EDITORIAL NGA ELMI BERISHA
Ditët e fundit Kosova ishte kryelajm në mediet në Ballkan, Europë e deri dhe në mediat perëndimore. Vendimi i qeverisë së Kosovës për heqjen e tabelave “KS” dhe zëvendësimi i tyre me “RKS” ka shkatuar pakënaqësi dhe tension në Veriun e Kosovës. Një vendim qeverie që ka alarmuar intitucione e liderë që nga Ballkani, Europa e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përplasja dhe tensioni në veri është një test delikat për sigurinë kombëtare të shtetit të Kosovës mbi të gjitha. Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia dhe frymëzuar nga Rusia, detyrojnë domosdoshmërisht shtetet e mëdha perëndimore të marrin masa të menjëhershme për vendosjen e dialogut, në të kundërt pasojat do të jenë të pa menaxhueshme. Vendimi i qeverisë erdhi si pasojë e zbatimit të një marrëveshjeje teknike mes Kosovës dhe Serbisë që daton në vitin 2011, për lëvizje të lirë dhe që u finalizua në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016. Nisur nga kjo marrëveshje vleftshmëria e tabelvae “KS” ishte për 5 vite, përkatësisht deri më 15 shtator 2021, kur ishte paraparë të jetë afati i fundit i heqjes nga përdorimi i këtyre tabelave, një çështje kjo teknike që ka shkaktuar tension të panevojshëm deri në kufijtë e një përplasjeje eventuale në Mitrovicë. Djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe ngjarja në Zveçan në mënyrë kategorike nuk duhet ta cenojnë paqen e rrezikojnë jetën e sigurinë publike të qytetarëve por të mbahen të izoluara si incidente dhe shkaktarët të marrin dënimin e merituar prej organeve ligjzbatuese. Qasja e institucioneve të Kosovës me qëllim zbatimin e kësaj marrëveshje për lëvizje të lirë, është parë në Serbi nga qarqet nacionaliste e mediat atje si një përpjekje qeveritare kundër qytetarëve serbë në Kosovë. Faktori politik shqiptar në Ballkan, diaspora me kontaktet e saj dhe lobimin e fuqishëm, mediat dhe intelektualët më në zë të kombit shqiptar duhet ta demaskojnë publikisht te ndërkombëtarët dhe mediat në Perëndim frymën huliganiste, nacionaliste, përçarëse dhe urryese të ruso-serbëve që një vendim të thjeshtë qeverie duan ta përdorin për konflikt e destabilizimit të rajonit të Ballkanit. Ky vendim qeverie duhet lexuar nga të gjithë pa emocion dhe inetresa e ndjeshmëri speciale, por si një element i qënësishëm i lëvizjes së lirë dhe shkëmbimeve të lira mes popullit serb dhe atij shqiptar në Kosovë. Çdo tentivë për përvetësim dhe njëanshmëri të kësaj situate nuk e ndihmon as Kosovën, as Serbinë, aq qytetarët e tyre dhe aspiratat e përbashkëta në rrugën europiane dhe euroatlantike. Çdo element radikalist, çdo provikim, dhe çdo akt barbar duhet të ndalet me çdo kusht. Persona me të kaluar kriminale dhe të frymëzuar nga aksi Beograd-Moskë për ansjë moment nuk do të duhet të tolerohen pasi asnjë veprim mesjetar i tyre nuk e justifikon përdorimin e dhunës, dëmtimin e pronës publike, mungesën e respektit ndaj ligjit, ndaj njëri-tjetrit, ndaj paqes, gjuhës së urrjetjes, konfliktin dhe barbarizmin. Kthimit drejt dialogut institucional, zhveshja nga çdo lloj ndjeshmërie naciaonaliste ekstreme e fryme radikale, aspirata për të ecur përpara në paqe e zhvillimin mes popujve e vendeve tona janë ruga e vetme për të dalë nga tensioni, konflikti dhe dhuna ku segmente të caktuara e kanë orientuar këtë përplasje të panevojshme. Një tension i ri në Veri të Kosovës është minim i marrëveshjeve të arritura deri tani, i rrugës drejtë paqes mes shqiptarëve të Kosovës e serbëve, është një kthim pas në rrugëtimin e gjatë përpara drejtë integrimit të plotë në BE të dy vendeve. Paqja e brishtë e arritur deri tani nuk duhet të shkatërrohet në një çast të vetëm. Kosova e Serbia kanë rrugë të gjatë përpara e sfida që kapërcëjnë politikën dhe orekset nacionaliste të ditës. Dialogu, njohja e pavarësisë, paqja mes njëri-tjetrit dhe bashkëjetesa në harmoni janë të vetmet rrugë që na çojnë përpara dhe e bëjnë të lumtur e të bukur jetesën mes dy kombeve e shteteve tona. Si shqiptaro-amerikanë forcën, sulmet, dhunën dhe provokimet serbe në Veri të Kosovës i konsiderojmë jo vetëm të papranueshme por i refuzojmë me përbuzje e neveri si shfaqje të shekullit të kaluar. Çdo shpellar e radikal nuk duhet të tolerohet për të ndëshkohet me forcën më të ashpër të ligjeve të vendit. Shkatërruesit e paqes duhet të ndëshkohen maksimalisht me qëllim që ajo që është ndërtuar të mos shkatërrohet kurrë. Aktet që cënojnë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, Institucionet Demokratike, rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve në Kosovë, lirinë, të drejtën dhe pronën e qytetarëve në Kosovë integritetin territorial, paqen dhe sigurinë në Ballkan duhet të marrin ndëshkim të rëndë dhe institucionet ndërkombëtare, organet ligjzbatuese në Kosovë e gjetkë të mos rrinë duarkryq përballë kësaj situate të rëndë. Ky është një moment delikat që klasa politike, institucionet dhe qytetarët e Kosovës do ta kalojnë me suskes me ndihmën e Institucioneve të Bashkimit Europain dhe Aleatit të Përjetshëm të Kombit Shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kancelaritë Perëndimore duhet ta kuptojnë se serbët dhe rusët janë mjeshtra të krijimit e amplifikimit të tensioneve e konflikteve me bazë artificiale për të përfituar politikisht e kombëtarisht në një rrafsh të gjërë gjeografik, politik e diplomatik. Çdo plan ogurzi i serbëve e rusëve për konflikte të reja në Ballkan duhet të dënohet me ashpërsinë më të egër. Ballkani ka kaluar mjaft konflikte dhe trazira në të kaluarën dhe një vatër e re konflikti do e shkërmoqte komplet harmoninë e bashkëjetesën e popujve në gadishullin e Ballkanit. Shtetet e ballkanit duhet të shohin nga Europa dhe jo ti “nxjerrin sytë” njëri-tjetrit. Përplasja dhe dhuna janë akte të paparanueshme për qytetërimin perëndimor, pjesë e së cilit ëndërrojmë të bëhemi kaq kohë. Agresioni i vazhdueshëm kundër Kosovës dhe destabilizimi i Ballkanit nga Serbia e Rusia duhet të ndalet me çdo kusht. Serbisë i duhet bërë e qartë një herë e përgjithmonë se ka mbaruar koha e saj dhe ëndrrave radikale nacionaliste, përjetësisht. Kosova është fakt real dhe historik, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Asgjë nuk e pengon dhe s’do ta pengojë ecjen përpara të Kosovës, shqiptarëve në viset shqipfolëse e kudo në botë. Kosova zhvillohet, përparon e lulëzon çdo ditë. E ardhmja e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj janë familja e madhe perëndimore, Bashkimi Europian dhe strukturat euroatlantike. Për aq kohë sa do të ekzistojë Amerika, po kaq jetëgjatë e të fuqishëm do të jenë shqiptarët, shtetet dhe kombi ynë.