
Shirat e dendur vazhduan edhe sot në pjesën juglindore të Teksasit, ku stuhia tropikale Harvey ka shkaktuar përmbytje katastrofike në një nga qytetet më të mëdha amerikane.
Shërbimi Kombëtar i Motit parashikon që stuhia të sjellë 25 deri në 50 centimetra shi para se të largohet përfundimisht nga rajoni të enjten. Kjo sasi i shtohet 90 centimetrave reshje që tashmë kanë rënë në disa zona, duke përfshirë edhe periferitë e Hjustonit.
Qendra e stuhisë ndodhet paksa përtej brigjeve të Teksasit, në Gjirin e Meksikës, duke marrë energji nga ujërat e ngrohta të Gjirit dhe duke sjellë shira të dendur në tokë. Stuhia pritet të godisë përsëri tokën në Teksas të mërkurën.
Uji ka përmbytur shtëpitë dhe rrugët duke rrezikuar jetën e njerëzve.
Kryebashkiaku i Houston, Sylvester Turner, tha të hënën mbrëma se më shumë se 3,000 vetë ishin shpëtuar dhe 8,000 vetë ishin në strehimore. Ai tha se kishte tre vdekje të konfirmuara të lidhura me stuhinë.(Sipas VOA)