
Rreth librit“Telat e Zemrës” e poetit Agostino Giordano/
Shkruar nga Bajame Hoxha Çeliku, Bruksel/

Si çdo ditë hyra për të kontrolluar postën elektronike dhe ndër të shumtat letra, gazeta, prozë dhe poezi, hasa në një libër të tërë që e kishte nisur për kënaqësi, vetë autori drejt meje, Agostino Giordano “TELET E ZEMRËS” Poezi. I lashë të gjitha mënjëanë, dhe duke më shtyrë kureshtja, me një frymë vendosa të lexoja, e të shihja, se si kishte mundur të derdhte ndjenjat ky profesor Italian, me origjinë të vjetër shqiptare, poezitë në gjuhën shqipe. Vërtet për këtë dijetar, Profesor universiteti, gjuha shqipe është një gjuhë aq e ëmbël, aq e bukur, aq e dashur, dhe aq e paharruar për të, sa të gjithë brezat së bashku e pesë shekujve e gjysmë, që arbëreshët e Italisë lanë tokën mëmë. Jo vetëm që nuk e kanë lënë, e harruar gjuhën, por e duan atë, e kultivojnë dhe siç thotë vetë autori: Gjuha shqipe te Arbëreshët e Italisë është dhe e begatë. Ashtu siç e deshën stërgjyshërit e tyre që lanë Shqipërinë me lot në sy, për arsye gjithnjë që dihen. Si fillim të një rruge të gjatë letrare, autori ka nisur të botojë poezi në Arbërisht që nga vitet 60, të shekullit të shkuar. Pastaj provoi dhe formën e shqipes së sotme dhe ia doli! Përpara kam një përmbledhje me poezi të shkruara nga vitet 70-80, periudhë kjo, e frymëzimit djaloshar të autorit që s’u ndalë më kurrë. Kështu, autori mendoi se do të ishte më mirë të botonte një përmbledhje me poezi të të gjitha viteve së bashku, të cilat kishin mbetur jashtë një libri të duhur. Disa nga këto poezi, janë botuar gjatë viteve, ndër revista e gazeta arbëreshe si dhe ato shqiptare.
Tre vëllime të tjerë i ka botuar: në Arbëri/Itali (Hroaza,1971), Maqedonì (Hapa mbi kalldrëm, 1976) në Shqipëri (Bota Arbëreshe, 1997).
Nga çdo gazetë, revistë, autori zgjodhi poezi, dhe ia parashtrojë kësaj Përmbledhje,
“Telet e zëmrës”. Për poetin, Arbërì, Shqipëri, Maqedoni , Kosovë, janë zemra të ndara të
Shqipërisë Etnike, të cilat i mungojnë shumë dhe i dhembin në kraharor pa pushim. Kosova, ishte trualli i parë shqiptar që vizitoi në vitin 1976, kur mori pjesë, për herë të parë,
në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi e Kulturë Shqiptare. Një vatër kulture kjo, e rëndësishme për të, e për të gjithë Shqiptarinë. Poeti shkon shpesh në kosovë për të freskuar shpirtin e për të mbushur mushkëritë me aromë shqiptare. Drejtoria e seminarit të Prishtinës e nderoi disa vjet më parë me çmimin: “Mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë në fushën e albanologjisë”.
Libri “Telet e Zemrës” Që në faqen e parë të këtyre poezive më tërhoqi një shqipe e largët, që më dukej se këtë gjuhë e njihja fare mirë dhe ishte arbërishtja e bukur! Me pak fjalë dhe shumë dashuri, kuptova se librin me poezi autori ia ka kushtuar Gruas së tij:
“Sime shoqe, Terezës
T’ mi bilve, Vitorit e Ndonit”
Poezia e Giordanos, nis e bukur, emocionuese, domethënëse, plot figura abstrakte dhe situata erotike, dramatike e dialektore. Ne vërejmë, që poeti mundohet me çdo kusht të ruajë arbërishten e tij, që e konsideron atë si gjuhë e shqipes së vjetër dhe vjen pranë lexuesit ashtu si i thotë zemra, me të gjithë forcën e shpirtit krijues.
Të gjitha poezitë tingëllojnë bukur në arbërisht se ato të japin flladin e ëmbël të jetës, Janë të pasura, poetike dhe të larmishme. Një filozofi dehëse, që mundohesh ta kuptosh me dashuri. Dhe ç’është më e bukura, sa më shumë t’i lexosh të duken se ato mbartin filozofinë vërtet të ndjenjës poetike. Në këtë kontekst poetik gjen një zbrazje ndjenjash djaloshare dhe patriotike, dhe unë, do ta quaja:Poeti i poezisë intelektuale, domethënëse, që ka krijuar art. Një emocion i fuqishëm është metafora sa lozonjare aq dhe e mbushur me thjeshtësinë e njeriut të ditur. Pra, poeti zbret nga lartësitë letrare ku nuk i mungon imagjinata, talenti, dhe vargu tërheqës dhe i pasur, i zërave të mëdhenj të lirikës.
Natën,
Mall, (Moj e dashur)
Të gjënj në shtegun e ëndrrave
Ditën
Të bjer ndë mes t’ gjindve paemër (Të bjerr)
Kjo erotikë është mjaftë e bukur! E arritur dhe domethënëse. Mbart artin e vërtetë. Madje vargjet e thurura bukur flasin për besnikëri e karakter të fortë: Det,/ mund t’ fshehënj një fjalë/ Te gjiri yt?/ Dheu s’e dish/ Është shumë e tharët/ Të premtoj një gaz vashe//Ndër një natë pa hënë /. Shumë romantike, ku metafora merr krah fluturimi, te mrekullueshme! Poeti flet dhe për mikpritjen shqiptare, për bukën, siç flet në poezi dhe për natyrën .
-E shkoi dhe sonte/ Si dje/ Si ngaherë/ Udha/ Qëndroi e bardhë/ Pa një përgjigje / Gurët / Më pyetën/ Pse i shkelja nga dita/ Tryeza / Më dha ende / një bukë pa kripë /. Si çdo poet, i ndjeshëm romantik, i këndon bukur dhe së dashurës, dashurisë së tij, mallit të fortë që i prek telat e zemrës. Këto imazhe shpirtërore të kënaqin dhe sidomos kur shkon te poezitë abstrakte. Mendoj se kështu, arrin të depërtojë thellë në ndjesitë e telave të zemrës dhe te lexuesi. Këtë poezi që do të vijoj do ta quaja një perlë! E arritur përsosmërish!
Do të dija sa herë qajte
E sa herë u fshive lotët të tjerëve
Sa herë qeshe
Sa herë gëzove të tjerë
Sa herë na fale
E sa herë u lute për ne
O Mëmë!
Te kjo poezi, S’ka vend për koment! Sepse e ka përsosur poeti. Ose:
E unë te zemra jote
Kam rrënjët e të nesërmes…
Në poezitë e poetit Agostino Giordano nuk ka vend për më tepër sepse të gjitha vargjet janë gdhendur në piedestal! E kështu, nuk duhet hequr me ngacmime aromën e bukur të këtij lulëzimi poetik.
Poezi të fuqishme! Ku arrita në konkluzion:
Çdo fjalë kishte një kuptim të thellë,
Çdo frazë të troket në zemër,
Çdo strofë të ushqen shpirtin,
Çdo poezi Kishte fuqinë e dashurisë!
Bajame Hoxha- Çeliku, Bruksel