Thanas L. Gjika/
Në datat 2-4 qershor 2023 në qytetin Worcester MA, në ambjentet e Kishës Shqiptare Ortodokse “Fjetja e Shën Mërisë” u organizua Festivali Shqiptar i radhës, festival i cili ka 40 vjet që organizohet me sukses.
Një nga karakteristikat dalluese të popullit tonë është pasioni për poezi, këngë dhe valle. Pushtimet e gjata romake, sllave, turke nuk e lanë popullin shqiptar ta shkruante gjuhën e vet, pra as historinë kombëtare. Kësaj mangësie shqiptarët iu përgjigjën gjatë shekujve duke gdhendur ngjarjet më të rëndësishme të historisë në vargje poetike dhe në valle. Kjo traditë e lashtë u shfaq po ashtu, madje edhe më fuqishëm pas kapitullimit të diktaturës komuniste. Sot mund të them se një në 100 shqiptarë, gjatë këtyre 32 vjetëve të fundit, ka shkruar e botuar poezi të shumta, kurse një në 2-3 shqiptarë ka kërcyer me virtuozitet valle nëpër dasma, ahengje e festivale. Shqiptaret e shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, në Europën Perëndimore, Amerikë e Australi, kanë vite që organizojnë takime poetike dhe festivale.
Në këtë traditë të bukur, komuniteti shqiptar i qytetit Worcester MA i Amerikës ka meritën sepse është ndër të parët që ka organizuar që nga viti 1983 çdo dy vjet, me nismën e Fr. Spiro Page dhe aktivistëve William Johns, Bob Steffon, Dhimitër Steffon, etj, festivale të këngëve e valleve shqiptare.
Për shkak te Covid-it festivali I kulturës shqiptare nuk u organizua dot në vitin 2021. Me këmbënguljen e At Mark Dokut u vendos që të mos shtyhej më ky aktivitet kulturoro-artistik, i cili është aktiviteti më i rëndësishëm i kishës dhe i mbarë komunitetit. U krijua grupi i ri për drejtimin e punëve dhe u kërkua ndihmë nga të gjithë anëtarët e kishës e të komunitetit. U ofruan për ndihmë dhe u aktivizuan gati 400 shqiptaro-amerikanë që nga mosha 10 vjeç e lart.
Për dy muaj kisha gumëzhiti si një zgjua i madh bletësh. E kam të pamundur të permend emrat e të gjitha grave e vajzave, djemve dhe burrave, që punuan për krijimin / gatimin dhe shitjen e ushqimeve tradicionale shqiptare midis të cilëve u shquan dhe shumë nga veteranet e veteranët e këtyre punëve. Po ashtu e kam të pamundur të përmend me emra biznesmenët, që dhuruan shuma bujare me $ 5.000, $ 4.000, $ 2.500, $ 1.500 dhe $ 400, etj, të cilat u përdorën për marrjen me qira të tendës së madhe e të 10 tendave të vogla, blerjen e ushqimeve, pagesën e artistëve dhe të ftuarve nga larg, printimin e librit të festivalit në 600 kopje, të cilat iu dhuruan pjesëmarrësve tek hyrja, etj.
Grupi organizator në fillim kishte frikë se a do të arrinte ta siguronte shumën e nevojshme për të mbuluar shpenzimet fillestare, sepse çmimet e të gjitha gjërave ishin rritur së tepërmi. Mirëpo biznesmenët shqiptarë të komunitetit dhe mjaft biznesmenë amerikanë iu përgjigjën me bujari kërkesave për donacione dhe kështu u arrit që shuma fillestare e këtij festivali të ishte shumë më e lartë se ajo e festivaleve të mëparshëm, dhe t’i mbulonte shpenzimet fillestare. Kjo tregoi se biznesmenët e Worcester MA e vlerësojnë si duhet festivalin, e ndjejnë nevojën e organizimit të tij jo thjesht për argëtimin e tyre e të fëmijëve të vet, por për bashkimin e shqiptarëve, për zhvllimin e traditave tona kulturore artistike.
Pa mundur të përmend emra, shtoj se meritojnë nga një puthje në ballë prej Fr. Markut dhe Ilia Tërovës (drejtuesit të grupit organizator) jo vetëm aktivistët kryesorë, artistët, prezantuesit, koreografi Dhimitër Demiri, por dhe të gjithë ata që u aktivizuan nga 80-vjeçarët e deri tek valltaret e reja dhe nxënëset e shkollave, që turreshin si milingona për të mbledhur mbeturinat e ushqimeve, të pjatave, letrave, etj.
Përveç ndërgjegjësimit të lartë të donatorëve dhe veprimtarëve, dua të theksoj se ky festival pati dhe disa të veçanta të tjera. Disa muaj më parë zotërinjtë Greg Stefon dhe Frank Zdruli bashkëpunuan me kryesinë e Bashkisë së qytetit dhe arritën që të siguronin emërimin e një pjese të Rrugës SALIZBURY me emrin GJERGJ KASTRIOTI SKANDERBAG. Ky akt u celebrua në hapjen e festivalit. Po ashtu këtë festival e nderoi me pjesëmarrjen e vet një delegacion i ardhur prej Italisë i përbërë nga dy arbëreshë: Zoti Rosario Petta Kryetar i Komunës së qytezës arbëreshe Piana degli Albanezi të Siqelisë dhe Zonja CASTRIOTA, pasardhëse e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Emocionet e emërimit të Rr. SALISBURY në seksionin që i kalon anash Kishës Shqiptare me emrin GJERGJ KASTRIOTI SKANDERBEG WAY u shtuan, kur dolën në skenë dy rapsodë të talentuar, mjeku Geg DELIA dhe vëllai i tij Ing. Ndoc DELIA, të cilët kënduan këngën popullore kushtuar Gjergj Kastriotit. Ata kënduan me çifteli e sharki, të veshur me rroba kombëtare gege, pra me vegla dhe veshje arbërore të kohës së Gjergj Kastiotit, gjë që i dha kolorit muzikor dhe etnogafik festivalit të sivjetëm si nuk mund t’i jepet asnjë festivali tjetër.
Uroj që festivalet shqiptare të Worcester MA të mbështeten në përvojën dhe arritjet e festivalit të vitit 2023 me qëllim që aspektet organizative, kulturore dhe financiare të kapin nivele gjithnjë e më të lartë! Kështu komuniteti shqiptaro-amerikan i këtij qyteti do të vijojë të jetë një shembull i aktiviteteve kulturore artistike në mbarë ShBA-të dhe në mbarë diasporën shqiptare në botë…
Ky festival i Worcester MA mund te them se ngjalli kohen e lavdishme te Arberit, aty u bashkuan tre faktore: emerimi i Rr. SALISBURY me emrin “GJERGJ KASTRIOTI SKANDERBEG WAY; prania e delegacionit arberesh qe erdhi nga Piana degli Albanezi me pasardhese te familjes se Kastrioteve; dhe kenga qe kenduan vellezerit DELIA per Gjergj Kastriotin Skenderbeun me Cifteli dhe Sharki, vegla muzikore iliro-arberore, te veshur me rroba arberore, i dhane ketij festivali ngjyra te kohes se shekullit te XV-te, kohes kur te paret tane u bene mur mbrojtes i kultures europiane ndaj hordhive osmane. Ky fakt na ben ne shqiptareve te sotem me te ndergjergjshem per te punuar gjithnje e me shume per bashkimin kombetar dhe lulezimin e vetive me te mira te karakterit tone si komb.