasi do të ngulmonte në të kundërtën e asaj që besonte, do të gënjente. Pra, ndërsa thua të rremen, është një problem aletik dhe ka të bëjë me një nocion të ‘aletheia’ e pra të vërtetë, të gënjesh është një problem etik apo moral. Mund të jesh një gënjeshtar pavarësisht në se thua apo jo të vërtetën. Jago që akuzon Desdemonën e pafajshme, është natyrisht gënjeshtar, por nëse rastësisht Desdemona ia kishte dhënë hiret e veta Kasios por pa e ditur Jagoja, në të thënit e së vërtetës Otellos, Jagoja do të ishte njëlloj gënjeshtar.
Ka disa të marrë që, nëse merreni me tepri me rrenën apo më mirë akoma me raste të ndryshme fallsifikimesh, siç ka ndodhur me mua në romanin “Varreza e Pragës”, ju kundërvihen menjëherë se, po e paraqitët botën plot me shtrembërime dhe vetë historinë si një mbretëri gënjeshtre, atëherë mendoni se nuk ekziston e vërteta- dhe jeni relativist. Budallallëk i madh, që nuk i lejohet askujt që ka bërë filozofi në lice apo seminar.
Për të thënë se diçka është e gabuar apo e rreme apo që është fallsifikim, duhet pasur një nocion mbi atë që është korrekte ose e vërtetë ose autentike. Natyrisht që ka nivele të ndryshme të së vërtetës dhe mundësi verifikimi nëse diçka qëndron. Nëse them “jashtë bie shi”, e vërteta e pohimit tim mund të verifikohet mbi bazën e përvojës personale: dal jashtë dhe shtrij dorën. Nëse them që acidi sulfurik është H2SO4 ju e merrni si të vërtetë në bazë të nocioneve që u themi manualistike, por nëse këmbëngulni e çoni në laborator ku të prodhohet në sytë tuaj acidi sulfuric (edhe pse nuk më duket kënaqësi e madhe). Nëse ju them që Napoleoni ka vdekur në Shën Helenë më 5 maj 1821 do të ndodheni përballë një të vërtete historike e cila besohet sepse e thotë enciklpedia, e cila e thotë sepse ekziston diku, ta zëmë në admiraliatin britanik, një dokument që e vërteton këtë besueshmëri. Por ka gjithmonë mundësi që dokumentet të jenë të gabuar (Hudson Lowe e kishte parë keq kalendarin) ose mashtruesit (Hudson Lowe, duke e ditur se gënjente, kishte denoncuar vdekjen e Napoleonit për të fshehur faktin se ishte lënë të ikte në Argjentinë); ose dikush në Londër e ka tjetërsuar raportin origjinal të Hudson Lowe, duke e ndryshuar, për arsye që nuk po rrimë t’i hetojmë, ditën dhe muajin.
Dhe ja që e justifikuam titullin e këtij kontributit tim: ka ndryshim mes të thënit të së rremes, të gënjesh e të fallsifikosh, edhe pse kjo treshe mbulon një fushë shumë të gjerë të fenomeneve. Për shembull, është e rreme apo e vërtetë që Shpirti i Shenjtë buron dhe nga Ati dhe nga Biri (‘filioque’)? Është mbajtur e vërtetë nga papa, i cili pra nuk gënjen kur e thotë, por është e rreme për patriarkun e Kostandinopojës, që akuzon papën- minimumi- që gabohet; ndryshe nuk do të lindte shizma e Lindjes. Në ç’kuptim është e vërtetë se Madona është shfaqur në Lourdes, meqenëse kemi vetëm dëshminë e Bernardette Soubirous? E nëse po, pse vetë Kisha e vë në dyshim që Madona të jetë shfaqur në Medjugorje ndaj dëshmisë së gjashtë parathënësve. Për të vërteta të këtij lloji kriteret e verifikimit janë shumë të ndryshme nga ato që përdoren për acidin sulfurik.
Shqipëroi: Zija Vukaj