

Prof. Dr. Besim Muhadri*
Konceptimi poetik i qëndresës dhe i lirisë
Din Mehmeti është një ndër poetët e shquar bashkëkohorë të letërsisë shqipe, ndoshta “ndër më të angazhuarit me problemet shoqërore, historike sociale dhe ekzistenciale”. Duke qenë kështu ai pa dyshim se është njëri nga poetët e letërsisë shqipe, i cili tashmë ka krijuar një histori të mirëfilltë të shkrimit të poezisë së qëndresës. Të një qëndrese të mirëfilltë që i kundërvihet dhunës së ushtruar me shekuj nga pushtuesit, të cilët qëndruan gjatë në këto troje të sfilitura nga robëria. I lindur me dëshirën, siç shprehet ai në një poezi “për të vdekur duke udhëtuar në shpirtin e popullit të tij”, Din Mehmeti përmes vargjeve të tij plot rrezatime lirie dhe qëndrese, gjatë gjashtëdhjetë viteve të krijimtarisë së tij “ka skeduar një histori të veçantë, historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve të një periudhe trazirash e konfliktesh asnjëherë të ndriçuara deri në fund. Prandaj, poezia e tij me të drejtë është cilësuar edhe si “një histori e Kosovës, e shkruar në vargje…”
Poezia e Din Mehmetit me tematikë nga e kaluara jonë historike, shndërrohet në një “biografi në vargje e njerëzve të vendlindjes” dhe në “një dramë të vogël të dramës së madhe sociale dhe historike” Kjo shihet edhe te poema As nuk vdes as nuk jeton, me nëntitullin Rënia e Ali Pashë Maxharit në Gjakovë, por edhe te shumë poezi dhe poema të tjera të kësaj natyre. Sigurisht se “rritja në një ambient specifik me këngë e krenari, ka bërë që shpirti kryengritës i poetit të brumoset me ndjenjën e ndjenjën e kërkimit të lirisë.
Poezia e Din Mehmetit, është cilësuar si poezi e qëndresës dhe e konsekuencës, por edhe poezi e “përjetimit të sinqertë dhe e frymëzimit të thellë, në planin e ndjenjës dhe të ekspresionit”. Këtë e shohim në shumë poezi të këtij poeti, por me dukshëm e hasim te vëllimet poetike të vutëve 80-90 të shekullit të kaluar.
Fjala e tij poetike, e shfaqur përmes metaforës së kullës, gjakut, diellit, krismës etj., u bë një mesazh i fuqishëm shprese dhe frymëzimi për, liri, çlirim dhe pavarësi të vendit të tij. Nga poezia në poezi, nga cikli në cikël dhe nga libri në libër, ai do të jetë përherë e më prezent në jetën e njeriut të këtij trualli, i cili i ndodhur në zgripcin e jetës dhe vdekjes, në mes dilemës dhe vendosmërisë, po përjetonte “këngën” më të keqe të jetës, që do të thotë shtypjen dhe represionin.
Poezia Kur hyri në këngën time fjala Republikë, është një krijim, që po ashtu paraqet një segment tjetër të përpjekjeve të këtij autori për të pasqyruar në mënyrë permanente ngjarjet që përshkuan Kosovën gjatë viteve. Duke qenë një poet i cili ndjek në mënyrë të vazhdueshme dhe besnike ngjarjet dhe zhvillimet në Kosovë, Din Mehmeti përmes kësaj poezie paraqet një realitet të ri, atë të shpalljes së Kosovës Republikë, një ëndërr e kamotshme e të gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë, por edhe e atyre që me vite të tëra u dergjën burgjeve dhe kazamateve serbe. Sublimiteti i shpalljes së Kosovës Republikë u bë më 2 korrik të vitit 1990, akti i cili u përmbyll me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008 si dhe me pranimin e Shtetit të Kosovës nga mbi 100 vende të botës
Fjala “Republikë” hyri në këngën e poetit, si një akt madhështor, me “gumëzhitjet e hapave të pishtarëve të lirisë/ me vdekjet e vjetra dhe të reja/ me zjarret e shpirtrave të djegur dhe me shtëpitë e verbuara nga gjuajtjet, me vajin e nënave për djemtë e tretur”. Do të thotë me të gjitha fatkeqësitë dhe tragjeditë, por edhe me madhështitë e saj..
Në fund të vitit 1997, përkatësisht në fillimpranverën e vitit 1998 Kosova u gjend në luftë të armatosur. Ndodhi rënia heroike e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit dhe e familjes së tij, e cila sensibilizoi mbarë opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar. Lufta për liri që tashmë kishte filluar, po përkrahej nga masa e gjerë e popullit.
Edhe poeti, krahas angazhimeve të tjera, krahas luftëtarëve që luftonin për liri, bën përpjekje të sublimojë zërin e tij në shërbim të çështjes. Ai në atë kohë shkroi një varg poezish që lidhen me luftën dhe krismat e lirisë. Aktin heroik të Adem Jasharit, poeti e koncepton si një akt madhështor dhe të domosdoshëm për kohën:
Ata s’deshën të lënë
Jetën të digjet në pragjet e shtëpive
Me eshtrat e tyre
Tokën e bënë të pathyeshme
Konceptimi i luftës dhe portretizimi dëshmorëve në poezitë e Din Mehmetit bëhet pa ngarkim metaforash dhe figurash të tjera stilistike, sepse tashmë kishte ardhur koha që poetët “t’i armatosnin vargjet”. Poezia duhej të ishte më e drejtpërdrejtë, më transparente. Madje me këtë rast poeti shndërrohet në rolin e kushtrimdhënësit. Si kushtrim tingëllon edhe poezia “Manifest poetik”, për të cilën temë do të flasim në një kapitull tjetër të këtij punimi. Duke parë rrezikun nga zhbërja si popull, një e keqe e madhe që vinte nga regjimi i egër pushtues dhe barbar serb, Din Mehmeti në mes tjerash shkruan:
Poet ka ardhur koha
Kur duhet t’i armatosësh
Edhe vargjet
T’i vendosësh mitralozat
Në çdo rrokje
Në çdo fjalë
Poeti në këtë poezi kërkon nga poetët që t’i ikin vetmisë krijuese, të ikin nga ëndrra dhe sugjestioni krijues e të dalin në terren, aty ku takohen jeta me vdekjen, robëria me lirinë, lufta dhe dëshira për të bërë paqe, në mënyrë që në vargjet e tyre të ketë më tepër gjak jete, më tepër rrezatim drite dhe kënge, që do të ishte një shpresë më shumë për fitore, që do të ishte një lloj arme e fuqishme për të arritur atë për të cilën kishin kënduar ata me vite e dekada, sepse, siç shprehet poeti, “e bukur është ta mbrosh jetën nga shfarosja…”:
Më 1999, kur lufta në Kosovë kishte përfunduar, poeti shkroi poezinë “Unë dhe liria”, të cilën do ta botojë te vëllimi poetik Mos vdis kur vdiset, dy vjet pas përfundimit të luftës. Në strofën e parë të kësaj poezie, ku dominon figura e personifikimit, poeti shprehet:
Liria erdhi
Si një dritë e përndezur shpirti
Nga zjarri i gjakut të Hyjnive
Vargu pohues Liria erdhi, që vjen si një klithmë apo si një lajm i shumëpritur, që natyrisht është një klithmë sa gëzimi, aq edhe dyshimi, plotësohet nga vargu tjetër, apo cilësori krahasues Si një dritë e përndezur shpirti. Siç mund të vërehet, poeti i gëzohet ardhjes së lirisë, kësaj “ëndrre drite”, “flakë gjaku” dhe “duhi shpirti”, por para tij njëkohësisht shfaqen edhe dilemat se ç’farë mund të bëjë ai për atë (lirinë) dhe ç’mund të bëjë ajo (liria) për të (poetin), pas gjithë asaj mungese, ashtu sikurse edhe shfaqja e dilemës tjetër se a mund ta përqafojë ai lirinë më tërë robërinë e stërzgjatur të jetës që kishte.
Akti i ardhjes së lirisë nënkupton edhe aktin e përfundimit të luftës. Por koha e zhvillimit të ngjarjeve në dramën e përgjakshme në mes këtyre akteve, është e stërmbushur tragjedi, dhembje dhe trauma, të cilat janë fiksuar thellë në shpirtin dhe qenien e poetit dhe të popullit të tij. Pasojat janë të rënda, të cilat do të ruhen gjatë në kujtesën e njeriut të kësaj treve.
Poezia Vargje të pëlcitura, publikimi i së cilës, qoftë në libër, qoftë edhe para se të futej në libër, u mirëprit dhe në atë kohë u konsiderua si një himn për heronjtë e lirisë të rënë në kohë dhe periudha të caktuara të historisë. Poezia është shkruar brenda një periudhe dramatike njëzetvjeçare, që nga demonstratat e vitit 1981 e deri në çlirimin e Kosovës. Në fund të saj janë shënuar vitet 1981-1999, me anë të cilave poeti në një farë mënyre, përveç periudhës së shkrimit të kësaj poezie, shënjohet edhe periudha të cilës edhe i takojnë dëshmorët e rënë, të cilëve u këndon poeti. Ai edhe mund të ketë kënduar, në këtë rast edhe për heronj të kohërave të tjera, por kjo datë e vënë në fund të librit, më tepër na flet për këtë periudhë dramatike të historisë më të re të Kosovës, e cila ndryshoi tërë rrjedhën e historisë:
Flini të qetë
ju s’keni pse ankoheni
gjërat më të shtrenjta
i dhatë për Kosovën
Duke qenë një ndër poezitë më emblematike të përpjekjeve dhe luftërave të vazhdueshme të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, ajo u lexua në ditën e Shpalljes së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, në Akademinë solemne të mbajtur në mbrëmjen e asaj ditë të shumëpritur, para ambasadorëve të shteteve të Kuintit dhe para të gjithë udiencës shqiptare anekënd botës.
Kosova dhe Evropa në poezinë e Din Mehmetit
Kosova dhe çështja e saj janë një këngë e gjatë e poetit të shqetësuar. Dhe kur mendohej se Kosova po ecte në rrugën e përcaktimit të statusit final të saj, me një fjalë, të përmbylljes së kapitullit të gjatë të historisë së dhimbshme të padrejtësive të bëra mbi të, në skenën e shqetësimit poetik të Din Mehmetit, Pavarësinë, sërish shfaqet mosbesimi në faktorin ndërkombëtar të vendosjes për fatin e popujve, prandaj edhe të popullit shqiptar. Ky shqetësim mbase ishte shumë i arsyeshëm, shumë me vend, sepse poeti shprehte fikën e përsëritjes së historisë. Të asaj historie me plot dredhi, që ra pamëshirshëm mbi fytyrën dhe trupin e atdheut të poetit.
Një shqetësim të tillë poeti e shpërfaq edhe përmes poezisë Letër e Binak Bregut Evropës. Evropa në këtë poezi del si një sinonim i vendosjes për fatin e popujve, ndërsa ajo (poezia) është shkruar dhe botuar mu në kohën kur në Vjenë (2006) po mbaheshin bisedimet për statusin e Kosovës, ndërsa në opinionin ndërkombëtar dhe kombëtar të gjithë i binin fort telit të politikës së zgjidhjes apo moszgjidhjes së këtij problemi.
Evropa, edhe si një sinonim i një të keqeje të konceptuar edhe si derivat i një padrejtësie të pareshtur, në vizionin poetik të Din Mehmetit vjen e konceptuar si një e keqe tjetër, nga e cila mund të vijnë të gjitha të këqijat, por edhe të mirat. Prandaj, i ndodhur në mes dilemës së besimit dhe mosbesimit, por edhe të mësimit nga pësimi historik, Din Mehmeti, përmes kësaj forme poetike sikur dëshiron t’ia “bëjë me dije Evropës” se pas të gjitha atyre të këqijave, padrejtësive, rrebesheve dhe mallkimeve që për njëqind vjet kishin rënë dhe kishin nemitur trupin e atdheut më nuk mund të luhet me fatin e tij:
Pash qiell e tokë mos m’i hilo fjalët
I thuaj Evropës të bën të fala Binak Bregu
I bregut të gjakut të vet
Mos më shkel në bukë
Mos më shkel në kripë
Siç bëre dikur
Kur ishim të shtalbër…
Vargu i fundit është shprehje e një realiteti brutal të krijuar apo të përjetuar dhe një mesazh i qartë dhe i fuqishëm drejtuar Evropës nga ana e poetit, qoftë edhe ne këtë formë, pra me gojën e heroit lirik, alias Binak Bregut të Bjeshkëve të Nemuna. Letra e të cilit drejtuar Evropës në kohën e definimit të statusit dhe të dhënies fund vuajtjeve dhe padrejtësive të mëdha shekullore ndaj një populli të tërë, është edhe një zë i fuqishëm dhe i alternuar poetik i Din Mehmetit.
Mos e ndaj trupin tonë
Nga shpirti ynë
Mos e lavro tokën tonë
Me pllug të huaj pa e pyetur të zonë
Mos shkrep farë mbi eshtrat
E gjyshërve tanë se krisma mbijnë
Se nuk jemi ata që ishim dikur
*Kumtesë e lexuar në simpoziumin në Filadelfia, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.