
Shpendi Topollaj/
(Rreth librit “Polemika” të Uran Butkës)
Sa herë mundohemi të zbulojmë se çfarë nuk shkoi si duhet gjatë këtyre viteve të tranzicionit tonë, pra të kalimit nga diktatura e egër komuniste në demokraci, krahas plot arsyetimeve shpesh subjektive, dua të besoj se në një pikë jemi në një mendje: na mungon kultura, pse jo edhe kurajua për ta shprehur lirshëm mendimin tonë për zhvillimet politike dhe sidomos për të debatuar me tolerancë, pa hipokrizi dhe me respekt për gjykimin e tjetrit. Pra, ne ende jemi larg të kuptuarit të asaj që personazhi i Balzakut Etien Lusto te romani i tij “Iluzionet e humbura” i drejtohet Lysienit: “Polemika i dashur, është piedestali i njerëzve të shquar”. Natyrisht që këtu ndikojnë karakteret, temperamentet, mentalitetet, simpatitë e përkatësitë partiake dhe sidomos interesat e njerëzve në përgjithësi dhe të historianëve, politikanëve dhe opinionistëve në veçanti. Fakti që edhe pas më shumë se tetëdhjetë vjetëve, vijojnë me të njëjtat pasione e mllefe, sherrnajat komunistë e ballistë, plot të pa qëna apo trajtime tendencioze, ndikuar nga falsifikimet e historiografisë së kohës që lamë pas, çka ende e mban të përçarë popullin tonë, i jep plotësisht të drejtë At Gjergj Fishtës që thosh se “Porsa nisim nji punë të re, / Të part` qe prishim jemi ne”. Dhe për të mos e lënë këtë punë që të prishet më tej, nuk ka rrugë tjetër përveç nxjerrjes së të vërtetave në dritën e diellit, mbështetur në dëshmi autentike dhe sidomos me dokumente të pakundërshtueshme. Kuptohet që në Shqipëri nuk kanë munguar ata burra e gra, pra intelektualë që e kanë pasur të palëkundur përgjegjësinë atdhetare për të mos i fshehur bindjet e tyre të formësuara pas daljes nga pluhuri i arkivave dhe që nuk i janë larguar edhe ballafaqimit me këdo që nën arsyetimin se ka të drejtë të mendoj ndryshe, ngatërrojnë e çorodisin lexuesit apo dëgjuesit. Dhe njëri nga këta, ndofta nga më të shquarit është kolonjari i papërkulur, bir i njërës nga familjet më atdhetare, zoti Uran Butka, sikurse duket qartazi edhe te libri i tij i botuar tash së fundi “Polemika”. Jo se nuk i kemi ditur shumë gjëra apo nuk kemi abstraguar rreth tyre, por historia nuk shkruhet për të glorifikuar apo kënaqur interest e ndonjë force politike fituese apo të ndokujt që etja për lavdi e bën të besojë se meriton të ulet me perënditë në sofrën e Olimpit, pasi ajo sikurse thosh Victor Hugo “…është jehona e të shkuarës në të ardhmen” dhe si e tillë duhet të mbështetet vetëm mbi të vërteta. Por të vërtetat duke qenë për rreth pesëdhjet vjet të kyçura në hekura, nuk i kanë shërbyer historisë, veçse e kanë ngatërruar më tepër atë. Prandaj sot në demokraci, kur kështjella e arkivave i ka portat e hapura, dhe prej saj kanë dalë, ashtu kokëforta sikurse janë, dokumentet e gjithçkaje ka ngjarë, është jo vetëm e gabuar, por edhe shumë e dëmshme të vazhdosh të mbrosh falsifikimet e bëra. Fatkeqsisht, të tillët, jo vetëm nuk kanë burrërinë të shfaqin pendesë, por, paradoksalisht u është vënë detyra për ta rishkruar atë histori. Pikërisht me këta, polemizon Uran Butka në artikujt e tij, të përmbledhur te ky libër që duhet të jetë njëkohësisht edhe shembulli sesi duhen parë dhe trajtuar qëndrimet e veprimet politike në Shqipëri që kanë të bëjnë me doktrinat, Kombin, luftën nacional – çlirimtare, varësinë nga të huajt, lirinë, demokracinë, sovranitetin, diktaturën dhe luftën për pushtet prej nga derivoi si lufta civile, ashtu dhe ajo e klasave. Ai ndalet në polemikat e tij, te disa momente të rëndësishme, si Mukja, Konferenca e Pezës, Kongresi i Përmetit, Lufta për çlirimin e Tiranës, etj. dhe nxjerr sheshit këmbënguljen e disa historianëve për t`i mbetur besnik përrallave të historiografisë komuniste. Tash së fundi më ka rastisur të lexoj dhe të shkruaj për librat e Gjet Tarazhit, Luan Dodes dhe profesorit Kosovar, 87 vjeçarit Ymer Berbati, të cilët me dokumente dhe dëshmi autentike, merren me të shkuarën dhe e ndriçojnë atë mësë miri. Duke lexuar librin e zotit Butka, menjëherë vëren një përputhje absolute mes tyre, mbi rolin e jugosllavëve si në krijimin, ashtu edhe në drejtimin e Partisë Komuniste Shqiptare, gjë që e zeza mbi të bardhë, pranohet nga vetë udhëheqësit komunistë, deri tek Enver Hoxha. Po ashtu, me dokumente zbardhet terrori dhe krimet e bëra dhe të pranuara prej tyre në momente “sinqeriteti” komunist, deri urdhërimet për shpalljen e luftës ndaj Organizatës së Ballit Kombëtar, apo dekorimin me ndonjë plumb kresë për shokët që Hoxha i quante rivalë ose që kërkonin bashkimin me Kosovën, si fjala vjen Mustafa Gjinishi me shokë. Jap vetëm një shembull për ilustrim mes shumë të tillave: E. Hoxha i shkruan Liri Gegës (pushkatuar dhe ajo me të shoqin kur qe shtatzënë): “I thashë Fadilit ta vrasë (Zai Fundon), pa marrë parasysh asnjë rrethanë”. U interpretua si internacionalizëm shkuarja e dy Brigadave partizane për të nënshtruar me vrasje, raprezalje, djegje e plaçkitje lëvizjen nacionaliste në Kosovë, ku vriste shqiptari – shqiptarin. Mbahej sehir kur në Jugosllavinë e Rankoviçit, zbatohej teoria famëkeqe e Ilia Garashaninit “Naçertanje”, pra “Rekrutimi”, “Mbi zhdukjen e arnautëve” të vitit 1844 apo ajo që e torri më tej Vasa Çubrilloviçi. Për më tepër Enveri urdhëronte Brigadat e Divizionit të I – rë: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kujfijve pa treguar as më të voglën tolerancë”. E fshehën ose heshtën për masakrën e Tivarit, ku u pushkatuan gati 4000 djem nënash shqiptare pa asnjë faj dhe që mbetet një njollë e madhe turpi. U mohua fakti që Enveri i lutej Titos që Shqipëria të bëhej republikë e shtatë e Jugosllavisë. Maskohej se gjoja po shtonin vigjilencën ndaj synimeve të UDB – së, kur burgosnin ata burra që arratiseshin dhe vinin në atdheun amë. Dhe sa shqiptarë u dënuan me dhe pa gjyq, se fundja edhe kur formalisht gjyqi bëhej, gjithçka jo vetëm ishte paravendosur, por edhe na kujton atë historinë e Risheljesë që i tha gjyqtarit mizor Labordmo: “Më jepni dy rreshta të shkruara nga një njeri të cilin do e bëjnë të pafajshëm, kurse unë do të gjej argumente për ta dënuar me vdekje”. Dhe a nuk ngjau kështu me dy poetët e talentuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi që u pushkatuan për poezitë e tyre? Ndaj Urani nuk harron të theksojë rolin negativ që luajtën dhe ekspertët për fundosjen e këtyre njerëzve, sikurse qe dhe rasti i gjyqit të Astrit Delvinës i cili thosh “Asgjë nuk dua, veçse të jetoj një ditë i lirë”. Dorëshkrimi i tij “Humnera e Plutonit” bazuar në sofizmat e pandershme të ekspertëve Mici dhe Moja që deklaronin se nuk kishte asnjë hero pozitiv, ishte i mjaftueshëm për ta akuzuar atë si ultrareaksionar që paskej dashur të përmbysë pushtetin popullor. Në shkrimet e tij Uran Butka jep fakte rrëqethëse të disa prej atyre që më pas u bënë udhëheqës të Shqipërisë si Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu të cilët bashkë me Komandantin u shndërruan në xhelatë deri të fëmijëve të mbyllur në kampet e Përqendrimit, si ai i Tepelenës dhe jo vetëm. Por nga ana tjetër, ai di të bëhet apologjet i intelektualëve që regjimi nuk i duronte që nga Ismail Kadareja e deri te shkodrania Marie Shllaku që e shkuan në plumb se e donte Kosovën të bashkuar, të pushkatuarit e bombës në ambasadën sovjetike, ku nuk ngurruan t`i merrnin jetën edhe shkencëtares së mençur Sabiha Kasimati me shokë, Musine Kokalarin që e çoi jetën në vetminë dinjitoze, baba Kamber Prishtën, Pjetër Arbnorin, Uran Kostrecin e plot të tjerë, pa përmendur se çfarë ka bërë ai për t`i dhënë vendin që i takon në Panteonin e Nderit një intelektuali dhe politikani atdhetar të përmasave të parrokshme si Mit`hat Frashëri që i shkruante nga Gjeneva mikes tonë të madhe Edith Durham se “Ne jemi të bindur se edhe hija e një protektorati italian do të jetë fatale për të ardhmen e Shqipërisë dhe zotërimi i Vlorës është i barazvlefshëm me skllavërimin e vendit” . Uran Butka në polemikat e tij nuk fyen askënd, duke ecur kështu në gjurmët e polemikave të viteve tridhjetë dhe tregohet aq objektiv sa nuk mohon as vendin që zë lufta nacional – çlirimtare, as heroizmin e partizanëve, dhe as krimet e disa pseudonacionalistëve si Xhaferr Deva, Halil Alia, Xhelal Staravecka etj. Edhe brenda partisë së tij apo si përfaqsues i popullit në Kuvendin e Shqipërisë, Urani shfaq karakterin e tij të pacënuar, më pëlqen të them sërish: prej kolonjari. Ai kur mendon tjetërsoj, nuk ngurron të deklarohet kundër mendimeve të imponuara qoftë edhe nga kryetari, edhe pse e di që nuk do të kandidohet përsëri si deputet i atij Kuvendi. Për të vlen ajo sentenca që ai ka nxjerrë si mësim nga Konferenca e Mukjes se “Mirëkuptimi është akti i parë i çlirimit të një Kombi”. Dhe ky mirëkuptim në kushtet e demokracisë tonë të brishtë, vjen kur e shkuara shkruhet siç ka ngjarë, pasi mbetet gjithmonë aktuale ajo thënia e bashkëautorit të Enciklopedisë franceze, Denis Diderot se “Të vërtetën njeriu e do më fort atëherë kur çdo gjë është e rreme”.