Libri më i ri poetik i Azgan Berbatit
Hyrja (Trokitje në portë)
Është nga rastet e rralla që bëj një vlerësim pa paraqitur më parë analizën. Të cilën e përgatita më vonë, me kujdes, sigurisht. Dhe për një kohë i kërkova vetes të shpjegoja këtë nxitim të panatyrshëm për mua, që në fund të fundit ishte një thyerje e procesit logjik. Të cilin nuk mund t’ia lejoja vetes. Sa më shumë investigoja veten, megjithatë, aq më shumë nuk po e kuptoja atë. Veten time. Iu riktheva vlerësimit tim për autorin dhe librin me poezi që kisha lexuar dhe u mundova ta riformuloj atë disa herë. Pak a shumë, në fakt, më dilte e njëjta gjë: “Kemi një talent të padiskutueshëm para nesh. Më shumë se kaq, kemi një talent të veçantë, madje gati të panatyrshëm në këtë pikëpamje. Dhe është vetëm 26 vjeç. Është edukuar në një sistem universitar që nuk ka lidhje me letërsinë, përkundrazi, është armik i saj. Është plotësisht “natyror” dhe po me kaq lehtësi, pra, po aq natyrshëm sa gjërat vendosen dhe kombinohen në natyrë, autori e përdor atë, natyrën, botën rreth tij, për të gjetur metaforat, figurat letrare, padiskutueshmërisht të befasishme. Ai është, prandaj, më shumë se një talent i dalë nga njerëzit që edhe konsumojnë, edhe nuk konsumojnë letërsi, që kanë në fund të fundit një raport jo domethënës me poezinë. Azgani e kapërcen këtë kufi, dhe është kjo arsyeja pse edhe rrafshi i referencës në vlerësimin e tij do të duhet të ndryshojë. Azgan Berbati i ka të gjithë treguesit e një talenti që duhet të vlerësohet si i tillë në raport jo me letrarët e zakonshëm, por me talentet. Sepse, thjesht, ai është një talent në raport me talentet e tjerë të poezisë shqipe. Megjithë stërmundimin për të verifikuar realizmin tim, nuk munda të ndryshoj këtë vlerësim për autorin edhe pasi kisha përfunduar së lexuari poezitë e tij. Pyetja mbetet, gjithsesi: pse, pse nuk prita të formuloja këtë vlerësim, pasi të kisha shkruar analizën time?! Fillova të kuptoj se isha përballë një keqkuptimi personal. I marrë prej shumë vitesh me kërkimin shkencor, te unë ishte çimentuar procesi logjik i vendosjes së fakteve para përfundimeve. Kisha harruar që në poezi nuk ndodh kështu. Në poezi analiza vjen më vonë, sepse në fillim flet shpirti. Flet ai që preket më shpejt, më shumë. I papërmbajtshmi. Pastaj vjen arsyetimi, sigurisht. Dhe vetëm kështu, ai vjen si një arsyetim i natyrshëm; vjen logjikshëm, sepse shërben për t’i ilustruar përjetimet shpirtërore të marra nga leximi. Dhe nëse ndodh kështu, pra, nëse poezitë godasin shpirtin dhe e detyrojnë atë të shprehet i pari, ato e kanë kaluar provën e madhe të tyre. Kështu ndodh me poezitë e Azgan Berbatit në këtë libër.
Udhëtim për në qendër të poezive
Ishte e pamundur që të mos evidencoja te pjesa më e madhe e poezive të këtij libri, atë që mund të quhet “bukuri e brendshme” e tyre. Madje ta vlerësoja edhe si vlerën më thelbësore të tij. Ka shumë poezi të tilla në këtë volum, por si shembull po marr vetëm dy prej tyre: e para titullohet “Idilizëm”: Pisha plot rrënim motmotesh/Me vdekjen e hijes nëpër këmbë/Plot dhimbje lëkundet. Poezia tjetër titullohet “Paradoks”: Në atdheun tim/dhimbja nuk dhemb/e vërteta nuk tregon/liria nuk është e lirë./Në atdheun tim/atdheu mungon.
Një teknikë shumë interesante, të cilën Berbati e përdor për t’i dhënë “fuqi” poezive të tij, është vendosja e të kundërtave në një hapësirë shumë të ngushtë brenda së njëjtës poezi. Në këtë rast, ai ndjek një parim të njohur të natyrës që “nëse nëngrimcat brenda bërthamës së një atomi shtyhen dhe ndahen (reaksionet fission), e gjitha kjo çon në çlirimin e një energjie të stërmadhe që ne e quajmë energji bërthamore”. Janë, jo pak poezi të Azganit që çlirojnë një kënaqësi estetike të jashtëzakonshme, vetëm sepse të kundërtat janë vendosur brenda një hapësire të ngushtë të poezisë, gati për të shpërthyer… Ja se çfarë thuhet në njërën prej tyre, me titull “Këngë dashurie“: Në detin e thellë të syve tu/Lundron etja ime/Sa herë pi/Etja mbetet e pangime//Edhe fjalët lodhur m’i ke/Se në çdo “po”/Një “jo”/E ke. Apo poezia me titull “Veç një puthje”, në të cilën mallkimi nuk ndahet dot nga dashuria. Përkundrazi, mallkimi dhe dashuria bëjnë të pamundurën të mundur, duke u strehuar të dy në një hapësirë të ngushtë: “O,/Ti u mbytsh te Lumi Unë!/Po çfarë të bëj veç me një puthje?!
Pastaj vjen një nga poezitë më të fuqishme që gjendet në këtë volum, me titull “Mbyllje”. Te kjo poezi ngjethesh nga një buçimë, nga një zhgënjim mbinjerëzor, deri te përmasat e një kërcënimi “tektonik” kundër shpirtit njerëzor, kur lexon vargjet: “Ah Zot,/ mos i lër njerëzit në duart e njerëzve!”.
Tretja e realitetit në imagjinatë dhe krijimi i një realiteti të dytë me ndihmën e imagjinatës, është gjithashtu një teknikë interesante. Poezia me titull “Blatim” mund të jetë një rast ilustrues: Një hënë e zbehtë/Fanitet mbi drurët e vdekur/Dhe eshtrave të tyre/shkruan dramën e kohës.
Në jo pak poezi, përfytyrimi i paanë iu jep metaforave të krijuara një fuqi të jashtëzakonshme, aq sa i universializon ato. Kështu ndodh në poezinë me titull “Pamundësi”. Në këtë poezi, në fakt, përfshihemi në një “vallëzim kundërthëniesh dhe metaforash” të krijuara nga përfytyrimi i një ekzistence të dytë të reales: “Dhimbja ime pret veten në fyt/ me një teh ylli të shuar në blunë mistike”. Aq më shumë në poezinë “Titra dashurie”, e cila mund të konsiderohet edhe si një poezi ku relativiteti i ka shpëtuar për një çast shkencës dhe është bërë pjesë e artit. Dhe ky nuk është rasti i parë, nëse rikujtojmë pikturat e Pikasos me një deformim profilesh, që mund të justifikohet vetëm me përfytyrimin relativist të objekteve që ecin me shpejtësi të krahasueshme me shpejtësinë e dritës. Në këtë poezi autori vendos pranë njëra-tjetrës gjëra që nuk asociohen; gjëra që janë krijuar për të kundërtën e tyre (ajri te peshqit, apo etja te uji). Dhe të gjithë këtë, duket se e bën për t’i dhënë fuqi absolute konstatimeve të dhimbshme, kockore, arkitra, siç janë për të “realiteti i gënjeshtërt”, apo “toka pa dashuri”: Në mesditën që digjet/Shtrihem mbi ajrin e peshqve/Mbi ujin plot etje,/Në detin me brigjet në flakë;/…./Dhe ëndërroj për një gjumë/Me kryet në prehërin tënd./Oh, ëndërroj gjithë ç’është e pamundur,/Realiteti mbet i gënjeshtërt!…./Por trishtohem/Se e di që do kthehem në tokë/Dhe aty ka pak dashuri.
Dhe i kthehemi elegancës (lakonizmit) të poezive të këtij vëllimi. Që padyshim, e kanë shumica e tyre. Që i zbukuron ato dhe i bën pasionante për lexuesin. Sepse mendimi artikulohet me minimumin e mundshëm të fjalëve, pa humbur asgjë nga përmbajtja e tij, përkundrazi. Në këtë pikëpamje, tipike është poezia që titullohet “(Anti)virus”: “Çfarë kohe erdhi kështu zemra ime,/ Si bëjnë dashuritë në distancë,/ Dhe njerëzit si i gënjejnë puthjet?! /Raftë një sëmundje vrastare e kësaj të sotmes,/Raftë një dashuri e përbotshme mbi njerëzi,/Kjo e para pastë emrin puthje,/E dyta ashtu le të rrijë!”
Në fund, pas një mundimi të gjatë për të “izoluar” më thelbësoren e këtij vëllimi poezish, pra në përpjekjen për të gjetur pikën ku aplikohet gravitacioni i shqetësimit, por edhe angazhimi i autorit, apo edhe bukuria shpirtërore dhe universialiteti i poezive të Azgan Berbatit, kam dalë në përfundimin, jasht çdo dyshimi, se ai mbetet zhgënjimi. Zhgënjimi ndaj një realiteti të ashpër, të dehumanizuar, të cilin autori nuk e ka takuar asnjëherë në ëndrrat e tij. Në këtë pjesë të këtij vëllimi, përfshihen poezitë: “Shpëtim”, “Dhimbja s’do mend”, “Ftohtësi”. Por, poezitë që titullohen: “(Ish)universitetit” dhe “Dhimbjet që s’vriten”, të cilat, në tërësinë e tyre, i ngjajnë më shumë se çdo gjë tjetër, një shpërthimi shpirtëror, jasht çdo kontrolli, janë, ndoshta edhe poezitë më sinjifikative, në këtë rrafsh (kontekst). Te e para, “(Ish)universitetit” përfshihen përshkrime realitetesh nga më poshtërueset, çka i ka dhënë kësaj poezie fuqinë e vajtimit, trishtimin e një procesioni varrimi. E ka shndërruar atë poezi në një klithmë. Klithmën për një “universitet të vdekur”, për të cilin autorit “i dhemb shpirti/sepse me shpirt e ka dashur”. Në këtë poezi, fuqia e përfytyrimit ndërton metafora nga më të guximshmet, gati të papërfytyrueshme, por vetëm për njerëzit që nuk kanë jetuar aty. Për ata që e kanë jetuar dhe po e jetojnë realitetin e këtij universiteti, asgjë nuk është hermetike në këtë poezi. Poezia e tjetër, “Dhimbjet që s’vriten”, mund të konsiderohet edhe si një nga poezitë më universale të shkruara për zhgënjimin, vetminë që e pjell atë. Kur e lexon, ndjehesh si pjesë e një jete tjetër, në të cilën, dhimbja është bërë aq e zakonshme, ka fituar aq pushtet mbi ty, sa mund ta imagjinosh ekzistencën tënde edhe pa diell, edhe pa ajër, vetëm jo, në asnjë mënyrë pa dhimbje: “Kaloj në shkretëtirë/Para vetes rreshtoj dhimbjet e thyera në gjunj/Bërtas si një urrejtës që s’e njoh/Dhe në emër të shpirtit/Marr shenjë për t’i vrarë/ ….. /Qëllon përherë të harroj armën/Ndofta se dhimbjet më dhimbsen/Dhe se pas kësaj mund të mbetem pa njeri”.
Recensë, parathënie, koment….. nga Besnik Gjongecaj
Azgan Berbati u lind në Tropojë.
Është diplomuar në Bachelor dhe Master Shkencor, në profilin: Inxhinier Agromjedisi dhe Ekologji.
Ka përfaqësuar studentët në Qeverinë e Universitetit (senatin akademik) dhe në Komisionin Institucional Zgjedhor. Është licensuar si trajnues në disa projekte.
Në vitin 2017-të ka fituar çmimin e parë “Poezia më e mirë” në konkursin e zhvilluar nga Klubi Letrar Pena e Re-Tiranë. Është bashkëautor në disa antologji, revista letrare, bashkëpuntor i shtypit periodik, etj. Në vitin 2019-të ka botuar librin me poezi “Britma E Heshtjes”.
Është caktuar anëtar jurie për Festivalin Kombëtar (rinor) Letrar Tiranë, vlerësuar me medalje dhe certifikatë mirënjohje. Me librin Britma E Heshtjes ka marrë pjesë në Panairin e Librit Shqiptaro-amerikan në Stamford-SHBA, prill 2024. Është anëtar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë në SHBA